KLEPTOMANËT
Tregim nga Kozma Gjergji
-Mjaft simpatik e i dashur ky qenushi yt, -më thotë Lipi, miku im, njeri i ditur e i vlerave, me të cilin jam njohur në mërgim. Dhe duke e përkëdhelur më cyt. -A të ndihmon ndopak në gjuajtje?
-I jam mirënjohës! Prej tij i kam ca histori të paharrueshme. I vjen vetë preja dhe pastaj unë…
-Pëlqehet, prandaj… Je me fat! Sa herë të shoh me gjah të ri më kaplon keqas dëshira ta ndërroj dhe unë njëherë gjellën. Dhe e kam vendosur të të kërkoj me qira qenushin për dy-tre javë a një muaj të provoj shansin. Përfytyroj sukses. Hë?… Pse më sheh ashtu si të kisha përdhosur ndonjë altar të shenjtë?! A je dakort?
-Bah, në asnjë mënyrë! Me atë grua që ke ti, aq të çmendur pas teje, është e rrezikshme. Xhelozia ka vrarë njerëz e jo një qen…
-Po ç'ke ti ore, di unë si e justifikoi. Mos kij hiç merak! Për çdo të papritur akordoj dhe një siguracion të lartë e vë garanci ç'të duash.
-Jo, jo, gjë që s'bëhet. Ç'më duhen mua ato lekë para humbjes së qenit?! Pastaj, si mund t'ja lejoj vetes rolin e shkatërruesit të një familjeje?! Kam ngrënë bukën nga duart mikpritëse e bujare të Zonjës tënde, dhe t'ja shpërblej kështu?! S'ma pranon karakteri. Më habit ky ndryshim i yti! A nuk e di sa rrënuese është tradhtia për dashurinë e familjen?! Nis si një brim e vogël që shpejt fundos krejt anijen. Vërtetë çliron, por ama, më tepër dëmton e lë pasoja dramatike. Do thuash, po ti? Unë jam beqar, e në beqari konsiderohen normale kërkimet, njohjet e përvojat si parapërgatitje për familjen e re…
-Jam i një mendje. Më ke prekur me çiltërsinë e besnikërinë. Nuk e prisja ta merrje seriozisht. Qe veç një shaka provokuese, thjesht për humor dhe e bërë bisedën interesonte. Arsyeton drejt. Një miqësi dhe dashuri që tradhtohet nuk ka qenë e është e sinqertë. Beson vërtetë që unë mund t'i hyja kaq mendjelehtësisht kësi aventure dhe t'ja jepja zemrën një tjetre, kur me partneren ndihem krejt i përmbushur e i kënaqur?!
- Do më kishe trishtuar pa masë sikur… Le të ndërrojm temën.Të pyes: Si shpjegohet që prej goxha kohë nuk publikon krijime në revistën e preferuar?!
-Ah, më ka ikur dëshira.
-Qysh kështu?! Përse?!
-Të vjedhin sy për sy. Është sidomos një me instinktet e krokodilit i quajtur Ballëm Belxhiku, i cili si në bostanishten e të atit, përzgjedh mendimet e shprehjet më të goditura deri edhe nga komentet e mia për krijime të kolegëve, dhe i riciklon si të vetat.
Një tjetër, i njohuri im, avancon më tej. Për çdo vjedhje që më bën të kamufluar si të tijën, kërkon ta komplementoj me superlata. Mjerim intelektual! Rasate të tillë janë më të neveritshëm e urryer edhe se hajdutët e xhepave, ngaqë zhvatjet i servirin si produkte të talentit të tyre.
Hajdutërinë e zilinë i kam njohur qysh herët. Ja dy raste fare telegrafisht: Dikur i kërkova një mikut tim student të më çonte për botim një kolazh me poezi në gazetën “Zëri i Rinisë”. U tregua i gatshëm.
Kur kishin kaluar afro dy muaj dëgjova rastësisht të recitoheshin në Radio Tirana në një radioreportazh për jetën kulturore të rinisë studentore. U mrekullova!
Sapo miku u rikthye në qytet me pushime, e takova menjëherë, i shpreha mirënjohje dhe e ftova në bar të festonim. Mezi prisja të dija gjerësisht.
-I paraqita poezitë në konkursin letrar të organizuar nga Instituti, -filloi të më kallzonte, -në mënyrë të shihja se a do vlerësoheshin nga një juri me profesorë të shquar. Dhe u befasova jashtëzakonisht që ato fituan çmimin e parë…
E përqafova, tokëm gotat dhe i rrëkëllyem me fund. Porosita përsëri. I pohova se i kisha dëgjuar në Radio Tirana.
-Po, po, pati jehonë, -shtoi, dhe ashtu si ai fëmija që mendon se i përkasin atij të gjitha lodrat e tregut, edhe ky me një lehtësi tejet të çuditëshme më thotë që ciklin poetik e kishte çuar në konkurs me emrin e tij.
