top of page

KRYEFJALË E NJË HISTORIE


Para se të largohemi nga Kulla e Ramë Bllacës, bëjmë një foto si kujtim e dëshmi: shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha dhe krijuesi nga Londra, Sherif Bllaca, së bashku me disa nga anëtarët e familjes Bllaca

Sh p ër p u th j e


Sejdi BERISHA:

KULLA E RAMË BLLACËS KRYEFJALË E NJË HISTORIE, OSE SI E LEDHATOVA FYTYRËN NË BRONZ TË NJË ATDHETARI...!


...Ore, po bëhet si e kapërthurtë ndërgjegjja, vetëdijesimi, përgjegjësia e respekti për ndritjen më të madhe të rrugëtimit të njerëzve që e kanë bërë, që e bëjnë dhe do ta bëjnë e begatojnë rrugëtimin e historisë, e cila, sikur është plot me “puçrra” e infektime që sulmojnë, kaplojnë dhe dergjin atë lëkurën që mbështjell trupin e shëndosh, pa marrë parasysh të njeriut, shtazëve apo edhe të pemës e bimës! E theksova këtë “mesele” të jetës, sepse, ka disa vite që një mik imi i cili jeton në Londër, sa herë kthen në Kosovë, kërkon ta vizitojmë fshatin Bllacë të komunës së Therandës (Suharekës). E di shkakun edhe arsyen dhe merakun e tij; sepse është lindur atje, në atë fshat, dhe normal, e rrokë nostalgjia për vendin ku e ka lindur nëna...! Kjo, ma detyronte mendimin për historikun e këtij fshati, që tani pothuaj ecën drejtë një qyteze të urbanizuar. E në këtë “detyrim”, nuk ka se si shkon tutje pa e kujtuar dhe pedatur figurën e birit të këtij fshati, të kësaj ane e më gjerë, figurën e Ramë Bllacës. Kur e kujton këtë njeri, periudhat kohore dhe historike të dalin para sysh si kërpudha apo si skrrajat pas shiut.

Kjo “uverturë” nuk ishte pa shkas, sepse, dëshira dhe etja për ta vizituar këtë fshat na u realizua gjatë muajit maj (2015), kur nga Prishtina ku kishim shkuar për ta vënë në shtyp një libër të një mikut tjetër, R. N., i cili tërë jetën, prej rinisë së tij, edhe pse relativisht i ri, e kishte vënë në “rrotë” të historisë dhe kishte rrugëtuar dhe rrugëton bashkë me fatin e kombit dhe të atdheut, e i cili libër i ka hiq më pak se 932 faqe dhe me titull shumë domethënës, therës e metaforik, të cilin tash nuk dua ta them. Ndoshta, por edhe ashtu ishte, në Bllacë u kthyem pak edhe me kureshtjen por edhe me ngarkesën shpirtërore për botimin e librit të sipërpërmendur. Tash edhe miku im nga Londra, Sh. Bllaca, reflektonte gëzimin dhe kërshërinë që po kthenim në fshatin e lindjes së tij.

Ishte ditë me diell. Pllajat e asaj ane të Kosovës frymonin plot krenari për gjithçka por edhe për bereqetin e sivjem, i cili në fusha dhe ara ushqehej me ajrin, ujin, dhe plleshmërinë e tokës së Kosovës. Fshati, edhe pse ishte mesditë, sikur dukej se ai ende është duke fjetur me ëndrrat e lirisë dhe me etjen për ndriçimin e historisë. Këta dy faktorë, jam i vetëdijshëm se “trazojnë” njëri-tjetrin, kurse gjumin e tretin apo e shndërrojnë në meditim, në meditim për gjithçka e për shumëçka!...

__________

Metafora e luhatjes së majave të barit dhe rrezet e diellit që përqafonin varrin...

