NGA KRISTO ZHARKALLIU.
Miqësia e vërtetë dhe në se ekziston:
Duke menduar për miqësinë e vërtetë,sot m’u kujtua një histori e vjetër të një agait të Konispolit. Ky agai pra- ishte mjaft i pasur si të gjithë agallarët e Turqisë- por dhe mjaft i zgjuar. Djalin e madh ai donte ta shkollonte, madje e dërgoi dhe jashtë që të mbaronte një shkollë të lartë të asaj kohe. Dikur i riu mbaroi studimet dhe u kthye në shtëpi që të drejtonte pasurinë e madhe që kishte bërë i ati-tokë bujqësore, kullota dhe bagëti- këto ishin pasuritë e asj kohe. Ky agai kishte pronë të tij kullotat e bukura të Paganesë, Brahmiut dhe fushën që shtrihej nga Çifliku deri afër Mursisë. Për atë kohë- duke pasur dhe rreth njëmijë dele e shumë kafshë një thundrake e dythundrakësh- konsiderohej pasuri e madhe. Djali pra që u kthye nga Europa i...shkolluar, duhej të fillonte të interesohej dhe të drejtonte pasurinë e babait dhe patjetër të gjente një nuse të sërës së tyre. Veçse i riu nuk e kishte mëndjen në pasurinë e babait dhe, duke pasur kohë , nisi të zbavitet me të rinj të tjerë duke shkuar nga shëpia në shtëpi të agallarëve të tjerë përreth, ose dhe duke kaluar dhe kanalin e Korfuzit ku mund të zbavitej edhe me femra italiane të asaj kohe. Nga ana tjetër mburrej se kishte krijuar miqësi dhe se kishte shumë miq të mirë- madje kritikonte të atin se nuk kishte shumë miq si ai... Po sa miq paske ti? e pyeti i ati.. Djali qeshi me qesendi dhe i tha të atit: ‘’ Shumë..Pothuajse të gjithë të rinjtë dhe familjet e tyre në fshat janë miq të mi...madje kalojmë si vëllezër dhe hamë e pimë bashkë..’’ Sigurisht nuk i tha të atit se ajo ‘’hamë e pimë bashkë’’ zakonisht paguante ai për të gjithë ‘’miqtë’’ I ati- agai ishte dhelpër e vjetër dhe e njihte shumë mirë realitetin. ‘’Bravo- i tha të birit- Unë gjatë gjithë jetës nuk bëra veçse një mik e gjysmë! Dhe ti kaq shpejt krijove kaq miq?’’ Djali qeshi dhe i tha se i ati ishte i vjetër dhe nuk dinte të krijonte miqësi sepse sillej si aga me bashkëfshatarët dhe të njohurit e tjerë. Atëhere i ati – agai i vjetër- tha...: ‘’Mund të sakrifikojnë këta miq për ty? ‘’Mund të hidhen në zjarr për mua’’ u mburr djaloshi.
Agai ishte njeri i urtë dhe i zgjuar. Si u mendua pak i tha të birit: ‘’I thuaj çobanit të na therë një dash të majmë dhe të na e sjellë në mbremje që ta pjekim këtu...’’ sigurisht i riu e kreu porosinë dhe në mbrëmje çobani u solli një dash të rrjepur dhe gati për t’u pjekur në hell. Ndërsa gratë po bëheshin gati ta gatuanin, agai i ndali dhe u kërkoi një thes. Në thes vendosi mishin e rrjepur, e lidhi mirë e mirë dhe i thirri të birit: ‘’Shiko-tha- këtu kemi një njeri të vrarë dhe nuk dimë ç’ta bëjmë. Merre në kurriz dhe shko te ndonjë nga miqt e tu dhe kërkoju të të ndihmojë ta zhdukni kufomën! ! Po refuzoi një shko tek tjetri, e dikush do të të ndihmojë!’’ Ç’të bënte djaloshi? Hodhi thesin me...kufomën në supe- kishte filluar të rridhte dhe pak gjak- dhe u nis për ndihmë tek miqt e tij. I pari i mbylli derën në turinj me të dëgjuar se kishte në kurriz një kufomë...edhe i dyti edhe i treti dhe i fundit dhe u detyrua të kthehej në shtëpi me kufomën në kurriz, i mërzitur,i lodhur dhe i frikësuar. Kur e pa i ati e pyeti: ‘’Hë mo ç’u bë? Nuk të ndihmoi askush nga miqt e tu?’’ ‘’Të gjithë më mbyllën derën përpara turinjve!’’u ankua i dëshpëruar djaloshi...’’ E, mos bëj kështu- e inkurajoi i ati- Tani merre kufomën dhe shko tek gjysmë miku im!’’ dhe i tha kush ishte. Ç’të bënte djali? Shkoi tek gjysmë miku i babait. Kur ky trokiti derën, gjymë miku sepo e pa se kush ishte, e ftoi të hynte brënda dhe atje i tha se kishte një kufomë në krah. Ai sikur u zu ngushtë por nuk i tha të largohej por...më mirë të lajmëronin të atin se ai do të dinte më mirë se si t’ja bënin. Megjithatë nuk i jipnin zgjidhje dhe ai nuk mund të rrinte me kufomën në supe, Si e falenderoi gjysmë mikun u kthye në shtëpi dhe i tha të atit: ‘’ U përpoqën dhe donin të më ndihmonin por nuk dinin se si dhe më thanë më mirë të vi të ta them ty!’’ Agai buzëqeshi dhe tha: ‘’E di se je lodhur por do të bësh dhe një rrugë tjetër. Shko tek miku im i vërtetë tani! I thuaj se je djali im dhe të tjerat i di mirë ti...’’ Me thesin në kurriz i riu trokiti tek dera e mikut të vërtetë. Ja hapi një shërbëtor kur nga brënda u dëgjua zëri i të zotit të shtëpisë : ‘’Kush është?’’ ‘’Jam djali i filanit!’’ u përgjegj djali. Atëhere i zoti i shtëpisë mbërriti tek dera dhe thirri: ‘’Ç’rri atje? Eja brënda!’’ ‘’Kam një hall të madh..-tha djali. ‘’Çfarëdo halli të kesh, nuk do ta zgjidhim tek dera!’’ Atëhere djali i tregoi thesin e gjakosur që mbarte mbi shpatulla. ‘’Këtu kam një kufomë- tha- e vrava dhe nuk e di çfar ta bëj kufomën!’’ ‘’Eja brënda- tha miku- dhe do ta zgjidhim problemin bashkë! Pastaj thirri: Nuse ndiz furrën e madhe shpejt! Dhe hidhe këtë thesin të digjet në furrë!’’ Por nga kurreshtja donte të shihte se i kujt i takonte kufoma në thes dhe kur e hapën u habiten kur panë se atje kishin një dash të rrjepur për bukuri gati për t’u pjekur! Nuk ka nevojë të shtojmë se sa mirë kaluan duke ngrënë mishin e pjekur e duke pirë raki...veçse i riu kuptoi se miqtë janë të rrallë dhe se lajkatarët janë me shumicë... Nuk thonë kot...sa të ka torba fiq..
...Nuk e di pse më m’u kujtua kjo histori ditët e fundit, ndoshta se më kot kam kërkuar dhe unë për një mik të vërtetë. Që në moshë të re besoja në besën shqiptare, besoja se vetëm shqiptarët mund të ishin miq të vërtetë. Jo se nuk gjeta të huaj- gjeta mjaft të tillë larg Atdheut, por megjithatë isha ngjitur tek besa shqiptare, madje këtë fjalëzë e përdorin dhe të huajt. Sa herë takoja një shqiptar shpresoja të bëheshim miq. Mjerisht realiteti është krejt ndryshe dhe i pamëshirëshëm...Jo vetëm për shqiptarët por unë isha me një siguri fanatike se miqësia e vërtetë mund të bëhej me një shqiptar...
Duke jetuar shumë vite në emigracion i ndarë me dhunë nga bashkatdhetarët e mi, ëndërroja se dikur...Vitet a pakta që jetova në trojet e atdheut ishin shumë të vështira, madje disa herë çnjerëzore, por kjo nuk më bëri askurrë të ndihem i huaj madje, arrija deri atje sa të justifikoja në mënyrë naive, edhe padrejtësitë që më ishin bërë. Jo, thosha ata njerëz keqbërës nuk përfaqësojnë kurrsesi kombin dhe popullin shqiptar...dhe kështu falja mëkatat e..mëkatarëve..
- 2 -
Dikur erdhi koha të përmbyteshin të gjitha mendimet dhe dëshirat e mia. Kjo pas shëmbjes së diktaturës dhe vërshimi i shqiptarëve leckamanë dhe të uritur në Greqi.
