Kodër Krasta e Elbasanit
Kodër Krasta e Elbasanit njihet edhe si pjesa domethënëse e „mushkërisë së gjelbër“ të qytetit, që tashmë ka marë shtrirje akoma më të gjerë, që nga koha kur ky vend nisi të quhej i tillë, dhe të bëhej vullnetarisht një zonë e gjelbër. Ishte viti 1966 kur vullnetarizmi do të bëhej masiv, ku kazma dhe lopata rinore do të sillte në jetë fidanë të shumtë pishash. Pamje fotografike të fiksuara të asaj kohe e bëjnë këtë vend një dëshmi të gjallë të kohës kur vullnetarizmi ishte një detyrim, por sillte një ndryshim të dukshëm natyror. E tillë është dhe fotografia që ka fiksuar disa kuadro të mirrënjohura që në vite i dhanë Elbasanit shumë me profesionet e tyre. Figura të respektuara si Agron Menzelxhiu, Jonulla Duro, Natasha Tollumi, Fiqiret Drinziu natyrisht nuk janë vetëm një memorje e asaj kohe bardhë e zi, por dhe një arsye më shumë në atë që shënon vetë kjo pikë gjeografike në Elbasan për vlerën dhe rëndësinë e saj. Kodër Krasta e Elbasanit në vite oshëtinte nga zhurmat ushtarake në gjoksin e saj, dhe nga freskia e ujit të pijshëm që mbajnë në zemër të saj rezervuaret e Ujit të Pijshëm të qytetit. Sakaq Kodër Krasta e Elbasanit duket se sot ka vuajtje të tjera.
Pak kohë më parë Kodër Krasta e Elbasanit u raportua se është në gjendjen më të keqe të saj. 1700 rrënjë pisha janë shkulur dhe dëmtuar nga stuhitë e viteve të fundit. Më 7 nëntor 2019, qytetarët dëgjuan projektin për rivitalizimin e Kodrës së Krastës. Rivitalizimi i Kodrës së Krastës, i cili thuhej se përfshinte dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, po ashtu edhe me mbështetjen e qeverisë Japoneze, synonte mbjelljen e shumë hapësirave bosh brenda parkut. Kjo bëhej për të garantuar gjelbërimin e plotë sipas të gjithë standardeve të parkut, mbushjen e parkut edhe me kënde sportive. Nga verifikimi në terren, edhe në Kodrën e Krastës, përveç ndotjes, nuk konstatohet ndonjë shenjë për nisjen e ndonjë projekti zhvillues të zonës.
(copyryght: www.fjalaelire.com)
Comments