top of page

Kostumet: Identitet i pastër Shqipërie


Prof Dr Fatmir Terziu


Për përditësi, veshjet (rrobat, kostumet tradicionale) përmbushin një funksion. Sipas këtij kuptimi thjesht sigurojnë një uniformë. Më saktë është një relacion që mezi justifikon një mendim përtej specifikave të domosdoshme të mirësjelljes. Tek specifikja rrobat janë modus i rregullimit të temperaturës dhe mbledhjes së papërmbajtur të gjërave shoqërore. Por tej përditësisë veshjet janë të ngarkuara me kujtesë dhe kuptim: lidhjet, nëse na duhet ta themi, me atë që lidhen. Në rroba, ne duket se gjejmë identitetin, gjininë, traditën, bukurinë, estetikën, ndryshesën, etj. Por në fakt ne gabojmë. Rrobat janë një produkt i gjerë filozofik. Prandaj do të doja të shkoj më tej dhe të argumentoj se rrobat vërtet janë thelbësore, por ne mund të mësojmë shumë nga të menduarit e kuptimit të tyre. Mund të sjellim në pah atë që na e kanë mohuar dhe na e mohojnë ende Të Tjerët. Në rastin shqiptar, rrobat kanë një arsye më shumë për t’u thelluar, jo thjesht tek ajo që ka prurë në vite A. Gjergji, as tek zbulesat e F. Hudhrit. Cilat rroba zgjedhim çdo mëngjes mund të ndryshojnë mënyrën se si ndihemi. Mund të na shfaqin mënyrën se si mendojmë. Madje, mund të na qasin në një kënd të shohim se si bota na hapet para syve dhe na ofron aventura. Por kjo në të sotmen. Në të kaluarën na vjen dokumentimi i tyre. Na vjen ajo që Tjetri na e ka lënë jo thjesht si arsye, por si një retushim historie dhe pasqyrë e një filozofie. Bajroni, midis të tjerave ka një letër në arkivat britanike, ku i shkruan nënës së tij për veshjet shqiptare. Në vitin 1809 kjo letër që fillon me “veshja shqiptare është më e madhërishmja në botë”, natyrshëm do ta kishte zili nëna e tij dhe natyrshëm do ta mirëpriste me madhështi. Kështu vazhdimi përcakton në letër “veshja përbëhet nga një fustanellë e bardhë dhe e gjatë me një gunë të praruar, jelek e xhaketë kadifeje me ngjyrë të purpurt. Të dyja të qëndisura me ar. Shqiptarët mbajnë kobure e kama me doreza argjendi”. Tomas Philips e realizoi portretin e tij me veshjen shqiptare, ndërsa dëgjoi dhe lexoi këtë letër që shkruante se “ai kishte marë disa veshje shqiptare dhe do ti sillte në Angli”. Në një botim të vitit 1842 thuhet se “kostumet e shqiptarëve janë shumë piktoreske”. Mbi këtë bazë u realizuan litografitë me ngjyra të piktorit Xhozef Kartrait. Disa prej tyre janë në albumin “Kostume të zgjedhura nga Shqipëria dhe Greqia” që është botuar në Londër në vitin 1922. Uilliams pas dy udhëtimeve të viteve 1819 dhe 1824 nxjerr në pah figurën e një luftëtari shqiptar me kostum kombëtar. Pastaj shkojmë tek Kokreli, Alan, Gell, Barret, Liri, Durham, çifti anglez Zhan dhe Kora Gordon që solli 100 vizatime, grafika e punime midis të cilave spikasin kostumet shqiptare. Më vonë janë francezët që zgjerojnë dashuritë e tyre me kostumet shqiptare. Deka realizoi “Valltaret shqiptare”, “Gratë suliote”; Shefer u përqëndrua tek “Shqiptarja” dhe Koro tek “Haideja” etj. Zheromi ekspozoi bukurinë e kostumeve shqiptare në Paris, Londër, Nju Jork etj. I zbukuruar me këtë madhështi kostumi shqiptar paraqitet në krijimet e shumta të Keton Utvilit. Piktori zvicerian Sharl Gler dhe ai kroat Jovanoviç shpallin miqësinë që kanë pasur me Kolë Idromenon dhe natyrshëm spikasin me kostumet shqiptare. Këto e jaft gjëra janë jo thjesht përtej heshtjes, por vetë filozofia e veshjes. “Filozofia e veshjes” është një ese nga Oscar Uilde që u shfaq në The New York Tribune në 1885. Vetë kjo ese mbeti e panjohur për shkollarët deri në vitin 2012. Arsyet?! Ndërsa fshihen dihet se ajo u rizbulua dhe u botua për herë të parë në formë libri nga historiani Uilde John Cooper në Oscar Uilde On Dress (CSM Press, 2013).

Për kostumet shqiptare ka mjaft botime, fakte dhe realizime artistike. Kaq dihet. Nuk e di a ka fonde Ministria e Kulturës të realizonte atë që ende mungon? Jo thjesht për hir të kësaj filozofie. Jo! Por për atë që është nder, krenari, vlerë, identitet i pastër Shqipërie.

43 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page