top of page

Kombi ka nevojë për energji të reja


Entela Binjaku

Politologu Kristjan Dukaj: Shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, do të kontribuojë në njohjen e vlerave të përbashkëta kombëtare dhe krijimin e vlerave të reja

Nga Entela Binjaku

Politologu shqiptar nga Mali i Zi Kristjan Dukaj është diplomuar në Universitetin e Universitetin e Sarajevës. Ai kreu studimet e thelluara master në fushën e marrëdhenieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë në Podogoricë. Kontributet e tij në opinionbërje lidhen edhe me aktivitetin në media përmes analizave, intervistave dhe shkrimeve të ndryshme të botuara brenda dhe jashtë Malit të Zi. Dukaj është themelues i faqes informatiove“DukajPress”. Aftësitë e tij në mendimin e shkruar janë të shprehura edhe në letërsi përmes shkrimeve në prozë dhe poezi. Kristjan Dukaj është fitues i disa çmimeve dhe autor i përmbledhjes publicistike me titull: "Dora e parë".

Aktualisht punon si zëdhënës në Komunën e Tuzit.

Z. Dukaj, ju i jeni drejtuar në javët e fundit disa herë opinionit përmes mediave të Shqipërisë lidhur me situatën zgjedhore në Mal të Zi. Sipas mendimit tuaj, sa qasje kanë analistët shqiptarë në rajonin tonë në mediat e Shqipërisë?

K. DUKAJ: Po, e vërtetë! Unë, pata disa lidhje të drejtëpërdrejta me mediat në Shqipëri gjë për të cilën u jam mirënjohës, pasi ne kemi nevojë për paraqitje të tilla. Jo vetëm si komunitet por edhe si individ që veprojmë publikisht duke reaguar ndaj dukurive të shumta por që reflektojnë në rrjedhat e përgjithshme shqiptare në këtë vend. Dua të jem i sinqertë dhe të shpreh mirënjohjen time pasi unë, mjaft shpesh, në raste të ndryshme kamë qenë i pranishëm në mediat elektronike dhe të shkruara në rajon, jo vetëm në gjuhën shqipe. Mendoj se paraqitja e tillë i kontribuon jo vetëm përparimit të çështjeve me interes për opinionin shqiptar në Mal të Zi, por, njëkohësisht, për të prezantuar çështje të shumta të cilat meritojnë njohje më të thelluar nga opinioni mbarëshqiptar. Mendoj se kjo mund të jetë edhe më intensive pasi, ne, kemi nevojë të debatojmë çështje dhe dukuri të shumta nga e përditshmja jonë.


Politologu shqiptar nga Mali i Zi Kristjan Dukaj

Si mendoni ju, sa njihen shqiptarët në rajon me njeri-tjetrin dhe ku qëndrojnë të rinjtë tanë sa i takon ndjenjës kombëtare shqiptare? Si kanë ndikuar politikëbërësit shqiptarë në këtë drejtim?

K. DUKAJ: Unë, si pjestar i brezit të ri dëshiroj që njohja ime me bashkëmoshatarët shqiptarë të jetë shumë më e gjerë. Nga kontaktet që i kam, të drejtëpërdrejta apo përmes rrjeteve sociale, jam në dijeni se mendim të njëjtë kanë edhe shumë moshatarë të mijë nga hapësira mbarëshqiptare. Do të ishte mirë krijimi i një asociacioni të gjerë nga individë të profileve të ndryshme, por të cilët përmes mendimit kritik brenda nivelit të vet arsimor dhe profesional, mund të kontribuojnë pëërparimin e rrjedhave të ndryshme shoqërore. Mendoj se politikëbërësit shqiptarë duhet të veprojnë në institucionalizimin e bashkëpunimit të brezit të ri nga rajoni. Në këtë mënyrë, përmes shkëmbimit të përvojave dhe bashëpunimit të ndërsjellë, do të kontribuohet në njohjen e vlerave të përbashkëta kombëtare dhe, njëkohësisht, në avancimin dhe krijimin e vlerave të reja.

