top of page

 KRISTO ZHARKALLIU: TË ARRATISURIT...DHE KUSH QUHET  ‘’I ARRATISUR’’?



     Kjo fjalë u përdor shumë në kohën e diktaturës dhe kishte kuptim se aso kohe populli ishte i mbyllur dhe nuk i lejohej askujt të kapërcente kufirin, madje kufiri ruhej rreptësisht nga një ushtri të veçantë që quhej ‘’Kufitare’’ sepse ata ushtarë që ruanin kufirin duhej të ishin të ‘’pastër’’ domethënë të kishin biografi ‘’të pastër ‘’ sipas kriterëve të regjimit.  Deri atëhere ishte zakon që kjo  fjalë të përdorej për  ata që arratiseshin nga ndonjë burg, ose kamp por pas luftës së Dytë këtu kuptohej se kush guxonte të kapërcente kufirin (ose Perden e Hekurt si e kishte emëruar Çërçilli). Është e njohur se e gjithë Shqipëria ishte si një kamp përqëndrimi, i rrethuar me tela me gjëmba dhe udhëtimet jashtë Shqipërisë bëheshin vetëm nga funksionarë ndhe njerëz të besuar të regjimit. S’do mend se ata që nuk ishin të pëlqyer internoheshin- kryesisht në fshatrat e Myzeqesë madje një nga kampet më të dëgjuar ishte  ai i Grabjanit të Lushnjës. Mirëpo jo të gjithë shqiptarët ishin të bindur e të ‘’urtë’’ për pushtetarët dhe disa kokëkrrisur rrezikonin jetën që të kalonin kufirin. Sigurisht jo të gjithë ishin me fat- shumë prej tyre vriteshin ose kapeshin nga kufitarët- dhe nuk dihet akoma se sa të rinj ishin vrarë në kufi gjatë 45 viteve.  Këta pra quheshin TË ARRATISUR- dhe sapo kalonin kufirin dhe dorëzoheshin në vendet fqinjë nuk i prisnin me lule,por si i hetonin muaj me radhë pastaj i mbyllnin në ndonjë kamp ose punonin për bukën e gojës deri sa të gjendej ndonjë të njohur në Amerikë që t’u bëhej një ftesë për të kaluar oqeanin.. Këta ‘’Të arratisurit ‘’ pra që në përgjithësi ishin kokëkrrisur, nuk e gjenin të shtruar as në perëndim si kishin ëndërruar- por kjo është e njohur se  shumë shqiptarë e kanë jetuar vite me radhë emigracionin e detyruar.. E këta ishin të ‘’Arratisurit’’ e diktaturës- që më vonë shumë prej tyre do të quheshin ‘’diversantë’’ madje nuk janë të pakët ata që hynë në shërbim të të huajve(nga halli) dhe ranë përsësri në duart e pushtetarëve të Tiranës të asaj kohe. Ishte diçka që dëgjohej shumë shpesh aso kohe- dhe kush kishte një të afërm ‘’të arratisur’’ internohej atje ku thaheshin kënetat dhe hapnin kanale kulluese.. Edhe sot kur dëgjojmë se dikush u arratis- mëndja na shkon në ndonjë burg ose në të kaluarën dhe kurrrsesi në kohën që jetojmë...

   Shkas për këtë shkrim u bë një  ‘’reportazh’’ i një gazete shqiptare se si një ish futbollist i njohur shqiptar ‘’u arratis’’ në vitin 1991! Ky futbollist kishte shkuar me skuadrën e tij në Francë për një ndeshje ma merr mëndja, dhe atje....u arratis nga skuadra! Si u arratis domethënë? Zbriti nga hoteli dhe u thirri policëve francezë se ai po...arratisej nga skuadra? Çudi! Kjo mund të quhej braktije e skuadrës, ose tek e fundit kërkim strehim politik! Por ajo që më habit më shumë është se ky krekoset se...u arratis në vitin 1991 kur shqiptarët po kalonin me mijra kufijt e vendit- madje nuk kishte më kufi dhe kufitarë për shqiptarët! Ky kishte shkuar me dokumenta të rregullta me avjon, ma merr mëndja, në Paris dhe atje bëri...heroizmin të...arratisej! Nga ana tjetër akti i tij mund të quhej dezertim se braktiste shokët për interesat e tij kur asgjë nuk e kërcënonte më! Më kujtohet aso kohe se shumë futbollistë shqiptarë u inkuadruan në skuadrat greke (Kola, Strakosha) e  të tjerë dhe askush nuk i pengonte më. Nuk do ta  shaja sikur të kishte burrërinë të thoshte se kishte interesa ekonomike- si na thotë se më vonë u pasurua si...vuajti shumë- dhe jo se kishte qëllime politike. Se,  dua të besoj, si dihet, që të udhëtonte me një ekip shqiptar në perëndim,kishte kaluar në sitë- (me fjalë të tjera ishte i pëlqyer për regjimin e Tiranës) se ndryshe nuk do të mundte të udhëtonte jashtë Shqipërisë...por në vitin 1991? Shumë heronj na dalin vitet e fundit thua se ata e shëmbën komunizmin! Ndihem keq kur ndeshem me shtypin shqiptar që na servir përralla të tilla. Se si arratiseshin njerëzit në kohën de diktaturës e njohim mirë dhe fola më lart. Por në ato vite ngjau dhe një episod (ta quajmë)? Me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. 

