top of page

KONTRATA PËR KADAVËR


Ilir Kadia

KONTRATA PËR KADAVËR Tregim.

Vajzave, apo djemve që më kontrollojnë biletën dhe pasaportën në çdo aeroport që të jem, u lutem vetëm për një gjë. Vendi im në aeroplan të jetë përherë pranë dritares. S’ka rëndësi nëse është pranë biznes klasit, ku ndjehesh keq kur të mbyllin perdet para surratit. E gjithë kjo mbulesë veç për të fshehur ato sajditë e tyre, një lëng portokalli, një aperitiv, apo diç tjetër. Vetëm e vetëm për t’i marrë me të mirë, që edhe në udhëtimet e tyre të ardhshme, të tilla bileta të blejnë. Le të jetë ky vend edhe diku në mes të ekonomi klasit, ku je njëlloj larg nga fundi dhe fillimi prej nga stjuardesat nisin shpërndarjen e ushqimit dhe kafesë, apo në fund, pranë banjos, ku udhëtarët e të gjitha kombeve presin në radhë dhe para se të hyjnë me nxitim e të lirohen nga sikleti, lëshojnë nga një zhurmë të vockël, pa kthyer kokën të thonë një “sorri”, zhurmë që është njëlloj në çdo gjuhë. E dua vendin pranë dritares, jo që të shoh si budalla qiellin, që edhe ai është kudo njëlloj i zbrazët qoftë mbi Tiranë, Paris, apo Vienë, por përkundrazi, që t’i vë kurrizin dhe të ndaloj bashkudhëtarët e mi, anash meje, të ndrydhin qafën duke bërë përpjekje të mësojnë përmbi kokën time se ku jemi duke fluturuar tani. Po, po, kështu bëj. I vë shpinën dritares sa zë vend në ndenjësen time dhe ndërsa stjuardesat fillojnë të shpjegojnë si vihet rripi i sigurimit dhe çfarë duhet të bëjmë, po ramë në det,unë e nis muhabetin me pyetjen: «Where are you from?” po qe se nga luku bashkëudhëtari duket i huaj dhe: “ Nga të kemi zotrote?” kur ai duket ashiqare se është bashkatdhetar.” I ke ngjarë dajë Arifit. Ai kishte këtë zakon. U fliste edhe zogjve.” - më thotë ime ëmë sa herë. Dhe mua më pëlqen t’i ngjaj të ndjerit dajë që shkoi këtë pranverë … Jo tek ky qiell që i kam kthyer shpinën. Sigurisht, jo. - Nga të kemi zotrote? - pyeta burrin në çiftin që u ul pranë meje, në fund të aeroplanit të «Austria-s» këtë herë në rrugën e kthimit Vienë-Tiranë. Në fakt, unë kthehesha nga Londra dhe isha tranzit. Pyetjen time këtë herë nuk e bëra hareshëm. Në fytyrat e tyre kishte ngrirë një mërzi e madhe. Para se të më përgjigjej, burri pa gruan në sy. Ajo bëri një lëvizje të lehtë të kokës anash, në shenjën “përgjigju, s’ke ç’bën!” -Nga Lezha,- tha burri që i jepja më shumë vite se ç’kam vetë. Pra, edhe dy që bëhen pesëdhjete, jo më shumë. -O Lezha, ku ka varrin Skënderbeu. Thua t’i kenë lënë ndonjë kockë turqit? Burri pa sërish nga gruaja. Ajo nuk reagoi. As ai nuk u përgjigj. Unë vazhdova shakanë. - Po të gjendej një kockë tani në 600-vjetorin, sado e vogel të ishte, qoftë dhe gishti i vogël i dorës së majtë, që mbante pallën, kush e di sa do të kushtonte. -Skënderbeu s’ka qenë mëngjarash, - tha ai që kishte afërsisht moshën time, pa parë këtë herë nga gruaja. -Ne këtë s’e dimë. Mund të mos ketë qënë. Por po të gjendeshin, atëhere jo një, po dy gishtat e vegjël të dorës së majtë dhe të dorës së djathtë, do të qe më lehtë të mësonim nëse ka luftuar me të djathtën, apo me majtën. Kocka më e zhvilluar do të ishte padyshim ajo e dorës që mbante shpatën. Ka metoda shkencore që i vërtetojnë këto gjëra. Kam parë në British Muzeum një mumje 5 mijëvjeçare. Edhe asaj ia kishin gjetur se me ç’dorë i mbante veglat prej guri… Unë llomotisja .Burri s’fliste. Gruaja lëshoi një psherëtime të thellë. -Çfarë bletë ndonjë gjë të veçantë në Viene?, - i pyeta të dy, sa për ta mbajtur bisedën gjallë. Shkuan mbase dhjetë sekonda pa përgjigje. Unë përsërita pyetjen. Burri pa nga gruaja. Ish ajo që tha: -Blemë trupin e djalit tonë, Leka. -Leka