top of page

Kontribut për nji dialog


Dr. Sami Repishti

Kontribut për nji dialog: Roli i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë


Dr. Sami Repishti

Ridgefield, Connecticut


Ky shkrim botohet me shpresen se do të ngjallë nji interesim ma të madh për prodhimin krijues letrar në gjuhën shqipe këtu në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Për fat të mirë, kemi nji grupim të rijsh letrarë të cilët përpiqen me krijue letërsi në gjuhën shqipe, si kontribut për krijimtarinë mbarkombëtare shqiptare.

Unë e përgëzoi këte tubim dhe i uroj sukses.

Në të kaluemen, ka qenë si rregull mos me trajtue në krjimtarinë tonë, sidomos në programet shkollore, problemet bashkëkohore. Sot, të gjithë ne, ndërgjegjsohemi për gjendjen tonë, sidomos për gjendjen e vendit tonë mbas Luftës 2 Botënore: okupacionet fashiste dhe naziste, tragjedinë e diktaturës komuniste, dhe tashti periudhën e të ashtuquejtunit “tranzicion” që lëkundet nen peshën e randë të trashëgimit negativ që ka lanë “diktatura e proletariatit”.

Ky zhvillim ndiehet sidomos në botën shqiptare të mergimit; larg nga atdheu i lindjes kjo botë ashtë viktimë e zhvillimeve shpesh herë absurde të jetës politike, ekonomike, shoqënore dhe kulturore në hapësinen shqiptare të Ballkanit. Shpesh herë nuk reagojmë. Por kur reagojmë, jemi robë të së kaluemes së hidhun që mbrenda nesh krijon atmosferen e revoltimit, e për fatbardhët me ndërgjegje të mprehtë, mundësinë e shprehjes, me gojë ose me shkrim, të mendimeve, shpresave, andrrave dhe dështimeve tona në jetë e në shoqëni. Kjo bandë “fatbardhësh” njihet me emnin “letrarë” ….!

Menjifjalë, ne kemi formue nji ndërgjegjsim ma të fortë, e ma tragjik, se para vitit 1939: luftë, rezistencë, bashkëpunim me të huejin, indoktrinim e frymën e revoltimit që kërkon therori! Ajo që duket ashtë thye gjatë kësaj periudhe ashtë sigurimi i jonë i mbrendshëm për mirësinë, për “nderin e lavdinë e qenies njeri”. Njeriu, kjo krijesë delikate në dobësinë e saj fizike ashtë dërmue shum keq nga shtypja e pameritueme, dhe sot e gjen të vështirë me u ringjallë, si dhe sigurinë që gëzonte para L2B.

Letërsia bashkëkohore që reflekton këte gjendje shpirtënore të krijuesit letrar tërheq e shqetëson njikohësisht. Ajo që shohim si udhëtim letrar i kohës tregon përpjekjet tona me formue nji ide të modernitetit që zhvillohet çdo ditë dhe natyrisht vendin që “njeriu” ka në këto ditë, në këte stuhi ngjarjesh, ideshë…..e marrëzishë me proporcione historike, ma e madhja e të cilave ashtë pjella e totalitarizmit dhe shkallëzimi i tyne nga fashizmi, në nazisëm e ma në fund në komunizëm stalinian, forma ma e shëmtueme e letërsisë….!

Si rrjedhim, kemi ardhë në përfundimin se përpjekjet totalitare me krijue nji botë pa liri e nji shoqëni të zhvillimit me plane pesëvjeçare që nuk llogarisin faktorin “njeri” kanë përfundue në krijimin e nji tipi të ri, “njeriu i ri sovjetik” i përgatitun nga “ingjinjerët e shpirtit”, nji robot pa mend, pa zemër, që ushqehet me bukë “kur e ka”, dhe që vdes nga uria në heshtje pa protestue e i harruem, “kur nuk e ka!”.

Në se e duam apo jo, ky ashtë brumi që na paraqitet për përpunim në letërsi.