Në rrugën e ngushtë por të asfaltuar, hymë në brendinë e fshatit, tek Xhamia, të cilën edhe synonim që së pari atë ta vizitojmë. Ishte një xhami e vogël, por nga ana e jashtme e gëlqerosur dhe kishte marrë një ngjyrë të bardhë simbolike. Mirëpo, në hyrje, së pari “takohemi” me derën e oborrit gjysmë të hapur dhe të “rrezbitur”! Nuk më pëlqeu. Jo për shkak të xhamisë, por për diçka tjetër, për të kaluarën e këtij fshati...! Në këtë moment, më imponohej kujdesi dhe kultura e banorëve të këtushëm dhe jo vetëm e tyre, kundruall pasurisë dhe vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike.

Në fillim, pasi hymë në oborrin e xhamisë, që kuptohet, është vendi ku prehen eshtrat e banorëve të fshatit, por edhe të bijve të njohur jo vetëm të Bllacës. Lartësia e barit të rritur nuk na mundësonte ta gjejmë lehtë orientimin për tek varri i Ramë Bllacës, por edhe tek i biri i tij, Qazim Bllaca, këtyre dy figurave, të cilat bashkë me shumë të tjerë i kanë vënë themel një periudhe historike për lirinë dhe pavarësinë e kombit dhe të tokave shqiptare. Por, orientimin na mundësoi, miku im Sherifi, i cili edhe përpara shpeshherë kishte kthyer këtu. Nga larg, nga luhatjet e majave të barit të gjatë deri mbi brez, rrezet e diellit na reflektuan fytyrën në bronz të Ramë Bllacës. Duke larguar barin kujdesshëm, që dorën në zemër, ndoshta do ta kositë dikush dhe do ta përdor për ushqim kafshësh, arritëm të afrohemi tek varri i tij. Duke e “shpërthyer” me shikim, bukur shumë u hidhërova por edhe u ligështova, dhe atë për shumë gjëra. Një. Sepse, ishte një varr modest mbi të cilin qëndronte busti i këtij burri të matur, mendimtar, trim e vizionar i paepur! Për këtë, ndoshta ju do të nxirrni mendim e konkludim më të drejtë!...


Te varri dhe busti i atdhetarit, Ramë Bllaca në fshatin Bllacë të Therandës (Suharekës)

I bëra disa foto tek varri i këtij burri, i cili ka ndërruar jetë këtu e shtatëdhjetë e tetë vjet më parë. Pastaj, e ledhatova bustin por gjithnjë duke u hamendur se a mos do të hidhërohej ai që po e bëja një gjë të tillë, sepse, ndoshta do të thoshte: nuk jam për ledhatime...! Megjithatë, unë e bëra timen, por bari i gjatë më pengonte të mendoja thellë e shtruar për jetën e Ramë Bllacës. Megjithatë, për pak u futa në historinë e këtij burri i cili tani eshtrat i prehen tek Xhamia e Bllacës, ku varri i tij ishte kapluar nga “vrulli” i rritjes së barit. E, kur rritët bari, metafora e simbolika tregojnë e thonë shumë...

Për këtë njeri janë bërë bukur shumë shkrime, të cilat pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë e këtij bllaciani. Në një shkrim, në mes tjerash thuhet:

“...Për nga përmasat dhe rrezatimi në histori, për më se gjysmën e parë të shekullit që lamë pas, kryet e vendit e zë, sot e mot, Ramë Bllaca. Është kryefjalë e historisë së Bllacës e çdo bllacjani. Është kryekëngë në këngët që jetojnë. Ai është i derdhur kudo në çdo rrëfim, në çdo bisedë. Ai është pasaporta krenare e Bllacës, Suharekës dhe e Kosovës. Ai është ai me të cilin krenohet historia shqiptare,...

Ramë Bllaca kishte dashuri për shkollën e dijen edhe pse vet ishte i pa shkollë...ai ëndërronte shkolla, dije e kulturë për shqiptarët...

Ramë Bllaca është përmendore e qëndresës shqiptare, e dashurisë për trojet shqiptare, e sakrificës për tokën e jetën shqiptare. Është përmendore, që koha e paqtë që do të vije, veç do ta lartësojë dhe historia do ta ruajë mirë në gjirin e vet, aty në panteonin e të mëdhenjve të kombit”...!

