top of page

KOHË DASHURIE APO KOHË PIRAMIDASH DHE SARKOFAGËSH...


Dr.Sc. Bardhyl Maliqi

Dr.Sc. Bardhyl Maliqi


KOHË DASHURIE APO KOHË PRAMIDASH DHE SARKOFAGËSH...


Shënime mbi librin e Albina Idrizit “Përsëri Mars”, lexuesve dhe komentuesve të saj të shumtë


Kanë kaluar më tepër se 25 vjet nga koha kur në varrezat e qyteteve tona u bë një ndryshim. Ndryshoi vemendja ndaj varreve, dukjes dhe madhështisë së tyre. Ishin vitet e para të demokracisë, kur në duart e ppullit qarkullonin shumë para të ardhura kryesisht nga emigracioni, por që më pas u varrosën nga firmat piramidale. Një pjesë e këtyre parave u hodhën në varreza. Kjo tregonte se kishte ndryshuar niveli i jetesës dhe koncepti për veten, për egoizmin dhe madhështinë. Kjo ndodhi edhe në Kosovë pas luftës së fundit çlirimtare. Me këtë rast unë shkrova një libër poetik. Disa pjesë të tij mbetën në botimin paraprak e një pjesë shtegëtuan viseve të Ballkanit, bashkë me konkurset dhe promovimet e mia letrare. Me një cikël të tiëllë mora pjesë në maratonën poetike të Sarajevës më 2012 dhe u vlerësova me Çmimin e Madh të Maratonës. Poezitë kishin këta tituj: Kur ndriçojnë pikëllimet, Stinë krizantemash, Qyteti i frikës, Bie shi në varreza, Ankesa e portës dykanatëshe të bashkisë, Ankthi i statujave etj.

Kjo klimë e librit “Stinë krizantemash”sundon tërësisht edhe në librin e botuar të Albina Idrizit “Përsëri Mars”. Natyrisht ato kanë ndryshim rrënjësor në personalitetin krijues të autorëve, në veçoritë gjinore, trevën dhe impresionet të ndryshme, pra kanë Orgjinalitet. Me gjithë njohjen njëzetëvjeçare me Albinën nuk kemi pasur rast të flasim për këtë temë. Rastin mua ma vunë në tryezë dy fakte. I pari ka të bëjë me një shembull të kohëve të fundit, kur një miku im, shkrimtar i mirënjohur, pas darkës në shtëpinë e tij, ndër të tjera më tha se po mendonte të përagatiste varrin e vet dhe se kishte merak se kush do ta trashëgonte bibliotekën e tij vërtet të pasur. “Të rinjtë e sotëm nuk lexojnë, - më tha -ose lexojnë pak. Kot shkruajmë libra e kot botojmë...”Ime shoqe u tmerrua prej kësaj bisede. Si është e mundur më tha që t’i shkojë mendja njeriut të mendojë për të përgatitur varrin e vet?!

Është e mundur i thashë, madje historia mijra vjeçare e njerëzimit e provon këtë. Të kujtohet nga shkolla, që faraonët e bënin varrin duke shfrytëzur punën e mijra skllevërve për ndërtimin e sarkofagëve dhe Piramidave gjigande?! Këto i kemi mësuar qysh në arsimin tonë parak, në mos gaboj në klasën e gjashtë. Dhe në librin e historisë së djalit ishin në klasën e 10-të. Pra nuk është për t’u habitur. Ti ke qenë edhe nxënëse ekselente në këtë moshë. Apo drang e drung, këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare.-nuk m’u ndenj pa e thumbuar.



Por rasti është mbreti i botës, thonë. Dhe këto ditë më rekomanduan për të lexuar librin e Albinës “Përsëri Mars”. E lexuam librin familjarisht. E po pse titullohet kështu libri?- ky për varrezat flet. Ky libër me formë piramidale në ndërtimin e tij strukturor nuk është thjesht dhe vetëm për varret dhe varrezat, por shumë më tepër se kaq. Një varr në kurorë, pastaj disa varre në spiralen e kreshts dhe gjithë krasta e porositur dhe blerë për varrezat e vetë qytetarëve në bazën e piramidës. Ka dy arsye mendoj unë. E para se marsi është muaji i parë i pranverës dhe si i tillë mbështjell trupat e të vdekurve në kurmin e tij ende të ftohtë. Të kujtohet besoj satira e frazeologjisë popullore “Shkurti shkurton umërt[1], marsi mbledh lëkurët?”Dhe marsi i dytë është ai i çeljes së gjetheve, luleve e frutave, pra i dashurisë dhe i vazhdimit të jetës. Dhe e thotë bukur Albina këtë me mbylljen simbolike të romanit me largimin nga piramida e varreve për të ndërtuar shtëpinë e re, pra ta shijuar jetën, pra se njeriut t’i afrohet fundi i tij i natyrshëm.

