top of page

Koha? Këpucët? Pluhuri?


Koha? Këpucët? Pluhuri?

Në një palë këpucë të konsumuara kam udhëtimet që kam bërë. Në një palë të tjera të paveshura kam kujtimin e tyre. Të dy presin letrën e bardhë që shtrihet në tavolinë, ku një stilolaps herë përkëdhelet, e herë anon nga dora ime. Letra që duhet shkruar. Stilolapsi që duhet vënë në punë. E përse? Për këpucët që duan të shpalosin kujtimet e tyre. Dhe unë mendohem duke qëndruar në dritaren e fëmijërisë sime. Pluhuri është mbledhur në balmën e dritares. Edhe pse është pluhur, nuk dëshiron që të fshihet. E kështu me gjuhën e tij të pluhurosur tashmë duket sikur më thotë, shumë gjëra të zakonshme do të lihen pa bërë. E ai si pluhur mbetet në pluhur. Kohë pluhuri. Koha e tij, është bërë edhe e pakohë, edhe e shkurtër. Dhe, ajo që dukej e rëndësishme nuk është më. Koha kthen kokën nga këpucët. Pluhuri ndjek në pluhurrnajë gjurmët. Nuk jam i sigurt se si ndodh. Ndërsa po shkruaj, kjo gjë më duket e paparë, nuk e di sa kohë do të marrë. Në vend që të ulem duarkryq në një karrige lëkundëse, tani më duhet të nxitoj. Dita rend sikur rendin ditët në kohë me diell. Dielli së shpejti do të perëndojë dhe nuk jam i sigurt se është koha e mjaftueshme. Koha? Këpucët? Pluhuri? Të tre duhen dhe duken sikur duhen vetëm për të pajtuar disa gjëra, për të ndrequr gardhet dhe për të shuar grindjet. Këpucët, për të cilat mendoja se kishte kohë të mjaftueshme për t'i veshur dhe shkruar udhët e tyre, tani mund të jenë thjesht pjesë e një kohe, që përditë e më shumë duhet planifikuar, dhe koha e planifikuar natyrisht është kohë e duhur, pasi ajo nuk përfundon asnjë udhë në pluhur. .

9 views1 comment

1 Comment


Pano Hallko

E thellë kjo skicë-esse. Nocioni kohë, është nocioni më abstrakt. E megjithatë, është koha, ajo që na ve në lëvizje, e që na kushtëzon. Prandaj edhe këpucët që duhej të rendnin për të kapur kohën, tani janë bërë pjesë e vetë kohës.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page