top of page

Klarida Kadenaj: Tre përrallëzat e “Familjes Rosmaku” ...


Klarida Kadenaj: Tre përrallëzat e “Familjes Rosmaku” dhe si u pritën nga nxënësit e mi

 

Në vend të hyrjes


Përrallëzat “Familja Rosmaku” të autores Shpresa Fundo Gjergji, që së fundmi panë dritën e botimit, nisën rrugëtimin e tyre në duart e fëmijëve. Nga të parët janë nxënësit e mi, të cilët e shijuan, u argëtuan me personazhet e tij, gjë që tregon thjesht i pëlqyen ato. Ndërkohë që ne nxorëm detyra dhe analizuam sjelljet e mira dhe marrëdhëniet e “Rosmakëve” në mjedisin ku jetojnë. Momente këto që me tërhoqën edhe mua në botën e tyre dhe më dhanë një indicie të shkruaj paksa për këto libra të bukur e me vlera edukative.


Mesazhet dhe ndikimi i tyre


Si një koleksion tregimesh edukative, të cilat synojnë të zhvillojnë vlera dhe aftësi të rëndësishme tek fëmijët, nëpërmjet një fabule të thjeshtë dhe origjinale, ato mbartin dukshem mesazhe të fuqishme dhe të thella. Përmes ngjarjeve që ndodhin në jetën e përditshme të familjes “Rosmaku”, i ndihmon fëmijët të kuptojnë vlerat thelbësore të jetës, duke i ofruar modele që ata mund të ndjekin dhe mësime që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Një nga vlerat kryesore që përcjellin këto përrallëza është rëndësia e familjes, e cila përbën një bërthamë të fortë dhe të pandashme të dashurisë dhe mbështetjes. Ajo është mjedisi ku ndodhin të gjitha mësimet më të rëndësishme për fëmijët, dhe në këtë kontekst, libri përqëndrohet në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet anëtarëve të familjes, siç janë marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve, vëllezërve dhe motrave.

Sfidat - Çdo histori në këtë koleksion përrallash, tregon se një familje e bashkuar dhe e mbështetur në dashuri mund të përballojë çdo sfidë që vjen. Fëmijët, përmes këtyre tregimeve, mësojnë se dashuria dhe kujdesi reciprok janë të domosdoshme për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të kaluar momentet e vështira. Ky mesazh ndihmon të krijohet një ndjenjë e fortë përgjegjësie dhe dhembshurie për ata që na rrethojnë.

Po ashtu, një tjetër vlerë që përcjellin këto përrallëza është bashkëpunimi dhe solidariteti. Personazhet e “Familjes Rosmaku”, përmes aventurave të përbashkëta dhe përpjekjeve të ndërsjellta për të arritur një qëllim të caktuar, nxjerrin në pah rëndësinë e punës në grup dhe mbështetjes së ndërsjelltë. Fëmijët mësojnë se duke bashkëpunuar mund të arrihen rezultate të mira dhe se një shoqëri ku individët punojnë së bashku është më e fortë dhe më e qëndrueshme.


Kreativiteti - Personazhet në këto histori kalojnë përmes ngjarjeve që stimulojnë imagjinatën dhe krijimtarinë, duke çuar fëmijën në një botë imagjinare dhe magjike ku çdo situatë është një mundësi për të mësuar. Ka një dinamike të bukur të ngjarjeve, të lidhura me mjedisin rrethues si edhe cilësive të personazheve, ku fëmijët reagojnë me imagjinatën e tyre dhe këtë gjë, unë e ndjeva në klasë. U krijua një atmosferë e bukur e gazmore ku fëmijët u ndjen të gëzuar, qeshnin e nisën të shpreheshin lirshëm. Përmes fjalëve të gjetura, vargut melodioz, fëmijët me imagjinatën e tyre, duket se vrapojnë nëpër barin e gjelbër bashkë me rosakët, duke shijuar natyrën ashtu si ata.

Dashuria për natyrën - Ngjarjet zhvillohen në natyrë, ku familja jeton në harmoni me të. Livadhet e gjelbëruara janë streha më e bukur për ta. Aventurat në pellgun aty pranë i japin gjallëri rosakëve të vegjël. Përshkrimet e bukura për mjedisin, pranverën, diellin, shiun, krahasimet e bukura me ylberin me fjalë të thjeshta, vijnë ëmbël tek fëmijët, duke kultivuar tek ata dashurinë për natyrën dhe të bukurën.

Vargu dhe gjuha – Përrallëzat janë shkruar kryesisht në vargje. Janë të thjeshta, kanë gjuhë të asimilueshme për fëmijë. Të lexosh këto tregime ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi gjuhësore dhe mendore, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mire gjuhën, ndjenjat dhe emocionet.

Ndikimi tek femijet - Ata mund të identifikohen me personazhet, të kuptojnë më mire veten dhe gjithashtu të zhvillojnë mendimin kritik për situatat e ndryshme që shfaqen gjatë historive. Përveç aspektit të zhvillimit emocional dhe social, këto përrallëza kanë një ndikim të rëndësishëm edhe në formimin e një karakteri të fortë dhe të qëndrueshëm te fëmijët. Ato janë një mundësi për të mësuar rreth konceptit të përgjegjësisë dhe të marrëdhënieve të shëndetshme, duke i mundësuar fëmijës të formulojë ide të qarta mbi se si të sillet dhe të reagojë në situata të ndryshme, duke qenë gjithmonë i ndershëm dhe i drejtë.

Në përfundim, do të theksoja se libra të tillë na bëjnë nder dhe janë një mundësi e mirë në ndikimin që ato kanë tek fëmija - lexues. Tre përrallëzat e “Familjes Rosmaku” ofrojnë shumë më tepër se sa thjesht një koleksion përrallëzash argëtuese. Ato janë një udhërrëfyes original i autores Shpresa Fundo Gjergji, me vlera edukative e mesazhe që përcillen nëpërmjet personazheve dhe ngjarjeve të thjeshta. Këto  libra ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi sociale, emocionale dhe intelektuale që janë të domosdoshme për t’u bërë individë të suksesshëm dhe të balancuar në jetën e tyre. Sa më shumë libra të tillë, me tepër larg celulareve e tabletave e më pranë librit si një dashuri e pandarë në duart e tyre.

Urime autores, suksese në të tjera prurje letrare e artistike me vlera sociale e edukative për fëmijë!

Mësuese e ciklit të ulët, Klarida Kadenaj, shkolla “Elite”, Vlorë

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page