top of page

Kopi Kyçiku: Fragment nga KËNGA IX


Iliada

(Fragment nga KËNGA IX, shkëputur nga "Iliada", përkthyer nga Kopi Kyçyku )

Kur trojanët ishin duke vigjëluar,

mendimi për të ikur, i frikës bashkudhëtar,

argejsët befasisht i pat pushtuar,

brenga edhe për më trimat ish barabar.

Ashtu si kur e rrepta suferinë,

fryn prej Trakës fort në shpinë,

detin e pasur me peshk e pështjellon,

e dallga mbi të hovshëm kreshton,

e mbi ranishtë grumbuj leshterikësh nxjerr,

mu në gjoks akejve zemra u rrihte me tmerr.

Hidhërim të madh Atridit shpirti i pa,

kasnecëve zëushtues urdhër u dha,

në kuvend t’i thërrisnin një nga një,

të gjithë fatosët, pa bërë fare zë.

Në ballë të tyre, ai vetë u mor me atë punë,

të dërrmuar në zemër, të gjithë vendet zunë.

Atridi, duke ia plasur vajit, sakaq u çua,

si uji i zi që prej shkëmbit rrjedh si krua,

nga gërxhi ku sorkadhja s’ngjitet asnjëherë,

rënkoi dhe akejve u tha: “Prijës e krerë,

me kob të zi më gjuajti Zeusi tinëzisht,

ai zot mizor që fjalën e hëngri pabesisht,

pasi të shembja Ilionin, bëri be,

të kthehesha i lumturuar në atdhe.

Gënjeshtër të ulët tani po sajon,

të nisem me turp në Argos më urdhëron,

mbasi në luftë m’u vranë trima me vrull të parrëfyer.

Kështu ia paska ënda Zeusit të rrëmbyer,

hyut fuqimadh, sunduesi që s’i dhemb

kur kalà të shumta dhe qytete shemb,

dhe sërish të tjera do të rrënojë. Mos kini ngurrime,

kështu si po ju them, t’i bindeni fjalës sime:

të ikim me anije në të shtrenjtin tonë atdhe,

se Trojën s'e shtjemë në dorë kurrë ne”.

Foli dhe të gjithë akejtë mbetën pa frymë,

sikur i rrënqethi një e akullt rrymë.

Në fund heshtjen e theu Diomedi që trimërinë kish në thua:

“Më parë, o Atrid, të godas dobësinë tënde dua,

ashtu siç është e drejta, e lirë dhe krenare,

o mbret në kuvend, mos u pezmato fare,

ti para akejve më poshtërove krejt pa shkak,

duke më cilësuar të dobët, burracak.

Këtu më njohin të rinj e pleq, pra gjithë fisi,

Zeusi dinak të dy njëlloj nuk na pajisi.

Të dha skeptrin, mbi të gjithë të lartoi,

por asnjë pikë burrërie s’të dhuroi,

dhe ajo mbi gjithë virtytet mbretëron,

vërtet ti, o Atrid fatzi kujton

se djemtë e akejve kaq frikacakë janë,

dhe për luftë aftësi nuk kanë,

siç i përgojon dhe meqë kthimin për në atdhe,

mbi çdo gjë në mendje dhe zemër e ke,

hapur e ke rrugën, mbathja! Në bregdet

çdo anije që nga Mikena të ndoqi, po të pret.

Por danajt e tjerë kripgjatë,

s’luajnë vendit pa e shembur Trojën, o i ngratë,

në daçin të kthehen në atdhe, nuk i mbaj me dhunë,

le të ikin në çast, por Steneli dhe unë

do të luftojmë gjer ta bëjmë Trojën fije-fije,

këtu ne erdhëm me ndihmën e një perëndie”.

Foli e akejt e brohoritën siç u kish hije.

Gjithçka që tha Diomed kuajshaluesi, u pëlqeu.

Ndërkaq rrufeshëm Nestor kreshniku fjalën e rrëmbeu:

“Në luftë, Tidid, je trimi i paparë,

dhe në kuvend më i afti ndër moshatarë.

Fjalën tënde s’mund ta hedhë poshtë asnjë,

as ta kundërshtojë qoftë edhe një argejs s’ka zë,

megjithatë nuk e çove gjer në fund fjalën me mend,

paçka se këtu për të gjithë nxore fjalë me vend,

prandaj edhe unë kam diçka për të shtuar,

dëgjomëni se haptaz do t’ju flas dhe shtruar,

askush s’do ma hedhë poshtë fjalën, më besoni,

as vetë kryeprijsi Atrid Agamemnoni.