...Dhe, sillem nëpër atë pjesë të varrezave të xhamisë, bëjmë foto... Unë për qejfin e rebelimin tim, e miku im, Sherifi, për mallin e nostalgjinë që ka për vendlindjen e vetë, për Bllacën që e do shumë, e që e ka përjetësuar edhe në krijimtarinë e tij, ashtu siç di ai vetë.


Duke zbritur shkallëve të një thesari e dëshmie që ka peshën shumëdimensionale kulturore, historike dhe arsimore(Kulla e Ramë Bllacës)

Jo larg varrit të Ramë Bllacës, i pushojnë eshtrat e të birit, Qazim Bllacës. I fotografova këto dy varre apo shenja historie duke i futur në fokus aparati të dy bashkë. Thash, kanë një frymë, kishin një qëllim, një histori, kanë shkuar me një shkrumb e me një etje! Dhe, të mos e zgjas. E luta mikun tim të ma shkrepte fotoaparatin për një foto pranë varrit dhe bustit të Ramë Bllacës. Kështu edhe ndodhi. Pastaj i shikova edhe njëherë këto dy varre të bijve të Bllacës, të tokës së tyre por edhe të atdheut tim, e pastaj ua ktheva shpinën pa u thënë dhe pa u folur gjë. Pa u thënë as: ditën e mirë e as mirupafshim! Sepse, nuk e di,... u frikova. Po, po! Dëshiroja të ndahesha nga kjo vizitë pa fjalë as pa tekst, sepse, meseletë janë të gjata, kurse etja kurrë e pashuar.

Por, nga brendia e shpirtit më doli një lloj përshëndetje: aferim, Ramë Bllaca,...! Dhe, kështu, nga brendia më doli diçka si llavë vullkani. Nuk e di se çfarë doli edhe diçka tjetër bashkë me te. Ndoshta, asgjë,... por, ndoshta shumëçka e për gjithçka. Kështu e ka rebelimi i shpirtit tim, por begatia e odave, tash ma “pjekë” satirën e filozofisë dhe të mendimit të thellë, ndonjëherë të thënë idhshëm dhe të ndrydhur, që, pastaj gjithçka prodhon helm e krenari përnjëherë..., që, në kushte normale, helmi e krenaria nuk bën të farkohen dhe as të bashkohen, ose, kur helmi i krenaria bashkohen, atëherë krijojnë një diçka që dot nuk ndahet për jetë e mot...!

Kullë e rrahur motesh dhe e qëndisur me legjenda e me tregime kohërash...!

Ikëm nga varrezat, xhamia dhe nga eshtrat e Ramë e Qazim Bllacës... Unë duke u “përbiruar” nga dera e rrezbitur e oborrit të xhamisë dhe u drejtuam për tek Kulla e Ramë Bllacës. Posa kaluam përpjetëzen e parë të rrugës së fshatit, në anën e majtë na ra në sy pllaka “Kulla e Ramë Bllacës”. Hymë brenda në oborr, i cili pjesërisht ishte i mbuluar me gjelbërim, ndërsa, në fillim, përballë bënin hijeshi dy shtëpi të reja e me arkitekturë bashkëkohore. Ndërsa, pak më larg qëndronte Kulla e këtij atdhetari e rrahur motesh, e qëndisur me legjenda e tregime për rrugëtimin e njeriut. Më dukej se secili gur i përjetësuar, e kishte historinë e vetë, rrëfimin, gëzimin, hidhërimin dhe klithmën e vetë...!

