top of page

KRISTAQ TURTULLI: BURGU KA DY DYER, VDEKJA NJË!



Mbështetur në ngjarje reale.

 

Proletar Muzaqi s’mundi të lexonte më, i përvëlonin sytë. Rrëkeja e kripur e djersëve njomi brazdat e thata të rrudhave, me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq nga rruga e madhe si zvarranik bisht shkelur, duke iu marrë mëntë, por gazetën s’e lëshoi nga dora. Dielli qëndronte pezull në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Prej djersës këmisha iu ngjit pas lëkurës. Ai me nervozizëm shkuli të gjitha komçat dhe rrëzoi sytë mbi gazetë. Germat shtyheshin, ngatëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën, gazeta u qull nga djersa që rridhte rrëke...

Shkrimi i botuar në faqen e parë të gazetës, së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ prej vitesh s’është mes të gjallëve, e vështronte me qesëndi nëpërmjet syzeve të mëdha, xhamave të trasha optike. Çfarë dreq pafajësi asgjësuese kish ai! Edhe pse gjithçka ishte e zverdhur, irnosur nga koha. Përvijimi e Atij lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas nga lëvizjet rrethore. Gishtat e Reizit të zverdhura nga duhani u mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e hirtë të gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe asgjësimit, siç është asgjësuese vetë jeta.

Vërtet të qe gërmuqje marrake?! Përshpirtje e heshtur, kërcënim nga fundbota?! Gërryerje nervoze nëntokësore. Uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura e të vdekurve të harruar. Mokrat e kalbura, të mykura varen kërcënueshëm në gërxhe dhe brigje. Qarje e zvargur ujore në përpëlitje të vonuar, rastësore në këtë fund shekulli.

Proletari vështroi hjithë ankth përreth me mendimin se shikimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit të tij. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha, prera shkurt iu ngritën përpjetë si gjemba iriqi. Donte të ulërinte si ujk i plagosur e, turravrap të gremisej mes morisë së njerëzve. Të shtynte, shkelmonte në verbëri nga ta kishte për mbarë. Turma indiferente s’ i ndjeu goditjet edhe pse u dëgjuan krisma dhe rrëmet. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer eci pjerrtas, ktheu bërrylin e rrugës. I nervozuar mblodhi gazetën shuk dhe e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave i copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Volli me gulçe dhe, përpara këmbëve të tij u krijua pellg i madh, tmerrësisht i errët. Përnjëherësh iu bë sikur e vjella lëvizi mori formën e një përbindëshi të lemerishëm, aq sa klithi i tmerruar dhe pështjella e shtyu të vraponte sa t’i hanin këmbët..

Proletari u ndje i kapitur. U ul në bisht dhe rënkoi. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave i qe ngjitur si mastiç në shpinë, në asfaltin e lagur dhe, shkelej pakujdesshëm nga moria e hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt, dhe gërhiti:

‘Hajt kaqolë të gjorë, shkeleni, shkeleni vjelljen time të qelbur, të neveritshme, merreni me vete, shpërndaheni kudo. Do tu bëjë mirë.

S’mundi të lëvizte. U lëkund si lavjerrës, u gërmuq. U shty. U përmbys. U zvarrit marramendësh, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit.

Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka mbështjellë me mjegullën e thellë, në terrin e thellë, aq sa besonte dhe vete s’kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh i harresës. U gropos. U zhduk në humnerat e fundbotës, ku fshiheshin enigma dhe ‘mëkate’ të mëdha. Proletari donte të çlirohej, ta shkulte deri në gjakosje prej vetes të ngushëllohej dhe të bërtiste me të madhe: ‘

Fundja, të treturit dhe të ‘paditurit’ si unë s’ mund të gjykohen’.

Ndryshimet sociale e hodhën Proletarin në krahët e fesë, paçka se dikur e përbuzte, e urrente, e luftoi me shpirt. Shkatërroi xhaminë e vogël që gjendej në kodrën e ‘ Shën Mërisë’. Tashmë sa herë thotë ndonjë fjalë me peshë, vë dorën në kuran dhe perëndon sytë. Filloi të besojë se krimi nga mëkati s’i ndan asnjë fije nga njëra tjetra. Janë Një përpara gjykimit të fundit. Besimi te Zoti dhe mëkati i krimit e ndihmoi që ngjarja e vjetër të thërrmohej prej memories. Ndjehej i qetë. Besimi ta lehtësuaka shpirtin. Qetësi shpirtërore e çuditshme, si shpend që endet në kurorën e një pylli në dimër, me drurë pa fletë.