Në këtë roman ka pak jetë njerëzore, por ka shumë dhimbje, befasi dhe gjendje aluçinative, veprime që trondisin ndërgjegjen me ankthet e krijuara, me kurthet që u ngre jeta, me nivelet ekstreme të ndryshimit apo tjetërsimit. Kujtoni p.sh. pronarin pabuks të krastës e ulur në karriken në fillim të romanit me pronarin e mozauleut dhe piramidës së varreve në fund të tij.

Ky roman me fillim monoton si shiu i hollë i stinës së fillimpranverës, me vazhdim intrigues e fund gati tragjik, por që di të marrë kthesën për kah rruga e jetës, mu aty buzë greminës, bash në kohën kur çelin lulet e marsit, është në të vërtetë një promovim vlerash edhe në aspektin kompozicional, që përmbledh brenda vetes përrenjtë e jetës në lumin e vdekjse dhe mbështetet në një mori ikonash dhe stilemas, që nuk janë figura të thjeshta stilistike, por tejet të rëndësishme për ta kuptuar atë. Të tilla janë hiperbola e kthimit gradual të vendvarreve në qëndër të jetës urbane, vetvrasja e Agimit për të zenë varrin e kryetarit të bashkisë, sepse ashtu do të ndihej gjithë jetën i vlerësuar. Por grotesku substancial i kësaj zgjidhje perverse, që i mohon vetes të drejtën për të jetuar në emër të amëshimit të vdeksjes së parakohshme dhe turpëruese. Ka raste kur hiperbola dhe grotesku shkrihen në një.

“- Merri këto i kishte thënë ai një ditë duke i zgjatur përpara një Bibël dhe një Kuran,- i ke dhuratë nga unë, meqë i do kaq shumë librat. Lexoji me vemendje dhe ke për të kuptuar se gjithë librat e tjerë nisin po këtu dhe mbarojnë po këtu. Merri!”[2]

Kjo ishte edhe filozofia e atyre që dogjën bibliotekën e famshme të Babilonisë dhe atyre që mbase kanë lexuar dikur, por kanë harruar të lexojnë tani, bile edhe atyre që presin që Biblën dhe Kuranin t’ua mësojë interneti.

Ky është një roman me figuracion të pasur, që buron jo prej temës dhe gjinisë letrare, por prej faktit se Albina Idrizi është së pari poete dhe e tillë ka ngelur edhe në këtë libër. Kjo ka bërë që krahas figuracionit qëndror të romanit dhe formës së tij piramidale vendoset edhe krahasim kontrastet me personazheve në kulmin e piramidës dhe bazës së saj, të atyre që kërkojnë të zenë varrin në kulmin e krastës, bile më lart se varret e dëshmorëve dhe më tej dihet, popullit që vendoset në bazën e piramidës. Pra krahasim-kontrasti mes Agimit dhe Lemit, nga njera anë dhe krahasim-kontrasti i karaktereve të Agimit dhe Gëzimit nga ana tjetër. Edhe në gjendjen fizike dhe shpirtërore të vajzës 10 vjeçare që pret vdekjen kemi një ndryshim madhor. Krahasimi i gjendjeve të saj kur pret vdekjen në agoni është në kontrst të thellë me gjendjen kur shikon progresin e fluturave në varrin e saj që i ati varrmihës i varfër ia përgatit me kujdes. Dhe aty e mbart Gëzimi në shpatulla si për t’i dhënë jetë asaj. Të gjitha këto kanë vlera simbolike, pra thellë-thellë kjo vepër ka një shtrat të tillë, që edhe simbolike mund të koniderohet.