Edhe kësaj radhe, diçka më “trumbetonte” përbrenda vetvetes. Isha i etur si lapsi e letra për shkrimin historik dhe për rrëfimin e bardhësinë e saj... Por, tani nuk dija se çfarë të bëja, cilën ngjarje dhe rrëfim ta radhis në mendje, sepse, përbrenda kullës, në dhomat e saj, dhëmbi i kohës dhe pakujdesia e njeriut në çdo pëllëmbë qëndronin si rrjetë merimangash dhe si klithmë e heshtur e të gjitha ngjarjeve që e kishin rrahur këtë fortesë, duke filluar nga bukëdhënia, bujaria, burrëria, njerëzia e deri tek ngjarjet që kanë ndrydhur mendjen dhe shpirtin, deri tek ato që kanë palosur ngjarje ende të pathëna apo edhe të mbyllura nëpër të çarat e mureve, nëpër raftet e dollapët e odës së kullës, e cila dikur ishte edhe shkollë, ku janë mësuar fillet e jetës dhe të vuajtjeve për liri dhe për lumturinë e njeriut...

Kulla e Ramë Bllacës e riparuar nga jashtë!

Tani, përmes kullës, më detyrohet edhe historia e fshatit Bllacë, për të cilin janë bërë bukur shumë shkrime, dhe në njërin prej tyre theksohet:

“Bllaca  shtrihet rreth tetë kilometra në veri të Therandës(Suharekës). Me emrin Blladqi përmendet në defterin kadastral të vilajetit Vëllk të vitit 1455 me 34 shtëpi. Aty jeton popullsia autoktone shqiptare... E mbajmë mend Munish Dergutin 1875-1948 kur thoshte se e kujtoj fshatin Bllacë me gjashtëdhjetë shtëpi të gjitha të mbuluara me kashtë. Në fund të shekullit XIX kishte njëqind shtëpi. Në regjistrimin e vitit 1913 kishe 1052 banorë.

Por, ngado që ta nisim, çfarëdo që të themi, nuk mund të dalim askund dhe nuk do të bëjmë dot asgjë, nëse nuk e fillojmë e mbarojmë me figura historike si, Fetah Bllaca, pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i shumë kuvendeve shqiptare, Ramë Bllaca e Qazim Bllaca... që janë në themel i historisë së Bllacës dhe i Kosovës...

Tashmë është e njohur nga të gjithë, figura frymëzuese e patriotit të madh Ramë Bllaca, që me fjalën, punën dhe veprën e tij mbajti gjallë shpresën e shqiptarëve, frymëzoi ata për të mos e lëshuar Kosovën, vendlindjen dhe atdheun...

Bllacjanët morën pjesë dhe u sakrifikuan në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare për të larguar pushtuesit e huaj. Shumë banorë të këtushëm humbën jetën në Tivar. Duhet të theksojmë me krenari luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...”.


Sherif Bllaca, i cili jeton dhe vepron në Londër së bashku me anëtarët e familjes Bllaca duke treguar se ku ishte dërrasa e zezë në dhomën ku kishte mësuar...

Sherif Bllaca, i cili jeton dhe vepron në Londër së bashku me anëtarët e familjes Bllaca duke treguar se ku ishte dërrasa e zezë në dhomën ku kishte mësuar...

Të ju them, të drejtën, vizitova e shikova çdo skutë e dhomë, çdo dollap e raft por edhe kthina ku janë zhvilluar ngjarje, të cilat ndoshta dikur vetë do rrëfejnë, nëse dikush nuk i shprush dhe nuk i trajton si e sa duhet! Miku im, Sh. Bllaca, me kërshëri më shpjegon për dhomën e cila dikur kishte qenë dhomë mësimi, aty ku ishin mësuar shkronjat, aty ku kishte mësuar edhe vetë. Por, si dukej sot ajo?! Një dhomë e cila i ngjante dhembjes apo harresës nëpër kohëra, me dysheme të “lodhur” nga kohërat sipër, me tavan prej dërrasash, që tani, figurativisht u ngjajnë syve të mbetur hapur për të parë e treguar se diçka është mbledhur, është grumbulluar,... është bërë mllo e vrer.

Zëri i mësueses i fshehur plasaritjeve të mureve!