Ndonëse tronditëse, m'u duk hiçgjë para suksesit të arritur nga unë, një gjimnazist i vitit të dytë, në Institutin e Lartë të Arteve. U përmbajta, por plaga që të shkakton një mik dhimb më tepër e nuk shërohet kurrë.
Më vonë, krahas punës si gazetar, përpiqesha të realizoja dhe pasionin letrar. Ndër publikimet qe dhe një tufë me vjersha në revistën: “Nëntori”, të cilat u mirëpritën.
Habitërisht më njoftuan që në një nga kopjet e kësaj reviste në Bibliotekën e qytetit, anash çdo poezie të ciklit tim kishin shkruar plot sharje e ofendime banale.
Vajta në çast dhe u shtanga kur zbulova nga shkrimi që autori ishte një nga miqtë letrar, e madje në punë të rëndësishme. U shokuan dhe të tjerë me atë shpërthim tërbimi të zilisë e smirës së atij.
-I njoh të tillë. Kanë futur në burg edhe miqtë më të ngushtë për të vetmin faj se ishin shumë të talentuar. Në psikanalizë i quajnë kleptomanë. Erich Fromm, në veçanti, i ka studiuar e zbërthyer përsosur.
Me vjedhësin tënd, Ballëm Belxhikun kam punuar në një nga gazetat e kohës para rrëzimit të regjimit. Cinik, dyshues, lakmitar, grykës i paskrupullt. Një tokë e varfër që prodhon veç ferra. I patëm ngjitur nofka si: “Lapsi kopjativ”, “Gomar me një barrë mend”, “Cereberi i partisë”, “Këngëtar publik, por pa veshë muzike”… Ai e mbante gjallë kronikën e thashethemeve dhe e mbillte kudo farën pjellore të tyre, që të dukej se dinte më tepër e zotëronte sekrete.
Një shef i ri tentoi ta largonte nga gazeta, por u tërhoq kur mësoi që ishte nipi i shokut Vendim, një nga të Drejtoratit Qëndror të Kuadrit. Ai ishte muri i kështjellës që e mbronte nga çdo goditje.
Edhe mbiemrin me fjalën luftarake: “Belxhiku” nga “Byku” që e mbante më parë, prej atij e gëzonte. Vendimi e kishte ndryshuar, pasi shefi i tij, shoku Qazim preferonte më shpesh sharjen: “Opo qenke byk fare!”
Meqë i përmenda emrin shokut Qazim s'mund mos të t'i them disa fjalë për të. Kushdo që nuk e njihte e merrte për kasap. Përflitej se brenda vetes mbante edhe tigrin, edhe kaprollin. Me vartësit dhe të tjerë meshkuj shpërfaqte agresivitetin dhe superioritetin e të parit, kurse në mardhëniet me çdo shoqe përcillte paqen dhe ëmbëlsinë epshore të të dytit Dhe ndonjë qortim a vërejtje ia drejtonte në formë këshille e lutje të shoqëruar me shprehjen e dhëmbshur: “T'u bëftë Qazua! “ Dashakeqët ia deformonin enkas dhe e përhapnin gjithandej sikur ai i thoshte secilës: “Ta bëftë Qazua!” Mbështetja e shokut Qazim ndaj seksit të dobët përputhej me orientimin e madh të ngritjes së femrës në përgjegjësi për të cilën kontriboi pa u lodhur.
Në tërë atë valë ngritjesh e zëvendësimit të burrave spikatën shumë shëmbuj e modele nga më cilësoret. Ndërkohë u shpërblyen me poste dhe plot të tjera vetëm për merita të vaginës, të cilës i këndonin:
“Pëllumbeshë, moj pëllumeshë,
Ti më bëre drejtoreshë…”
Miku im, duhet të vijosh me publikimin e krijimeve për më tepër kur t'i pëlqejnë. Pirateria ndëshkohet me ligj, por të sugjerojë se nuk ia vlen të harxhosh kohë dhe energji në beteja me pleshtat. Pickimet e tyre janë asgjë në krahasim me gjëmat që ka shkaktuar xhelozia dhe konkurrenca. S'më largohet nga mëndja një viktimë.
Drekonim në tavernën kryesore buzë liqenit Belino. Pa e kuptuar na e rrëmbeu gjithë vëmendjen figura hipnotizuese e një vajze skulpturuar në mjedisin pranë. S'na hiqeshin sytë nga ajo. Seç kishte një pafajësi lulesh prerë mizorisht nga kosa.
U yshtëm prej kureshtjes të dinim diçka. Ishte ish-kamarierja e Tavernës Kryesore. Për shkak të bukurisë së saj qenë prishur disa dashuri e klientët braktisnin tavernat rrotull e vinin këtu si mizat tek mjalti.
Dhe hakmarrja veprojë. Një natë e rrëmbyen tinëzisht dhe e zhdukën.Që atëhere kish kaluar një dekadë e ajo qëndronte atje e skalitur në mermer si sfidë ndaj ligësisë e harresës, dhe për të na kumtuar që kurdoherë duhet ta shikojmë njëri-tjetrin me sytë e dashurisë.
Comments