U ngatërrova, u habita , u çorrodita por kjo nuk më bëri të humbas besimin tek madhështia e popullit shqiptar. Para se të ngjiste shëmbja e madhe kisha pasur lidhje të ngushta me disa intelektualë kosovarë- aso kohe shtëpia ime ishte bërë qëndër për arvanitasit dhe kosovarët- sapo mbrrinin në Athinë kërkonin të takoheshin me mua dhe kjo falë miqësisë sime me punonjësin e Institutit Albanologjike të Prishtinës, Shkëlzen Raça i cili ishte bashkëpunëtor i Rerxhep Qosjes dhe kishte perfituar një bursë në Athinë ku studjonte për marrëdhëniet shqiptaro greke dhe, kryesisht për ekzistencën e Arvanitasve në Greqi. Sidoqoftë shëmbja e diktaturës dhe rrëmuja e madhe të emigracionit, kryesisht drejt Greqisë na gjeti krejt të papërgatitur dhe nuk dinim se si ta përballonim situatën e krijuar. Të mos harrojmë se në mes të të ardhurve ishin shumë nga të afërmit tanë që kërkonin me ngulm t’i ndihmonin ndonse mundësitë tona ishin tejet të kufizuara. Të gjithë kërkonin ndihmë. Kishin përshtypjen e rrallë se të gjithë ata që jetonin vite në Greqi ishin rregulluar dhe...pasuruar! U krijua një situatë e padurueshme dhe nuk dinim si të silleshim. Ndërkohë racizmi kishte arritur kulmin: gazetat, televizioni dhe të gjitha mjetet e informacionit masiv të Greqisë ulërinin kundër hajdutëve, kriminelëve dhe egërsirave shqiptare. Për çdo gjë të keqe antiligjore, krime, vjedhjeje dhe sherreve, kudo në Greqi, fajtorin e kishin gati: ishte patjetër shqiptar! Nuk mund të guxoje të thoshje se je shqiptar se menjëherë të karakterizonin njeri brutal, pa pikën e civilizimit bashkëkohor- ndërkohë që i përdornin për punët e rënda të tyre duke i paguar në mënyrë qesharake. Madje që të fshihnin shfrytëzimin e egër që u bëhej shqiptarëve,kishin shpikur se gjoja u bënin mirë , i ushqenin, i vishnin dhe të gjitha këto nga...bamirësia kristiane, madje madje, edhe pagëzimet masive ( që ti bënin të krishterë, por realisht donin t’i bënin grekë, si u bënë me mijra!)
Ç’të bënte shkruesi i këtyre radhëve në këto kushte, kur kishte tridhjet vjet në Greqi dhe kishte krijuar miqësi dhe lidhje shoqërore në këtë vend? Ai kishte miq grekë dhe miq me rëndësi- shkrimtarë, poetë aktorë, shkencëtarë, gazetarë studjues- e të tjerë të cilët e kishin përkrahur kur të tjerët e ndiqnin se me kokfortësi përkrahte shqiptarët dhe bashkëpunonte me arvanitasit e kohës (Marunga, Kola , Kaçibardhi të tjerë) E logjikëshme ishte të heshtëte dhe të qëndronte larg nga kjo rrëmujë e krijuar. Por jo, ai doli përsëri përpara në mbrojtje të shqiptarëve..Jo, nuk u pendua megjithese u zhgënjye shumë herë. Kryesisht humbi shumë miq të vjetër grekë me të cilët kishte kaluar ditë të mira dhe të këqia- si dhe populli grek. Por qëndrimi ndaj shqiptarëve në vitet e para nga propaganda raciste, ishte tmerrësisht çnjerëzore. Kishte njëfarë zgjidhjeje- po të deklaroheshe se ishe me prajardhje greke, të përballonin ndryshe, madje të përdornin dhe si propagandë se si...helenët ndryshonin nga barbarët shqiptarë... Por kjo nuk i pengoi të rrëmbejnë pothuajse të gjithë atletët e famëshëm, u ndërruan emra dhe i bënë safi grekë! Të kujtojmë Shabanin (këtij i ngjitën emrin