Dhe më tej parada paradoksale e madhështisë së varreve. Pas varrit madhështor të kryetarit, vinte ai i drejtorit të shkollës së mesme e pas tij ai i drejtorit të spitalit bashkë me logon e barnatores së tij private. “Varret e dëshmorëve, të vetmet që kishin ngelur me natyrën origjinale të krastës, dukeshin si një sy i lënduar ciklopi që përpiqej në agoni të kuptonte çfarë po ndodhte rreth e rrotull. ”[3]Dhe më tej thyerja e entuziazmit të varrbërjeve në motin e lagësht mortor ishte lidhja e Agimit me Lidën në përpjekjen e dështuar për të njohur njeri-tjetrin. Kjo edhe pse Lida është e kundërta e Agimit në karakter, me të cilin lidhi kurorë vetëm për shkak të rrethanave, veçanërish ta shihte një herë të qeshur të ëmën e saj fatkeqe.

Enumeracionet e emrave të personazheve, të epiteteve të tyre, të punëve dhe zejeve, kthehen gradualisht në shkallëzim të së keqes, që nga një dëshirë rasti në psikomani qytetare. Se edhe në Kohën e Egjyptianëve të lashtë varret piramida i ngrinin vetëm faraonët, por jo edhe qytetarët e rëndomtë të Egjyptit, bujkrobërit dhe skllevërit e tyre. Edhe tek ne në Shqipëri kjo u bë vetëm për Enverin, aq sa edhe sot, megjithë ndryshimet dhe funksionet, ai ndërtim në mes të kryeqytetit thirret te “Piramida”. Kështu natyrshëm hapet vendi për t’u përdorur edhe një figuracion metaforik i ngjashëm me poezinë dhe që tenton ta kthejë të tërë veprën në prozë poetike, si i mbijeton krekosjeve, krekosjeve të rrugëve, rrugëve e shesheve etj.

Dashuria pak faqe zë në faqet e romanit, por janë faqe bazike, pa to as portretet e personazheve krzesorë dhe as zhvillim intrigues të konfliktit nuk ka:

"Për herë të parë pa një vete të kuptimshme, të lidhur qartë në një harmoni mahnitëse me gjithçka që kishte të bënte me të gjer atëherë dhe që tani po i derdhej si legurë shkëlqyese, në versionin më të mirë të mundshëm të tij. Për herë të parë dinte çfarë dinte. Dinte çfarë ndiente. Dinte çfarë donte. Dhe kishte të drejtën e gjithë botës për këtë. Ai eci nëpër shkronja, vrapoi, rrëshqiti dhe u shtri të pushonte nëpër to si pas një akti magjepsës dashurie. I lehtë dhe i gjallë si asnjëherë më parë.

Në portretin e Lidës ai u bind se, e bukura ishte gietkë, larg tipareve me të cilat nuk kishte të bënte aspak në çastin që po e shikonte. Dhe asnjë çast tjetër. Ishte diku më thellë. Brenda tyre. Apo mbase, ishte dashuria e tij. Vetëm ajo mund të depërtonte aq thellë dhe ta ndiente. E bukura ishte në të. E përjetshme. E pamatshme. E tillë që i shkrinte dy qenie në një. Pa trajtë. Pa formë. Pa kohë. Në të nuk ekzistonte as Gëzimi, as Lida. E, në të njëjtën kohë, ishin të dy që përmbushnin njëri-tjetrin. "[4]

Brenda realizmit si drejtim artistik autorja e çon paradoksin në situata absurde, si në rastet antike të provës së sarkofagëve apo asaj mitike si te shtrati i Prokustit. Fata e vetvrarë me ilaçe brenda varrit të përfunduar dhe aq shumë të dëshiruar të Limit, gjen një mënyrë hakmrrjeje ndaj shfrytëzimit sistematk të dhunuesit të vet. Kjo, padashur më kujton ca vargje nga Eposi i kreshnikëve, që gjenden te epi Vajtimi i Ajkunës “Kjosh mallkue, o mori hanë, si s’ma the at’ natë nji fjalë, bashkë me hy në nji varr me djalë.”

Thamë se romani ka në bazën e vet edhe figurën kompozicionale të krahasim-kontrastit. Një shembull domethënës është fati njerëzor i personazhit kryesor të veprës, Gëzimit, që të gjithë e thërrasin Birbo,pra qenush, më troç qen i braktisur, se fëmijë bonjak ishte, i rritur si për bamirësi, duke shfrytëzuar krahët e një fëmije. Ky fëmijë i rritur bashkë me Lidën duke ngjizur qysh në femijëri një dashuri të pashprehur, pronari bonjak i një kraste, që e kthen në pronar të shumëlakmuar të kodrës së varreve. I çuditshëm brenda veprës ky fat njerëzor i kryepersonazhit. Kur fillon të pasurohet askush nuk e thërret më birbo. Nga I braktisuri që i fal të dashurën e vet me duart e veta kryemaskarait Agim, tani merr rrugën e jetës dhe e gjen dashurinë e humbur sërish, pikërisht tek Lida. Këtu krahasin-kontrast vendoset në jetën e personazhit, nga birbo në Gëzim, nga i braktisur në të shumë kërkuar, nga i varfër në të pasur.

