top of page

Kosta Nake: Edhe poezia lirike mund t’i krijojë lexuesit një ide për...




AUTOBIOGRAFIA LETRARE E NJË POETI LIRIK

Vëllimet lirike të Thani Naqos “Çapkënët e mëhallave të botës”

(Toena 2008) dhe “Simfonitë e stinëve” (Geer 2009)

Edhe poezia lirike mund t’i krijojë lexuesit një ide për vendlindjen e krijuesit dhe rrugëtimin e tij nëpër glob. Në lirikat e Thani Naqos ka tregues të mjaftueshëm leksikorë për të thënë se është devolli; përdor një sasi të mjaftueshme fjalë me prapashtesa zvogëluese ose përkëdhelëse për të përftuar një tipar gjuhësor në funksion të shprehësisë.

Nga vëllimi i parë:

Prapashtesat zvogëluese për sendet, ~kë, ~çkë, ~zë: fustankë, bluzkë, trokashkë, paraçka, dollarkë, varkëzë, verdhoshkë, gjelkëzë.

Prapashtesa përkëdhelëse ~kë për njerëzit, pjesët e trupit ose tiparet: spanjollkë, greçkë, japonezkë, ruskë, fshatarkë, shoqkë, thëllëzkë, kuqalashkë, bukuroshkë, syvockëlë, buzka, faqka.

Nga vëllimi i dytë:

Fjalë zvogëluese: derushkë, guriçkë.

Fjalë përkëdhelëse: bajluçka, dashuriçka, plakushkë.

Poeti Naqo përdor rrallë edhe ndonjë fjalë karakteristike të së folmes devollite: but, byk, çivi, gudulis, hoshafe, kërçel, kopan, kulpër, kulloshtër, llagëm, llangos, mërjelë, nçoj, përzhit, pllaz, tumbë.

Ai bën pjesë të vargut mjaft fjalë onomatopeike që janë karakteristike për ligjërimin bisedor, të cilat i japin vlagë emocionale dhe ritëm të lartë komunikimit.

Nga vëllimi i parë: “fshap-fshup, fshap-fshup-et e skive u tretën” (f.7), “gu-gu-të e turtujve me natën qetohen” (f.20), “ho-ho-ho, shkrihet Xhoja” (f.36), “kro-kro-së ia mori zëngjiruri pelikan” (f.57), imitoj gërshërën “krap-krup, krap-krup, mbi mollë e pjeshkë” (f.71), “pllaq-plluq nëpër ujëra dhe mes lumit ndal” (f.93).

Nga vëllimi i dytë: “krëk-krëke dërgon thellësi e pyjeve” (f.17), “tring e tring, gazplotë,/ zilkat e pranverës” (f.57), “platitur gu-gu-ja e tufës gjumashe” (f.70), “fshap-fshup, shkund kuverta, çarçafë” (f.71), “bëzzz, mërjel’ e zekthit atë e pickon” (f.80), “kro-kro, kro-kro, fluturon çoroditur” (sorra) (f.81), “cukër-cukër, çapiten me bastunë” (pleqtë) (f.103), “hop-hop, dori, hop-hop” (f.105).

Zona informative e lirikave zbulon se poeti ka fatin e gjysmës së shqiptarëve që kanë emigruar dhe që mishërohet në toponime dhe antroponime të cilat ndjekin gjurmët në itinerarin Shqipëri – Greqi – Amerikë: krijuesi gjen kohë e mundësi të zgjasë kokën nga dritarja e vendit të punës për të treguar lidhjen me vendlindjen dhe qasjen atdhetare si dhe për të shtruar probleme të mprehta të Shqipërisë që plaket nga ikja e rinisë, apo e fshatit që zbrazet sepse vajzat e kërkojnë të ardhmen në qytete. Kështu ndodh te vëllimi i parë me poemën “Përrenjtë e rrëmbyer i vura nën fre” dhe me “Baladën e dhjetë Elkave”; kështu ndodh te vëllimi i dytë me baladat “Bujku i penduar” dhe “I fundmi i fshatit”, me lirikat “Mëmëdhe”, “Enigmë”, “Mbarësi”, etj.

