top of page

Kroatë, serbët dhe shqiptarët


Gani Mehmetaj

Gani Mehmetaj


Kroatë, serbët dhe shqiptarët


Kroatët e dëbuan Serbinë nga bregdeti Adriatik me 1992 pas luftës të përgjakshme dhe përpjekjeve njëshekullore për çlirim. Kështu e përmirësuan gabimin fatal të vitit 1918 kur u bashkuan nën mbretërinë serbo-kroate-sllovene sa nga presioni francezë, aq edhe nga shpresat se do ta ruanin një pjesë të bregdetit Adriatik që ua rrezikonte Italia.

Sllovenët u shkëputën nga Serbia më herët me pak viktima. Bosnjë-Hercegovina u shpall shtet me vete pasi ushtria serbe vrau mbi 100.000 boshnjakë. Boshnjakët nuk pranojnë asnjë bashkëpunim rajonal a bashkim me Serbinë. Kanë shumë varre në mes.

Mali i Zi, e dëboi Serbinë e Rusinë nga copa e bregdetit Adriatik së voni, pa viktima e pa luftë. Fati ua deshi që ta kishin mbështetjen e Italisë e të Perëndimit, ndryshe nuk do ta dëbonin as sot e kësaj dite. NATO i shpëtoi mu si na shpëtoi neve.

Serbia e pushtoi Shqipërinë deri në Durrës me 1912-13, duke bërë masakra të papara ndaj popullatës së pambrojtur, por ushtria serbe u tërhoq kur e ndjenë kërcënimin e Austro-Hungarisë. Atëbotë serbët të vetmen dalje në det e kishin bregdetin shqiptar, sepse bregdeti kroat ishte nën Austro-Hungarinë.

Ushtria serbe (jugosllave) e pushtoi dhe e kontrolloi bregdetin shqiptar (1945-1948). Ushtria serbe vuri minat në Korfuz (1946) dhe fundosi dy destrojerë britanikë, ndërsa faji i mbeti Shqipërisë.

Sot Serbia prapë është pa dalje në det si në fillim të shekullit XX . Është e izoluar nga Perëndimi për shkak se vrau e masakroi shqiptarë të Dardanisë, është e armiqësuar me të gjitha shtetet në rajon, e urrejtur nga të gjithë popujt e Gadishullit Ilirik, sepse ushtria serbe bëri masakra e agresione territoriale ndaj tyre. S' ka shtet në rajon të cilit Serbia nuk ia ka zhvatur një pjesë të territorit etnik, shqiptarëve u ka marr më së shumti dhe më së shumti ka vrarë e masakruar popullatë. Por çuditërisht Shqipëria është i vetmi shtet miqësor me Serbinë.

A ka kush që mund ta shpjegoj e zbërthej këtë sëmundje mendore të zyrtarëve shqiptarë ndaj Serbisë? Si shpjegohet që edhe disa analistë a militantë partiakë përpiqen ta arsyetojnë bashkimin e Shqipërisë me Serbinë, apo lejimin që Serbia të dal në detin shqiptar, meqë kroatët e malazezët ua mbyllen bregdetin e tyre?

"Bregdetin shqiptar për të cilin dikur derdhem gjak po e marrim pa luftë", u tha i pari i serbëve kundërshtarëve të vet politik në Beograd pas takimit me kryeministrin shqiptar. Dhe serbët panë të hutuar.

Dikur serbët luftuan shumë që ta mbanin bregdetin kroat, por e humbën luftën, pastaj bënë përpjekje ta mbanin edhe bregdetin malazezë, por u iku nga dora, ndërsa do ta marrin pa shkrepur asnjë plumb bregdetin shqiptar. Në dhjetor në takimin e Durrësit, shteti shqiptar do t'ua ofrojë në pjatë detin. Varët nga serbët si e duan: në zgarë apo në furrë.

Po shqiptarët ç'do të bëjnë? Do t'i presin me lule, do t'i brohorasin Vuçiçit sikurse u brohorisnin Mugoshës e Miladinit në kohën e Enverit. Shtetarët shqiptarë do t'i quajnë kokëderra kosovarë ata që e kundërshtojnë penetrimin e Serbisë në Shqipëri, mu sikurse i quante Enveri. Sa do të zgjas muaji i mjaltit Beograd-Tiranë?

A do ta kontrolloj prapë ushtria serbe bregdetin shqiptar? A do ta nisin shqiptarët përtej Drinit pas disa vjetësh një luftë te re për ta dëbuar Serbinë nga bregdeti Adriatik sikurse bënë kroatët? Jemi gjallë e shohim.

Për Dardaninë që ia nguli thikë pas shpine qeveria shqiptare, mu si dikur Tirana e Enver Hoxhës, nuk dua të shkruaj, është e kot. Dardania duhet të mbrohet vet, por më parë dardanët duhet t'i heqin nga kreu i shtetit e institucioneve veglat enveristo-marksiste të dirigjuara nga Tirana që na e morën shpirtin njëzetë vjet.



12 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page