Letërsia, literature, që don të thotë mësimi i gramatikës, shkrimit e tjera quhet përpjekja e jonë me prodhue nji vepër letrare, sidomos kur ashtë fjala për profesionalizëm në shkrim. Prodhimi letrar që rezulton nga nji përpjekje e përbashkët e nji qendre letrare, ose institucion të ngritun për këte qellim quhet letërsi. Literatura dallohet për formën e saj letrare, ose si shprehje; ajo quhet edhe “les belles lettres”, për arsye të cilësisë së naltë të shprehjes me shkrim ose me gojë. Letërsi quhet edhe tanësia e nji shkrimi që ka të bajë me nji subjekt të dhanun, si p.sh., letërsia e heroizmit, civil ose ushtarak. Por në bisedën e përditëshme tonën letërsi quhet çdo material që botohet, qoftë edhe si reklamë tregëtare.

Nga këtu vjen fjala “letrar”, nji përsonë që tregon aftësi tregimi, me substancë dhe me stil, ose nji personë që tregon aftësi me lexue dhe me kuptue shkrimin e nji letrari tjetër, “Nji personë i edukuem në letërsi”. (Fjalori Roberts)

Në frengjisht, që nga viti 1120 letërsi don të thotë “arti i të shkruemit”, e ma vonë edhe “studimi”. Ajo paraqet nji kulturë të përgjithshme, njohuni të përgjithshme. Rreth shekullit 18, quhet letërsi kompleksi i veprave të shkrueme që përbajnë elementin e së bukurës, qoftë për landën, qoftë për formën, esthetike. Bashkësia e veprave që tregojnë si pikësynim nji përpjekje esthetike, nji njohuni letrare etj. Quhet letërsi puna, dhe arti i shkrimtarit. Materiali që gjindet vetëm në veprat e artit, e jo në realitet, disa herë edhe diçka artificiale. Njohunitë që kemi për prodhimin letrar ekzistues, dhe autorët që shkruejnë; mund të themi: çdo paraqitje esthetike e gjuhës së folun ose të shkrueme!

Simbas Fjalorit të Gjuhës Shqipe(Tiranë,1980):” Letërsia ashtë nji nga format e ndergjegjes shoqërore, lloj i artit që pasqyron jetën nepërmjet figurave artistike të krijuara me anën e fjalës duke shprehur një qendrim ideor e emocional të caktuar. Letërsia e shkrueme ka formën e prozës, poezisë, dhe dramës”. Në përgjithësi, letërsia është “tanësia e veprave të ndryshme të nji populli a të gjithë njerëzimit, që janë botuar gjatë një periudhe, ose gjatë gjithë kohëve; letërsia e veprave të shkruara që kanë të bëjnë me një nga fushat e dijes ose që trajtojnë një çeshtje të caktuar.” Nga ku fjala “letrar” ashte sinonim me fjalën “shkrimtar”.

Kuptohet se theksi qendron në fjalët “art, artistik, esthetikë e tjera”.

Ç’ashtë arti? Ashtë plotësimi në forma të ndryshme i nevojës sonë për të bukurën, me qellim që të paisim ambientin tonë me nji element të domosdoshëm: nevojët tona esthetike. Mosplotësimi i nevojave të këtilla, ban jetën tonë mbi tokë ma të vorfën. Përpjekjet tona me zbukurue ambientin ku jetojmë – me objekte të zakonshme, ashtu si dhe me pasunimin tonë shpirtënor e moral- vijnë nga kujdesi i jonë që kemi me vue në dukje të bukuren; edhe kur kjo nevojë e jona i përgjigjet nji nevoje tjetër, si p.sh. “utilitarizmit” të jetës së përditëshme. Dy aspekte që nuk perjashtojnë njena tjetren, arti mbetet për ne nji veprimtari njerëzore që nuk ka tjetër pikësynim veçse me krijue të bukurën; kështu lindë nevoja për artin!

Për filozofët, çdo lloj përkahje, ngjyre, rreshtim fjalësh të bukura, nuk kanë qellim tjetër veçse me plotësue nevojen e njeriut me pyetë veten, dhe konditën e tij të paevitueshme: mortalitetin. Nga kjo pikëpamje, arti kërkon të na çliroj nga forca e “fatit” ku kemi ra, dhe na sugjeron perjetësinë. Kështu arti përcaktohet shpesh here si “anti-fat”. “L’art est l’anti-destin!” (Andre Malraux) Njeriu vdeksor kalon kufinin e jetës së përkohëshme mbi tokë, dhe me arritjet e tia artistike, bahet i pavdekshëm: shkrimtar, artist, mendimtar, hero ose shenjt, ….!