Vitet e botimit të këtyre vëllimeve u përkasin dy dekadave të fundit, por Thani Naqo që kur ishte gjimnazist ra në kontakt me rrethet letrare ku kishte figura të shquara nga Devolli dhe Korça, ai arriti të çante korracën e shtëpive botuese me krijime në prozë, madje spikati me talentin e vet dhe provoi shijën e çmimeve letrarë, përtej botimeve, lëvroi paralelisht edhe poezinë, edhe prozën, me një kalim gradual nga vargu te proza e gjatë, madje kohët e fundit ka filluar që romanet t’ua përcjellë edhe lexuesve anglishtfolës.

Në të dyja gjinitë vihet re vëmendja e veçantë ndaj pasurimit të gjuhës duke parapëlqyer kompozitat me dy dhe tri tema/rrënjë në atë masë sa kanë përftuar një tjetër veçori në kornizën e karakteristikave krijuese. Po veçoj vetëm pak prej tyre që kanë më të dallueshëm nektar artistik.

Nga vëllimi i parë: njëqindngjyrëshet kanarina, shtegu lakadredhës, lëkurëlëmuara, gazshfrenuar, sypërlotura, mishbardhoshe, fytyrëvezakja, krifëngritur, faqkapërskuqura, ëndjegjata, xixënata, pulpëbardhoshe, mustaqeporsadirsurit, zhgënjimpërzhitur, truplarushitur, vetullngrehuara.

Nga vëllimi i dytë: jelengritur, bajluçkëdredhur, fytyrëpurpuruar, epshçudira, magjilulja, etj.

Duke kundruar rrafshin e ngjizjes poetike, lirikat mund të grupohen si përshkruese - numerikisht zotëruese, si referuese fare pak dhe të tjerat sintezë. Në lirikat përshkruese vendin qëndror e zënë ato të dashurisë së humbur, të dashurisë së penguar, të dashurisë pa përgjigje – të gjitha me një karakteristikë shqiptare: prushi ka mbetur nën hirin e viteve. Disa prej tyre nganjëherë mbështillen rreth një fabule, ashtu si mullarët e barit rreth një shtylle druri.

Devolli është i njohur jo vetëm për njerëzit e vet punëtorë, por edhe për dashuritë e zjarrta të tyre që jo rrallë fshinin kufirin midis besimeve, që jo nuk e konceptuan familjen vetëm me sërë e oxhak, por e kthyen rrëmbimin e së dashurës dhe arratinë në një modus vivendi sa herë që pengesat maskoheshin pas traditave ose nxirrnin kthetrat kërcënueshëm.

Treva e Devollit me relievin e saj të pasur dhe plot ngjyra mbetet një ushqim i përhershëm për sytë dhe shpirtin, por poeti Naqo ka patur fatin e madh që fëmijëria të përshkonte një mjedis shoqëror që kishte kulturë dhe prodhonte kulturë, madje duke qenë një vatër e ngrohtë për mbrëmjet e serenatave dhe mbrëmjet e vallëzimit, u kthye në shkollën e parë artistike që e përgatiti si instrumentist dhe këngëtar.

Lirikat referuese marrin ngacmim nga rrezatimi kulturor pa kufi, si Xhek Londoni te “Enigma e madhe”, Ivan Miçurini te “Plakushi ju bëri me bahçe e vreshta”, Lukreci te “Unë dhe Lukreci”.

Poezia sintezë është krenaja e poezive lirike të këtyre dy vëllimeve, si “Unë dhe miliona të tjerë”, “Aziatiket”, “Kalonin xixënatat përmes mëhallëve”, me një kulmim si “Balada e çuçurimave” te vëllimi i parë dhe “Kur ditët firojnë rrugëve të botës”, “Gëzimet dhe brengat”, “Enigmë”, etj. nga vëllimi dytë.