Këtë transformim rrënjësor Gëzimit ja mundëson marrësia e një qyteti që braktis vetveten për ta zhvendosur jetën në varreza. Pse? Sepse ka ndryshuar kahu i vlerave. E ç’rëndësi ka jeta, rëndësi ka vdekja e mandej pasjeta ose amëshimi. Nuk kanë më rëndësi shtëpitë, hotelet apo lokalet, atje tashmë banon vetmia se edhe petullashitësit, edhe duhanshitësit bëjnë tregëti në varreza. Ndaj nuk habitesh shumë pse edhe këtu krijohet një hierarki, por jo poetesh apo vlerash, por një shkallëzim hierarkik vendvarimesh…Ata më të kamurit dhe më të ngriturit…, kishin rezervuar menjëherë pas kryetarit vendet dhe…kishin filluar punimet e varreve…[5].Radhët e mëposhtëme u ishin lënë qytetarëve të rëndomtë kurse…rendi i fundit…ishte për të skamurit, për të papunët, lypësit…[6].  Qyteti është boshatisur dhe jeta zhvillohet në varreza, ku dëgjohej…zëri i hollë … i shitësit të petullave që endej me tepsinë e mbushur mbi kokë përgjatë kanalit: Petulla të ngrohta. Petulla të ngrohta…, Pa shitësin e librave me tezgën e tij lëvizëse dhe iu afrua. Edhe ti këtu? Sigurisht miku im. Sheshi është zbrazzur I gjithi. Kujt tja shes aty.[7]Ndaj nuk është habi që janë vetmitare karriket në kafenetë e qytetit dhe këtu në varreza kanë bujtur kioskat e para, ku gjerbnin kafe apo çaj ata që prisnin të mbaroheshin punimet në varret e tyre apo dhe më keq, atyre që prisnin radhën e vdekjes, se s’u kishte shkuar ende mendja te vetëvrasja për të zënë venvarrin e gatshëm të tjetrit.



Po kush është Albibna Idrizi?

Ajo është lindur më 1966 në Tërrnovc (Bujanovc) dhe jeton në Gjilan, që nga mosha dyvjeçare. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

ALBINA IDRIZI është e pranishme në jetën letrare së pari si mësimdhjënëse e letërsisë në sholla për shumë vjet. Në radio e televizion ne mjaft veprimtari aktive, pastaj në periodikun letrar të shkruar dhe dixhital si dhe në antologii të ndryshme, me një krijimtari të pasur në poezi dhe në prozë, ndërsa ka botuar librat: ''Heshtja e mbarsur" (poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1997), "Ëndrra me ylberë" (poezi për fëmijë, botim i autores, 2007), "Dashuruar në diell" (poezi, "Faik Konica", Prishtinë, 2010),

"Hijet e kullave" (roman, "Rozafa", Prishtinë, 2009), "Pergamenë e gjallë" (tregime,"Beqir Musliu", Gjilan, 2011) dhe "Për një mëngjes ndryshe" (roman, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 2015). {P[rs[ri Mars është romai i saj i fundit, që kisha këto ditë ndër duar dhe ju ftoj ta lexoni edhe ju.

ALBINA IDRIZI aktualisht është nënkryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve tëKosovës.

Albina ka qenë tek ne në Sarandë, e ftuar në disa edicione në veprimtaritë e klubit poetik me rastin e manifestimeve të Triremës joniane. Por dhe ne kemi shkuar në Preshevë, Gjilan e Prishtinë. Na e ke shpërblyer mikpritjen bukur mirë, edhe me duart e saj si amvisë edhe ndër veprimtaritë e zhvilluara atje.


[1]Këtu është në konteksin jetët, urimet, uratat.

[2]A. Idrizi, Përsëri Mars, Botimet Buzuku, Prishtinë, 2019. Citim nga faqja 37-38.

3. Po aty, faqe 113

[4]

[5]Faqe 111

[6]Faqe 112

[7]Po aty


83 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page