Ndoshta, zëri i mësueses është fshehur e shkrirë në horasanin e plasaritur të mureve...! Ndërsa, tingujt e shkronjave i ngjajnë këngëve të harruara. Dua të them se aty nuk ishte asnjë “nishan” që tregon apo lë përshtypjen për peshën dhe rolin që ka pasur kjo dhomë, mbase edhe Kulla po ashtu. Thjeshtë, çdo gjë e këtij thesari të kombit dhe historisë së tij, ishte në shkatërrim e sipër, e tok me te ndoshta edhe në përmbytje e rrënim dëshmish. Kjo gjendje më ndrydhte, më dhembte, sepse, nuk ishte vetëm kjo kullë pre e “varrosjes” së shumë trashëgimive shpirtërore dhe kulturore gjithandej vendit, që pandërprerë nxjerrin zërin për shpëtim, i cili sikur nuk do ta dëgjojë kush...!


Dhëmbi i pamëshirshëm i kohës duke brejtur dëshmitë e Kullës së Ramë Bllacës në fshatin Bllacë të Therandës (Suharekës)

Dhëmbi i pamëshirshëm i kohës duke brejtur dëshmitë e Kullës së Ramë Bllacës në fshatin Bllacë të Therandës (Suharekës)

Njëri prej nipave të Ramë Bllacës, përpiqet që të më shpjegojë diçka për ato dërrasa, dyer e dritare që i ngjanin një pikture të vjetër e të mbytur në pluhur diku skutave të kthinave të errëta të muzeve të shembur prej kohësh, por që ky shpjegim, vetëm sa dëshmonte ironinë e shekujve e viteve dhe të njeriut për ruajtjen e gjurmëve të kohës, të dëshmisë dhe të fotografisë për thesarin e tapive që ka lashtësia dhe e kaluara e sertë por fanatike për mbrojtjen dhe ruajtjen e lirisë dhe të pavarësisë të të gjitha atyre që lidhen me gjakun, shpirtin, tokën dhe me gjuhën e saj. Dhe, aty për aty po mendoja: të gjitha këto vlera, si nuk dimë apo nuk duam t’i bëjmë përjetësi, dokument e dritë kohe?! Ndërsa, vitet ecin si lumë, deceniet e zënë njëra-tjetrën dhe si gjithnjë i rëndon pluhuri. Por, në këtë rast nuk dita çfarë të bëj tjetër veçse të shkrepë fotoaparatin dhe t’i bëj ca foto, disa nga të cilat po ua prezantoj edhe në këtë shkrim! Sepse, kudo përreth qëndronin vertikal dëshmitë, që nga muri i lartë por i vjetër i oborrit, i cili ishte “kërrusur” mu si kurrizi i njeriut të përvuajtur, dhe me siguri gur-gur do të ikën edhe ajo pjesë që kishte ngelur në mëshirën e rrebesheve e furtunave të kohës së re(!). Përkulshëm qëndronin edhe dyert e vjetruara të oborrit, nëpër të cilat kanë hyrë e dalë trima, atdhetarë e bujarë, por nëpër të cilat kanë hyrë e dalë edhe ata që e kanë pasur halë në sy njeriun e kësaj toke, njeriun e këtij dheu. Kanë hyrë e dalë edhe ata që kanë bërë hafije e kanë tradhtuar vetëm e vetëm për ta poshtëruar këtë Kullë, por kurrë nuk ia kanë dalë...! Për këtë arsye, Kulla e Ramë Bllacës, është kështjellë e tempull që krenarinë e ka themel, trung dhe kurorë që i ngjanë edhe librit, shumë librave..., që “detyrojnë” për hulumtime, studime e shkrime që ndriçojnë çdo gjë, çdo cep e pjesë, që ndoshta disa sosh ende janë në terr e me dilema...!


Gjurmë e dëshmi që kërkojnë shpëtim për të mos u varfëruar e kaluara e ndritur

Gjurmë e dëshmi që kërkojnë shpëtim për të mos u varfëruar e kaluara e ndritur

Gjurmët janë si engjëjt, po si morëm me të mirë, ato treten, nuk i zëmë dot...

