top of page

Kozma Gjergji: PËRJETIM I PA HARRUAR



 

Tregim nga Kozma Gjergji

 

        Anipse shëndetplot, befas sëmurem. Ndonjë virus i stinës, i them vetes, që të mos alarmohet. Përkeqësimi në vijim më çoj te mendimi se duhet të jetë ndëshkim i Zotit për mëkatet e poshtërsitë e anës time të errët.

        Menjëherë kaloj në kontroll mjekësor dhe filloj ilaçet. Mi ndryshojnë shpejt, ngaqë po vononte efekti i pritshëm. Përsëri asnjë ndryshim. Atëherë më shtrojn në spitalin e njohur për trajtimin kualitativ të disa sëmundjeve specifike.

        E quaj fat, pasi kam dëgjuar vlerësime të atilla, që aty e bëjnë dhimbjen të buzëqesh dhe vdekja përfundon nokaut thuajse në çdo ndeshje me bluzat e bardha.

        Fillimisht më vendosin tek një dhomë e bollshme, ku ndodhen dhe katër të tjerë. Përshëndetemi. Duken paqësorë, të përzemërt, solidarë. Zë vendin e caktuar dhe qëndroj i tërhequr.

        Ata vijojn bashkëbisedimin si miq të vjetër, ndonëse, siç mora vesh, njiheshin vetëm prej pak ditësh. Njerëzit që kanë të njëjtën sëmundje apo të njëjtën urrejtje afrohen lehtësisht me njëri-tjetrin e ndihen si farefis. I ndjek sa mundem mendimet e tyre, përmes të cilave dallohet dhe karakteri i secilit.

        -Shumë zhurmë djema!…  Më tepër respekt për qetësinë!…  Ju kujtoj detyrat!.., -u tërheq vërejtje personi tre krevate më tej. Kërkon qetësi vazhdimisht, kur vetë në gjumë gërrhet si derr. Nga mënyra si fletë, me siguri ushtron profesionin e mësuesit.

        Ballas meje pacienti tjetër tregon fytyrën tepër të menduar e brengosur. Tamam si e një prej atyre skulpturave, në të cilat është gdhendur mjeshtërisht pikëllimi, britma, mëshira. Më tërheq ta vëzhgoj gjatë. Teksa përpiqem t'ia kuptoj dramën që e mundon, diçka e brendshme më shtyn ta ndihmoj qoftë dhe me disa fjalë optimiste.

        Kjo ndjenjë nis të më venitet e largohet kur e shohë të shpërthej në çdo vakt të ngrënies në një fjalomani mburrjesh idiote për gatimet e të vjehrrës, dhe aftësin e rrallë të saj në shërimin e sëmundjeve nëpërmjet kombinimit të ushqimeve…

        -Lum ti or mik! -e uron me tallje kolegu i krevatit të parë. Dhe me ta stopuar e drejton bisedën në çështje të rëndësishme. Lëshon radhë-radhë me ton autoritar ca mendime si pordhët e gomarit për krizën, luftrat, demokracinë…

        Siç shihet, më tepër, për t'i surprizuar të pranishmit, që në mes tyre kanë drejtuesin lokal të partisë kryesore. Shpërfaq gojëtarinë, bagazhin kulturor dhe aftësin e veçant për të zbuluar të meta  gjithkund, përfshirë dhe Zotin, që sipas tij, pati krijuar edhe shëmtira, si xhirafën.

        Me vetëprezantimin e postit dhe të vlerave, synon të imponojë një lloj distance e dominimi. Habitesh. Ç'i duhet këtu ai kaposhllëk e diferencim?! Njëlloj i kemi veshjet, krevatet, komodinat…

        Pas analizave më transferojn në katin sipër dhe vënë në terapi intensive. E mirëpres duke besuar se do të më largohen shpejt, veçanërisht, një shije zjarri dhe vështirësia mjaft e rënduar në frymëmarrje.

