
Kolazh me poezi nga Kozma Gjergji
NGADHËNJIMI
Në ikonë tregohet
Krishti tek zbret në ferr
E ngre nga varret
Evën e Adamin.
Prapa tyre shihen
Profetët e Dhjatës së Vjetër
Dhe një turmë njerëzish
Në humnera të errëta.
Shquajn dukshëm
Johan Pagëzori, Davidi
Dhe profetët e tjerë
Me shikimin përqëndruar
Tek Shpëtimtari me
Ushtën sipër
Syrit të Djallit
Ngadhënjenjës mbi
Portat e shqyera të ferrit
Dhe vdekjen e mposhtur.
DITËN E PËRCJELLJES
(Artistes së Popullit Nexhmije Pagarusha)
Vjen pranë Teje
Dhe dashuria ime
Përulet me nderim
E vendos një tufë lule.
Zërin Tënd ku këndon
Shqiptaria
E kemi të inçizuar
Në zemër.
MIRUPAFSHIM!
Heroi
Gjeniu
Vizionari
Është si Dielli:
Vërtetë
Në fund të ditës
Perëndon por
Kthehet përsëri,
Ndaj kur e përcjellim
I themi: “Mirupafshim!”
E jo: Lamtumirë!”
PARADOKS
Në ditën e Çlirimit
Nderojnë dëshmorët që e
Derdhën gjakun për popullin
Pushtetarë që po ia pin
Gjakun popullit!
KY SHEKULL
Tmerret gjenocidale-
Plagë therëse
Të historisë sonë
Tani i shohim
Në Ukrainë, Palestinë…
Ky shekull i
Lartësive të lirisë
Dhe shkencës
A do e lejoi vallë
Çdo tiran
T'iu imponojë
Shteteve e kombeve
Gjeografinë e
Marrëzive të tij?!
SI SHPJEGOHET?
Kafshët
Sa më tepër kohë
Jetojnë së bashku
Duhen mes veti,
Kurse njerzit
Urrehen?!
MË E MIRA
Gjithëfarëlloj dhurata
Jep interesi,
Por më e mira
Është ajo që vjen
Nga dashuria.
SYTË
Sytë e larë
Nga lotët
Shikojnë
Më qartë.
NJË DASHURI
Më erdhi rastësisht
Si shiu në
Zhegun e verës,
Shuajti etjen
Dhe ngriti
Harkun e ylberit.
E VËRTETË?
Të jetë e vërtetë që
Duhani e rakia
Janë zbuluar nga
Helmi e mërzia?!
Comments