Habia më e madhe, budallallëku më i madh dhe poshtërsia më e madhe kanë hark kohor tre ditor. Këtë Proletari e njihte mire, por s’ bëhej fjalë për çudi e marrëzi, por lëvizte si eter shkundja tronditëse. Mugëtirën kohë e pat mbështjellë me kujdes me pelerinën e tretjes, azgjësimit. S’la asnjë shteg. Asnjë shenjë. Asnjë fakt. Asgjë prej gjëje, përveç rrëkeve dhe prurjeve të tërbuara të lumit që rridhnin dhe rridhnin pa ndërprerje.

Besoi se qe hedhur thjesht një version. Një alibi me hallakatjet e pamenduara të gazetarëve, që shkelin për para mbi dërrasat e kalbura të kohës. Por, përsëri i përvëloi trupi, si ti futnin mes përmes hell të skuqur. Të ishte si më parë, hëm! Dhe maja e qerpikut s’do i luante. Për dreq situatat ndryshuan, komunizmi shkoi dhe vate dhe kjo gjë i futi lepurin në bark, e çekuilibroi. Vërtet donte të besonte në fe, por jo si naiv i mjerë, të përdëllehej  dhe të zbrazte lëngjet e barkut.

Vala e urrejtjes i mpiu gjuhën. Ishte gati ta shqyente gazetarucin e poshtër, atë mi zyre që futi hundën në humbëtirë dhe nxori me qëllim qelbin nga errësira e rëndë. Ngriti nga balta kundërmimin mbytës për të rivrarë të vrarën. Donte ta çavaliste me thonj të poshtrin, ja kështu siç çavaliti gazetën, ta qelbëte me jargë. Sa mirë do ishte të zgërlaqej njeriu me ca lëvizje të shpejta të gishtave, pastaj të përtypej dhe të përtypej derisa të dilte një masë e qullët, një e vjellë e neveritëshme, qelbësirë. Një asgjë të ndyrë pa formë. Asgjëja është kryevepra më e saktë, prej saj s’ke përse të frikësohesh. Mund të bësh çdo gjë të ndyrë dhe, përsëri asgjëja mbetet asgjë. S’ka materie, por, Hiç. Kur është hiç dhe gjumi, qetësia shpirtërore qëndron në shkallën maksimale. Së fundi prej librave të shenjtë mësoi se Zoti krijoi jetën prej Hiçit, asgjësë. Së paku të ishte asgjë në miniaturë. Dëshironte me gjithë shpirt të vazhdonte asgjëja e mëparshme. Por dreqërit nuk flenë e shkundën asgjënë.

Vështronte sy çapëlyer ronitjen e masës pa formë të Hiçit. Asgjësë. U gërmuq të ikte me vrap, por asgjëja e thithte me ngut. Megjithëse këtë Asgjë dhe Hiç e donte deri në verbëri. Jo rrallë në netët pa hënë, në errësirën më të thellë, klithte zëzvargur, kafshonte thonjtë derisa shija e athët e gjakut njomte buzët e përthara. Harronte që kishte ndër dhembë gishtat e tij, por vazhdonte të thithte me neps i babëzitur. Vetëm kur i mpiheshin gishtat dhe dhëmbët dergjej përdhe. Mbështillej kutullaç, qante me gulçe sy ngulur errësirës së pafund. Duhej errësira dhe mjegulla të dytësoheshin...

