Gjatë viteve të fundit ku jemi ‘’dëshmimtarë’’ të tragjedisë ukrainase, të gjithë ndjekim me shqetësim dhe dhimbje atë luftë e tmerrëshme që po bën Rusia kundër popullit ukrainas. Kudo në botë popujt ndjekin me dhimbje dhe me shqetësim shkatërrimin e një bvendi dhe çrrenjosja e milionave njerëz që po bfraktinin vatrat e tyre që t’u shpëtojnë bombave ruse- dhe të mendosh se vetëm para disa viteve këto vende ishin bashkë madje bashkë kanë qënë historikisht në të gjitha luftrat kundër agresorëve të jashtëm ,gjatë shekujsh. Por nuk do të kërkojmë historinë, por ngjarjet e këtyre tridhjet e ca vjet që bënë njerëzimin të rifillojë një periudhë të re historike. Pas shëmbjes të komunizmit falë Gorbaçovit, ngjarja më e bujëshme ishte shthurja e të ashtu quajturit Bashkim Sovietik- shtetit më të madh dhe pse jo më të fuqishëm të asaj kohe! Deri atëhere mburreshin se BRSS përbëhej nga 16 republika- ng vendet baltike dhe në ato aziatiike- dhe sigurisht europjane njëra nga të cilat ishte dhe Ukraina! Më sa di unë Ukraina nuk kishte qënë ndonjëherë e ndarë nga Rusia,por bota mbarë e priti me kënaqësi shthurrjen e BS ashtu dhe shthurrje të të ashtuquajturit Traktat të Varshavës. Shumë vende filluan të marrin frymë lirisht duke shikuar të ardhmen me optimizëm. Fatmirisht nuk u shthur dhe NATO si pretendonin disa, se pastaj do ta kishte marrë ferra uratën! Rusia dukej se mbetej vetëm, madje disa pretendonin se po shturrej dhe ajo ndërsa po dobësohej përditë ekonomikisht dhe,patjetër,ushtarakisht. Në këto kushte- duke dashur të mbrojë veten- Rusia pretendoi të bënte një marrëveshje me ish ‘’republikat e saja’’- ndër tëcilat dhe Ukrania , republika më e madhe dhe e pasur që po shkëputej për herë të parë nga Rusia- që të mos bënin aleanca kundër Rusisë- duke dashur të mbrohet nga Perendimi që jo njëherë Rusia është sulmuar- që të kujtojmë Napoleonin dhe Hitlerin.
Pas shthurrrjes të BS shumë vende që e përbënin morën frymë lirisht, gjë që ndodhi dhe në Ukrainë e cila kishte qënë një nga reublikat më të mëdha, madje quhej hambari i Rusisë- domethënë e Bashkimit Sovjetik. Duket se Ukrania nuk kishte kuptuar se pavarësia e saj ishte e kontrolluar , e kufizuar dhe me kusht nga Rusia dhe se nuk duhej të largohej nga ajo që quhej ‘’Vija e kuqe’’. Kjo u respektua- ndonse Rusia asnjëherë nuk braktisi Krimenë- deri sa një ditë u zgjodh (me votën e popullit) në krye të shtetit një aktor komik- që duket se po krijon një tragjedi ukrainase. Ky kujtoi se i kishte duart të zgjidhura dhe vendosi të bëjë vendin e tij, Ukrainën, pjestare e aleancës perëndimore (NATO) i nxitur patjetër nga perëndimi që duket se do të rrethonin Rusinë- dhe mirë bënin përsderisa ‘’mundnin’’! Ky veprim i pamatur mirë egërsoi Moskën e cila dhe njëherë tregoi fytyrën e saj agresore. Sulmoi në mënyrë barbare popullin ukrainas i cili po përpiqet dy vjet e ca të mbrohet duke pësuar shkatërrime të tmerrëshme dhe një gjakderdhje e paparë në historinë e Ukrainës. Ai popull po gjysmohet dhe perëndimi që e nxiti dhe armatosi, pret që Rusia të...humbasë luftën!!! Dhe Zhelenski- aktori president- kërkon armë të reja nga perëndimi që të godasë Moskën dhe shpresoj që perëndimasit të mos harrojnë se Moska ka depot plot me armë bërthamore!
