top of page

KUJDES NGA DORA TINËZARE QË VRET NJERËZ


Daut Demaku dhe Fatmir Terziu

KUJDES NGA DORA TINËZARE QË VRET NJERËZ



Letër publike medieve dhe politikës redaktuese


Daut Demaku

Qendra e Mendimit Pozitiv


Dua të jem i pari që t’ua uroj Vitin e Ri të gjitha medieve dhe, sidomos, redaktorëve që ndërtojnë politikat redaktuese. “Dua të jem i pari”, sepse jam shqiptar, e shqiptarët janë aq ego sa ndihen mirë vetëm kur janë të parët. Një miku im shkrimtar e ka pasur zakon të thoshte: “Unë i pari në Kosovë, unë më i pari…”, sepse ishte shkrimtar dhe ishte shqiptar. Një ditë e pyeta, qysh je më shëndet? Më tha: Jam lodhur, po vdes. I thashë: Zot shyqyr, të paktën këtu nuk mund të thuash, Jam i pari që po vdes në Kosovë, sepse, për fatin tënd të keq, kanë vdekur edhe të tjerë – para teje. I thartoi pak turinjtë, por punë e madhe, sepse: e vërteta gjithnjë t’i tharton turinjtë. Kisha dashur që, medieve dhe, sidomos, redaktorëve që ndërtojnë politika redaktuese (nëse ka medie të tilla), t’ua thartoj pak turinjtë, por nuk po mundem, sepse e njoh punën e tyre të vështirë, e di shumë mirë vuajtjen e tyre dhe kjo më pengon. Por, prapë: për fat të keq, e njoh shumë mirë edhe hilenë e tyre dhe – kjo më DETYRON të flas. Prandaj, do t’i them vetëm disa argumente, e përfundimet le t’i nxjerrë secili për vete, në mënyrën e vet. Këto thyerjet e mëdha në politikën shqiptare kanë krijuar një mjegullnajë të madhe. Të gjitha kanë ndryshuar në jetën e shqiptarëve: politika, sistemi ekonomik, sistemi arsimor, organizimi familjar… të gjitha, të gjitha. Këto thyerje e këto ndryshime u kanë dhënë mundësi të madhe të gjithëve që të prodhojnë tym e mjegull. Në këto thyerje, që është e pritshme, sulen dhe gjejnë fushë veprimi të gjithë faktorët e interesit. Në këto ndërhyrje dallohen fort e qartë politikat e mëdha shtetërore, që janë të lexueshme dhe të qarta, por më të rrezikshmet janë politikat e vogla, politikat e fondacioneve të ndryshme, që prodhojnë dëmtime të vogla, në dukje, e substanciale, në përmbajtje.

Të gjitha këto veprime e kanë për qëllim mjegullnajën, sepse, si thotë populli: Ujku mjegull do! Të ndalemi te arsimi, te e ardhmja e kombit dhe të shohim, për së afërmi, të vërtetën tonë TRAGJIKE. Në këtë vjeshtë, me disa bashkëpunëtorë të Qendrës së Mendimit Pozitiv, i vizituam nja pesë-gjashtë qendra të shkollave të mesme. U tmerrova. U tmerruam, sepse u takuam me tmerrin! Për sa kohë që kam qenë gazetar dhe redaktor i gazetës së arsimit “Shkëndija”, nuk kam lënë shkollë në Kosovë pa e vizituar. Dhe, kjo vizita e fundit, që ua bëra këtyre shkollave – më rrëzoi përtokë! Këto shkolla mund t’i quaje gjithçka tjetër, vetëm shkolla – jo!