 Rrjedha e jetës kishte qenë shumë e favorshme për Proletar Muzaqin. Qysh kur lindi ra kutullaç, si lëmsh, në këmbët e së ëmës, mes të arës me misra, në mesditë tetori me mjegull. Nuk qau. E ëma kujtoi se kishte mes këmbëve një masë mishi të vdekur. E përnjëmend mendoi të gjente një vend ta groposte. Por përnjëherësh u pendua, mbasi ishte pjesë e mishit të saj. Le t’i jepte copë mishit një shans jete. E kapi për këmbe, e ngriti lart dhe, e qëlloi pesë herë në bythka. Proletari në cope midh u kuq u ngalë dhe lëshoi të klithmë të mprehtë. E ëma mbështolli mishin e kuq me pecetën e pistë që mbështillte bukën dhe me xhaketën e leshtë gjithë arna. Ishte fëmija tetë i familjes dhe e ëma as që vuajti në lindjen e tij. Hapi këmbët dhe foshnja ra pëlltump si një kafshëz e vogël në dheun e shkrifët. Sidoqoftë e ëma ishte e hapur dhe, s’ kish përse të ankohej për të e për peripecitë e mundimshme të grave në lindje.

Fëmijërinë e kaloi nëpër këmbët e të rriturve dhe në rrugët e përbaltura të fshatit. Bënte çfarë të donte dhe si ti shkrepej. Hante ku mundte dhe zhgërryhej paq në rrugët e ndyra të fshatit malor. Marifetet dhe djallëzitë e tij i hanin të rriturit, vëllezërit e motrat dhe ai skërmiste dhembët në terr. Mos ndëshkimi I Proletarit si fëmijë i tetë i shtonte akoma më shumë zellin e tinëzive. Një fshikull në shpinën e tij shpaguhej me dhjetë fshikuj në shpinat e të tjerëve. Më pas fshihej pas grumbullit të hedhurinave dhe qeshte me hidhësi, pa u vënë veshin kërcënimeve të vëllezërve dhe shokëve.

I ati, sekretari i partisë në fshat, me kobure në brez, i ngrefosur bridhte rrugëve të ndyra të fshatit, dhe betohej:

‘Për ideal të partisë dhe, kobure s’lëshoj pe.’

Një mbrëmje i gjyshi u grind me të atin.

‘O lanet,’ i tha gjyshi zë lodhur dhe,rrahu me inat bastunin e shtrembër pas tokës: ‘- Qehajai më vriste sytë kur më mbinte përpara hundës me pushkën në sup. Tani bredh djali me kobure në brez.’

‘Shko plak, ndërrro puturet se i ke me shurrë. Me kobure morëm pushtetin, me kobure do e mbajmë.’

‘Të dhjefsha urët,’ shau gjyshi i verdhë dyllë në fytyrë: ‘Më treguake shurrën.’

‘Plak vuri ushkur gjuhës, të ishte për ty akoma me bajgat do flija,- u shkreh i biri me kobure.’

I gjyshi s’i ktheu përgjigje. Iku kërrusur, duke iu marrë këmbët. U mbyll në dhomën e vogël ngjitur me haurin, në krah të pyllit. Mbas një muaj vdiq dhe u varros pa shumë ceremoni. Fëmija i Tetë nuk qau për të gjyshin, që siç thoshte i ati: Plak grindavec i pjerdhur nga trutë, i kishte mbetur mendja turqi.

Pushteti i të atit i shtonte zellin për prapësi Proletarit. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashkëmoshatarët. Mësuesve u vinte në libra e çanta minj, insekte dhe zvarranikë, tërhiqej në qoshe dhe përvuajtej në fytyrë kur përmendej emri i tij. Hija e sekretarit të partisë me kobure gërmuqte shtëpitë e ulëta, rrugët e përbaltura të fshatit dhe jo më mësuesit anemikë, që me një sinjalizim partie s’dihej nga u rrihnin barqet. Në shkrepa dhe gërxhe pafund, mbase në qelitë e akullta të burgut të tmerrshëm: ‘Hani me dy porta.’

Proletar Muzaqi e kuptonte: ‘Më mirë të jesh i pari i fshatit se i fundit i qytetit’. Ndaj nuk prapsej para asgjëje. Fshati në gji të maleve ishte një botë më vete. Kur përfundoi klasën e shtatë, personeli i mësuesve mori frymë i lehtësuar. Pak u interesonte nëse nxënësi qe aftësuar në mësime. Njeriu me kobure u vërtitej përpara syve si gogozhel, ndaj i shtuan nga një, dy, pse jo edhe tre nota.

