KOSTUMI ITALIAN
Nga Thani Naqo
-Ardhi dita të vesh kostum italian, - u thashë qenve, ua përkëdhela shpinat dhe bëra tatëpjetë shtegut që të çon në fshat. Këngën, “Marjankë e vogël ti më je,” e fishkëlleva çakërrqejf, gjersa mbrrita para portës së shtëpisë për ku isha nisur. Në oborr ish një makinë xhip, me targë italiane, e pluhuruar dhe e përbaltur, makinë nga markat që nuk duan t’ja dinë për të përpjeta, siç është rruga nga qendra e Komunës për në fshatin tonë majë malit. Në rrethakun e shtruar me plloça, nën hijen e qershisë, ngarkuar me lule të bardha, ish një karrige. Mbi ndenjësen e karriges, një krehër dhëmbëmadh dhe një gërshërë. Përqark karriges, mbi plloça, cullufe flokësh. "Marjanën e ka qethur e bija,"- dhe parandjenja e hidhur, se ajo po bëhej gati të shkonte në Itali, më bëri të përkulem, të mbledh një shuk me flokë dhe t’i ngjesh në xhepin e pasmë të pantallonave.
-Sa e bukur je bërë, mezi të njoha, - i thashë kur hapi derën. Kishte veshur minifund bluxhins dhe bluzë grizo. Befas, ngërçi më shtrëngoi në grykë sikur kisha ngrënë mollçina aguridhe. Mezi u mbusha me frymë, por për pak më pushoi zemra, kur një shtrëngesë dhe pastaj ndjeva një pickim në anën e majtë të krahërorit. Desha t’i thosha “nuk del e gjallë nga fshati,” por nuk munda, mbasi një ftohtësirë më përshkoi trupin, nga maja e thonjve gjer në rrënjë të flokëve. Vetja m’u duk i vdekur dhe i ngarkuar me faj e mornica, kurse zemrën e ndjeva që u zhyt në brymë të hidhur. Pas shumë viteve ishte hera e parë që e shihja të veshur si femrat e reklamave. Fundi bluxhins i rinte aq puqur, sa vithet e saj m’u duken më të ngrehura, këmbët të derdhura e të plota, këmbë shumë të bukura, më të bukura se edhe në ato vite kur ajo erdhi nuse në fshatin tonë dhe i binte qark sallës të vallzimit. Marjana më bëri shenjë ta ndiqja nga pas dhe unë i rashë pas me sytë e mbërrthyera mbi të thelluarën e vitheve. Që sa mbeti vejushë vishte fustane të zeza, të gjëra e të gjata deri përfund këmbëve, por, ja erdhi e bija, turiste nga Italia, dhe pas shtatë viteve në zi, shoh belin e Marjanës që përdridhet para syve të mia, si llupë shelgu.
“Veç e vdekur ke për të dalë nga fshati” - më ardhi të thërrisja, por nuk munda; gjuha m’u nguros si eshkë e thatë kur pashë të bijën dhe dhëndërin italian. I hodha një sy kostumit, pastaj këmishës e thashë:
-Nuk bëjnë për mua.
-Provoji, - thanë në një zë Marjana dhe e bija.
Atëherë dallova se e bija ish rritur dhe nga që ishin të qethura njëlloj, por e zërin njëlloj, dukeshin si motra. Dhëndri italian më buzëqeshi dhe më dha dorën miqësisht. Ai mund të ish dhjetë vjet më i ri se unë, ama qerroz dhe katër pëllëmbë më i shkurtër. E peshova me sy, “ma merr me njëzet kile,” desha t'i thosha, por ndrova mendje, mbase nga që u habita me kokën e tij të madhe, fytyrën e bardhë e gjëroshe. Ai vazhdonte të buzëqeshte, unë u zilepsa me dhëmbët e tij; më të bardha se qumështi i dhisë në maj.
-Ç’t’i provoj, - thashë. - Do dukem si dordolec.
-Të lutem, provoji, - këmbënguli e bija e Marjanës. Për të mos ia prishur qejfin asaj hyra në dhomën e gjumit me rrobat në dorë. Sa mbylla derën më erdhi të tështija për shkak të naftalinës. Ndërkohë që mbërtheva hundën me gishta, që të mos teshtija, pashë shtratin, ku i ndjeri Loni, moshatari im, u dergj i paralizuar tre vjet e shtatë muaj. Këmisha e natës, fustani i zi dhe sytjenat e Marjanës, ishin varur në shpinoren e karriges. Në njërën qoshe të dhomës, një mbi një, katër valixhe. Një tjetër, si sënduk, e zezë, me rrotëza e kapakhapur, ishte e mbushur me rroba për gra. Mbi komodinën, prej dru rrobulli, në anën e majtë të shtratit, ish një kutizë, në formë zemre, e veshur me kadife të kuqe. Edhe ajo kapakhapur. Ndërsa përfytyroja Marjanën duke provuar fustanet dhe bluzat që i ka sjellë e bija nga Italia, nëpër kortinat e dritares vërshuan rezet e diellit. Gurëzat e varëseve e të unazave xixëlluan si kristale vese, kurse mua më gudulisi zemrën pandehma shpresëmadhe:
“Marjanës nuk i ndahet shpirti nga Loni dhe nuk do shkojë në Itali.”
