KUJTESË
Poezi nga Kozma Gjergji
NËNË TEREZËS
(Shkruar në Ditën e përcjelljes për në amshim.)
Trishton
Kjo ditë vjeshte
Dhe dielli digjet si qiri,
Shkoi të flerë
Përgjithnjë
Nëna e ledhatimit
Të dhimbjes.
Iku larg, larg…
Dashuria na shikon
Përjetësisht
Me sytë e saj.
LUGETËRIT
(Poetit me origjinalitet të
veçant Faslli Halitit i dënuar rëndë
nga Diktatura, sepse e sfidoi.)
O lugetër, cereberë, kukudhë,
Ç'ju bëri zogu këngëtar
Që e qëlluat me pushkë?!
Çfarë tmerri!
Ai iu dhuroi këngë,
Kurse këta i dhanë plumbin!
KUJTESË
Janë fiksuar fortë
Në kujtesën e asaj vere të largët
Takimi i parë dashuror,
Fjalët në gjuhën e luleve,
Puthjet si gllënjka uji
në buzët e etura
Dhe dita e bekuar që
Mbante për ylber
Kravatën time të dhëndërisë
E për shkëlqim
Fustanin tënd të nusërisë.
ZHGËNJIM
Sapo fati i keq
Më goditi
U larguan nga unë
Miqtë e rremë
Si zogjtë
Kur vjen dimri.
GRABITQARËT
Me sa gëzim
I rrahin flatrat
Shpezët grabitqare
Kur i nxjerrin sytë
Kufomës!
EDHE METALET
Shiko, më thotë dikush,
Si i flakëron lafsha
E fryhet, krekoset
Prej epshit dhe gjeldeti!
Çuditesh? ia kthejë,
Edhe metalet pa jetë
Bymehen e shkrihen
Nga afshi e të nxehtit.
KA GJËRA
Ka gjëra si iluzionet që
Në të katër stinët
Lulëzojnë.
Ka ferra e driza që
Edhe kur thahen
Lënë gjëmbat
Të na çpojnë…
NGJETHJE
Të ngjeth misht
Ai vajtim druri
Që ha sharra!
Kozma Gjergji.
Comments