Kur e çuan në shkollën pedagogjike, braktisi togjet me hedhurina, minjtë dhe insektet. Veshi pantallona të reja doku dhe xhaketën e shkurtuar të atit, pa hequr stemën sovjetike në jakë. Të gjitha çapkënllëqet dhe horrllëqet fëmijërore i flaku së bashku me minjtë në haurin e kalit topall. Të gjitha këto s’do ndodhnin sikur të mos e detyronte i ati. Një natë e urdhëroi të qëndronte në këmbë përpara se të fillonte shkollën pedagogjike. I mbajti leksion të gjatë, me të folurën e trashë, grënçka- grënçka, duke e spërkatur me pështymë, mbi detyrën e vështirë dhe stoike të djalit të komunistit të vjetër dhe sekretarit të partisë së fshatit. Për perspektivën dhe lënien e stafetës në duar të sigurta. Për luftën pa mëshirë ndaj armiqve të kamufluar të klasës, borgjezëve dhe kulakëve. I ati heshti një moment. Koka e të birit varej poshtë. E shkundi nga supet, i tregoi koburen, i tha:

‘E shesh këtë, lëshon flakë dhe vret armiqtë e klasës’.

Pastaj i foli për rëndësinë e kobures, e cila duhet të qëndrojë përherë në brez, fisheku në gojë.

Trupi i të birit lëkundej si lavjerrës.

‘Përsëriti nga e para të gjitha që thashë,’ urdhëroi të birin.

Proletarit i varej koka për gjumë.

‘Kobure në gojë fisheku në brez,’ bërbëliti.

‘Derr me zile,’ gërhiti i ati. Mbërtheu të birin nga krahu dhe i futi kokën në ujin e ftohtë të pusit.

‘Ma plevitose djalin,’ u ligështua e shoqja.

‘Plastë në vend. Përsërite, urdhëroi birin, pa i vënë veshin ankimeve të gruas, dhe më pas vazhdoi:- ‘O firaun, duhet ta kesh busull, çdo hap të jetës luftën kundër armiqve te kllasës...’

Proletari përsëriste në jerm fjalët e të atit dhe dera e vjetër e ashefit përplasej prej erës, kuiste si shpirtrat e të ikurve.

‘Grua, vëri llozin djallit ashef, na urgusi zorrët,’- bërtiti i ati.

 Këshillat e të atit atë natë të tmerrshme, nuk kaluan pa lënë gjurmë në qenien e fëmijës së tetë. E shkundën, ia mprehën shikimin, e aftësuan për tinëzi të fshehura. Ndërgjegjësimi ishte i plotë. Dy tre denoncime modeste në drejtori për individë të pandërgjegjshëm, bashkënxënës, pati efekt. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shokëve të drejtorisë dhe mundësia të merrte klasën, mbasi drejt e drejt s’e hante dot.

Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyrë bari. Mësoi të hekuroste, bënte pantallonat me vijë. Në çaste dembelizmi spërkaste këpucët me pështymë dhe i fshinte lezetshëm me cepin e leshtë të batanijes. Kostumi i dha rëndësi. Megjithëse në mësime nuk dallohej, zvarritej në pragun e rrezikshëm midis notës kaluese dhe mbetëse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure të hipte në kalin gërdallë. Të linte fshatin me njëmijë halle në gji të maleve, të zbriste në qytet dhe të shkonte drejt e në seksion të arsimit. Shkuli koburen nga brezi e përplasi në tavolinë dhe bërtiti:

‘Po shpërdorohet njeriu i ri!’

Poterja e njeriut me kobure shkundi mësuesit e mykur, të cilët akoma përdornin metoda të vjetruara, nuk dinin të aftësonin bijtë e komunistëve. Mësuesit mbyllën të dyja sytë. Fëmija i tetë përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyrë bari prej pluhurit të dendur të qytetit dhe u nis në fshat. Komunisti i vjetër bëri një darkë të madhe dhe shkrehu disa herë koburen në dritare.

 Ditën e hënë Proletari filloi mësues në fshatin e lindjes. Qysh në fillim s’ i kushtoi rëndësi mësimdhënies, por zhbirimit të kolegëve. Intuita s’e gaboi. Shënjestra, mësuesi i matematikës, pak kurriz dalë, syze, xhama të trasha, si tasa ku shkunden cigaret. Pa turp kolegët e quanin ‘shqerrë.’ Gjithë ditën e perëndisë mezi fliste dy fjalë, vetëm zhyste hundën pingul mbi libra. Ky mësues që aksidentalisht thirrej ‘Shqerrë,’ i përkiste familjes së deklasuar. I ati shkuli, gremisi tutje nga fshati familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, mos ka gisht armiku i klasës?