Kështu, njeriu artist zbulon në art (letërsi, pikturë, skulpturë etj.) nji mundësi me riformue jetën e vet ashtu si dëshiron, …. dhe me u zhvillue plotësisht! Nga kjo pikëpamje arti ashtë e verteta subjektive e njeriut, jo nga aspekti i “gjanave” por nga ai i sensibilitetit. Artisti në vend që të pësoj efektin e natyrës ku jeton, ai e kundërshton simbas prirjeve të tia, të cilat, në esencë janë aspektet e personalitetittë tij, të nji arti subjektiv.

Arti objektiv ka tendencen me qenë ma afër realitetit, me dhanë nji dokument njerëzor, pjesë të shkëputuna nga jeta e perditëshme, me përjashtue nga trupi i kompozicionit elementët formalë, me arrijtë në nji farë përziemje të artit me natyrën. Ai ashtë e kundërta e artit subjektiv, ku autori transformon aq mirë botën sa që e rikompozon pothuejse plotësisht me anë të imagjinatës së plotë të autorit, aq sa shpesh herë – në pikturë, për shembull, - nuk ka emën!

Arti realist, ashtë diçka në mes të udhës, nuk sakrifikon as subjektin as objektin. Ai trasformon natyrën thellësisht, por mbetet thellësisht i lidhun me idealet humaniste, që preokupohen me nji ideal që realizohet nepërmjet të punës së njeriut mbi “gjanat” tjera.

Arti lind nga bindja e jonë se kurr nuk jemi të kënaqun me botën reale. Kështu dëshirohet me u kompensue, ndjehet nevoja me korrigjue botën tonë jo-perfekte ose me imagjinue nji botë tjetër që na premton nji kënaqsi të vlefshme, mundësisht, përgjithmonë dhe për të gjithë.

“Vepra e artit do të lind ma pak se nji ide e qartë ose si rezultat i nji profesioni te menduem mirë, por si nji shtytje e mbrendshme, e nji apeli që i bajmë kreativitetit. Ajo ashtë e bukur kur kënaq nji dëshirë të njeriut”. (François Germain)

Për të rijtë tonë letrarë e artistë të bashkësisë shqiptaro-amerikane do të dëshirojshe me nda tre mendime të mia:

1) Asnji herë, dhe për asnji arsye nuk duhet sakrifikue liria e mendimit dhe frymëzimit për hir të të mirave materiale ose pikësynimeve politike, e tjera të këtilla. Arti i korruptuem nuk ashte art; arti pa liri vdes vdekjen e ngadalët por të sigurtë.

2) Materiali që frymezon vepren e artit, në letërsi ose në pikturë, nuk duhet të kufizohet mbrenda kufijve të nji vendi. Ai duhet të përfshijë edhe zbulimet tona në vendin ku jetojmë. Ai duhet të përgjigjet për problemet që ballafaqojmë në jetën tonë të përditëshme.

3) Prodhimi letrar i breznisë sonë të re letrare e artistike ka gjuhën shqipe si bazament, dhe instrument i shprehjes sonë, si dhe përfëtyrimet e marruna në vendindje. Ai mund të quhet kontribut letrar shqiptar, ose kontributi letrar i gjuhës shqipe në Amerikë. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Itali, në Greqi, në Luginën e Preshevës dhe vende tjera europiane prodhohen vepra me vlerë. Ata janë të shkruemë në gjuhën shqipe, dhe janë të ndryshme nga veprat e botueme në Shqipëri. Ata kanë fitue nji identitet të vetin, që unë uroj të zhvillohet sa ma shumë. Sugjerimi i im ashtë që letërsia e shkrueme në gjuhën shqipe por në kontinentin amerikan duhet të quhet: “letërsi e gjuhës shqipe nëAmerikë”. Na kemi huazue gjuhën shqipe me përshkrue nji “botë jo-shqiptare” që na mirëpret!


41 views1 comment

1 comentário


Prof Dr Fatmir Terziu
Prof Dr Fatmir Terziu
03 de jan. de 2020

Adnan Mehmeti: I dashur profesor,

Me lejoni te ju falemnderoj me shume perzemersi per botimin e shkrimit te Sami Repishtit.

Gjithe te mirat,

Adnani



Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page