Secili prej drejtorëve e kishte të njëjtin tregim: unë këtu jam vetëm figurë. Partitë m’i dërgojnë profesorët, partitë m’i dërgojnë punëtorët ndihmës dhe unë, drejtori, jam vetëm ZBATUES I URDHËRESAVE. Pse kundërmojnë shkollat si WC-të publike, pse nuk sheh nxënës me libër, pse nuk sheh disiplinë, pse nuk sheh asgjë që i përngjet shkollës – jo, të dashurit e mi, për njeriun që i ka dy kokrra mend – kjo është më e rëndë se vdekja! Shkollat tona qenkan vende që prodhojnë vota për partitë politike, shkollat tona qenkan vende për punësime të militantëve partiakë, shkollat tona qenkan vende për shitjen e notave e të provimeve, për shitjen dhe blerjen e diplomave… Por – shkollat tona NUK QENKAN VENDE ku ndërtohet edukata, ku fitohet dija, ku përgatiten brezat e së ardhmes së këtij vendi. I vizitova, pastaj, edhe disa kolegje dhe universitete. E NJËJTA GJË, por në nivel pak më të lartë, sepse këtu provimet dhe diplomat po shiteshin shumë më shtrenjtë. O mjerim, o mjerim! Pikë për pikë qysh ka dashur FUNDAMENTALIZMI ORTODOKS SERB, që ka pas thënë: “Shqiptarëve shkollën – po, por DIJEN – jo!” Sa shërbëtorë të mirë që jemi… Pse e bëri këtë gjendje politika, kjo nuk diskutohet, por, aman, O NJERËZ, ku është ndërgjegjja e punëtorëve të arsimit, a kanë mend në kokë, a kanë sy në ballë, a kanë ndjenjë njerëzore?! E, pastaj, paskan edhe fytyrë të bëjnë greva e të kërkojnë rritjen e pagave! A ekziston dhe PSE ekziston (qe njëzet vjet) fytyrënxira, e quajtur ministri e arsimit?! Në testin PISA, në mesin e 70 vendeve të botës, arsimi i Kosovës e “fitoi” vendin e fundit në botë! Dhe –punë e madhe. Pazarxhinjtë në shkollat tona vazhdojnë shitblerjen e provimeve dhe të diplomave. Askush, asnjëherë – asnjë përgjegjësi! Po është edhe një diçka tjetër, që njeriu normal nuk mund ta kuptojë kurrë: ata fëmijë, a kanë prindër? Ato para për blerjen e notave, të provimeve e të diplomave, kush po ua siguron atyre fëmijëve? Mos po dalin prindërit VRASËSIT E FËMIJËVE TË VET! Zotërinj redaktorë, ju ndërtues të politikave redaktuese të medieve, a ekziston mundësia ta keni një pikë NDËRGJEGJE dhe të mendoni pak me kokën tuaj: kur nuk i ndizni ju zilet e alarmit, kur nuk e inicioni ju zhveshjen e plotë të kësaj gjendjeje tmerruese – kur nuk e krijoni ju klimën që të dridhen shteti e populli para kësaj shëmtie katastrofike, kur t’ju pyesin fëmijët tuaj: pse keni bërë jetë amorfe, çfarë do t’u thoni? Ju kërkoj falje, juve, redaktorë, sidomos juve që ndërtoni politika redaktuese, sepse ju jeni të fundit që duhet të fajësoheni.

Fola për ju, sepse e di fuqinë tuaj. Fola për ju, sepse shumicën prej jush – ju njoh edhe personalisht dhe e di me saktësi që bashkëndieni me mua. Fola për ju, sepse ju jeni luanë të fuqishëm dhe, po u zgjuat ju nga gjumi hipnotik – të gjithë krijuesit e kësaj gjendjeje tmerri – do t’i bëni të dridhen edhe në gjumë. Ju e keni në dorë zhdavaritjen e kësaj mjegullnaje, ju e keni në dorë krijimin e klimës për ndryshim të këtij vendi. Me vendosmërinë tuaj profesionale, me atdhedashurinë tuaj njerëzore, me fuqinë e ndikimit të fjalës suaj – e ardhmja e këtij vendi mund të ndryshojë! Pse i thashë të gjitha këto llafe? Sepse: populli i edukuar nuk mund të robërohet, nuk mund të varfërohet, nuk mund të poshtërohet dhe nuk mund të asimilohet! Kryearkitekt i edukatës kombëtare shqiptare është Gjergj Kastrioti. Ai tha: LIRINË NUK JUA SOLLA UNË, ATË E GJETA NË MESIN TUAJ! Krejt shkenca botërore i bie vulë kësaj thënieje, sepse: liria, dituria, shëndeti, pasuria – të gjitha janë në ty! E kjo do të thotë gjithçka. Sepse popullin shërbëtor e shndërron në popull zotëri. Vetë Gjergji ishte oficer i Perandorisë Osmane, në shërbim të mbretit, por nuk deshi të jetonte si shërbëtor. U shndërrua në zot të tokave arbërore.