Nervozohej nga çdo lëvizje e ‘Shqerrës’. Aq sa heshtja dhe frymëmarrja e tij e acaronte. Filloi të përgjonte çdo hap që shkelte. Syri i tij vigjilent ngulej me këmbëngulje te rezja e derës së klasës, në dritare. Deri në plasat e ndyra të derës së WC. ‘Shqerra’ vetëm lexonte dhe heshte. Për djall ishte absolut në matematikë. Një moment bënte habi, si mund të heshte kaq gjatë njeriu! Por heshtja shpesh herë është teh i mprehtë shpate. Nëpërmjet heshtjes koka katrore e ‘shqerrës’ fshihte mendime të mbrapshta. Filloi ta cyste për sherr. Haste në murrin e padepërtueshëm të heshtjes dhe shikimin e pafaj. Kjo e tërbonte. Atëherë e godiste me bërryl gjatë shkëmbimeve në korridoret e ngushta të shkollës. I rrëzonte regjistrin, i shkelte këmbën. I kërkonte të falur duke i buzëqeshur me ligësi. Çuditërisht gjente vetëm trishtim në sytë e mjegullta të ‘shqerrës’.

Proletar Muzaqi shkonte në shtëpi i çliruar, ngaqë u mësua të grisej me dikë. Iu bë sëmundje dhe argëtim mos përgjigja e mësuesit të matematikës. Nxiste nxënësit të bëheshin pjesë e ngacmimit dhe poshtërimit të kolegut. U bërtiste nxënësve dhe në të njëjtën kohë u shkelte syrin. Mësuesi i matematikës s’kthente fjalë. Tërhiqej i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe vërtiste sytë miope. I rrëmbushur shtrëngonte librat në gjoks dhe mbyllej në dhomë. Në oborrin e shkollës plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja përzinte nxënësit me fshesë.

Kjo lojë do vazhdonte gjatë. Ngacmim dhe heshtje. S’është keq argëtohesh me dikë që nuk është në gjendje të lëvizë as qerpikun. S’të mposhtën monotonia e fshatit dhe dita shkon për bukuri.

Në analizën vjetore, klasa e tij doli me rezultate shumë të dobëta. U kritikua nga kolegët. Vështroi me indiferentizëm dhe shkarraviti me inat bllokun e vogël. Aty nga fundi i mbledhjes, kur s’pritej dhe, diskutimet e kritikat po mbylleshin. Çuditërisht ‘shqerrës’ iu hap goja. U ngrit me ngadalë në këmbë, shtrëngoi librat në gjoksin e dobët dhe lëshoi në mes të sallës së mësuesve fshikullin e fortë, e kritikoi për paaftësi. Nuk ishte fshikull por vetëtimë rrufeje. I deleguari e vështroi një copë herë mendueshëm dhe, e aprovoi me kokë se çfarë tha ‘shqerra.’

‘Çfarë! I besonin atij?!’- hungëriti Proletar Muzaqi. Shqeu sytë dhe trupi iu drodh si purtekë. U rrotullua dhe ngriti veshët në përgjim. Ngjyrat e fytyrës i ndryshonin çdo minutë. E kritikoi për paaftësi mësuesi i matematikes, gjoja ‘shqerra’! Guxoi! Përbuzja dhe urrejtja që i kishte lindur në thellësi i përfshiu krejt trupin, i ngërdheshi fytyrën. Armiku i klasës guxoi dhe kritikoi ardhmërinë?! Hata e madhe!

