top of page

KTHEHU TEK UNË!


KTHEHU TEK UNË!


Kthehu tek unë, po s’je i lumtur,

nëse ditët i ke veshur me vetmi,

nëse katër muret e asaj shtëpie

nuk të bëjnë të lumtur kurrsesi.


Jashtë stuhitë çajnë qiellin dhe

rrufetë janë të vetmet neone që

ndriçojnë në rrugë; pikat e shiut

përplasen në çati e trokitjet në

derë imitojnë. Kthehu tek unë!


Rrëketë e shiut do t’i grumbulloj

në duar si pellgje të vegjël plot

me ujë, rrufetë do t’i shndërroj

në llamba, rrugën ta ndriçojnë

sonte kur ti të kthehesh tek unë.


SHPIRTI, NJË PUPËL


Ishte vetëm një përqafim i shpejtë

si rrufe, si fluturimi i një fluture të

bardhë që flokët për një çast i prek.


Ishte vetëm një përqafim i ngrohtë

në një trup që si gjethe dridhej;

ajo botë anonime e po aq e njohur,

ku unë isha ndjerë me mijëra herë

si brenda mureve të shtëpisë sime.


Nuk ishte asgjë, veçse një përqafim,

po kushedi pse në ato çaste shpirti

im ndihej ashtu, i lehtë si një pupël,

teksa fluturonte lart drejt qiellit blu.

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page