Përgatiti Fritz RADOVANI:
Autori:AT PJETER MËSHKALLA S.J.
KRISHTLINDJE N’ SHKODER 1909
Mbas vitit 1909 qeveria Turke, në Shkodër, për shkak të lëvizjeve Shqiptare për liri, (pushka vlonte, shpesh deri në afërsi të qytetit), i ndaloi disa shfaqje tradicionale
“Të Natës së Këshndellave”, tue i hjekë diçka poezisë së bukur të Festës.
Dha lajmin kumbona
me tinguj argjandi,
theu muzgun jehona,
gjithë zemrat i trandi:
Vinë festat e lume,
Krishtlindje e bekueme,
me shndet e me gëzim!
Kumbonat e randa,
kumbonat e lehta,
këndojnë me t’pasë ânda
me notat e veta:
Ushtojnë kumbonarët!
Larg zani përdarët
tue ra pa pushim...
Sa kandshëm dikohet
kjo valë e harmonisë,
krejt shpirti naltohet
ndër sfera t’ hyjnisë:
Kah shpresa e ngushllimit,
kah rrezja e shpetimit,
drejt paqës që vjen!
Në atë kupën qiellore
o hyjë xhixhilloni,
o male, prej bore
në dritë të hanës zbardhoni,
që zemrat e dlira
të gëzojne, vullnet-mira
me atë fé që na ushqen.
***
Tarabat kërcasin,
po mbyllën dyqanët,
gra e burra hitasin,
vrapojnë përgjith-an’ët:
Përshëndetje e përgëzime,
ma të bukrat urime
gjatë rrugës ndigjon.
Tash hargjet e mbrame
s’ka mbetë kush pa i krye,
gjithkush do n’këte mbrame,
n’shtëpi ngutshëm me u kthye:
Shegêrti e tregtari,
ngarkue, prej Pazari
ma thekshëm vrapon.
Plot dritë janë shtëpijat
plot zjarmi te oxhaku,
pelcasin dëllinjat,
luejn fëmia té praku,
e gratë nuk pushojnë,
pa dá vinë e shkojnë,
vëlon puna gjithkund...
Në familje krye-pare
ka sonte gjithë të mirat,
në ato mesatare
plotësohen dëshirat;
po edhe unë fukaraja
në këto festa të mdhaja,
do të gëzoj edhe unë!
Pak baba fitimet,
pak qiti edhe nana,
e shkreta, kursimet
me blemun do gjana;
por, ...erdhi té dera
dikush e, si era,
la’i shportë edhe shkoi.
Vetë bana “Betlemin”,
sa i bukur që më doli!
S’e ka kush si t’emin
Në mahall’n “Gjuhadol”:
me drrasa e pelhura,
me letra e piktura
ka kohë që unë punoj.
E tash, q’e mbarova
unë punën të tanë,
té baba flut’rova
me nanën e vëllanë,
njirendi tue shkue
gjithë sëbashku me u vu
té votra “n’gjuj të mdhaj”.
Dhe ngrihet em atë
qirin ndezë atëherë,
premton ndonji uratë
dhe ulët me t’tjerë,
n’sa na me ngadalë
e flasim pa u ndalë,
uraten si ai...
Por, mue nuk më zë vêndi,
lëshoj zanin e hollë,
-më rrah zemra prej shêndi-,
tham vjershat si n’shkollë,
nga “shpêlla”- tue ba,
nga Prindët –temena-
-andej- edhe këtej.
E, këthehëm të rrokë prindën...
por, baba ka ulë kryet,
e nana merr kînden
e shpejt i fshinë sytë...
Nuk dij çka u ndinë zêmra,
por, mue më dridhet thêmra,
më vlon gjaku ndër dêj...
A thue janë lot gëzimi?
A por janë lot malli?
O ndoshta pikëllimi,
pse mblue na ka halli
në ket të shkretë jërevije,
përdhese vorfnije,
si Krishti në Stan?!
Por, çka! Jezun kemi
ndër zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire të hyjnueshme:
I drejti në këte jetë
ka paq’n e vërtetë,
që të tjerët nuk e kan.
Me Jezun na kjajmë,
e gëzimet ma të thêllat
me Jezun i ndajmë:
E, i lusim Këshndellat
me aqë të mira që Zoti
na i fali në ditë soti,
me Jezun e Lumë!
Oh, sa ambël sahati
rrjedh sonte në strèh’ tonë!
Kaq ambël!... por s’gjati
ra’i tingull...kumbonë...
Mesnatë!...-Krisë batarja,
jehon Kumbonarja,
vlon pushka ma shumë...
Në këto vala festuese
gjithë zemrat na qeshën,
si rryma vërshuese
njerëzia rrugës ndeshën,
kumbon’t ajrin çajnë,
e, pushkët nuk ia ndajnë
për festën që na erdh’.
Na pret Kisha e Madhe
Krejt mbushë me kandile,
Vinë rradha mbas rradhe
me tuba familje,
e, në Kishë, prej pesë portash,
çdo moshe e gjithë ortash,
mbrendë populli u dêrdh.
Sa dritat, si ylberi!
sa jone të mallngjyshme!
Sa priftën te Elteri
me petka të shkelqyeshme!
Timjani me shtille,
naltohët drejt qielle,
fjollë-fjollëza plot!
Shkon lart si timjani, urata e lirë,
-i kangës ushton zani, me Engjujt e mirë:
-“Ka lindun Mesia, vjen paqa e dashnia!
L u m n i të N a l t i t Z O T !”
BB 1950.
Shenim nga F.R.: Poezia asht me kujtime të feminise së Autorit, të vitit 1909.
Asht shkrue nga At Mëshkalla në vitin 1950, në (BB), Burgu Burrel.
Nga ana ime nuk asht ba asnjë ndryshim.
Pershndetje dhe Urimet ma të mirat per Ju... Në këto Festa të mëdha!
Melbourne, 23 Dhjetor 2019.
Comments