SADIK BEJKO
(Për librin “Krime serbe në Kosovë”, botim i Shtëpisë botuese "Klubi i Poezisë", Tiranë, 2020)
Libri “Krime serbe në Kosovë”, botim i "Klubi i Poezisë", Tiranë, 2020, ka një histori të publikimeve. Fillimisht në verën e vitit 1999, libri është botuar me titullin “Holokaust, dosja pa koment për krimet e Millosheviçit” me bashkautorësinë e dy gazetarëve Agim Neza dhe Çerçiz Loloçi. Tani, mbas dymbëdhjetë vjetëve, libri ribotohet i plotësuar, i rikonceptuar nga Çerçiz Loloçi me një homazh për kolegun e tij, Agim Nezën që nuk jeton më.
Në parathënien e këtij botimi shënohet se libri përmban dëshmi të shqiptarëve nga Kosova, mbartur në Tiranë në pranverën e vitit 1999, për shkak të dëbimit masiv nga policia dhe nga forca të tjera militare serbe, dëbime shtetërore që u shoqëruan me vrasje, masakra, përdhunime, gjymtime dhe me të tjera mizori që i ranë mbi kokë popullsisë civile, ranë mbi gra, fëmijë e pleq nga e gjithë Kosova. Veç dëshmive të gjalla nga këta të dëbuar përdhunshëm, në libër përfshihen dhe raporte nga agjensitë prestigjoze të shtypit europian, nga BBC, VOA, DW etj. Rrëfimet nga viktimat reale të represionit të përgjakshëm serb, të atyre që braktisën shtëpitë, trojet, të atyre që kishin humbur fëmijët, prindërit, të afërmit, përforcohen dhe nga dëshmi dhënë nga luftëtarët shqiptarë të UÇK, të Fark etj.
Libri “Holokaust...”, sapo u botua, u vol nga ata që ishin të interesuar për lajme e fakte të drejtpërdrejta nga terreni, nga operatorë të shumtë të huaj e vendas. Libri u shërbeu organizatave që interesoheshin për refugjatët, për fëmijët, për të drejtat e njeriut. U botua i plotë a pjesërisht pa lejen e autorëve nga gazetat në gjithë hapësirat shqiptare dhe jashtë saj, në diasporë.
Me kohë ngjarjet mbuluan njëra-tjetrën dhe ky libër humbi si gjilpëra në kashtë. Në treg u shfaqën të tjerë libra me kujtime e me dëshmi të shkruara. U bënë dokumentarë mbi dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, mbi fushatën NATO-s ndaj Jugosllavisë së vitit 1999. U botuan kujtimet e Bill Klintonit, M. Albrighte, të W. Clark etj mbi këto ngjarje.
Autori Çerçiz Loloçi tashmë e rimerr librin “Holokaust...”, e rikoncepton në tri pjesë dhe do t’i japë atij vendin e vet në këtë histori botimesh.
Ky ka qenë libri i parë i këtij lloji.
Në këtë libër dëshmitë mbi atë çfarë po ndodhte ato ditë në Kosovë marrin numrin më të madh të faqeve. Faktet janë sjellë pa koment dhe pa zbukurime stili. Si dëshmi të zhveshura nga çdo lloj retorike ato ruajnë shijen e kronikave nga terreni. Ne sot shfletojmë faqe për masakrimin e njëzet mësuesve, për masakrën e Krushës së Madhe, për masakrën e Raçakut, për martirizimin e familjes Jashari dhe të legjendës së rezistencës me armë të Kosovës, të Adem Jasharit. Lexojmë lajme të kobshme për përdhunime grash e vajzash në sy të të afërmve, për gjymytime të fëmijve e të të moshuarve, për prerje kokash, dhunime të kufomave, për fshatra të tëra që shpërngulen, prona që digjen, trupa foshnash varur në tela telefoni, shkurt, na praqiten pamjet e një kronike rrënqethëse, na vizatohet tabloja infernale e një barbarie të pashembullt, e zbatuar në shekullin XX dhe në mes të Europës. Emrat e disa prej oficerëve që udhëhoqën operacionet, të policëve dhe të paramilitarëve serbë që kanë lyer duart me gjakun e pafajshëm të civilëve të Kosovës, shënuar në faqet e këtij libri nuk i janë nënshtruar ende asnjë gjykimi.
Një shtet si Sërbia që edhe sot deklaron se Kosova është territor i saj, ndërkohë që mbi të ka ushtruar gjenocid, ndodhet para një krimi që kërkon shpagim. Ky shtet ka vrarë me planifikim dhe në vazhdimësi qytetarët e vet me origjinë shqiptare, ka sfrutuar e dhunuar shtetasit e vet shqiptarë, qytetarë në shtëpitë, në pronat dhe trojet e veta, në një seri fushatash krimnale dhe të programuara historikisht.
