Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin, Sejdi BERISHËN
Unë, Hasan Hasanramaj, si gazetar i kësaj interviste dhe shkrimtari e publicisti Sejdi BERISHA, gjatë karrierës sonë gazetareske, unë në Deçan e Sejdiu në Pejë kemi përjetuar momente të vështira por me peshë profesionale dhe kombëtare, por, kemi përjetuar edhe momente shumë të vështira në rrugëtimin e asaj kohe që na bëjnë krenar dhe të lumtur...!
Nga Hasan HASANRAMAJ
...Pa gëzimin e njeriut dhe të atdheut, pa kombin e lumtur, çdo gjë sikur e ka akrepin e orës të ngadaltë dhe duhmën e dhembjes që nuk pranë. Pa këto gjëra, jeta më është boshe, e thatë dhe pa tharmin e këngës, pa dritën e mëngjesit pranveror. Andaj, të lumtur qofshim vetëm të bashkuar dhe të përqafuar. Kjo tingëllon ëmbël dhe shëndosh në të gjitha aspektet, në të gjitha rrafshet, na tha në fund të intervistës shkrimtari, publicisti, dramaturgu dhe njeriu i mirënjohur i kulturës në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, Sejdi BERISHA!
“...Për shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shumë aktiviteteve Sejdi Berishën, krijuesi nga Shqipëria, Daniel Gazulli, në mes tjerash ka thënë se, Berisha, qoftë si krijues letrar në gjithë rrëmujën e vrullshme të këtij shekulli është një anije e cila lundroi vazhdimisht kundër rrymës. Gjithnjë në anën e forcave të progresit shoqëror dhe historik. E zorshme, e mundimshme, por e njerëzishme...”!
“...Edhe shkrimtari që jeton dhe vepron në Zvicër, Kadri Rexhaj, në mes tjerash ka thënë se kushdo që e lexon poezinë, dramat dhe shkrimet tjera të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Sejdi BERISHËS, aty gjen një pjesë të vetes së vet. Pikërisht, është ky tipar, tipari i të kënduarit shpirtit njerëzor, që e bën poezinë e tij të pranueshme, të kërkueshme, të lakmueshme, të vlerësueshme...”!
“...Edhe Hekuran Halili, shkrimtar çam nga Saranda, për krijuesin Sejdi BERISHA, kanë thënë së është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende dhe debate, njeriu që prinë kah atdheu dhe vendlindja me bujari dhe madhështi njerëzore, njeriu që e lartëson kulturën, vlerat shpirtërore, madhështinë e popullit dhe i nderon dëshmorët...”!
________________
Në intervistën të cilën e zhvilluam me shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shume veprimtarive të tjera, Sejdi Berishën, i cili në veprat e tij “Fjala e gjakut”, monografitë, “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”, dhe shumë vepra të tjera, të cilat në njëfarë mënyre janë dokumente dhe pjesë të lidhura me themelet të historisë të qytetit Pejës dhe më gjerë? Në mesin e shumë veprave tjera, këto tri vepra të shkrimtarit tonë të Madh Sejdi BERISHËS, sipas mendimit tim si gazetar, janë një pasqyrë karakteristike e rrugëtimit historik.
“Fjala e gjakut” përjetëson të gjithë emrat e luftëtarëve të rënë në Prekaz, në Koshare dhe në Gllogjan, pra, pothuaj se në pjesën dërmuese të Kosovës. Ndërsa, “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”, në mesin e shumë veprave të tjera letrare, janë vepra, nëse mund të thuhet, emblematike që janë dokument historiografik me peshë të veçantë, e të cilat janë pëlqyer dhe respektuar tej mase edhe në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, në Durrës, në Bajram Curri, në Lezhë etj. Dhe, të mos shkruash dhe të mos lexosh vepra si këto, është dëm dhe mëkat në të njëjtën kohë, kur dihet se secilin njeri e brengos diçka, diçka që ndoshta edhe nuk di ta shpjegojë, ose, nuk ka guxim për ta shfaqur, ose nuk di për ta thënë fuqishëm dhe nga zemra, dhe kështu, përgjithmonë me te ikën i etur dhe me shkrumbin për këngën e pa kënduar!
