top of page

KU JE NOVRUZ ABILEKAJ?


Novruz Abilekaj

T’a kam një borxh Novruz Abilekaj. Borxhin nuk e tret as dheu. Në fakt, të gjithë ata që unë njoh, të njejtin borxh të kanë, atë lloj borxhi që rrjedh nga mirësia jote, nga respekti për të tjerët, nga përkushtimi në punë, cilësi që në ditët e sotme, kur mes njerëzëve ka hyrë ndjenja e pronës dhe cmira bren hekurin, pak njerëz i kanë.

Ti ishe mësues në Shqipëri Abilekaj, një mësues që praktikat e para mësimore i bëre në një qytet të lashtë të vendit tonë, qytetit nën hijen e Rozafës, të asaj nëne, që me gjirin jashtë u jep qumësht fëmijëve, brezit të ri prej shekujsh, qumësht i rrjedhur nga sindromi i besës, të atij vyrtyti që i ka mbajtë shqiptarët në shekuj në këmbë dhe ua ka ngritur kokën lart.

“ U linda më 1945 në Tërbaç të Vlorës, shënon në faqen e fundit të librit me poezi “Vjen fjala tjetër”. Fëmijërinë e kalova në Selenicë, ndërsa vitet e rinisë (1959-1965) në Vlorë e Shkodër, ku mësova mësuesinë dhe poezinë. Shënoje: “Aspirova të bëhem “Buri e Partisë”, por radha ishte shumë e gjatë. Aspiruesit shtyheshin. Asnjëherë nuk kam preferuar të shtyj e të shtyhem. Më 7.12.1963 më botuan një nga pesë poezi të dërguara. Nuk e përsërita kurrë kërkesën për botim, megjithëse nuk e braktisa kurrë poezinë. Zgjodha përkushtimin në punën e përditëshme dhe publicistikën vullnetare. Më 1971 shkruaja për minatorët këtë jetshkrim:

Linda në mesnatë

Kërkova një rrugë,

Ndoqa një yll,

Ylli ishte Partia.

Më vonë, pasi bëra edhe shkollë partie, shkrova:

Rruga m’u vithis

Ylli ish i tjetrit.

Nga viti 1995 jetoj në Athinë. Për fëmijët e emigrantëve shqiptarë kam përgatitur metodën “Gjuha shqipe në familje”, botuar më 2001.

Më falni që u vetprezantova, veçse për njerëzit anonimë askush nuk mund të bëjë jetshkrim dhe nuk doja të lija hapur gojën e fajit”.

Njoh shumë njerëz në Athinë, njerëz që kanë qenë në institute marksiste leniniste e kanë përcjellë nëpër duar, kanë redaktuar e dorëzuar për botim, veprat e Enver Hoxhës, njerëz me peshë në shtypjen dhe mbyllgojën e kohës, njerëz që ulen në kafene e ankohen se në oborrin e shtëpisë së tij “u kanë prerë akacien “, njerëz që me poezinë dhe prozën e tyre krijojnë iluzionin se ata kanë qenë të vrarë, të prerë, të përndjekur.

Njoh edhe Novruz Abilekajn. E njohët edhe ju në atë copë të shkurtër të biografisë së tij, tek “ndoqi një yll” por “ylli ishte i tjetrit”, ishte i atyre që sot bëjnë mullare me libra e shkrime me shpresë se një ditë do t’i thërasin tek “ylli i tyre”, jo tek ai “i kuqi”, simbol i pesë kontinenteve, por tek “ylli blu”.

Novruzi nuk ulet të shkruaj në kafe, të thithë nestcafe-në me akull e shkumë. Ai ngrihet herët çdo ditë, para orës pesë të mëngjesit. Përcjell në punë nusen e djalit, djalin, gruan dhe pastaj ulet e shkruan poezi e prozë. Më tej, kur ora e kalon shtatën merr çantën e mbushur me vegla pune dhe shkon larg duke i rënë Athinës në diagonalen e saj, shkon në Kifisia për të punuar, ujitur e prashitur kopshtet e të pasurve. Rimimi i fjalëve kështu kalon nëpër kallo duarsh që marrin e përcjellin aromë lulesh.

Më ka befasuar peronaliteti i tij, më është bërë pjesë e mendimit në digën e të cilit merr formë baruti i poezisë.