është shkurtimi i emrit Aleksandër. Aleksandër është emër ortodoks. Që të tingëllonte shqiptar djalin e vogël të Gjonit e thirrën Skënder që t’i ngjante Aleksandrit të Maqedonisë. Dihet se nëna e tij ishte shqiptare. Nga Durrësi qe. Be, ja vunë turqit si titull dhe u bë Skënder- be- u që njohim. Sa e bletë, – e vazhdova unë shakanë se kujtova që edhe ata hynë në shakanë time. -Tremijë e treqind euro, - tha serioz burri. -Tallesh? -Nuk tallet,- tha gruaja. Burri pa nga ajo. Shenja e saj ishte «Hë, hë!» «…Ne kemi një djalë Lekën. Studion mjekësi në Vienë. Ka një banesë me qera, në MarieHilfe Strasse. Është ajo rruga e gjerë, me shumë dyqane të mëdha e të shndritshme që përfundon në stacionin e trenit. Kur vjen pranvera bliret lulëzojnë në këtë rrugë dhe aroma e tyre ndjehet e fortë deri në dhomat e shtëpive të atyre që kanë marrë me qira studentët. Leka ka një vit që ka zënë një të dashur austriake dhe ajo e do fort. Sivjet është në vit të tretë edhe ajo. Leka na shkruan çdo gjë. E di që ne mezi i presim letrat e tij. Që të paguanim 5 vitet e shkollës ne shitëm një copë truall në Shëngjin. Gruaja e kish trashëgim nga i jati. I thamë Lekës pyet dhe na thuaj nëse janë mjaft 20 mijë euro në vit. Që në javën e parë të shkollës e pyetëm. Dalin e teprojnë, na shkroi ai në letër, duke na falenderuar e pyetur me humor se çfarë t’i bënte tepricat. Harxhoji për qejf, - i thamë ne dhe çdo gjë po shkonte për mrekulli deri tre javë me parë kur na erdhi ajo letra…» Burri u ngashërye. Mori një pecetë në tabakanë me ushqim që na kishin servirur ndërkaq stjuardesat dhe fshiu sytë. Gruaja vazhdoi të fliste në vend të tij. «…Ajo letra që na solli postieri ynë në Lezhë, atë ditë nuk ishte si letrat e tjera të Lekës. Letrat e Lekës janë si mandile të bardha. Të lehta pupël. Ngjajnë me zogj pulëbardhash. Letra që unë ia pashë në dorë postierit vinte në kafe, si pendët e zogut të bufit dhe ishte e fryrë si… bombë. Kujtova se nuk ishte e jona, por postieri Gjin tha se e jona ish. Emrin dhe adresën tonë e kishte të shkruar me shkronja plumbi, ndërsa në vend të emrit të dërguesit kishte një vulë me dyllë të zi mbi një fije spangoje që varej si çengeli i bombës. Nuk e lashë burrin ta hapte në sy të Gjinit. Po të shpërthente le të më vriste mua dhe tim shoq. Ç’faj kishte Gjini? Hymë brenda. Fitilin e hoqa unë, por letrën e lexoi ky. Se ky di gjermanisht. Edhe i jati ia ka ditur…» «Ndërsa kjo hiqte fijen e spangos, tek vula dallova “Universiteti Mjekësor i Vienes”. U qetësova. Do të jenë notat e djalit, mendova. Por në krye të letrës lexova: «Kontratë». I dhashë një të lexuar nga fillimi në fund, pa zë. S’desha ta besoja. Ç’thotë - ç’thotë- cicëronte kjo e shqetësuar. Fillova t’ia përkthej. Fjalët më ngatërroheshin, gjysma shqip, gjysma gjermanisht. E zeza, djali.E zeza djali,- ia bënte kjo duke ndukur faqet. -Rri urtë! S’ka ndodhur asgjë e zezë, - i thoja unë që fillova të kuptoja diçka dhe të sqaroja veten. Kontrata ishte mes Universitetit dhe Lekës. Leka i kishte dhënë sekretarisë, në fillim të vitit të parë të shkollës adresën e shtëpisë sonë në Lezhë dhe ndaj ata që i bëjnë punët me themel nuk e kishin dërguar në MariaHilfe strasse, por në «Rruga Besëlidhja. Numër tetë. Lezhë. Albania» -Ky më tha se Leka kishte shitur trupin. Për tre mijë euro. Kurdo që të vdiste, 25 vjeç, apo 85 vjeç, trupi i tij nuk do të varrosej në Lezhë, por do të përdorej si kadavër në Universitet, që me organet e trupit të tij të mësonin të tjerët. Kështu shkruante kontrata të cilën e kishte nënshkruar edhe përgjegjësi i kadavrave, edhe Leka. Ama është gjallë? - i thashë unë këtij. Punë e madhe! I rregulloj