Komedia Hyjnore
Dante Alighieri
Kënga I
(Shqipërim nga Astrit Lulushi)
Në mes të rrugëtimit të jetës
Veten e gjeta në një pyll të errët,
Udhën e drejtë e kisha humbur.
Ah unë! sa vështirë e kam të them:
Ç’ është ky pyll i ashpër dhe i egër,
Që frikën ma përtërin në mendje?
E hidhur është, vdekja pak më shumë,
Për të përshkruar atë që gjeta,
Por do të flas për të tjerat që pashë.
Nuk mbaj mend të them si hyra,
Aq i përgjumur isha që nga koha
Kur udhën e vërtetë humba;
Pasi arrita rrëzë një mali,
Aty ku lugina merr fund
Zemra fort m’u drodh;
Hodha sytë lart, shpate pashë
Veshur me afshin e tokës,
Si tymi që mbulon çdo gjë.
Pastaj frika u qetësua pak
Mjaft kishte duruar e fshehur
Në liqenin e zemrës time
Natën që kisha kaluar
Aq shumë me rrënkime.
Dhe si ai, i cili me një frymë
Lëshohet nga deti në breg,
Kthehet rishtas në ujin e rrezikshëm,
Dhe sheh;
Shpirtin që shkon përpara
Dhe mbrapa përsëri kthehet
Për të parë udhën e hapur
Që më kurrë nuk humbet.
Ja aty, ku filloi e përpjeta,
Një panterë e shpejtë si drita doli,
Me lëkurë me njolla mbuluar.
Kurrë nuk i hoqi sytë nga unē,
Por s’më pengoi në rrugën time.
Agimi, mëngjezi i parë, erdhi,
Dielli hënën dhe yjet perëndoi,
Ishte koha e Dashurisë Hyjnore.
Sa bukur, me vete thashë,
Ugur i mirë ishte edhe
Lëkura e larmishme e kafshës së egër,
Por pa shijuar mirë këto mendime
Një luan i madh përpara më doli.
Kundër meje ishte nisur
Kokëlartë, i uritur, i tërbuar, aq sa
Edhe ajrin nga frika e bëri të dridhej;
Ja më tej, një ujk, me uri të madhe,
Dukej se ishte ngarkuar
Me zellshmëri ndaj meje;
Pashë gjithashtu njerëz
Që endeshin të humbur!
Kjo më rëndoi aq shumë
Sa malit vendosa të mos i ngjitem.
Si ai që gëzohet kur fiton,
Dhe kur humbet,
Qan për çdo mendim të tij.
Të tillë më bëri kafsha e egër,
E cila, duke ardhur drejt meje
Më shtyu atje ku dielli hesht.
Ndërsa po nxitoja tatpjetë,
Përpara më doli një person,
I cili dukej se kishte
Shumë kohë pa folur.
"Ki mëshirë për mua", i thirra,
“Qofsh hije apo njeri i vërtetë!"
"Nuk jam njeri”, m’u përgjigj,
“Por njeri dikur isha,
Nën Julin u linda, megjithëse vonë,
Jetova në Romë nën Augustin e mirë,
Gjatë kohës së Perëndive të rreme.
Isha poet dhe i këndova
Birit të Anchises, që iku nga Troja,
Pasi Ilioni u dogj.
Po ti ç’do në këtë vend të zymtë?
Pse nuk i ngjitesh malit të bukur,
Që është shkak për çdo gëzim?"
"Tani, ti, mos je Virgjili dhe burimi
Prej nga lumi e fjalëve rrjedh?”
Iu përgjigja turpshëm me pyetje.
"Nga poetët e tjerë je nder e dritë,
Ti je Zoti dhe poeti im,
Je i vetmi nga i cili mora
Stilin e bukur që më ka nderuar.
Ja bisha, më bëri të ndërroja udhën;
A më mbron dot, sepse
Nga frika i tëri po dridhem?”
"Ti duhet të marrësh rrugë tjetër",
Më tha, kur më pa duke qarë,
“Për të shpëtuar nga ky vend i egër;
Sepse kafsha që ankohesh,
S’ lejon të kalosh në rrugën e tij,
Dhe të shqyen po e ngacmove;
Ka natyrë të pamëshirshme,
Asnjëherë nuk e fsheh lakminë,
Edhe kur ha sa ngopet,
është më i uritur se ç’ishte.
.....
Prandaj mendoj për të mirën tënde,
Më ndiq, do të jem udhërrëfyesi yt,
Në këtë terr të përjetshëm,
Ku do të dëgjosh vajtime,
Do të shohësh shpirtra të thyer,
Që qajnë secili për vdekjen e dytë.
Do të shohësh edhe të kënaqur,
Brenda në zjarr,
Që një ditë shpresojnë të kthehen”.
.....
"Poet, të lutem, më shpëto
Nga gjithë kjo errrësitë,
Më trego rrugën për atje ku the:
Të shoh portën e Shën Pjetrit,
Dhe ata të pashpresë”.
Pastaj vazhdoi më tutje,
Dhe unë pas i shkova.
I nderuari z, Lulushi! Me pelqeu shume shqiperimi juaj. Jam njohes shume i mire i italishtes, por jo i latinishtes. Meqe erdhi rasti, ju pergezoj per ekstratet, per filosofine dhe filosofet e lashte greke. Ne menyre te vecante me pelqeu Artikulli Analitik studimor: "Perralla te koheve te harruara". Ju uroj suksese. Faleminderit, Myslim Maska, ATHINE.