‘Shqerra’ tha, duhej të studiojë më shumë! I tregoi seriozitetin e detyrës së mësuesit! Përse duhej të fliste? Kush e lejoi të fliste? Çfarë seriozitet kërkon qorri! Kush ‘kolegu’, mësuesi i matematikës mban mbi supe mëkatin klasor! U ngritën këmbët ti bien kokës. Mbledhja u bë e mjegullt. Vërtiste çelësat në duar, ah sikur të kishte koburen e të atit. Le ta kritikonin të gjithë, ujë të zi të nxirrnin, vetëm qorri të mos hapte gojës. Le të gërmuqej, të bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte sytë mbi fytyrat e kolegëve. Çuditërisht i dukeshin të njëjta, të deformuara, por shfytyrimin më të madh e kishte gjëja që quhej aksidentalisht ‘shqerrë’. Shqerrat e urta, të buta të perëndisë, hanë, blegërijnë, presin në heshtje, të bindura satërin e kasapit dhe asgjë më shumë.

Drejtori i pëshpërit të deleguarit diçka në vesh. I deleguari vështroi ‘shqerrën’ ngulët:

‘Drejtori më tha që ju, studioni të mbroni disertacionin në matematikë, apo jo?’ e pyeti.

Njeriu me syze që thirrej aksidentalisht ‘shqerrë’ luajti kryet në shenjë aprovimi.

‘Po.’ Murmuriti.

‘Ashtu! Shumë mirë!’- i tha i deleguari.

‘Shumë mirë’, i gërhiti qenia e Proletar Muzaqit dhe, u bë gati të ngrihej, të shtynte stolat, të derdhej drejt qorrit me xhama numër pesë. T’ia flakte syzet, ta mbërthente nga shpatullat me egërsi dhe ta përplaste përdhe. Guxojnë i thonë shumë mirë armikut të klasës që përdhosi djalin e komunistit të orëve të para! Çmenduri! O nëne, bota u bë për dreq!

Kur reshtën kritikat, si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dorën në shpatull, e vështroi turbullt. Eci i dërmuar drejt shtëpisë. A mundej djali i komunistit të flaktë të kritikohej, të zgërlaqej! Sigurisht, gjëja me syze miope që thirrej prej kolegëve me idiotësi ‘Shqerrë’, kishte përgatitur me kujdes skenarin e kritikës dhe fundosjen e tij. Me kokë të rënduar nga mendimet ngjiti të përpjetën që çonte në shtëpi. Si marrin guximin të përmbysurit dhe qorrat të mendojnë të bëhen shkencëtarë. Ku, ku nëne! I paska hyrë vetja në qejf. Por s’kuptonte simpatinë e hapur të drejtorit të shkollës. Duhet parë me kujdes e shkuara e afërt dhe e largët e drejtorit. Duhet të ketë ndonjë kleçkë në biografi që pëlqen dhe përkrah armiqtë e klasës. Kishte bërë kërkesë në seksion të arsimit të zinte vendin e drejtorit. Duhet t’i ketë rënë në vesh ndaj e lufton. Eh! Qentë le të lehin karvani ecën përpara.

 S’i durohej sa të shkonte në shtëpi dhe t’ia tregonte plakut. I ati u gërmuq, rrëzoi vetullat e trasha, të zbardhura dhe, goditi vrazhdë qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrapëllimë dhe turshitë e dimrit së bashku me shëllirën përmbytën dhomën.

‘Ç’më the o bir, ç’më the!’-hungëriti plaku.

Plaka mallkonte, mblidhte me kaci turshitë dhe pinte me leckë të vjetër shëllirën. Atë e bir u ngjeshën në qoshe të dhomës dhe nisën të pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi e la në tavolinë. Sytë e të dyve u përqendruan te sendi i metaltë, që prehej pafajësish por të lëvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu dorën dhe rëndoi mbi kobure:

‘Biri i bushtrës guxoi shau djalin! Do plumbin në ballë të qërohet njëherë e mirë ajo farë?’- ulëriti.

‘S’është si më parë baba.’

‘S’është si me parë thotë! Hajde baba të tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u bëj qull,’-hungëriti i ati dhe u ngrit me vrull, këmbët nuk e mbajtën, ra mbi të birin që e vështronte i nemitur dhe mërmëriti:

‘Plak, mos më fyej.’

At e bir u ngatërruan keqes duke spërkatur njeri tjetrin me pështymë.

‘Raki e keqe!

‘Jo, thashë farë e keqe,- u mbrojt i biri.

