top of page

KRISTINA NANO: DUHEN LIDERË TË BASHKIMIT, JO TË NDASIVE



 

Historia e shqiptarëve është një histori e qëndresës, por edhe e përçarjes. Ndërsa kemi qenë shpesh të gatshëm të sfidojmë fuqitë e mëdha për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, paradoksalisht nuk kemi arritur të krijojmë një unitet të qëndrueshëm mes vedit. Vetëmohimi i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë dhe qëndresa ndaj regjimeve të huaja janë dëshmi të potencialit të madh të bashkimit shqiptar. Por, këto momente kanë qenë të rralla. Më shpesh se jo, kemi parë dështimin e tij për shkak të fragmentarizimit të elitave politike dhe sociale, mungesës së një vizioni të përbashkët dhe tendencës për të ngritur mbi gjithçka interesat individuale mbi ato kombëtare. Në epokën e re, ku rendi botëror po ndryshon me shpejtësi, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të mbijetojnë si faktor pa një lidership të bashkimit.

Shekulli XXI nuk është më ai i liderëve providencialë, dominues dhe të izoluar, por i atyre që ndërtojnë ura, krijojnë sinergji dhe formojnë struktura të forta bashkëpunimi. Në një botë të ndërvarur, ku kombet e vegla mbijetojnë vetëm përmes kohezionit të brendshëm dhe aftësisë për të krijuar aleanca të qëndrueshme, shqiptarët duhet të ngrihen mbi ndasitë e vjetra dhe të kultivojnë një model të ri lidershipi.

NDËRTIMI I BASHKIMIT: MËSIME NGA HISTORIA DHE FILOZOFIA POLITIKE

Mendimtarët më të mëdhenj të historisë kanë paralajmëruar mbi rreziqet e përçarjes dhe kanë vlerësuar vlerën e bashkimit. Niçolò Machiavelli, në Princi, thotë se, “një popull i bashkuar është i pamposhtur, por një komb i ndarë është i gatshëm për të rënë pre e të huajve”, një fat ky që shqiptarët e kanë provuar shpesh. Aristoteli, duke studiuar modelet e sundimit, pohonte se “një komb është më i fortë kur sundimtarët e tij ndajnë pushtetin dhe nuk e monopolizojnë atë për përfitime personale”. Por, pikërisht kjo, ka qenë plagë e vjetër shqiptare, pasi liderët tanë shpesh kanë dashur të sundojnë dhe jo të shërbejnë, të ndajnë dhe jo të bashkojnë. Plutarku, në esenë e tij mbi udhëheqësit, thotë se, “të ndash njerëzit për t’i sunduar është mënyra më e shpejtë për ta bërë një komb të dobët”. Kjo filozofi është përdorur shpesh nga armiqtë tanë historikë, por tragjedia e shqiptarëve është se përçarja shpesh është bërë me duart tona. Ndërsa ankohemi se “fuqitë e mëdha” na kanë mbajtur të ndarë, realiteti është se liderët shqiptarë shpesh kanë kontribuar në këtë ndarje, duke ndërtuar struktura të pushtetit bazuar mbi lojalitete të vogla lokale, rajonale, partiake apo personale. Madje, edhe Thomas Hobbes, i cili në Leviathan argumentonte për domosdoshmërinë e një lideri të fortë për të mbajtur rendin, e shihte autoritetin si një mjet për të unifikuar shoqërinë, jo për ta ndarë atë në fraksione kundërshtare.

Një lider i fuqishëm, sipas Hobbes-it, nuk është ai që sundon përmes frikës, por ai që krijon një harmoni sociale ku njerëzit ndihen të përfaqësuar dhe të sigurt. Në kontekstin shqiptar, kjo do të thotë se ne nuk kemi nevojë për liderë që imponojnë dominimin e tyre, por për liderë që krijojnë struktura të përhershme bashkëpunimi. John Locke, babai i liberalizmit, argumentonte se një shoqëri që nuk është e mbështetur në vlera të përbashkëta dhe në një sens të përbashkët drejtësie, është e destinuar për të dështuar. Shqiptarët, të shpërndarë në disa shtete dhe të ndarë shpesh politikisht e kulturalisht, kanë nevojë për një projekt të ri unifikues, një ide të madhe që tejkalon ndarjet dhe që shkon përtej kufijve artificialë.

