Nga Sinan GASHI
Njeri me traditë atdhetare, Hamit Gjylbegu la gjurmë edhe në krijimtarinë letrare.
Është i lindur në qytetin e lashtë të Shkodrës ku dhe nisi mësimet e para për t’i vazhduar ato të mesmet në Manastir të Maqedonisë. Pastaj vajti në Stamboll ku kreu Akademinë Ushtarake.
Aq shumë e preokuponte çështja kombëtare, sa që kur vinte për pushime në qytetin e lindjes, në qeleshen që e mbante në kokë i shkruante: “Jam shqiptar”.
Gjylbegu ishte njeri që aktivisht e dëshmoi përcaktimin e tij kombëtar sa dhe kudërvënien ndaj asaj që e nëpërkëmbëte këtë çështje madhore. Ishte aktivizuar kundër rebelimit të Haxhi Qamilit, të cilën e konsideronte lëvizje antikombëtare. Ishte për qeverinë e Pric Vidit. Po ashtu ishte pjesëmarrës në Luftën e Koplikut të 1920-tës, duke iu kundërvën serbo-malazezëve që synonin Shkodrën. Ishte përkrahës i Kongresit të Lushnjes si dhe anëtar i kryesisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”me qendër në Shkodër. Mbajti post në qeverinë e Nolit. Zogu e pensionoi para kohe, ndërsa që regjimi komunist i krijoi edhe më shumë trazime me nëpërkëmbje, aq shumë sa edhe ia muar të drejtën e votimit.
Pas vetes la dëshmi edhe vepra të shkruara, të cilat e nderojnë atë dhe e pasurojnë artin dhe kulturën shqiptare. Vetëm deri në vitin 1943 kishte botuar më se 14 libra poetike dhe eseistike, me motive atdhetare.
Ai cilësohej si një demokrat i vendosur, duke i dëshmuar ato përcaktime si në krijimtarinë e shkruar ashtu edhe në aktivizimin e përjershëm në rrjedhat politiko-shoqërore.
Duke e përcjellur fatin e popullit shqiptar gjithandej, ai në vitin 1925 një poezi ia kishte kushtuar Kosovës, duke e pasqyruar denjësisht dhe realisht fatin e saj të rëndë nën thundrën e zaptuesit serb, duke e përfunduar atë me një thirrje djelmënisë shqiptare që tok të angazhohen për shpëtimin e saj nga ajo zallahi shfarosëse.
KOSOVËS
Moj Kosovë, fushë e bekueme,
Deri kuer mâ, kshtu nen dhunë,
Deri kuer mâ, si e shueme,
Deri kuer mâ, tash po vuenë?
Deri kuer mâ sytë e mij,
Ta dishrojnë at bukurij?
O Kosovë, o fushë e plleshme,
Deri kuer mâ, kshtù në robni,
Deri kuer mâ, ti e preshme,
Deri kuer mâ, pa liri?
Deri kuer mâ sytë e mij,
T’a dshrojnë at bukurij?
Deri kuer mâ, ti me të hasun,
Deri kuer do të hekish zi,
Deri kuer me zemër të plasun,
Deri kuer mâ, nen Serbi?
O Kosovë, o motra ime,
Deri kuer mâ, kshtu me t’pà,
Deri kuer mâ, ndër mjerime,
Deri kuer me,lpt tuj kjà?
O Kosovë, o fushë e gjanë,
Deri kuer mâ, me durue,
Deri kur vetëm me t’lanë,
Deri kuer mâ, me t’ dishrue?
O Kosovë, o fushë e gjatë,
Deri kuer mâ, kè me psue,
Deri kuer, ti moj e ngratë.
Deri kuer mâ, kè me pështue?
O Kosovë, o bij e dashtun,
Deri kuer mâ, kshtu n’at dorë,
Deri kuer, për ty me drashtun,
Deri kuer mâ, ndër mizorë?
O Kosovë, o lulzë e bukur,
Kuer do të dalë m ajo Prandverë,
Kuer do të vi te ti si flutur,
Luer do të marr atje nji erë?
At-herë kuer, t’afrohet dita,
At-herë kuer, të vijnë bashkimi,
At-herë kuer, të zbardhin drita,
At-herë mue më vjen shpëtimi!...
Eni, djem, pra, të bashkohena,
E të punojmë për ditët e gzimit,
Rreth flamurit të betohena,
T’pshtojmë Kosovën prej Robnimit.
1925
Shkodër
Comments