Novruz Abilekaj i do fëmijët. Për ta, që të mos harrojnë gjuhën e nënës, gjuhën e Naimit dhe të Fishtës, vrau gjumin e natës dhe bëri një libër, metodën “Gjuha shqipe në familje”.

Ishte mësues Novruz Abilekaj. Është përsëri mësues Novruz Abilekaj, mësues jo në klasa por në shtëpi fëmijësh emigrantë.

E dini përkushtimin që Novruzi bën në përmbledhjen me poezi “Vjen fjala tjetër” ? Në qoftëse nuk e dini merrni librin e tij dhe lexojeni: “Gjithçka të mirë ua kushtoj fëmijëve dhe nxënësve të mi, që i desha aq shumë, sa u preva flatrat e i mëkova me ushqim kafazi…në shenjë dashurie dhe ndjese “

Një mësues, një kopshtar në kopshtet e borgjezisë së Athinës, u kërkon ndjesë fëmijëve se i “mëkoi me ushqim kafazi”. E çfarë duhet të bëjnë të tjerët, ata që i shkaktuan, dhe i shkaktojnë edhe sot çaste tragjike vendit?

E bukur është poezia e Abilekajt, një shpatull nga trupi i së cilës po jua jap edhe juve. Por mua, që nuk jam poet, më tepër më pëlqen proza e tij, filozofia e tij për jetën. Doni të bindeni për këtë ? Më ndiqni në parathënien e tij në librin me poezi…

“…Νga pylli i gjallesave që lindën brënda qënies sime rrita e dhurova vetëm ç’mund të mbijetonte jashtë meje. Pjesën tjetër e ngjesha në shpellat e brendisë sime deri në frymzënie. Ato nuk vdiqën kurrë dhe, kur mblidhen në kuvend apo kacafyten midis tyre, unë e shoh veten të fundosur në mendime…

…Në anë të rrugës bën nojma një lule e bukur. Njera nga gjallesat brenda meje përplitet deri në ulërimë për ta bërë të sajën atë lule, por…morali, ligji, që e hartoi Ai që e brohoritëm ne, e ndalon këputjen. Atëhere unë hap luftë mbi atë gjallesë, i hedh përsipër gjallesa të tjera të mirëbindura, që e shkelin, sakatojnë dhe e burgosin atje ku janë dhomat më të errëta dhe ku nuk arrin kurrë as ngjyra, as aroma e lules. Askush nuk më penalizon nëse kryej krime të tilla. Për të garantuar bashkjetesën, këtë krim duhet ta kryeni edhe ju, edhe ata, kushdo që është njeri i zakonshëm. Kështu luajmë rolin tonë të sipërshënuar. Vetëm perandorët mund të dalin nga roli. Vetëm ata mund të kultivojnë në pyllin e tyre çdo pemë, edhe pemët e ambicjes dhe lakmisë. Gjallesat që mbyten e burgosen nga perandorët ndodhen jashtë qënies së tyre

Prandaj ata nuk tjetërsohen. Ne, po, tjetërsohemi. Ky është kushti i parë për të mbijetuar pa qenë perandor.

…Dy njerëz, qoftë edhe brenda një qënieje, nuk mund të mendojnë njësoj. Në të kundërt botës do t’i mungonte një njeri ose, më së paku, një melodi, një pshertimë, një tingull. E përsëri ne duehet të luajmë në një skenë të përbashkët, e cila asnjëherë nuk është e ndërtuar sipas dëshirës sonë, duhetë të lëvizim sipas një trajektoreje, që thuajse përherë nuk është e jona.

Vetëm perandorët përbëjnë përjashtim, qofshin edhe perandorë të letrave…

…Duke qenë njerëz të zakonshëm, unë dhe ti kemi të drejtën të tjetërsohemi, të jemi tjetri…”

Nga poezitë, nga tjetërsimi i Novruz Abilekajt, zgjodha dy: Njera titullohet “Kërkoj” kurse tjetra “Epopeja e Rrapit”. Prej tyre zgjodha disa strofa duke ia lënë në sy lexuesit që t’i fiksojë në retinë e në tru të tjerat…

KËRKOJ

Si gjithë shqiptarët, edhe unë

peripato bëj në Athinë:

hedh këmbën e majtë.

hedh këmbën e djathtë,

mbij buzë trotuarit,

në dorë shtrëngoj një mendim

Buzë trotuarit unë.

Atje thellë.në asfaltin e zi,

vazhdojnë rrokullisjen:

trolejbus, autobus,

motor, motor, motor,

makinë, makinë, makinë.