Jorgo!) Koka (jo, këtij nuk i ndryshuan mbiemrin!) apo Mirella Manjanin...që të mos shkojmë më tej me peshngritësi që mori disa medalje të arta... Sigurisht kjo ishte një plagë e madhe dhe shkruesit i duhej të mbante qëndrim, duke kundërshtuar me rreptësi shumë nga miqt e tij të vjetër! Nga ana tjetër në Greqi vërshuan dhe shumë intelektualë të njohur shqiptarë që po përpiqeshin të mbijetonin madje dhe të riorganizoheshin që të mbronin bashkatdhetarët e tyre. Shkrimtarë, gazetarë, aktorë dhe shkencëtarë, u dyndën në Athinë dhe u përpoqën të organizoheshin gjë që ja arritën deri diku! Me këta- pa ngurrim e diskutim-u bashkua dhe shkruesi duke besuar se tashmë do të krijonte miq të rinj, bashkatdhetarë, njerëz të besës dhe të nderit! Nga të parët që arritën në Athinë ishin Robert Goro, Ramadan Bigza, Kristo Mërtiri, Albert Zholi, Majlinda Zenel,(e cila shkrojti librin e parë në poezi shqip- greqisht me titullin kuptimplotë ‘’BESOMËNI’’për të cilën unë shkrojta një shënim në një gazetë me titullin: ‘’Të besojmë poeteshë’’). Suella Laci e cila ishte kryeredaktore të gazetës ‘’Gazeta e Athinës ‘’ Më pastaj-pas 96 e tmerrit mbërritën dhe të tjerë- kryesori i të cilëve aso kohe quhej Abdurahim Ashiku, ish gazetar shumë i njohur shqiptar- dhe më vonë mbërritën dhe të tjerë si Piro Loli, Mihallaq Qilleri,Primo Shllaku dhe i mrekullueshi Hyskë Borobojka si dhe shumë të tjerë që tani nuk më kujtohen. Me një shpejtësi të madhe nisën të botohen dhe të qarkullojnë dhe gazetat shqip- si Gazeta e Athinës, Emigranti, Intervista, Tribuna,Sh 21, dhe Albania Pres- ku shkruanin të gjithë gazetarët dhr aktivistët...Sigurisht shkruesi i këtushëm shkrojti pothuajse në të gjitha gazetat, madje dhe në ato të Tiranës që qarkullonin akoma. Si emigrant i vjetër-akoma mbaja shtetësinë shqiptare- kërkohesha nga të gjithë dhe të gjithë tregoheshin miqësorë ndaj meje. Kuptohet se pa pagesë- do të dukej absurde të kërkohej pagesë- po të përjashtojmë Artan Kristo (Intervista) që sapo qarkulloi disa numëra, na dhe nga një lëmoshë qesharake- dhe Albania Pres ku kryeredaktor ishte Ramadan Bigza- dhe na dha njëfarë shpërblimi, ndonse unë askurrë nuk kërkova. Gjatë gjithë atyre viteve dhe botimeve njeriu që më qëndroi afër sdhe më njohu me Hyskë Borobojkën, Dritëo Agollin, Mojkom Zeqon, Alfred Uçin dhe shumë të tjerë, ishte Abdurahim Ashiku të cilin e kisha ngahera pranë dhe dihet se kisha një dobësi ndaj veriorëve dhe kosovarëve (të gjithë miqt e mi ishin nga veriu dhe Kosova, le të përmendim Shkëlzen Raçën, Kamber Merdinin, Lec Shllakun, Isa Ndreu (Elezi),Peter Prifti, Hasan Risilia e të tjerë. Nga na tjetër të gjithë donin të bashkëpunonin me mua si më i vjetër në Greqi dhe si njohës i mirë i gjuhës dhe realitetit grek të pas luftës.. Kjo vazhdoi disa vite dhe unë isha pothuajse i distancuar nga miqt e mi grekë që më kishin ndihmuar dhe përkrahur në rrethana të ndryshme të jetës greke- mos harrojmë se në Greqi sundoi për shtatë vjet junda fashiste (jo se vitet e tjera kishte demokraci të përkryer por tmerri ishte junda fashiste dhe mua më përkrahën e më ndihmuan antifashistët grekë me të cilët kisha lidhje miqësore të