Andaj, krijuesi Berisha, na tha në vazhdim të bisedës, se asnjëherë shkrimtari nuk duhet të shkruajë vetëm sa për të bërë apo krijuar emër. Sepse, atëherë, ai dhe krijimtaria bëjnë mëkat ndaj njeriut, por edhe u ngjajnë vagonëve dhe trenave pa itinerar!...
Peja, thotë shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, është njëra prej qendrave më të njohura historike, turistike dhe të kulturës më begati tradicionale kombëtare. Andaj, ajo, për thesarin, begatinë dhe vlerat shpirtërore e kulturore që i flenë në thellësitë e saj, sikur nxjerrë zërin e zemërimit, për t’i përjetësuar rrjedhat më të ndritshme të këtij qyteti, i cili ka përjetuar e palosur histori në vetvete, me të vetmin qëllim për t’iu rrëfyer gjeneratave për atë që e ka përcjellë këtë fortifikatë të gjakut që rrjedhë e flet shqip.
Çfarë mund të thuhet për gjendjen dhe për pozitën e kulturës në komunën e Pejës, në Kosovë por edhe më gjerë?
Që në fillim du t’u them se krijimtaria e mirëfilltë arrihet me përkrahje dhe bashkëpunim e jo me shkapërderdhje. Kujtoj se kjo mjafton për ta parafytyruar gjendjen pozitën e kulturës në Pejë, por pse jo edhe më gjerë. Ndërsa, kur është fjala për raportin në mes krijuesve, shumë prej tyre ndoshta duhet të dalim nga lëvozhga e shpirtngushtësisë dhe primitivizmi, nëse dëshirojmë të synojmë cilësinë dhe shoqërinë krijuese evropiane.
Ju keni shkruar edhe disa drama, si “Valsi i kuq”, “Lapidari pa dresë” e të tjera”?
Po, sa i përket kësaj fushe, kujtoj, na tha në vazhdim Berisha, se ende është bërë shumë pak, kurse, raporti përbrenda finalizimit të vlerave sikur çalon. Dua të them se në shumë raste më përgatiten dhe shfaqen drama të autorëve të huaj se sa të atyre vendas. Po ashtu, kujtoj se në këtë drejtim ka edhe shumë punë për t’u bërë, që vlerat e dramës origjinale, respektivisht të asaj kombëtare, të sjellën në binarët e duhur edhe të vlerave e të profesionalizmit.
Në vitin 1975, kur drama ime “Valsi i kuq”, tha Berisha, u përgatit dhe u shfaq në Teatrin e Pejës, atëbotë vështirë se mund të gjeje bileta. Dua të them se drama e autorëve vendas përkrahej dhe respektohej. Edhe drama ”Lapidari pa adresë” u përgatit dhe shfaq nga trupa teatrore e Teatrit të Klinës e cila edhe shfaqet edhe sot e kësaj dite. Po ashtu u përgatit dhe u shfaq me shumë sukses edhe në teatrin e Pejës...
Ju, për punën dhe cilësinë tuaj krijuese keni marrë shumë shpërblime ishte pyetja vijuese drejtua Sejdiut?
Po. Shpërblimet, nëse kuptohen drejtë, janë vetëm edhe një përgjegjësi dhe obligim për të qenë gjithnjë më shumë në brendi të njeriut, në dhembjen dhe lumturinë e tij! Deri me tash kam marrë shumë shpërblime, si për poezitë më të mira në manifestimet e shumta dhe konkurset tradicionale, në Prishtinë, në Podujevë, në Klinë, në Tiranë, në Prizren, në Gjakovë, në Malishevë, në Lezhë, në Mirditë, në Bajram Curri, në Sarandë e në vende të tjera. Po ashtu, për krijimtari të suksesshme letrare jam nderuar me mirënjohje të shumta edhe nga institucione të shumta.
Po, ja zgjidhni disa nga mendimet e krijuesve dhe lexuesve nga të gjitha anët: në udhëtimin e tij të një dashurie prekëse, shkrimtarin e shoqëron drama e popullit, drama e tij, drama jonë. Poezia është reflektim njerëzor i botës që na rrethon. Nuk është qëllimi i tij të japë modele të poezisë.
