top of page

"Kujtime të fëmijërisë dhe vegjëlisë shkollore"


Idajet Jahaj

Autor- Idajet Jahaj

Libri i fundit i lexuar në fillim të 2020-tës, përmban disa nga kujtimet dhe bëmat e fëmijërisë të poetit, prozatorit, historianit dhe studiuesit vlonjat, Idajet Jahaj, titulluar "Kujtime të fëmijërisë dhe vegjëlisë shkollore", me rreth 164 faqe, shkruar në 70- vjetorin e lindjes së tij.

Një libër interesant, i rrjedhshëm, sa pikant aq edhe argëtues, që trajton me elegancë dhe pa kaluar në vulgaritet bëma të kësaj moshe, plot me “kripë dhe piper”. Një libër që të bën sa të reflektosh, por aq edhe të vesh buzën në gaz. Një libër që të mbërthen në lexim me orë të tëra pa e kuptuar. Një libër që të bën ta ndjesh veten sikur je dhe ti aty me autorin, duke qeshur e duke qarë, duke luajtur e duke mësuar, duke ruajtur dele apo duke mbledhur kalamishte misri...

Një qasje e drejtpërdrejtë ndaj fëmijërisë, të thënat dhe të pathënat e autorit në vitet e fëmijërisë, fragmente nga jeta e përditëshme, të cilat autori i shpreh thjesht dhe bukur, nëpërmjet një rrëfimi mjeshtëror dhe origjinal. E kam ndjekur krijimtarinë letrare të tij me ëndje në në rrjetet sociale, sidomos poezinë e tij, vargu i të cilit mbart ngjyrim stilistikor e letrar mjeshtëror. Ky është libri i dytë që lexova prej tij, i cili më përforcoi idenë që kisha ndërtuar rreth tij mendimin si një intelektual, njeri i mençur, mendjehapur dhe që ia vlen ta dëgjosh dhe ta lexosh.

Krijimtarinë e tij letrare e ka filluar që në moshën 12-13 vjeçare, siç e shohim dhe në faqet e këtij libri. Në se do të bëhej fjalë për "epope" në vitet e fëmijërisë, për autorin ishte pa dyshim "epopeja me librin". Dëshira e tij që në fëmijëri ishe të bëhej shkrimtar. "Librat për mua,- thotë autori,- u bënë diejt shkëlqimtarë të mendjes e të ngazëllimit të shpirtit... Lexoja pas deleve nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë dhe imagjinata fluturonte në botët e largëta të planetit, në viset e historisë, në personazhet legjendarë..." (fq 119)

Letërsia pati një ndikim të madh në adrenalinën e shkrimtarit të ardhshëm. Në faqet e këtyre librave ai gjente veten. Kjo e ngazëllente dhe e krahason veten me shkrimtarin… " ...fëmijëri e ngjashme ,- vazhdon ai,- vështirësi të ngjashme, pasione e frymëzime të ngjashme. Por natyrisht, nuk mund të bëhet krahasimi me ... diellin. Gorki ishte një nga diejt e qiellit letrar të botës. Vezullues si rrallëkush" (fq123)

Fëmijëria! Çfarë mund të thuash për fëmijërinë? Shumë gjëra kanë lënë gjurmë në kujtesën e autorit, sepse është një nga periudhat më të bukura të jetës. Që nuk ka dhembje, por ka vetëm gëzim, lumturi dhe hare. Në moshën e fëmijërisë ke kohë të bësh çfarë të duash dhe të gjitha këto gjëra nuk kanë ndonjë detyrim për të tjerët, por janë vetëm lojëra dhe dëshira. Gjithashtu kurioziteti i kësaj moshe merr përmasa të paparashikueshme.  "Eklipsi, eklipsi”!- bërtitën disa djem. Nuk e di se si e kishin mësuar këtë fjalë. Ndoshta nga mësuesit në ndonjë orë mësimi. Errësira sa vinte e shtohej, kurioziteti im gjithashtu. Zhurma pushoi. Trembja hapi krahët si perde e zezë mbi fytyrat e nxënësve... Në një kodër tej u dëgjuan disa të shtëna pushkësh. Vonë kam mësuar se këto pushkë lidheshin me besytninë e lashtë që "hëna të lëshojë diellin"( fq 71-72)

Apo kohët e bukura, kur mësoje notin që kushedi sa herë kishe pirë ujë dhe ndërkohë bëheshe " hero" për të shpëtuar shokun. Ia kishte thënë nënës i biri gjithë skenën dhe ajo buçiti si zhgaba për zogun e vet, në vargje: "Të keqen nëna, o dift,/ Që shpëtove Jazon tim,/ Po vete gjaku në gjak,/ O more shtiza bajrak..." Nëna buzëqeshte dhe krenohej. - Epo kur i do qejfi Idos, bën çudira,- tha ajo. ( fq 131)

Kur e kujton fëmijërinë tënde, duket sikur ti do që të kthehesh e t'i bësh përsëri prapësitë që ke bërë, por kjo nuk ndodh. Ti dëshiron të rikujtosh vitet e shkollës fillore. Ato vite, kur fillon rrugën e dijes. Për autorin bukurshkrimi ka qenë një tjetër "epope" e ndritur. "Për shkrimin na flisnin mësuesit, me të mburreshin prindërit tanë, krenoheshin shokët. Ishte matës i inteligjencës  dhe kredo kolektive. Natyra ma kishte dhënë këtë dhunti. Por ne nuk kemi ruajtur fletore e libra të atyre viteve. Ato do të ndriçonin sot me faqet e ylberta të kohës në krahë. Do të ishin një thesar emocional." (fq. 140-141)