  Dihet se Ismail Kadare,ishte shkrimtari më i dëgjuar  dhe i përkthyer shqiptar në perëndim, sidomos në Francë por edhe në vende të tjera. Kjo i lejonte të udhëtonte shpesh në këto vende- akoma dhe në Greqi ku paraqiste veprat e tij. Mund të themi se ishte shqipztarti që kishte udhëtuar jashtë më shumë nga të gjithë. Me veprat e tij ai kishte nderuar Atdheun e tij si askush tjetër në ato kohra të zymta.  Në fillim të viteve 90 kur kampi i Lindjes komuniste,Kadare udhëtoi në Francë për të paraqitur një nga vewprat e tij që sapo ishte botuar në Paris dhe atje deklaroi se kërkonte strehim politik nga qeveria franceze! Aso kohe bëri bujë të madhe madje qeveria komuniste e Tiranës sikur u zu në befasi madje u bë dhe një deklaratë të vakët që dënonte aktin e Kadaresë si...tradhëti kombëtare! Sigurisht dihet se akti i Kadaresë ishte që të përshpejtonte zhvillimet demokratike dhe në Shqipëri, gjë që ndodhi shumë shpejt... Mirëpo disa  mëndje të çuditëshme shqiptarë  E quajtën aktin e Ismail Kadaresë si...arratisje! Si u arratis  domethënë? As nga hoteli ku ishte  nuk lëvizi- (si bëri  futbollisti hero i mësipërm!) thjesht ftoi disa gazetarë të njohur dhe deklaroi se nuk  do të kthehej në Shqipëri sa ishte në fuqi diktatura e njohur...dhe kërkoi me një deklaratë nga qeveria franceze t’i jipte strehim politik.  Nuk do mënd se qeveria franceze nuk kishte si të refuzonte kërkimi i një shkrimtarit të njohur (madje Parisi është i njohur si mikpritës i të gjithatyre desidentë që ‘’luftojnë’’ kundër diktaturave) Megjithatë disa mëndjendritur thanë se Ismail Kadare u..arratis në Francë.. Kadarenë e takova disa vite më vonë në Athinë ku ishte ftuar nga një grup intelektualësh  ku u bisedua kryesisht për çështjen e Kosovës ku sapo kishte filluar të shfaqej UÇK-ja. Ku pothuajse mendimet tona pajtoheshin... Por kjo është një histori tjetër dhe ndoshta dikur do të shkruaj për këtë takim dhe për pyetjet që i bëra për letërsinë kosovare dhe përgjigjen e tij. Por këtu e kishim fjalën për ata që quhen të arratisur dhe karakteristika e këtij emërtimi. Nganjëhertë- ose shumë herë- duke pasurf ndikime nga mbeturinat e së kaluarës, përdorim  fjalë dhe fraza që n uk shkojnë me kohën që jetojmë. Kemi kaq raste që mund t’i karakterizojmë si në kohën e diktaurës.

P.S.: Ja, psh. mund të përmendim rastin e Sami Rapishtit- i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Ai ishte i ARRATISUR por asnjëherë nuk e harroi , nuk u nda nga Atdheu i tij. Tani u kujtuan  mëndjendriturit e Tiranës të derdhin lotë krokodili- por përsa kohë ishte harruar Sami Rapishti? Më kujtohet kur sapo ishte shëmbur diktatura dhe kërkohej një njeri i ndershëm dhe patriot për President i Shqipërisë, unë dhe disa të tjerë kishim shprehur mendimin se Samiu ishte njeriu më i përshtatëshëm se nuk ishte agresiv, ishte patriot i moderuar dhe ishte i njohur dhe në Kosovë. Veçse fjalët tona ranë në veshë të shurdhër në Tiranë- ishte koha kur Sali Berisha nuk përmbahej dhe kishte në shënjestër të gjitha pushtetet...demokratike.Aso kohe pata një komunikim të shkurtër me të- më falenderonte por nuk ishte objektivin i tij të  ngatërrohej në politikën shqiptare!  Tani sa  shumë ‘’dashamirës’’ na dolën papritur e pakujtuar- madje disa e quajnë..Kolosi i Shqipërisë- titull që patjetër nuk do ta pranonte i ndieri Sami Rapishti..Hipokrizia nuk ka kufi! Me këtë rast dua të shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij që duhet të ndihet krenare për të ndierin Sami Rapisht...  Dhe që të mbarojmë e theksojmë edhe njëherë: Ai ishte i arratisur i vërtetë...

                                   KRISTO ZHARKALLIU , Athinë 2 dhjetor 2024.

16 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page