Teknologjia dhe shoqëria moderne: Bashkimi përmes lidershipit të ri

Në një botë të globalizuar, ku teknologjia ka bërë të mundur komunikimin e menjëhershëm dhe organizimin social në një shkallë të paparë më parë, shqiptarët kanë më shumë mundësi se kurrë për t’u bashkuar. Por, kjo nuk do të ndodhë automatikisht.

 Duhen liderë të rinj, që nuk përdorin teknologjinë vetëm për të ndërtuar imazhe personale, por për të krijuar infrastrukturë të bashkëpunimit kombëtar. Pierre Teilhard de Chardin, një mendimtar i shekullit XX, argumentonte se, “njerëzimi nuk do të mbijetojë nëse nuk kalon nga konkurrenca në bashkëpunim, nga individualizmi në ndërtimin e inteligjencës kolektive”. Ky koncept është më i rëndësishëm se kurrë për shqiptarët, të cilët për shekuj kanë vuajtur nga rivalitetet klanore dhe ndarjet e brendshme.

Në një epokë ku kombet e vogla mbijetojnë vetëm nëse veprojnë si një trup i vetëm, shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të operojnë si ishuj të shkëputur nga njëri-tjetri. Liderët e së ardhmes duhet të krijojnë një rrjet kombëtar të bashkëpunimit intelektual, ekonomik dhe politik që tejkalon ndarjet e shteteve ku jetojnë shqiptarët. Kjo kërkon një qasje të re strategjike, ku prioritet nuk është pushteti personal, por krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për fuqizimin kombëtar në arenën ndërkombëtare.

Nga përçarja në kohezion: Çfarë duhet të bëjmë?

1-Rimodelimi i lidershipit – Liderët e rinj shqiptarë duhet të jenë ndërtues të unitetit, jo figura që krijojnë kampe të ndara. Ky lidership duhet të mbështetet mbi vlera si meritokracia, transparenca dhe përkushtimi ndaj interesit kombëtar.

2-Edukimi i qytetarëve – Një shoqëri e informuar është më pak e manipulueshme nga liderët përçarës. Shqiptarët duhet të mësojnë të dallojnë liderët që i përçajnë për interesa personale nga ata që synojnë ndërtimin e një kombi të fortë.

3-Institucionalizimi i bashkëpunimit kombëtar – Duhet të krijohen institucione dhe mekanizma që forcojnë bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Organizatat e diasporës, universitetet, bizneset dhe elitat intelektuale duhet të punojnë së bashku për të krijuar një ekosistem kombëtar që e forcon identitetin shqiptar.

4-Ndërtimi i një vizioni të përbashkët për të ardhmen – Duhet një narrativë e re kombëtare, e bazuar jo mbi viktimizimin dhe ankesat ndaj historisë, por mbi një vizion për një të ardhme të përbashkët dhe të fuqishme.

Epoka e bashkimit ose dekadenca e përhershme.

Historia na ka mësuar se kombet që qëndrojnë të ndarë për një kohë të gjatë ose asimilohen, ose humbasin rëndësinë e tyre. Shqipëria dhe shqiptarët janë në një pikë kthese. Modeli i vjetër i lidershipit përçarës është i konsumuar. Nëse duam një komb të fortë, të respektuar dhe të begatë, duhet të zgjedhim liderët e bashkimit, jo të dasive. Kjo është sfida dhe mundësia jonë më e madhe. Dhe koha për ta realizuar është tani.

* Kandidate për doktoraturë, JMU, SHBA

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page