“Arratisja” e të rinjve nga trojet tona vazhdon dhe nuk ka njohur ndalje. Cfarë mund të bëhej më mirë që sidomos tek të rinjtë dhe të vegjlit të përcillej ndjenja e përkatësisë kombëtare shqiptare?

K. DUKAJ: Braktisja e trojeve të veta, tashmë, është dukuri e njohur në trevat tona. Kjo, ka shkaktuar pasoja afatëgjata për të ardhmen e hapësirës mbarëshqiptare. Edhe pse, gjithnjë, politikbërësit në programet e veta partiake-politike, kanë proklamuar zbutjen e kësaj dukurie, kjo, për fat të keq, nuk ka ndodhur. Shkaqet janë të shumta, por duke u nisur nga mjediset ku jetoj unë, të rinjtë tonë të përballur me pasojat e pasigurisë shoqërore, paunësia dhe mosekzistimi i kushteve për të krijuar familjet e veta, pastaj neglizhenca e shoqërisë për të zgjidhur çështjet jetike për brezin e ri, ka pasuar me emigrimin masiv të rinjve në vende të ndryshme, në kërkim të një jete më të mirë. Kombi ka nevojë për energji të re, për potencial të arsimuar në zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme në rrafshin kombëtar. Të rinjtë, kanë nevojë të marrin pjesë në vendimmarrje dhe të jenë pjesëtarë aktivë të shoqërisë, siodomos në rrjedhat e sotme bashkëkohore të shoqërisë. Duhet biseduar dhe dëgjuar fjalën e të rinjve, nevojat dhe kërkesat e tyre. Idetë dhe vizionin e tyre për të ardhmen e shoqërisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë në një të ardhme më të mirë.

Sa i takon zgjedhjeve të fundit, si mendoni se u prit në opinionin shqiptar mesazhi që vinte nga Shqipëria dhe Prishtina? A mendoni se ka ndikuar në rezultatin e përftuar?

K. DUKAJ: Kuptohet se mesazhet dërguar nga kryeqendrat shqiptare, janë të mirëpritura kudo nga shqiptarët në vendet e rajonit dhe më gjerë. Aq më parë, pasi opinioni shqiptar jashtë shtetit amë, Shqipërisë, është gjithëherë në pritje të mendimit dhe sugjerimeve nga politikbërësit shqiptarë për të përparuar proceset shoqërore në të mirë të përgjithshme. Mirëpo, ajo që duhet të kihet parasysh nga të gjithë ata, është fakti i unifikimit të spektrit politik shqiptar sidomos në vendet ku ata janë popull pakicë. Mirëpo, duhet pas parasysh se pluralizmi politik në mjediset shqiptaree kudo, është i domosodoshëm për një veprim sa më të mirëfilltë të përfaqësuesve shqiptarë. Andaj, konsideroj se baraspesha në mbështetjen e proceseve të tilla, është kontributi më i mirë në mbarëvajtjen e proceseve politike në rajon. Kuptohet, gjithherë me një vështrim konstruktiv për mendimin ndryshe pasi çështja shqiptare në rajon, është shumë e ndjeshme. Në njërën anë, kemi individë të arsimuar në qendra të ndryshme universitare të cilët kanë qasje pragmatike ndaj proceseve të domosodshme kombëtare kudo, kurse, në anën tjetër, individët e konsumuar politikë të cilët duan të mbijetojnë në skenën politike, pavarësisht rezultateve të arritura. Konsideroj se institucionet shqiptare, ashtu siç insistojnë në mbështetjen e proceseve gjithëpërfshirëse demokratike, duhet të vlerësojnë arritjen ose jo të synimeve të parashtruara në interesin më të gjerë. Mendoj se politikbërësit nga kryqendrat shqiptare, kanë nevojë për më shumë informacione nga strukturat më të gjëra, jo vetëm politike. Nga opinionistë dhe veprimtarë të ndryshëm të cilët janë në pritje të rezultateve më të mira, sidomos nga proceset zgjedhore.  Mesazhet e këtilla, pak a shumë, ndikojnë  në rezultatin zgjedhor  por, jam i sigurt se  informimi më i mirë, shkëmbimi i mendimeve dhe analizave të ndryshme  me veprimtarë dhe intelektualë të pavarur, do të ishte kontributi më i mirë në arritjen e suksesve më të larta në çdo fushë.