Nga pikëpamja strukturore, poeti parapëlqen ndërtimet strofike 4-vargëshe, me rimë dhe ritëm, por me liri të shtrirjes së rrokjeve. Distiku dhe strofa 5-vargëshe vijnë si përjashtime.

Pas kësaj panorame statistikore, si qershia mbi tortë, ka ardhur çasti për të nënvizuar se vlera e këtyre dy librave qëndron te arti i tyre poetik. Thani Naqo është administrator me përvojë i metaforave që janë fryt i përvojës së pasur jetësore me ngarkesat e leximeve, takimeve dhe udhëtimeve.

Nga vëllimi i parë:

Po sjell të plotë poezinë “Mëngjes i florizuar” (f.70):

“Thëllëzkat e nçuara ia morën këngës,

Firon nata nëpër korijet.

I përhimti agim shtrin draprin e hënës,

Kosit pllajave dritëhijet.

E kaltra qiellore po shkrin e venitet,

Edhe yjet treten porsi thëngjij.

Hën’ e gjysmuar lëkundet e përdridhet,

Florizon mbi kashtë dhe kallinj.

Florizon çatitë dhe kalldrëmet e fshatit,

Përmes kortinave shkon e vjen.

Dhe kur dielli dritëson kokën e shtratit,

Dalta e qerpikëve ëndrra gdhend.”

Vargjeve të veçuara:

 “Gjakftohtë zë e shoshit dekadat e mia” (f. 23), “Ofsham’ e virgjëreshës, cifloi kupën e yjeve” (f.39), “Kristalet e vesës u vallëzojnë mbi qerpikë” (f.46), “E florinjta hënë pogaçe dasme doli” (f.51), “U puth gjinjtë fllad’ i lumit” (f.63), “Rreth belit të hollë është drapëruar krahu” (f.66), “Mbërthej për flokësh Afërditën në kupë të qiellit” (f.73), “Gjethet e panjave gjithandej zverdhëllojnë/ Të florinjtat pëllëmbë të pyllit në vjeshtë” (f.90),

Nga vëllimi i dytë:

“Shkarravis kalendarin rrugëve të botës” (f.3), “Zemra e braktisur fashohet me brenga” (f.4), “Mëngjesin e qelqtë cifluan këndesat” (f., “Uji i lumit fërkohet pas ledheve” (f.24), “Hëna gremiset lart mbi kodrina,/pemëve sonte ka ngecur,/Hajdutçe i shkova, qiellit iu kacavira/ e hënën e ngjesha nën sqetull.” (f.33), “Marsi u vuri strehëve vetulla” (f.60), “Me qerpikët e strehëve zë e lotoj” (f.106), “Gardhi m’u mbështoll pas trupit si shall” (f.122).

 Do ta mbyll me poezinë e fundit “Karvani” (f.126):

Tërheq portën e shurdhimit,

Heshtja mëkon vetminë e përzgjedhur.

Shtratitem plaguar nga veset e qytetërimit,

Trupfashuar me rrugët ku unë kam bredhur.

Shurdhimi thërrmohet ende pa gdhirë,

Zëra të largët sjellin mëngjesin kristal.

Dal t’i pres nga ç’rrugë ato vijnë,

Të hyj e unë në atë karvan.”

Vëllimi poetik “Çdo Perëndim më vdes nga pak” (2015) erdhi si vetëdijë e një rritje që duhet të mohojë pa mëdyshje diçka nga krijimet e hershme, si “gorica” të papjekura mirë, apo kashtë e byk që rrethojnë vrahun e lëmit, apo si rekuizita me stilin e bejteve dhe për të vendosur një “strumbullar” të ri rreth të cilit ka mbledhur ato që përpaqësojnë pjekurinë artistike të poetit e shkrimtarit, vrahun e lëmit të tij poetik. Vrahtari poet, i dehur nga proza e përkthyer në anglisht, me sa duket po merr një sy gjumë derisa të fryjë era e mbarë e të pastrojë pirgun e grurit.

Bilisht, 3-4 prill 2025

KOSTA NAKE

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page