Kohë e ndryshkur nga gjumi dhe pagjumësia
Prof Dr Fatmir Terziu
„Kohë e ndrydhur nga pagjumësia“, kështu shkruan në vjershën e tij „Atje“ poeti nga Peja, Neki Lulaj. E ndërsa „Vesa mbi gurë“ është një pikëtakim me stirolapsin e tij që emeton shënimin e dhuratës së dy librave në Londër, tjetri „Kodi i Tokës“ është rrokadë e tre palë syve, të nipit të tij, mikpritësit të xhaxhait, dhe brujtësit të rrënjës dhe respektit, Mendim Lulaj, syve të mi, që ndajnë pozitat dyshe mes librave dhe miqve, dhe syve të autorit që pos asaj që mendon, tenton të dyfishoj respektin. Janë dy vëllime që kapërcejnë atë që u shënua më parë në sytë tanë dhe në celularët që fiksuan kujtimin e përcjelljes, njohjes nga afër, të dy njerëzve që ndoshta, jo vetëm vargu i ka bashkuar. Ndoshta…
Dhe koha ndoshta, është vetëm koha, ajo që bën të sajën. „Buzët e hënës në vetullën e lumit“, pikërisht nga vargu i librit, kanë lënë kohën e tij pas në Lumbardhë, po aq dhe në Tamiz, e tashmë në heshtjen e zhukramën zvarritëse të së shtunës, kapërcejnë udhët që na bashkojnë tek Biblioteka Qendrore, Fielduay Crescent Islington. Është ende herët dhe armata e librave në këtë bibliotekë, që u ndërtua në vitin 1906 dhe u ndryshua dhe u zgjerua në Fieldway nga Henry T. Hare na jep edhe ne shijen e asaj që përkon me arsyet e një takimi miqsh të panjohur fizikisht, por të njohur mes shkrimeve. Balli i gjysmëhënës në këtë ndërtesë i fiksuar në vitet shtadhjetë, natyrshëm na ndjek sikurse hëna e poetit tek „Vesa mbi gurë“. Na ndjek edhe në shtrëngimin e duarve dhe natyrshëm dhe në fiksimin e fotos së parë më çantat në krahë.
Takimi ynë nuk ka fund, nuk ka hapësirë lumi afër, nuk ka det dhe oqean afër librarisë, nuk ka guaskë të jashtme, nuk noton. Është në Ishull. Ai kërkon vetëm brenda thellësive të tij për të gjetur një fund për të ngritur spirancën e tij, dhe humbet brenda ngjyrave të një toke që ndryshon vazhdimisht.
Pa shtirje, plotë oksigjen dhe ajër të pastër, ajo rrëmbehet dhe shkëlqen si zjarr, i pashuar dhe i largët nga gjuhët e liga dhe sytë ziliqarë. Shmangia e mendimeve të errëta dhe kënaqësia brenda barkut të saj, teksa rrëkëllen ekspreson në një kafe që flet shqip në atë skaj të Londrës. Dhe aty është biseda, fjala, ajo që thuhet mes poetësh zakonisht…
Ajo kujtohet nga koha në të cilën piktakon kohërat dhe jeton përgjithmonë, dhe brenda pluhurit të hënës udhëton mbi krahë. Një atmosferë që është jomateriale dhe mrekulli e dehur të këndojë një ninullë të akullt. Një ninullë që mbart traditën, respektin kulturën, mirëpritjen e që të gjitha janë në vargje malli dhe dashurie shqiptare. Janë aty „Gozhdët e shekullit“ që varën 100 vjet mëvetësi dhe që në këtë librari është edhe shenja e atij viti të shënuar në histori për shqiptarët, vitit 1912-të, pikërisht në nivelin e katit të parë në krahun e tij referues me panele origjinale, duke inkorporuar raftet e librave në gjashtë gjire, që flasin në heshtje edhe për Konferencën e Ambasadorëve, edhe për fatet e shqiptarisë në vitin që pasoi 1913-tën. Kllapa të mëdha ekscentrike të rrotulluara në rritje nga kalatat, tabloja mbështetëse deri te tavani i harkuar me panele dhe kllapi mëvetëdijëse në rrokun hestanak të Librarisë dhe librit duket se lexojnë nga poezia „Ajo“ e poetit Neki Lulaj: „Baronesha në të njëtën kohë puth dy burra/e ata ia shtrijnë dorën e akullt njëri-tjetrit mes sirenash/zhavorr e gurë në shpirt në trotuar ku nis rruga/në tokën tonë me shekuj jetohet si në geto hijenash“ (Neki Lulaj, 2014: 108).