‘Mos guxo të shah rakinë. E dua shpagimin në çast dhe pa asnjë ceremoni,’- bërbëliti i ati, piu raki me neps dhe vazhdoi:-‘Do të kishim bërë mirë ti zhduknim të gjithë qysh më 45. Por këta dreqër ishin shumë dhe plumba kishim pak.’

‘Fole gjë për zhdukje baba?’

‘Zhdukje o posi.’

‘Zhdukuni nga dhomë pijanecë të ndyrë’,- u grind e ëma e mbytur në djersë.

‘Mbylle halenë plakë. Apo do një shkelmë të flakesh si qyp me turshi,’- e kërcënoi plaku me kobure.

‘Ta denoncoj, ta rrasin në birucat e ‘Hanit me dy porta,’- foli i biri mes jargëve.

‘Jo,’- ulëriti i ati dhe rrëmbeu koburen. Arma i shpëtoi nga duart, ra përdhe në grumbullim me turshi. Koburja e të atit së bashku me tërbimet qenë të ndryshkura, nuk ngrinin më peshë.

‘Pse?!’

‘Hajvan, burgu ka dy dyer, vdekja vetëm një’, hungëriti i ati.

I biri luajti kryet, i ishte mpirë qafa. I ati s’kish fuqi të ngrinte koburen nga togu me turshi. Dhoma kundërmonte erë të rëndë shëllire dhe raki. Plaka duke i shtyrë, sharrë dhe mallkuar i nxori nga dhoma.

Duke i mbajtur pas parmakut të drunjtë të shkallëve u ngjit në dhomë dhe, pa u zhveshur u shtri në shtrat. Për herë të parë e kuptoi se s’duhet të mbahej vetëm pas një medaljeje. Dritarja ishte hapur kat më kat. Pa qiellin, i ngjau pus i thellë, i pafund, përmbytur nga errësirë. Iu bë sikur dëgjoi zëra të mbytura, mërmërima vinin prej së thelli. Stomaku i përvëlonte, i ziente si të kish bërsi. Gromësiu dhe lëshoi avull të nxehtë. I vinte të nxirrte të gjitha plaçkat e barkut. E ëma i la mbi komodinë një gotë me limonadë por s’kish fuqi të ngrihej ta pinte.

 Qindra krahë të zinj oktapodi e përfshinë dhe e tërhiqnin drejt asgjësë. U përpoq të shkëputej, s’ mundi. U përdrodh dhe u mblodh si lëmsh. Një valë e zjarrtë u ngjit nga fundi i barkut, volli disa herë me gulçe duke rënkuar. Pështyu me neveri thërrimet e qullëta që i kishin mbetur në kthinat e zgavrës së gojës dhe morri frymë i çliruar.

U shtri përmbys. E ëma me zë të trishtuar mërmëriste dhe fshinte të vjellat. Nuk e merrte vesh në ish në ëndërr apo në zhgjëndërr...

Mugëtirë. Zhurmë, zëra të çjerra. Diku më tej qeshja e acaruar të atit. Ndërsa koburja e ndryshkur lëkundej dhe përplasej pas murit. I bëhej se kishte net dhe ditë, javë dhe muaj që ecte në mjegull të dendur dhe nuk shkëputej dot. Ishte qull dhe fill i vetëm. Dëgjonte hungërima dhe rënkime të mbytura të vinin nga moçali. Fytyra e ‘Shqerrës’ iu shfaq e deformuar, mbuluar nga xhamat miope. Dëgjoi përsëri zëra të lodhur dhe më pas zhurmën e mbytur të gjuhës që rrahu dhembët dhe foli:

‘Eja ‘shqerrë’ të thithësh erë mjegulle’.

Lëvizi krahët të ngrihej iu duk sikur i kishte të bëra prej shpendi të irnosur. ‘Shqerra’ mbrohej pas xhamave të trasha dhe ecte ngadalë, i bënte dredhë moçalit.

Në shtegun i ngushtë të Dajlanit u ndal. ‘Shqerra’ iu afrua pranë dhe qeshi i çliruar. Përpara tyre u hap tjetër pamje. Ngriti krahun, i ranë pendë të hirta përdhe dhe njeriu ‘Shqerrë’ u tremb.

‘Mos tremb,’- i tha, -‘Je pjesa ime e munguar’.