vazhdueshme) Në këto kushte kur shumë intelektualë grekë- miq dhe njohës të vjetër ( Manolis Glezosi, Miqis Theodhoraqis, Kiki Dhimulla e të tjerë) u habitën pakëz madje u distancuan- sikur ishin kapur në kurth nga propaganda raciste e shfrenuar- duke qënë se dhe faktori shqiptar nuk ishte krejt i pafajëshëm (flasim për atë pakicë që kishte të kaluar dhe karakter kriminal). Megjithatë nuk u ngurrua kurrë- u vu në ballë të luftës kundër racistëve dhe shovinistëve që kishin ngritur kolën së tepërmi ato vute të zymta. (Duket e pabesueshme por,megjithë qëndrimit tim në favor të shqiptarëve, megjithë denoncimet e rrepta që u bëja organeve dhe shoqërisë greke, nuk pata asnjë ngacmim, asnjë ankim nga grekët)
Patjetër distancimi nga miq e mi grekë më kushtoi shpirtërisht se nuk e prisja prej tyre të flisnin kundër emigrantëve dhe sidomos, më vonë, kundër Kosovës! Sidoqoftë shkrimet e mis botoheshin në gazetat e shumta të Athinës të asaj kohe- dhe më tej si më kërkuan të përkthej vepra shqiptare (Të Dritëro Agollit ‘’ARKA E DJALLIT’’ dhe cikli i tregimit ‘’NJË GREK I VOGËL NË SHTËPINË TONË’’ si dhe romani i Virion Graçit ‘’TË ÇMËNDURIT NË PARAJSË’’...që mjerisht nuk patën pritje të mirë nga lexuesi grek- atëhere botuesja PATAKI më tha: ‘’Mjerisht libri shqiptar nuk lexohet në Greqi me këtë propagandë anti shqiptare që bëhet...’’ Dhe kishte të drejtë. Atëhere e pashë të nevojëshme të shkruaja vetë romane për shqiptarët dhe këtu fillon perballimi i lezetëshëm që më bënë shtëpitë botuese. Fillimisht shkrojta romanin ‘’FSHESA’’ që aso kohe ishte shumë aktual se si përballoheshin emigrantët shqiptarë në Greqi dhe romani i dytë ishte ‘’E VËRTETA E RREME’’ ku kisha vënë në shënim shovinizmin dhe racizmin grek kundër shqiptareve! Dhe më e lezetëshmja? U pëlqyen nga të gjithë, akoma dhe nge Dritëro Agolli! Më thirrën në ambasadë (aso kohe më njihnin dhe më ftonin shpesh që nga Hysen Çabej, Kastriot Robo, Minarolli dhe Bashkim Zenel! Pastaj më...harruan të gjithë!!) dhe më njohën me botuesit më seriozë të Tiranës. Njëri- më sa më kujtohet ishte më ‘’seriozi’’ në këtë fushë dhe më ofroi kontratën duke më theksuar se romani ka nevojë për një redaktim të mirë. Nuk kisha kundërshtim sigurisht..Naiviteti im kalonte çdo kufi...Nuk vonoi dhe botuesi më tha: ne do ta botojmë dhe do të bëjmë një çmim të mirë për ty.. ME NJË MILION drahmes do të nxjerrim, nuk e di sa kopje...Atëhere kuptova. Kërkonte- si kërkuan dhe të tjerë më vonë- të paguaja shtëpinë botuese që të botonte librin tim! Ja preva shkurt: ‘’Unë e bëra punën time duke e shkrojtur dhe në vend që të kërkoj shpërblim për këtë, duhet të paguaj që të botohet? Jo, kurrë!’’ Të njëjta kushte më ofruan dhe shtëpi të tjera botuese, madje një miku im më tha pak i habitur: ‘’Pse nuk paguan djali yt që të botohet libri? Ai ka punë të mirë dhe duhet të ketë para!’’ U indinjova...E dija se ai kishte botuar dy libra me ndihmën e djemve që punonin në emigracion dhe i thashë se unë kurrë nuk do të bëja diçka të tillë dhe kurrë mos qarkullofshin librat e mi. Dhe NUK QARKULLUAN! Madje shume tekste janë në duar të huaja kur unë nuk kam mbajtur për vete kurrgjë...