unë gjërat e tjera. Unë e kisha me atë austriaken. Ajo do ia ketë shpenzuar të tëra paratë në ballo dhe opera dhe ky yni që të mos binte poshtë ka shitur trupin që t’ia bëjë qejfin. Janë budallenj burrat shqiptarë. Për qejfin e gruas se huaj çfarë s’bëjnë. -Kjo e kaloi menjëherë. Po ia tregoj unë asaj, - thoshte dhe s’e bënte qejfin qeder. Por unë hyra në hall. Dy javë më parë bashkia më kishte rikthyer të drejtën e pronës në varrezat e trungut tim familjar. Aty ishte guri që tregonte vitvdekjen e stërgjyshit, gjyshit, varri i babait, vendi për varrin tim dhe për disa breza të vijës mashkullore të gjakut tim. Pra, si të thuash, trupi i Lekës, kudo dhe kurdo që ta ketë fundin ai, e ka vendin të përcaktuar se ku do të prehet. Stërgjyshi im ishte nizam në Siri, por erdhi dhe vdiq në Lezhë. Gjyshi luftoi me Serbët në Kaçanik. U plagos rëndë atje, por kur vdiq, vdiq ne Lezhë. Babai im vdiq në 61’– ishin, e atëhere, siç e di, varrezat ishin pronë kolektive, por në varrezën e familjes sonë nuk mund të varrosej kush tjetër. Edhe unë e di vendin tim, pranë tim eti. -Leka nuk e dinte që ne e rimorëm varrezen familjare. Ne nuk ia thamë. Na dukej makabre. Kur i vajtëm pardje në MariaHilfestrasse dhe na hapi derën, ai shtangu kur na pa në derë. Ajo i varej mbrapa. O perëndi sa i bukur që dukej me atë femër varur qafe. Dukej se zilja jone i kishte ndërprerë të puthurat në mes, se skuqte si verë Kallmeti. - Po ju këtu? - na pyeti kur mori veten dhe ne kishim hyrë brenda e ishim ulur në divan. - Kemi ardhur të riblejmë trupin tënd, - i tha ky dhe i tregoi kontratën. Leka e mori në dorë kontratën dhe … filloi të qeshë. Pastaj i shpjegoi austriakes së tij ç’po ndodhte. Edhe ajo qeshte. Zuska e bukur, qeshte, apo s’qeshte! -O baba, - më shpjegonte Leka. Po këto janë lodra studentësh, mor baba. Sa herë që studentët gjenden keq për para, shkojnë tek Struasi, shefi i kadavrave, që është specialist për këto punë dhe i kërkojnë këshillë si t’ia bëjnë. Ai thotë të venë në hipotekë organet trupit të tyre në rast aksidenti. -Që do të thotë? - e pyeta unë. -Që do të thotë 500 euro për një veshkë dhuratë spitalit të unirversitetit, në rast se pas një aksidenti të mundshëm nuk ke asnjë shans shpëtimi. 1000 euro zemra. 3000 euro gjithë trupi. Kur studentët i bëjnë paratë, nëse arijnë t’i bëjnë, gjatë shkollës, apo pas saj, s’ka rëndësi.Kontrata prishet.I paguajnë shkollës sërish shumën që kanë tërhequr dhe ja ku kanë sërish të tyre veshkën, zemrën, apo trupin edhe për pjesën tjetër të jetës, në këtë, apo edhe në botën tjetër. Atëhere unë e kuptova, kurse kjo e kishte kuptuar me kohë. Por i shpjegova ç’kishte ndodhur me Bashkinë dhe varrezën tonë familjare dhe iu luta të më kuptonte edhe ai. -Pra ti do të riblesh trupin tim?- më pyeti. -Po, - i thashë unë, - të lutem. -S’ka asnjë problem, mor baba, - tha ai duke futur në xhep tre mijë eurot që ia dhashë unë atë çast.U ngrit e shkoi e u ul në tavolinë dhe filloi të shkruajë në shqip e gjermanisht një kontratë shitblerjeje për organet e trupit të tij, mua, babait që i kam bërë kokën… Unë fillova të qesh. Historia, në fillim me nota tragjike, m’u duk shumë zbavitëse. -Dhe ç’është gjithë kjo mërzi juaja tani. Gjithçka ka shkuar mirë. Burri shikoi nga gruaja. Por ajo s’i dha leje te fliste. Foli vetë. -Leka na shoqëroi dy ditë në vendet më të bukura të Vienës, por kur u ndamë pak minuta më parë, në aeroport, i tha këtij se ne kontratë kishin harruar të vinin interesat… . . . …Do ta kisha dëgjuar këtë histori po të mos e kem zakonin t’i vë kurrizin qiellit? Në këtë botë jo!


24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page