        Dhe përmirësimi fillon, por me hapa fare-fare të vegjël. Kjo dhe, sidomos fjalët tejet shqetësuese të mjekëve për funksionimin e mushkërisë më  tronditin e futin në pesimizëm. Ç'do të ndodhte më tej? Po nëse gjendja s'ndryshonte? Mos vallë kaq e pata? Eheee!…  Si më gjeti e keqja dhe pse pikërisht mua?! Isha fort mirë dhe në kulmin e një pune të rëndësishme. Po, po, siç kam Ëngjëllin mbrojtës, kam dhe Satanain mizor që më lufton…

        Ndërsa hamendësoj kështu, më parakalojnë në ekranin e mendjes më të dashurit, ngjarjet e vendet me kujtime tepër të çmuara. Ja fusha, ku erdha në jetë. Ia njoh mirë kodet e shpirtit. Atje e kanë folen sa e sa gëzime e dashuri të mia. Më ka dhënë shumë nga bukuritë e saj të fshehta, nga bujaria e hapësira e pakufi. Çdo herë që kthehem nga mërgimi atje, gjithëçka më buzëqeshë e shikon tërë pritje dhe përqafon si krahët e nënës.

        Bredhin sytë e mi të përmalluar nëpër peizazhin e saj e ndalen tek grunorja e praruar në të bronztë. Dhe pyesin: A do të pllakosin dhe aty korbat-lajmteret e vdekjes si në tablonë e famshme të Van Gogh-ut, e me krokama të ma parathonë edhe mua, ashtu siç ia parathanë piktorit gjenial?

        Hera e parë që e mendoj vdekjen. Nuk më ka vizituar. Mbase nga frika e mjekëve, që për të janë xhelatë. Dhe sikur ta thërrisja më shfaqet natën, e gjithë dhembshuri më drejtohet.

        -Tungjatjeta i dashur! Oh, përse rri ashtu si anije e mbytur?! Do të të nxjerrë unë prej asaj lëngate dhe bashkë vazhdojmë udhëtimin më të bukur për në Mbretërinë e Parajsës.

        -Kush je ti? -ia kthej i frikësuar. -Nuk të  njoh dhe as që dua të kem të bëj me ty.

        -Ouuu!… Mos u trëmb e fol me gjuhë aspak miqësore. Si nuk e  ditke që jam nevoja dhe shpëtimi yt?! Nëse jeta me çdo lindje thotë: “Erdha!”, vdekja me çdo vdekje thotë: “Po vazhdoj!” E di që preferoni pavdekësinë, të cilës i kushtoni sakrificat e heroizmat më të jashtëzakonshme. Keni vlerësime të njëanshme. Çdo të bënte njerëzimi nëse nuk  ekzistonte vdekja? Është e sigurt që do e shpikte vetë. Ka qenë krejt ndryshe dikur në lashtësi. Vdekja shihej e çmohej si bekim e rast feste. E dëshmon këtë një qimitero në Turqi e përdorur nga njerëzit e Neandertalit  rreth një qind mijë vite më parë. Varret e atyshëm të dekoruar me lulime të bujshme e figura nga më festivet i mahnitin vizitorët. Nderimi i vdekjes nga paraardhësit është shkallë qytetërimi. Ky rit vazhdon dhe sot në Afrikë.

        -E padëgjuar kjo, -e kundërshtoj i habitur. -Si mundet të festojë zemra që vajton humbjen e më të shtrenjtit?!

        -Feston për ç'të të thashë, për çlirimin nga vuajtjet e dhimbjet, lirinë, paqen, e mbi të gjitha për kalimin në Parajsën e Lumturisë, ku edhe trishtimi i këtyre spitaleve këndon dhe helmet janë të shndërruar në mjaltë. Eja, eja, qoftë dhe pakëz kohë t'i shikosh e shijosh mrekullitë, dhe, ashtu si të tjerët, kurrë s'ka për të të shkuar ndër mend të rikthehesh.

        Ndërsa tundohem t'i shpreh dakordësi, më buçasin në vesh zërat e të afërmve dhe miqve të larguar nga jeta: “Mos u gënje!… Qëndro vendosmërisht!… Kthehu!…. Kthehu!… “ Megjithatë vijoj ecjen bashkë me të. Kur afrohemi të hyjmë në portat e Errësirës dhe Harrimit, pa pritur ia beh Drita dhe më kap fort për dore e tërheq nxitimthi në rrugën tjetër që nxjerrë tek të gjallët.

        Fatmirësisht pas kësaj fillon kthesa e shumëdëshiruar e shërimit tim. E përjetoj si ai agimi i drojtur e i ngazëllyer që del mundimshëm nga një natë sterr e me trazime të ankthshme. Së shpejti do të jem në shtëpi, ku më presin ngrohtësia, përgjërimi e dashuria familjare, librat dhe puna e ndërprer, të cilat tanimë për mua rifitojnë vlera e kuptime të reja.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page