Nëse ju do të ishit pedagog i shkencave politike në një nga Universitetet tona, si do t´jua shpjegonit studentëve situatën post-zgjedhore në Mal Të Zi?

K. DUKAJ: Të flasim pakëz në mënyrë hipotetike. Sikur të isha një pedagog, do të tentoja një shpjegim objektiv të situatës, sidmos të asaj paszgjedhore. Vlerësoj se kjo nuk është tepër e komplikuar, pasi unë në paraqitjet e mia në media gjatë fushatës parazgjedhore, kam parashtruar disa nga çështjet e ndodhura në zgjedhje. Pa ndonjë shpikje të re por kryesisht, në bazë të situatës ekzistuese, të përcjellë me polarizime të shumta dhe me një retorikë që, për momentin, nuk ishte e favorshme për elitën politike në pushtet. Ndërkohë, mjedisi i krijuar, ka reflektuar një rezultat befasues, sidomos për ata që nuk janë  mjaftueshëm në rrjedhën e ngjarjeve në vend. Aq më parë pasi, strukturat fituese në zgjedhjet paralamentare, kanë dallime të mëdha programore në çështje të shumta por strategjike për të ardhmen e vendit. Besoj se ekzekutivi i ardhshëm i dalë nga rezultati i ngushtë zgjedhor, do të përballet me sfida të shumta jo lehtë të kapërcyeshme. Në radhë të parë, të tranzicionit të qetë të pushtetit por edhe në ruajtjen e vazhdimësisë së proceseve të integrimeve Euroatlantike, ruajtjen e vlerave multietnike dhe multikonfesionale të shoqërisë në Mal të Zi, që do të jetë njëra ndër sfidat parësore të përbërjes aktuale të bllokut opozitar në Mal të Zi.

Sërish në të njëjtin pozicion, si do t´jua shpjegonit pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi? Ku janë ata me perspektivën evropiane të integrimit?

K. DUKAJ: Pavarësisht përbërjes së ardhshme  të shumicës parlamentare, konsideroj se spektri politik shqiptar, duhet  mirëmenduar kahjen e mëtejme të veprimit politik. Është koha për veprime pragmatike në përparimin e çështjes shqiptare, në drejtim të integrimeve të brendshme, njëjtë integrimeve në familjen e gjerë Evropiane. Nuk është kontestues kontributi i popullatës shqiptare dhe i subjekteve politike të tyre, në procesin e deritashëm të negociatave dhe të integrimeve të përgjithshme të Malit të Zi në rrjedhat evropiane. Tashmë, është e njohur se populli shqiptar në rajon, është populli më proevropian në rajon. Popull propërendimor, ashtu siç është në traditën tonë të lashtë. Nuk do mend se nga ky pozicion, komuniteti shqiptar në Mal të Zi, është i mirëpritur në çfarëdo përbërje të qeverisë së ardshme të Malit të Zi. Ndërkohë, marrëdhëniet e mira fqinjësore të Malit të Zi, me dy shtetet shqiptare në rajon, janë favorizuese për përmirësimin e pozitës së përgjithshme të  komunitetit shqiptar në Mal të Zi e që është vlerësuar në vazhdimësi nga autoritet shtetërore në të gjitha nivelet. Sigurisht që kjo do t’i kontribuojë përmirësimit të gjendjes së përgjithshme, sidomos në fushën e arsimit, kulturës, krijimtarisë e kështu me radhë.

32 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page