Pa u kushtuar rëndësi rrëzimit të pendëve ngriti krahun dhe tregoi shpërthimin e gjelbërimit, të luleve. I foli për frymëmarrjen e mjegullës, të pyllit.  ‘Shqerra’ dëgjonte dhe ecte kokulur. Në një dorë mbante çantën e rëndë të mbushur me libra të matematikës, për të përfunduar disertacionin dhe në tjetrën pardesynë. Vështronte ballë rrudhur dhe merrte frymë thellë, të mbushej me ajrin e freskët. Nuk ngopej prej shpërthimit marramendës të ngjyrave, reflekseve mëngjesore dhe valëzimin e bulëzave të vesës. Nuk ka më bujare se Nëna natyrë. Ishte i përhumbur. Prapa zvarritej një hije e rëndë. Njeriu ‘shqerrë’ kërceu si kangur të largohej prej hijes por ishte e pamundur.

Sa shpejt përhumben njerëzit që janë si ‘shqerra,’ sa shpejt!

Në bërrylin e ‘Qyqes’, aty ku përroi ishte më i thellë. Me lëvizje të shpejtë  të saktë kujtoi se e goditi njeriun ‘shqerrë’ egërsisht prapa kokës. ‘Shqerra’ u kthye vringthi dhe e vështroi me habi, çanta me libra dhe pardesyja i shpëtuan nga duart. Nuk pati kohë të fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djathtë e kokës. Iu këputën këmbët ‘shqerrës’ dhe ra përdhe pa nxjerrë zë. Por ai kishte krahë të mbuluar me pendë të irnosura dhe s’mund të godiste!

Përsëri, dikush tjetër shtyu dhunshëm ’Shqerrën’ dhe e goditi në përrua. Me shpejtësi nxori hostenin që e kishte fshehur ditë më parë, tërhoqi trupin e ngrohtë të ‘shqerrës’ e ngjeshi me forcë në rrënjët e vidhit të vjetër, aty ku vorbulla e ujit ishte me e madhe.

Veshët i buçisnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si tërmet. Pendët e irnosura rranë të gjitha përdhe. Ulëriti fort të largonte hijen e vdekjes së tjetrit. Ulërima u përsërit disa herë me radhë. U rrëqeth. Njeriu ‘shqerrë’ si dele e perëndisë që ishte, humbi menjëherë nën ujë. Rrënjët e trasha të vidhit e rrëmbyen në çast nën vete.

U plandos mbytur në djersë. Uturimat ngriheshin dhe përplaseshin, kujtoj se do çmendej...

Zhurmat ofshëtinë dhe, për një moment drodhën ajrin, pastaj u fashitën. Zëri i grindur i të atit u tret së bashku me mjegullën. Dëgjohej vetëm uturima e ujit dhe pendët e hirta që iknin tutje.

 Trupi i ‘shqerrës’ u gjend mbas një jave. Artikulli në cep faqes së parafundit të gazetës fliste për një njeri të panjohur, ndoshta mësues i humbur në ujë. Më vonë askush  s’u kujtua të thoshte gjysmë fjale. Si mund të kujtohej, kur ‘Shqerra’ si i hutuar që ishte, i shtënë marrëzisht pas librave, s’diti ku hodhi këmbën. Uji gjëmonte aty pranë, aksidentalisht shkau, u përmbys dhe u mbyt në përrua...

Proletar Muzaqi besonte se qe në kllapinë e gjumit dhe s’ ishte ai, por dikush tjetër, me krahë puplash të irnosura që kreu aktin e shëmtuar të vrasjes. Mbase ‘Shqerra’, vërtet shkau në lumë, kur kishte  mjegull dhe dëgjoheshin përshpirtjet e ujit.

Po kush qe ai bir kurve që guxoi nga turma të tundte gazetën dhe të thoshte:

‘Mësuesi, nuk u mbyt por u vra nga një dorë gjakatare.’

Futi kokën mes shpatulla dhe mërmëriti si për gjynah:‘Hë, kush thotë, gjakatar qenka uji dhe përroi! Fundja më në fund, të treturit, të ikurit, ‘të paditurit’, ‘të hutuarit’ s’kthehem më. Hëm, mirë më thosh merhumi plak: Burgu ka dy dyer dhe vdekja Një…

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page