Këto vite kanë kaluar një nga një dhe çdo vit ndodhin gjëra të bukura, të reja që nuk i kishe provuar më parë. Kur ne duam që të kujtojmë të gjitha gjërat e bukura që kemi kaluar, ndalemi te ajo figurë madhore që autori i këtij libri thotë: " AJO (nëna) ishte epopeja e djersës dhe e heshtjes", për të na rritur neve shtatë fëmijëve dhe të mbaronim të gjithë shkollën e lartë". Ndërsa veçon një vlerësim të piktorit anglez Eduart Lir. “Ai erdhi në Dukat e Tërbaç, në vitin 1848. I mahnitur la dhe pasazhe shkrimore për njerëz dhe vise. Ja ç'thotë ai për gratë e Dukat: ATO nuk mund t'i përfytyrosh, veçse n

ëpërmjet punës. Tërë ditë me ngarkesë në kurriz, zbresin e ngjiten bokrrimave të ashpra të malit. Ngarkesa shpesh është më e madhe se trupi i tyre. Si milingonat e dheut që lëvizin kashtën, më të madhe se trupi i tyre! E pabesueshme për këto qënie gati përrallore..."

Ashtu dhe no-ja jonë. Më pas, kur kujtimet sa vijnë dhe mbarojnë, ti ke kaluar një kohë dhe mërzitesh, sepse kujtimet e bukura nuk janë ruajtur si duhet. Tani që autori ka mbushur plot 70 vjet, mendon ndryshe. Sigurisht që mendon , se, kur je i vogël, ke shumë gjëra të bukura dhe me vlerë dhe ato duhen ruajtur me kujdes. "Gjithnjë i bëj vetes pyetjen qortuese për fletoret: Pse s'i ruajta? Pse s'i ruajta? Pse s'i ruajta? Ato do të ndriçonin sot si copa talenti, copa kohe, copa idealizmi...." (fq 147). Në mënyrë të veçantë pena e autorit, ndrit në përshkrimin e natyrës dhe mjedisit të vendlindjes apo krahinës së tij.       Autori ka një ndjeshmëri të thellë të natyrës, e cila në kujtimet e tij si element i gjallë shoqëron thua nga herë veprimin.

Autori ka një vështim të vetin të natyrës, krejt origjinal. Tregues i mjeshtërisë artistike të tij, si poet apo prozator është sidomos figuracioni i pasur dhe shprehës. Idajet Jahaj është mjeshtër i antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve. E gjetur shumë është dhe antiteza. Krahasimet kanë konkretësi e njomësi ndjenjash.

Po cili është Idajet Jahaj? Ka lindur më, 1949, në Mesaplik të Vlorës, ku pasi mbaroi shkollën 7- vjeçare. Më pas shkoi në Himarë për të bërë gjimnazin. Shkollën e lartë e përfundoi në Shkodër, në vitin 1971, në degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Më pas filloi punën si mësues në shkollën 8- vjeçare të Mesaplikut. Endur në disa shkolla të asaj krahine, në vitin 1991, atë e gjen mësues në qytetin bregdetar të Vlorës, për ta mbyllur karrierën e tij si mësimdhënës  duke dalë në pension në vitin 2014.

Bota letrare e njeh Idajet Jahaj si poet me poezitë e moshës 13-14 vjeçare, në gazetat lokale, revista " Pionieri", për të shkuar më vonë në faqet e gazetave kombëtare, me artikuj të ndryshëm. "Poezinë,- thotë ai,- e kam patur brengë të përherëshme në jetë."

Krijimtaria letrare e tij shtrihet në tri drejtime: në poezi, studime monografike dhe tregime-ese. Libra historike: 1. Zigur Lelo (monografi) 2. Perlat Hasani ( përmbledhje krijimtarie) 3. Mësues patriotë të Lumit të Vlorës,(punim monografik) 4. Kur çelin shkronjat ( monografi), 5.Shtatë detet e Himarës ( monografi) 6. Të njohim vendlindjen ( për shkollat, historik) 7. Heroikë- Gra vlonjate në histori (monografi) 8. Smokthina e bazave ( monografi) 9. Mësimdhënës të shquar në Vlorë (portrete) 10 .Humor nga Smokthina ( monografi) 11. Pishtarë të arsimit në Vlorë ( portrete) 12. Mesapliku ( punim enciplodek) 13. Vjershëtorë e këngëtarë të Smokthinës 14. Gjurmë e dritë ( portrete) 15. Perlat Hasani ( ribotim) 16. Rilindasit dhe Vlora ( studime dhe ese) 17. Zigur Lelo ( ribotim, monografi) Libra me poezi: 18. Mendimet. 22. Kafe me qiell 19. Lumi i Vlorës. 23. Zambak i ngrirë, 20. Hyjnore. 24. Petale drite, 21. Infinit, 25. Rreze e zefir, Tregime dhe ese: 26. Nëpër qiejt e këngëve. (meditime) 27. Hëna jonë nuk mbytet (tregime) 28. Duke kërkuar lulet e para ( tregime) 29. Loti i diellit. (skica dhe tregime. 30. Kujtime të fëmijërisë dhe vegjëlisë shkollore, e të tjera.

LEJLA GORISHTI

Redaktore dhe kritike letrare

VLORE

6 mars, 2020

303 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page