Çkopsita pantallonat. Pantallona prej doku mbaja përditë, por kisha edhe dy palë të tjera prej kadifeje, që m’i kishte qepur Marjana me makinën Singer. Hoqa bluzën, prej leshdeleje rudë, që e mbaja përmishi; thëthinte djersën në verë dhe më mbante ngrohtë në dimër. E nuhata bluzën dhe njoha kutërbimin e djersës të thartuar përzier me djersën e qenve e të dhive. Gjashtë bluza prej leshi i kisha dhuratë nga nëneja që i thurri një vit para se të vdiste. I ndërroja në çdo dy javë; të shtunave në darkë, pas banje. Sa ndjeva kutërbimin e djersës, më kaploi paniku nga turpi. Fërkova me të dyja pëllëmbët gjoksin leshator, nënsqetullat e barkun, sikur të largoja thartëtirën, ngjitur pas lëkurës. Futa njërin krah në mëngën e këmishës së re, kur befas, sytë m’u mbërrthyen në fotografinë e varur mbi kokën e shtratit bashkëshortor. M’u bë sikur Loni ma shkeli syrin hokatar, ndërkohë që këmisha italiane më shtrëngoi nën sqetulla. Mirëpo, përveç shtrëngesës, ajo qe e shkurtër dhe nuk ma mbulonte kërthizën. U dhashë shpatullave, dëgjova krëk-krëk-krëk dhe ajri më freskoi nën sqetulla. Dy kopsa u rrokullisën mbi dysheme dhe i ndoqa me sy gjersa humbën në të çarat e dërrasave. Sa vesha pantallonat e kostumit, sytë më shkuan vetiu në noçkat e këmbëve dhe m’u bë se dëgjova zërin tallës të Lonit:
-Për shkak të gjatësisë vuajte në komunizëm dhe për shkak të saj po vuan edhe në kapitalizëm.
Më ardhi për të qeshur, jo pse më shkoi ndër mend, “aman, o Loni, edhe i vdekur, s’më le rehat,” por më erdhi për të qeshur me pantallonat italiane. Ato ishin dy pëllëmbë të shkurtra, por dhe aq të gjëra në bel. Atëherë m’u shkrep të bëj shaka me Lonin e gjorë:
-E pe tët’shoqe si është qethur, - dhe mora përgjigjen e tij të hidhur:
-Është përvjelur si dhia në pranverë.
-Marjana është e bukur dhe s’ka mbushur akoma të dyzetat. Ajo do shkojë në Itali.
-Ku të dojë le të shkojë, veç me ty mos martohet se do vuajë tërë jetën majë malit. Le të martohet me italian që të gëzojë ditë të bardha.
Këto të hedhura e të pritura i thura me mend, sikur Loni ishte gjallë, i shtrirë në shtrat, kurse unë duke provuar rrobat që më kishte sjellë dhuratë vajza e tij nga Italia. U përkula dhe pashë sërish noçkat e këmbëve; më ngjasuan me ashikë dashi. Xhaketa paskej qenë për burra barkmëdhenj, por mëngët ishin të shkurtra e gjysmat e llërave më mbetën zbuluar.
Shoh foton mbi kokën e shtratit: Marjana e qeshur, Loni mundohej të dukej serioz, por e tradhtonte syri i shkelur i çapkënit. Kush e di ç’shakamarrëzira të tjera do kisha sajuar, sikur të mos përmendesha nga zëri i Marjanës, që erdhi nga korridori:
-Dil se na plase, - dhe unë dola duke tezarur, pas belit pantallonat, por pa harruar të përthyej gjunjët, që koka mos më puçkavitet me mbikasën e derës. Atëherë Marjana tha me një zë, që mua m’u bë se nuk qe i saj:
-Dukesh sikur nuk je nga fshati ynë.
Mirëpo, e bija i bëri shenjë të heshtëte. Mbërtheu pëllëmbët pas belit e më kqyri nga thonjtë deri në majë të flokëve. Pastaj ngriti vetullat e habitur, njëlloj si e ëma, këmbeu vështrim me të shoqin dhe erdhi e më qëndroi përpara.
-Sillma metrin shirit, - i tha së ëmës.
-Metrot shirit janë bërë fole për minjtë, - u përgjigj Marjana me keqardhje.
-Edhe minjtë do ta braktisin këtë fshat të shkretë, - tha e bija e ndërsa qante, filloi të matë trupin tim me pëllëmbën e saj topolake. I shoqi shkruante në një bllok shifrat që i thoshte ajo, në gjuhën italiane, kurse unë vështroja veten, nga mesi e poshtë. Shihja kërcinjtë e zbuluara të këmbëve, pastaj llërat, pastaj këqyrja i hutuar vejushën e kthyer në vajzë.
Për herë të parë m’u bë se nuk e njihja atë vajzë, por dhe vetja m’u duk se isha prej një fshati tjetër.
Comments