Kështu ka ndodhur.
Është e vështirë të kalosh nga një faqe në faqen tjetër të këtij libri, mbushur me krime të përgjakshme e të pashembullta në histori. Këto fakte kanë vlerën e një dëshmije që nuk duhet harruar, e një krimi që duhet denoncuar vazhdimisht dhe me çdo mjet. Krimet që harrohen, përsëriten, krimet që nuk denoncohen janë fyerje për viktimat nga radhët tona, për ata që e pësuan, por dhe për ne përfaqësuesit e tyre të padenjë që jemi ende gjallë dhe i harrojmë krimet.
Më e keqja sapo ka ndodhur. Serbia e krimeve të tilla të dëshmuara, por përgjegjëse edhe për mijëra të tjerë të zhdukur, që edhe sot mbeten të humbur dhe pa varr, kjo Sërbi sot ka çuar në pranga disa nga figurat më të shquara të luftëtarëve të Kosovës. Ky libër doli në Tiranë pikërisht në ditët kur në Prishtinë Thaçi, Veseli etj u arrestuan si të dyshuar për krime për të dalë para gjykatës speciale në Hagë.
Në parathënien e këtij ribotimi i bëhet jehonë librit të I. Kadaresë “Mbi krimin në Ballkan. Letërkëmbim i zymtë”, Onufri, 2011. Sipas Kadaresë, problemi i krimit vazhdon të jetë thelbësor në historinë e Ballkanit. Sipas Kadaresë, për euroatlantikasit ka qenë tepër e vështirë ta pranojnë krimin në Kosovë, aq më tepër “të merrnin armët për të bërë që të heshtin armët” (shprehje e presidentit Shirak). Letrat e Kadaresë, dërguar presidentëve Xhorxh Bush, F. Miteran, V. Havel dhe Papa Gjon Palit II, synojnë ndërgjegjësimin e udhëheqjes botërore për krimin në Kosovë. Nga letërkëmbimi i tij me Vuk Drashkoviçin, ministrin e Millosheviqit, merret vesh se për Kosovën ishte projektuar një krim që kërkonte më shumë sesa heqjen e lirisë, autonomisë së saj. Ky krim do ta masakronte e përgjakte Kosovën, pastaj do ta zhbënte atë, do të dëbonte nga trojet e saj. Dhe faji do t’u mbetej shqiptarëve irredentistë.
Ky libër “Krimet serbe në Kosovë” mbetet aktual. Ai na thotë se duhet t’ua vënë veshin atyre midis nesh që thonë se nuk duhen mbyllur sytë dhe veshët para krimeve, se pastaj ato do të na bien mbi kokë.
Dhe ne po e vuajmë këtë fatkeqësi: kujtesën e shkurtër.
Në pjesën e dytë të librit vijnë kujtime dhe deklarime të presidentëve dhe të personaliteteve të larta amerikane për fushatën e NATO-s të vitit1999, përballja me krimet shtetërore të Serbisë, deklarimet e tyre për pavarësinë e Kosovës. Përmenden emra si Klinton, Albright, W. Clark, Toni Bler, Xh. W. Bush etj.
Një përshkrim për fushatën e NATO-s që u mbyll me marrëveshjën e Kumanovës më 9 qershor 1999 dhe një homazh për I. Rugovën, njeriu i paqes, i quajtur Gandi i Ballkanit, presidenti i parë i Kosovës e mbyllin pjesën e dytë të librit.
Në pjesën e tretë sillen shkurtimisht disa nga doktrinat sërbe mbi spastrimin etnik të shqiptarëve, si doktrina e Grashaninit, e Çubriloviçit, e Ivo Andriqit, e D. Qosiçit. Këto doktrina dëshmojnë se krimi në Kosovë është historia e një projektimi të ideuar prej një kohe të gjatë.
Në libër sillet “Marrëveshja turko-greke-sërbe” e Lozanës, 1923, për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre si dëshmi e jetësimit të projekteve për spastrimin etnik të shqiptarëve në shekullin XX.
Libri mbyllet me një pasthënie ku shprehen konsiderata mbi politikën e mjerë zyrtare të shtetit shqiptar të diktaturës mbi Kosovën, ku sillen dhe kujtime të autorit dhe të brezit të tij mbi errësimin, mjegullimin zyrtar të informacioneve të shpërndara nga diktatura mbi Kosovën.
Ç. Loloçi, gazetar me përvojë dhe prozator i hollë sidomos për tregimin e shkurtër, sjell ribotimin e librit të mëparshëm me bashkautor kolegun e tij Agim Nezën, por me konceptimin, strukturimin dhe me lëndën plotësuese na ka na vënë përpara një libri të ri.
Libri “Krime serbe në Kosovë” me një paraqitje grafike të nivelit më të mirë të kohës sonë u botua nga “Klubi i Poezisë”, dhjetor 2020.
Comments