Shkrimtari që e lartëson kulturën, krijimtarinë letrare, vlerat shpirtërore dhe madhështinë e popullit
Pse në poezi nuk duhet të ketë modele: ajo, si çdo krijim artistik, duhet të jetë në radhë të parë origjinale. E tillë asht poezia Berishës: me një ndjeshmëri deri në dhimbje, origjinale dhe njerëzore deri në caqet e rikrijimit. Për shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shumë aktiviteteve Sejdi Berishën, krijuesi nga Shqipëria, Daniel Gazulli, në mes tjerash ka thënë se, Berisha, qoftë si krijues letrar në gjithë rrëmujën e vrullshme të këtij shekulli është një anije e cila lundroi vazhdimisht kundër rrymës. Gjithnjë në anën e forcave të progresit shoqëror dhe historik. E zorshme, e mundimshme, por e njerëzishme.
Edhe shkrimtari nga Zvicra, Kadri Rexhaj, në mes tjerash ka thënë se kushdo që e lexon poezinë, dramat dhe shkrimet tjera të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Sejdi Berishës, aty gjen më së paku një pjesë të vetes së vet. Pikërisht, është ky tipar, tipari i të kënduarit shpirtit njerëzor, që e bën poezinë e tij të pranueshme, të kërkueshme, të lakmueshme, të vlerësueshme. Andaj nga zemra i uroj krijimtari të gjatë dhe i këndoftë zemra e shpirti nga ku marrin udhë vargjet e frymëzimet e tij. Edhe Hekuran Halili, shkrimtar nga Saranda dhe shumë të tjerë, për të madhin Sejdi BERISHËN, kanë thënë së është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende dhe debate, njeriu që prinë kah atdheu dhe vendlindja me bujari dhe pa lidhshmëri, njeriu që e lartëson kulturën, vlerat shpirtërore, madhështinë e popullit dhe i nderon dëshmorët. Njeriu, që vetëm dhuron libra, në shkolla, biblioteka, spitale, kopshte fëmijësh, njeriu që krijoi dhe linçoi lidhjet kulturore mes Pejës dhe shumë qyteteve në Kosovë dhe Shqipëri dhe të trojeve të tjera stërgjyshore.
Krijimtaria e këtij shkrimtari lartëson dhe lëron tema psikologjike, ato të njerëzores dhe të traditës, ndërsa, satira dhe ironia e tij janë “armë” që godasin saktësisht dukuritë negative të kohës që kalojmë, duke u bërë njësh me opinionin, me lexuesin, duke menduar dhe reflektuar bashkë me të, me të gjitha kategoritë e lexuesve, të çdo brezi, të çdo moshe...
Nga kjo intervistë interesante që e zhvillua me Sejdi BERISHËN, konsideruam se krijimtaria e tij letrare është oksigjeni i trupit, i mendjes, por edhe i gëzimit dhe i hidhërimit. Ndërsa, etja, lindja e fuqisë dhe dëshirës për ta bashkuar mendjen, shpirtin dhe veprimin, sot e gjithmonë se janë më se të domosdoshme, dhe si të tilla janë, si të them, shkrumbi i tij. Kurse, për Pejën mos më detyroni të flasë, sepse, për te kam dhembje e krenari përnjëherë! Mos më pyesni as se çfarë jam duke punuar...!
Kurse, pa gëzimin e njeriut dhe të atdheut, pa kombin e lumtur, çdo gjë sikur e ka akrepin e orës të ngadaltë dhe duhmën e dhembjes që nuk pranë. Pa këto gjëra, jeta më është boshe, e thatë dhe pa tharmin e këngës, pa dritën e mëngjesit pranveror. Andaj, të lumtur qofshim vetëm të bashkuar dhe të përqafuar. Kjo tingëllon ëmbël dhe shëndosh në të gjitha aspektet, në të gjitha rrafshet, na tha në fund të intervistës shkrimtari, publicisti, dramaturgu dhe njeriu i mirënjohur i kulturës në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, Sejdi BERISHA.
Hozzászólások