Pra, gjurmët kudo që i pamë dhe i shijuam janë si engjëjt; nëse nuk i “marrim me të mirë”, ato tretën, ikin, shkrihen dhe nuk kemi ku t’i zëmë atëherë. E pastaj, kush është fajtor?! Vetë më doli nga mendja e goja: tash, koha me siguri jo!

Pasi përshëndetemi me disa nga nipat e stërnipat e familjes së Ramë e Qazim Bllacës, nisemi drejtë për në shkollën e këtij fshati, e cila me krenari e mbanë emrin e Ramë Bllacës. Kur e pashë atë tempull diturie të madh dhe goxha të ndërtuar mirë, bukur shumë u trimërova. Edhe këtu i bëra ca foto dhe ikëm duke e lënë këtë çerdhe arsimi me shpresë që të flasë vetë shkolla, që të flasin, punojnë e tregojnë gjeneratat të cilat kanë marrë, marrin e do të marrin dituri këtu. Por, në mendje gjithçka më ngeli kapërthurur edhe me historinë, edhe me vetëdijesimin, edhe me krenarinë, edhe me sytë e mi që më turbullohen lehtë me ujin e njelmët.


Tash, turravrapemi për në Malishevë. Por, për të arritur deri atje, duhej kaluar nëpër fshatin Banjë e Malishevës, ku në vitin 1968 për herë të parë kisha provuar peshën e ditarit shkollor dhe të punës së mësuesisë. Kur mbërrimë në këtë fshat, asgjë nuk ishte si në vitin kur kisha filluar të punoj si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, përveç se në mua përherë ka ngelur kujtimi dhe dashuria si çmenduri për këtë fshat, për të cilin edhe atëherë kisha dëgjuar përmes njerëzve për një pishine klasike dhe burim të ujit termal këtu.

Nuk dua ta komentoj më shumë këtë fragment jete, sepse, edhe për atë kohë ka gjëra dhembjeje e krenarie. Por, një prej tyre është udhëtimi im me tren prej Peje deri në Ujëmirë, e prej aty, këmbë deri në Kijevë, pastaj prej aty deri në Malishevë dhe “vrap” deri në Banjë. Hiq më pak se mbi katër orë udhëtim...! Kujtoj, se kjo mjaft tregon për atë kohë time të shkurtër të mësuesisë, të vrullit rinor dhe të elanit e këmbëve të rinisë.

Ecim e ecim bashkë me mendimet e tretura bashkë me barrën e njeriut...

-E, si kështu?!... Tërë jeta duhet të ikën duke qenë i ngarkuar me rrugëtim që dhemb, që rëndon por edhe fort qorton.- ma drejton pyetjen miku im.

Shkolla e mesme e ultë “Ramë Bllaca” në fshatin Bllacë

Ngela duke menduar gjatë për t’ia kthyer një përgjigje të plotë, por nuk më premtoi koha. Arritëm në qytetin dhe qendrën e Rrafshit të Dukagjinit, në Pejë, kurse pyetja më ngeli diçka si peng apo vetëm si një lak rreth qafe dhe asgjë tjetër...! Mbeta me kujtimin për varrin dhe bustin e Ramë Bllacës, për Kullën e tij si myhyr-vulë dhe qortim në të njëjtën kohë. Nuk di. Jo, jo,... nuk di pse!

Dhe, interesant. Nuk di si ta shpjegoj, se si në këtë moment m’u kujtua dhjetë qershori! Ndoshta, pse pikërisht në këtë datë jam lindur si i vetmi djalë i babait dhe i nënës sime?!!... Ndoshta edhe për diçka tjetër... Ndoshta është ditë e datë që ka peshë...

Nëse doni, këtë komentojeni Ju, por komentojeni edhe tërë këtë shkrim, nëse e keni vullnetin për ta lexuar!



Edhe kjo pllakë thotë e flet shumë për gjurmët që nuk duhet të shlyhen...!
72 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page