
Një këngë deti më dëgjon zemra
Me shkëmbin putheshin dhe unë i pashë
Në vale malesh më bredh kjo mendja
Yje dhe lule po flinin bashkë.
Ku nata tretet dhe zbret agimi
Aty o miq, përjetë më lini!
Përmbi një gërxh godet rrufeja
Midis luginës flet lapidari
Si një orkestër muzikë-kopeja
Dhe dirgjent bari-fyelltari.
Edhe të tretur aty më lini!
Kur soset jeta, nis nga fillimi.
Kur flasin zëra nga botë njeriu
Dhe gjuhë të tjera mbi portë trokasin
Në brigje jugu, alpe veriu
Zemrat e gurit, lulet i zgjasin.
Mes tyre ngjallem, aty më lini
Vise shqiptare, tokë mrekullimi!
Në skela gjiresh, parmak limanesh
Pista avionesh a në dogana,
Ngrihet si Zanë, bota shqiptare
Tërhiqet detit, kjo tramundana.
Tek yjet fik, aty më lini!
Qeshjen e syrit ma merr agimi.
Në mall mërgimi ku zemra griset
Rrëzohet shpirti për çdo mëngjes
Meraku im aty të niset
Flakë rikthimi dua të ndez!
Nëpër dyzime emigrimi
Jo, kurrë s’dua të më lini!
Tek qesh fëmija si prill i veshur
Këngën e jetës, këndoj për fare
Se lisi ynë ka mbet i qethur
Dhe pse i moçëm , sa botë e madhe.
Kur çel agimi, sy trëndafili
Mbi djepe bliri ,selit gëzimi
Në male trimash, dete gjëmimi
Edhe në vdekje të gjallë më lini!
Comments