top of page

KOHA, KJO ZONJË E NDERUAR ...


Odise Kote

Mos vrit mendjen nga shkon udha, kujdes hapin e parë, në botën e Zotit lindja, vdekja këmbehen përjetë. Koha, kjo zonjë e nderuar nuk lë borxhe pa larë dhe thjeshtësia nuk është kurrë diçka e thjeshtë.


E kaluara, kosh i stërmadh ka vend për tradhëtitë, për lotët, gjuhën e heshtur të dhimbjes së mirë. E sotmja, rrip toke, kacafytur bërrylat, xhelozitë, se errësira nuk mund të dëbohet kurrë me errësirë.

Ëndërr e mjaftueshme, ajo që netët lë pa gjumë, pa rrëshqitur në kremra rehatie, normalitet e lëmim. Fitues doemos ëndërrimtari që s’dorëzohet kurrë, rritet kur rrëzohet, shpëton nga vrasja heshtur, rutinë.

Gënjeshtër fillestare, e mjaftë, dyshim për çdo të vërtetë, dashuro sa nuk je i përsosur, dashuro, diellit hak mos i lër! Mister si vdes njeriu, si lind frymë e përjetësisë në jetë, se Koha - zonja e nderuar, borxhet na i kthen një për një...

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page