Nuk ka dyshim se Rusia po kryen një agresion të tmerrëshëm kundër popullit ukrainas. Ashtu si nuk ka dyshim se populli ukrainas ka treguar një heroizëm të paparë në histori kundër agrsorit. Por sa kohë do të durojë? Askush nuk mund ta dijë se si do të mbarojë kjo luftë çnjerëzore- ky gjenocid që kryen Rusia kundër popullit ukrainas. Por qëllimi i këtij shkrimit nuk ishte të analizonte rrjedhën e luftës. Mendova se shqiptarët-të gjithë, si në Shqipëri e Kosovë e më tej- përkrahën pa rezerva- dhe ndihmuan aq sa mundën- popullin heroik ukrainas. Madje u ftua me bujë dhe presidenti Zhelenski në Tiranë ku u prit me salltanete dhe u dëgjuan fjalë bombastike- ashtu si udhëtuan shumë shqiptarë nga Tirana dhe Kosova në Kiev që të solidarizohen me këtë popull martir.
Më kujtohet se ukrainasi i parë që u ndesh me Shqipërinë ishte ish udhëheqësi i BS, Nikita Hrushov! Ai- Hrushovi- për inat të Enver Hoxhës dënoi popullin shqiptar të vdiste nga uria duke i prerë dërgimin e grurit të cilin preferoi ta dërgonte në Egjipt! Jo se Hoxha ishte i pafajëshëm- për inat të Titos (për Jugosllavinë e asaj kohe nuk mund të quhet fajtor vetëm Hoxha, i cili nuk kishte kuptuar se sa e vogël ishte Shqipëria (pa Kosovën!)) Sidoqoftë nuk dua të bëj histori- le t’i kthehemi të sotmes. Kosova po bën 25 vjet shtet i pavarur (ndonse do të preferoja të ishte bashkuar me Shqipërinë!) dhe e kanë njohur më shumë se 100 shtete të botës- duke përfshirë vendet më të fuqishme europjane dhe SHBA sigurisht. Janë disa vende europjane për arsye të caktuar që nuk e njohin akoma (Spanja ka problemin e Katalanies, Rumania po të njëjtin problem dhe Greqia për arsye të Qipros që është ndarë në mes). Jo rastësisht këto vende kanë pasur (përveç Spanjës) lidhje të veçante me sllavët, kryesisht Sërbinë. Po Ukraina? Ajo është në luftë me Rusinë- mike e Sërbisë dhe antiKosovë- pse mbetet mike e Sërbisë? Se si ndryshe do ta quanim që Ukraina nuk e ka njohur akoma Kosovën si shtet i pavarur kur shqiptarët kudoqofshin përkrahin popullin ukrainas? Nuk mund ta shpjegoj këtë qëndrim- por mund të them se sa naivë qënkan shqiptarët që ngahera përkrahnin gjoja popujt e shtypur arabë- shumë prej tyre nuk e njohin akoma Kosovën kurse Izraeli e njohu dhe hapi dhe ambasadë! Prandaj nuk mund të mos pyes edhe njëherë: Pse Ukraina nuk ka njohur akoma Kosovën? Mos akoma ndjek politikën e Moskës në lidhje me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi?
Shpresoj dhe uroj që të marrë sa më parë fund tragjedia e popullit ukrainas. Mjaft pagoi me gjak e mund ai popull! Le të urojmë pra të gjëndet sa më parë rruga e paqes dhe ai popull punëtor e i talentuar do të gjejë rrugën e mbarëvajtjes dhe me kalimin e kohës të shërohen plagët e kësaj lufte absursde! Dhe pastaj...do të njohë Kosovën!
KRISTO ZHARKALLI. Athinë 4 gusht 2024.
Comments