Prapë trolejbus, autobus,

Policbus.

Në grusht shtrëngoj mendimin.

Ndërkaq, pas meje, sipër meje,

Poshtë meje,

turma është bërë pirg,

më prek me vithe një putanë,

(putanë se zbulohet nën mini!)

Më hapen grushtat,

mendimi më bie,

pjerrsohet trotuari,

në asfalt rrjedhin të gjithë.

Trak-trak çizmet e putanës,

Shijnë.

Mendimin tim shijnë.

…..

Ha-ha-ha…

dua

ta gjeeeej

mendimin tim.

Harroj që mbi sheshkërkim

politikani me benz,

Me një fantazmë- ide ngjeshur në

brez,

të blerë, të falur, të vjedhur në

Amerikë,

Evropë,Azi,Afrikë.

Turmën shkeli me nxitim.

Fajsoj putanën me mini,

qënien e pafajshme

që të vetmen forcë e pasuri

ka gjininë,

që dredh me prapanicë

aq mendime të lira,

sa e lakmojnë politikat, kulturat

dhe vijat.

I plasi për mendimet e mija

10.07.2000

EPOPEJA E RRAPIT

(Legjendë për ata që bënë

50 vjet histori)

1.

Ai u kujtua i pari

anës rrugës mbolli një rrap.

Më parë kishin mbjellë dafinë,

Shegë…mollë…qershi

Pemë pa trung të trashë.

Ai u kujtua i pari,

Zgjodhi farën e mbolli një rrap.

Ish djalë i bukur:

Trup të hedhur

Buzëqeshje tërheqëse.

Sy depërtues,

( i mençur ?! )

…mendimi e rrëmbeu

lart

Rrapi thelloi rrënjët,

Shtriu degët,

u hap…u hap…u hap

Sa bimë rreth tij sythonin

Luteshin për jetë,

shihnin nga qielli, nga

nëntoka, në horizont:

Rrap…rrap…rrap

të mjerat thaheshin

Pluhur, baltë, pleh

bëheshin

të stërmadhohej rrapi

10.

Ora është orë, ha veten,

ha kafshë,ha gurë

dhe perandorë.

Rrëzoi nga maja e rrapit

dhe mbjellsin e madh

me zhurmë e tërsëllimë,

sa toka u ça

sa gjethe e degë u

shpërndanë.

Lot…britma…shpresë,

Hata

11.

Legjenda, legjendë

është,

e thonë edhe ndryshe

( e thashë kështu )

por fjalët e mëposhtme,

thuhen gjithmonë,

kudo,

dhe kështu:

Mbjellsi hijerëndë

i lumtur iku

pa fund turma nga pas

degë, degëza

zogj,

gjethe, gjethe

miza, miza, miza

ç’bisht i gjatë

Kujtoni ç’u solli

Shumë apo pak ?

Korrik 2000

P.S. Të kisha një borxh Novruz Abilekaj. Po ta paguaj me shkronja të gjuhës shqipe që ti aq shumë e don, gërma që dikur, dikush, në një film, një artist i madh (Sandër Prosi ), i ka quajtur “flori e shkuar floririt”. E di që nuk mjaftojnë, e di që borxhet e shpirtit kurrë nuk lahen. Do të takohemi përsëri. Në Kifisia ku i kemi kopshtet pranë e pranë. Në Federatën e Shoqatave të Emigrantëve Shqiptarë, ku ti je “violinë e parë”. Në rrugë, në kafe…Dhe pse jo, derisa jemi gjallë e jemi në jetë, në Tërbaçin tënd, në muzeun e të cilit shkruhet se të parët, ata që mbollën rrapet ku togat e zeza të inkuizicionit pushtues shekullor shqiptar varën bilbilejtë, kanë ardhur nga Tërbaçi i Dibrës.

Tërbaçi i Dibrës i lan këmbët në ujrat e Drinit e tret vështrimin kurrizit gjeografik të shqiptarëve për t’u ndalur në qytetin e Dibrës së Madhe, të prerë e të hedhur nga perandorët e zinj të kohës.

Tërbaçi i Vlorës i lan këmbët në Shushicën ujëkristal dhe mban mbi shpatulla Çipinin ku legjendat kanë arat e tyre të begata.

Athinë, 20 shkurt 2006

“Njerëz që i dua”, vëllimi I faqe 168-175

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page