Njeri pa cipë, pa plangë e vatër, zuzar, jezit,

është ai që luftën mes vëllezërve nxit.

Natës së zezë duhet t’i bindemi për shkak nevoje,

të gatuajmë darkën e të vemë truproje,

anës hendekut të thellë jashtë murit pa vrima,

këtë detyrë ta kryejnë të rinjtë më trima.

E ti, jep urdhër, o Atrid, se je mbret,

fto krerët për darkë se të ka hije vërtet,

se çadrat i ke të mbushura plot me verë,

që varkat danaje sjellin përditë paprerë

nga vreshtët trake përmes rrugës detare,

asgjë s’të mungon për një pritje bujare.

Kur të mblidhen, lejo t’u hapet goja,

kujt flet me mend, këshillën pranoja,

për këshilla të urta, argejsit nevojë kanë,

tani që armiqtë përmbi kokë u ranë

dhe anijeve tona zjarri u kanoset,

e kush nga ne në këto çaste s’brengoset?

Ushtria jonë sonte o shpëton, o shuhet”.

Foli e të gjithë ia vunë veshin si duhet.

Rojet dolën jashtë me armët shtrënguar,

shtatë trima u prinin me pamje të pezmuar:

princ Trasimedi i Nestor kuajshaluesit,

Jalmeni e Askalafi, bij të Ares heshtalëshuesit,

Deipiri, Afareu, Merioni ëngjëllor,

biri i Kreontit, Likomedi hyjnor.

Njëqind petritë secilit prapa i shkonin,

heshtat e gjata në duar shtrëngonin,

mes hendekut e ledhit u rreshtuan,

ndezën zjarre dhe darkën e shtruan.

Duart drejt gjellëve i zgjatën,

hëngrën e pinë sa dëshirë patën,

i moçmi Nestor, që ndër pleqtë kurrë

fjalën kot s’e nxirrte, ish i pari burrë

që ligjëroi ndenjur plot me urtësi:

“Atrid lavdimadhi, mbret me mbretëri,

me ty do ta nis, me ty do ta mbaroj,

sundues i madh i kombeve, fort të çmoj,

se Zeusi ligjet dhe skeptrin ta ka besuar,

me këshilla të mençme për t’i drejtuar.

Ndaj të ka hije i pari të japësh gjykimin,

dhe të tjerëve t’u marrësh mendimin,

atë që të shtyn ndërgjegja pa ndrojtje ta zbatosh,

si është më mirë, vendimin të përket ta caktosh

për çka është më me vend. Edhe unë do them tani

atë që më duket për ne më me dobi.

Mendim më të mirë askush s’do të shfaqë këtu,

atë që do të shpreh, me kohë e kam bluajtur në tru,

që atëhre kur ti, bir i Zeusit, i grabite,

prej çadrës Brizidën Akil Pelidit dhe e trondite,

shpërfilljen tënde si shumëkush, e përjetova,

paçka se shumë dendur të këshillova

dorë të hiqje, me kryeneçësi,

dhunë ushtrove mbi atë kryetrim ti.

Atij vetë zotat i përulen me nderim,

ia rrëmbeve dhe e mban si kërcënim.

Tani erdh koha ta pleqërojmë kam dëshirë,

Akilin ta zbutim duke e marrë me të mirë,

me dhurata të majme e me fjalë fisnike”.

Mbreti i kreshnikëve, Atridi, ia preu si me majë thike:

“O plak, të vërteta fjalët që nga ti dëgjova,

nuk e mohoj që vërtet rëndë gabova,

përmbi gjithë trimat ai burrë ka vlerë,

Zeusi e do me shpirt dhe këtë herë

për nder të tij ushtrinë e akejve sot e dërrmoi.

Por meqë e fyeva për të kënaqur verbërisht

lakminë e zezë, dua t’ia shpërblej pa ngurruar

dhurata të panumurta bujarisht duke i çuar.

E para jush do t’i rreshtoj dhuratat më së miri,

së pari dhjetë shufra të gjata prej floriri,

shtatë trekëmbsha që s’i preku zjarri përvëlues,

njëzet kazanë prej bakri flakëvetues,

dymbëdhjetë kuaj të rrufeshëm e azganë,

që për vrapim çmime të para kanë.

Askush nuk do të lakmonte më shumë

se sa arin që këta kuaj ma sollën lumë.

Përveç të mësipërmeve, do t’i jap Akilit me bujari

shtatë gra lesbiane të hijshme si perri,

dhe duararta, që me gisht i përcaktova,

atë ditë kur nga Lesbi i largova....

67 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page