------- 3 ------
Vitet kaluan. Gazetat shqiptare në Athinë u mbyllën njëra pas tjetrës, askush nuk i kujton më. Me kalimin e kohës sikur u harrua ajo periudhë e vështirë- shumë shqiptarë u sistemuan dhe u inkuadruan në jetën helene, dhe shumë të tjerë u larguan për në vende të tjera të Europës. Me mijra fëmijë-dhe jo vetëm fëmijë- u asimiluan, u greqëzuan meqënëse u arsimuan në gjuhën greke. Si u vertetua më vonë shkolla shqipe ishte një utopi, si ishte dhe shtypi i përkohëshëm në Athinë. U fol shumë për shkollat shqipe, u propaganduan ndërmjet shqiptarëve, u shkrojtën libra përkatësisht- dhe çdo gjë u shkri si dëbora në pranverë...E vërteta është se në fillim edhe unë kisha njëfarë besimi ose optimizmi ta quajmë, por u gabova si shumë të tjerë..Ku janë ato shkolla shqipe? Ndoshta ekziston ndonjë- gjë që dyshoj- në Selanik ose gjetkë që unë nuk e kam dëgjuar? Nisma ishte e mirë- por ishte vetëm nismë dhe dëshirë, u thanë shumë fjalë të mëdha për shkollat dhe mësuesit ‘’vullnetarë’’ po asgjë nuk u vertetua. Tani nuk e di në se ekziston ndonjë organizatë shqiptare në Athinë, por...duhet të pohoj se mu më kanë mënjanuar dhe harruar dhe për këtë nuk brengosem më asppak... Dhe këtu arrijmë tek titulli i këtij shkruimit: KU JANË MIQTË? EKZISTON MIQËSIA E VËRTETË, SI E DONTE AGAI I VJETËR? Në kohën tonë mund të them një jo të madhe. Interesat dhe zilia- xhelozia po doni- ka mbytur çdo ndienjë miqësore fisnike. Sepse nuk ekziston më fisnikëria e vërtetë shqiptare. Një shëmbull i vogël: Para do kohe botova një shkrim (Në Fjala e Lirë) ku përshkruaja jetën time dhe në fund shpreha ‘’Kënaqësinë’’ se megjithë prapësitë ja kisha arritur të krijoja një familje të mirë...E, një ‘’miku im i vjetër’’ (i vetmi që më kishte mbetur, mund të themi) me një indinjatë që nuk e kuptove, shënoi fjalët e mia të fundit duke më quajtur...mëndjemadh dhe se nuk kisha qënë i sinqertë në jetën time... Dhe më e çuditëshmja? Ndërpreu komunikimin me mua, duke mos dashur të ketë një mik që në fund të jetës së tij 85 vjeçare shpreh kënaqësinë që me gjithë prapësitë që kishte përballuar, ja kishte arritur të jetë i kënaqur në fund..Ai donte një mik të mjerë...një mik plot vuajtje...një mik pa shpresë...një mik qarës që të mallkonte gjithë botën që ja kishte fajin se ishte pa strehë,pa pension (të mirë) e kështu me radhë.
JA KU ARRITËM NË FUND të kësaj historie të çuditëshme. Por do të doja të thosha dy fjalë dhe për ‘’miqt e mi’’ të Kosovës. Kur shkruaja artikuj në shtypin e dasporës, kur bëhesha përkthyes i Ibrahim Rugovës, kur shoqëroja dhe përktheja delegacionin e metalurgëve në Kongresin ndërkombëtar në Athinë...më kishin mik, po të gjithë vraponin dhe më sillnin dhe libra... veçse shkrimet e mia antisërbe që botoheshin në Koha Jonë e gjetkë, nuk i botonin në Kosovë-mirë thamë atje ndaloheshin nga regjimi- dhe tani mësojmë se atje nuk botoheshin shkrime me emra Jorgji, Andon, Kosta dhe Kristo se konsideroheshin greke dhe sërbe! Po, pashë Musafin! Dhe unë vrisja mëndjen pse më kishin lënë në harresë...Çudi se kaloi Kristo Frashëri dhe Fan Noli! Megjithatë unë dua të falenderoj botuesi i Fjalës së Lirë Fatmir Terziun i cili nuk ka menduar në këtë mënyrë...dhe nuk i shikon njerëzit nga emrat ose nga dhëmbët por nga puna e tyre patriotike! E falenderoj dhe e përgëzoj për këtë punë të vyer që bën në favor të vendit dhe të kombit arbëror! Atë, Fatmir Terziun e kam mik. MIK I PANJOHUR POR NJERIUT DUHET T’I SHIKOJMË PUNËN DHE JO GUNËN!
KRISTO ZHARKALLI, Athinë 3 Nëntor 2024.
Comments