top of page

Koha: kujtesa dhe pritja jonë


Koha: kujtesa dhe pritja jonë

Fatmir Terziu


Kafshët thuhet se jetojnë në një të tashmevazhdueshme. Jetojnë kështu, meqenëse ata nuk kanë asnjë dallim kohor të së kaluarës, të së ardhmes, madje as dhe të së tashmes. Në këtë mënyrë e vazhdueshmja, ose e tashmja frymore janë filozofi e vetëdijes njerëzore. Ndaj vetëdija jonë për kohën, bëhet më së shumti tipar dallues i njerëzimit.

Megjithëse kryesisht jemi të fiksuar pas kohës objektive, ndërsa rrotullimi i Tokës sonë ndahet, dhe natyrisht aty ku vetëdija jonë e njeh si dita dhe nata. Me lëkundjen e lavjerrësit dhe goditjen e orëve, ne kemi mirëkuptuar gjëra që rregullojnë lëvizjet tona. Dhe mbetemi me to ndërsa përpiqemi të rrahim orën!

Por teologët dhe filozofët e lashtë të Indisë dhe ato nga Greqia e lashtë, të cilët ishin ndër të parët që menduan për natyrën e vërtetë nga të gjitha gjërat, kishin menduar edhe për natyrën subjektive të kohës. Koha ishte lineare apo ciklike, ishte koha e pafundme, apo e fundme?

Dhe e ndjehet… Koha mund të matet vetëm kur po kalon, megjithatë ekziston koha e kaluar dhe e ardhmja dhe koha në realitet. Për të shmangur këto kontradikta e kaluara dhe e ardhmja mund të mendohen vetëm si të tashme: ‘e kaluara’ duhet të identifikohet me kujtesën, dhe ‘e ardhmja’ me pritjen.

Meqenëse kujtesa dhe pritja janë fakte të pranishme, nuk ka asnjë kontradiktë. “E tashmja e gjërave të kaluara është kujtesë, e tashmja e gjërave të pranishme është shikimi. Dhe e tashmja e gjërave të ardhmshme është pritja,”- shkroi Shën Augustini. Jo më kot Martin Heidegger, mendimtari gjerman tek studimi i tij filozofik ‘Qenia dhe Koha’ më 1927, kishte thënë: "Ne nuk ekzistojmë brenda kohës, por në një mënyrë shumë reale ne jemi koha!"

Koha është e pandashme nga përvoja njerëzore, pasi ne mund të lejojmë që e kaluara të ekzistojë në të tashmen përmes kujtesës. Dhe madje lejon që një dukuri e ardhshme e mundshme të ekzistojë në të tashmen për shkak të aftësisë sonë njerëzore për t'u kujdesur dhe për t'u shqetësuar për gjërat.

Prandaj, ne nuk jemi të mbërthyer në një kohë të thjeshtë sekuenciale ose lineare, por mund të dalim prej saj pothuajse sipas dëshirës! A jemi në kohë ne shqiptarët? A mund të dalim nga kjo kaos-kohë sipas dëshirës?


95 views2 comments

2 Comments


Minush Hoxha
Minush Hoxha
Aug 03, 2021

Natyrisht që këto nocione nuk është dhe aqë lehtë të përceptohen, sado z. Fatmiri ka zotësi eksplikuese dhe mirë i ka zbërthyer. Qenësorja se, përmes një pyetjeje në fund të meditimit, i ka lidhur me realitetin shqiptarë, në kuptim në mos po përsëritet ,,ne, tragjikisht jemi vonuar" Respekt për z. Terziu, prurjet e tij të parreshtura dhe begatimin e kultures shqiptare nëpërmjet punes edhe kreative edhe organizative.

Minush M. Hoxha-avokat

Like

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jul 24, 2021

Nënteksti i kësaj eseje të shkëlqyer të Profesor Fatmir Terziut është mjaft kuptimplotë për ne shqiptarët që nuk po dimë ende të nxjerrim mësime nga gabimet dhe fajet tona që së lashti.

Eshref Ymeri

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page