top of page

 Kozma Gjergji: Kolazh me poezi


HERMESI 


        


NIPI


Nipi i vogël, Davidi

                 si agimi, 

Dhe unë gjyshi

          si perëndimi, 

Dialogojmë. 

Ai me fjalë 

          plot të ardhme, 

Unë me fjalë 

          plot të shkuar. 

Në sytë e secilit 

     dashuria ngazëllon. 


BAJAMJA 


Në mes të dimrit 

Pa në ëndërr dashurinë 

T'i zgjaste duart diellore

Dhe u mbush me lule. 


NË KISHË 


Muzikën qiellore këtu

Çdo besimtar

E ndjen 

Dhe interpreton

Në mënyrën e vetë. 


FQINJA


Fqinja e moshuar 

Ndërsa më tregoi se 

Pasurinë ia linte 

Qenit me testament, 

Rënkoi 

Thellësisht e penduar që 

S'pati mundur dot 

Të bënte martesë. 


Po përse, përse, 

E pyeta gjithë kuriozitet. 

Ah, i dashur, ma ktheu, 

Nga frika e dreqit 

Mos atje gjeja 

Zinxhirin dhe frerin. 


TJETËR SPECIE


Thirrjes erotike të ujqërve 

Iu përgjigjën dhelprat

Duke buzëqeshur me bisht. 


Nga ky çiftëzim

I dinakëris me agresiven

Duan të hedhin në natyrë 

Një tjetër specie më të përsosur

Për të përgjuar, vrarë, spiunuar. 


DAULLJA 


Bubullon nga mburrjet: 

“ Për lëkurën time 

Janë therorizuar

Sa e sa deshë me këmbor, 

Unë e para 

Në kushtrim e fitore, 

Gjëmoj në çdo

Festë, dasëm, festival… 

Dhe pastaj më shajnë se 

E rrah ca tepër kraharorin

Dhe gjoja nga mendja

Qenkam bosh! “


A MUNDET?… 


Kanë dështuar

Ta futin në kanune 

Dashurinë. 

A mundet vallë 

Detit të trazuar 

T'i vihen zinxhirë? 


HERMESI 


Në një anketim

I pyetën njerzit 

Se cilin nga 

Personazhet e historisë 

Do dëshironin

Ta kishin prijës? 


Doli që shumica 

Preferonin Hermesin, 

Perëndinë e mashtrimit, 

Mësuesin e intrigave, 

Mbrojtësin e mëkatarëve… 


MJAFTOHEM… 


Ballas një bukurie 

Si e krijuar nga 

Xixëllima yjesh

E hire pranverore, 

Ia çmova lartë

Don Kishotit

Trimëritë për Dylqinjën. 

Meqë unë 

S'jam i zoti për to

Mjaftohem t'i lë

Sytë te ajo


Të verbohen. 

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page