Festiviteti nga dhimbja
Poezia e poetit "feston" tërheqjen e vëmendjes ndaj mendimit dhe vendimit historik, por për sa i përket çështjeve që prekin kancelaritë e Europës, është e vështirë të thuhet se ku qëndrojnë simpatitë politike të asaj që metohet, duke ditur që autori dikton format dinake, krimet gjenocide, shtrigërinë dhe mjaft elementë të tjerë që e pasurojnë mesazhin nga fjalët e tij. Kjo ndodh të jetë më pak një turbullim i qëllimshëm sesa rezultat i përdorimit konfuz të faktorëve ngjeshës në dobi të metaforave dhe imazheve të shumta që Lulaj përdor për t'iu qasur subjektit të tij të vështirë. Për të qenë bujar ndaj Lulaj, mund të sugjerohet se konfuzioni i kohërave pasqyron pasigurinë e përgjithshme strategjike të qasjes së asaj që quhet fuqi ndaj fateve shqiptare. Në poezinë e tij „Era“ autori luan një 'harpë të artë' si përgjigje ndaj një stuhie bubullimore në të cilën dëgjohen britmat e njerëzve, 'si britma e dëshpërimit të një kombi' atje ku ai 'hesht me Migjenin e heshtur tek sodit vetminë“ (faqe 109). Kjo është si një muzikë e padëgjuar që ka efektin e zgjimit të njerëzve 'nga gjumi i viteve të gjata', por nuk ka jehonë, mungesë përgjigjeje e shkaktuar me sa duket nga mungesa e udhëheqjes: 'Fjeta në shtratin e Mbretëreshës së akullit të mpirë/fjola t'kristalta të borës m'u shkrinë mbi dëborën e ngrirë' (ibid). Furtuna kalon dhe shpirti i bukur lihet të shuajë flakët e shkaktuara nga shpërthimet e vetëtimës me lotët e saj. Më pas ajo vështron një udhë të largët, të identifikuar si kalimtaria e e rrëgëtimit të Dhaskal Todhrit tek pozia e „Dje“, ku autori pastaj e mbyll poezinë me „dritën e diturisë ta zenë brezat me dorë…“ (faqe 22). E ky festivitet është nga dhimbja. Dhimbja që bëhet e bukur në tërë dimensionin diskursiv të saj edhe tek poezitë „Më thuaj“; „Betimi i Hipokratit“ dhe „Kur u puthëm“.
Ndërsa pjesa më e madhe e poezive të këtij poeti përdor ndjenjën e zhvendosjes dhe dëshirës që shprehin tekstet tradicionale të dashurisë së pashpërblyer për të përfaqësuar dëshirën për një Dardani të lirë, kjo strofë e lidh figurën e kontekstit me imazhet topografike të tokës. Thirrja e peizazhit përmban një përqendrim të referencave ndaj trazirave politike, por e tëra është e përfshirë në një mitologji tipologjike të ndërtuar mbi një arketip specifik kombi. Miti përdoret për të maskuar dhe rritur njëkohësisht thirrjet e urdhëruara nga shtirja për unitet fallso dhe veprim politik të dehur nga korrupsioni dhe trazimi i ndërgjegjes.
Në vëllimin „Kodi i Tokës“ poeti ndërton strofa që marrin gjuhën e lidhur tradicionalisht me kodet e tokës, ku „Balada e Ikjes“ dhe „Lultje e lutjes“ dhe e zbatojnë atë 'damarëve të shkëmbit të egër e të ëndrrës“; një përvetësim gjuhësor që përmbys kodet tradicionale shoqëruese që i atribuohen ndodhive të ndryshme, dhe para-figuron përvetësimin real social, dhe me sa duket sociologjik, nëpërmjet veprimit tipologjik të ndjesisë. Uzurpimi i kohës dominuese shoqërore të njeriut të thjeshtë e detajuar nga pjesët e hershme të poezive të këtij vëllimi, tani është zëvendësuar nga ngritja e vëmendjes ndaj kohës dhe kohërave, poezia nuk ka të bëjë me dy kohë, por me tre. Poezia fillon të punojë në nivele të adresimit të shumëfishtë: si një thirrje për ekzistencën; si një kërcënim si për vetën atë ashtu edhe për shoqërinë; dhe si një inkurajim i idealeve që mbahen në ëndrra. Puna përfundon me një theks në rritje mbi kontrollin e tokës, një justifikim hyjnor për veprim politik radikal dhe një thirrje për drejtësinë natyrore: Zoti është 'zot i natyrës', toka që kultivohet nga njerëzit e thjeshtë është 'e shenjtë' dhe ngritja e këtij vrulli shoqërohet me një 'psalm të lavdishëm'. Në të vërtetë, nënkuptimi i poezive të këtij vëllimi është se e drejta hyjnore është shndërruar në të drejtën hyjnore të njeriut që punon. Miratimi hyjnor i kësaj faze historike të parashikuar sugjeron se jo vetëm që është një kthim në gjendjen natyrore të gjërave, por se duhet të jetë një gjendje e përhershme.
Përtej kohës si konkluzion
E sotmja, pra dita e takimit, ishte një takim, shtrëngim duarsh, bashkëboisedim, lexim dhe shkrim. Mes librave koha e së sotmes, iku, mbeti si gjithë kohët e djeshmja. Çfarë është nesër? Si është e nesërmja? Dielli lind dhe dielli perëndon ndërsa bota kthehet. Njerëzit vijnë dhe njerëzit shkojnë në jetën tonë. Ne jetojmë, qeshim dhe duam. Ne qajmë dhe ndjejmë humbje. Shpresojmë për një ditë më të mirë, shpresojmë për nesër. Kështu është nesër vetëm një ditë tjetër. Çfarë është nesër gjithsesi, pa një takim, pa një njohje në të sotmen, pa një shtrëngim duarsh, pa një lexim librash, gjithnjë për të mirë… e njerëz të mirë. Ndryshe do të mbetet vetëm një Kohë e ndrydhur nga pagjumësia. Unë do ta quaja një kohë të ndryshkuar nga të dyja, gjumi dhe pagjumësia.
Comments