Kjo është baza e edukatës gjithënjerëzore. I vetmi njeri, në hapësirat shqiptare, që arriti ta zbërthente këtë POROSI EPOKALE – doli të jetë Albin Kurti, me vetë faktin e thjeshtë që e formoi lëvizjen VETËVENDOSJE. Këtu qëndron thelbi i edukatës, që nuk duan ta kuptojnë SHËRBËTORËT e pushtuesve. (Tash, më duket, sikur po ju dëgjoj të thoni: paske nisur t’i vardisesh Albinit. E di, kështu mendon mendja e shërbëtorit). Por, po ju them: Projekti im i edukimit i ka 50 vjet. Ka filluar në Simpoziumin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prishtinë. D.m.th., është hiç më pak se 7 vjet para lindjes së Albin Kurtit. Dëshmi: merreni librin tim “Plisat e kuq”, botuar nga Rilindja në vitin 1969 dhe lexojeni tregimin NËNA E USHTARIT TË SKENDERBEUT dhe do të bindeni. Kjo nuk ka kurrfarë rëndësie. E rëndësishme është SE: Projekti im nuk është imi. Është i Gjergj Kastriotit dhe Albin Kurtit. Unë jam vetëm një mësues, që i di ligjet e jetës dhe i qartëson ato ligje për t’u realizuar konventat e OKB-së për të drejtën themelore të njeriut, që quhet: e drejta për VETËVENDOSJE. …dhe tjetra: jam në moshë, i kam mbushur 75 vjet, as nuk kam nevojë për para, as për famë, as për pushtet – për asgjë! Dua që ideali i jetës sime, për të cilin kam punuar 50 vjet – të shndërrohet në vepër dhe ta ndihmojë këtë popull, që nga shërbëtorë të shndërrohen në zotër, zotërues të vetvetes dhe të vendit të vet.

Edhe një moment tjetër: Kanë qenë dy njerëz në arsimin shqiptar: Aleksandër Xhuvani, në dy mandate (1922- 1929 dhe1933-1938), ishte drejtor i Normales së Elbasanit. Puna e jashtëzakonshme e këtij njeriu, sidomos me tekstet e tij autoriale didaktike dhe metodike, bëri që Normalja e famshme e Elbasanit të jetë qendra më e fuqishme e edukimit kombëtar. Dhe, ishte Ernest Koliqi, që dha urdhrin të dërgoheshin në Kosovën (gati) qind për qind analfabete, dy-tre autobusë me nxënësit e diplomuar në këtë Normale – që të fillohej arsimi shqip. Të mos ishin këta dy NJERËZ, Kosova – që para pesëdhjetë vjetësh – do të kishte folur serbisht, sikur Sanxhaku i sotëm, me qytetin e tyre Novi Pazari… Në atë rajon jeton populli më tragjik në botë: e la gjuhën e nënës (shqipen) dhe e mori gjuhën e çetnikëve (serbishten), që ua kanë prerë fëmijët në bark të nënave. Kjo është edukata me hile (që vret) dhe shiheni – të kundërtën – çka është vlera e edukatës së vërtetë kombëtare! Kaq desha t’ju them. Ju dua shumë! Urime festat!


#Daut #Demaku

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page