top of page

Kjo më kujtoi të përmend Dr. Aristidh Spiro Sopiqotin


Kjo më kujtoi të përmend Dr. Aristidh Spiro Sopiqotin

NGA TREGIMET E LUAN ÇIPIT PËR MJEKËT VLONJAT

6)KUJTOJMË DR. ARISTIDH SOPIQOTIN

Sot shfletova Ditarin tim të Viteve të Fëmijërisë dhe aty ndesha te disa ngjarje dhe emra shokësh protagonistë, disa prej të cilëve më ngjallën dëshirën për të shkruar më gjatë.

Kjo më kujtoi të përmend Dr. Aristidh Spiro Sopiqotin, shokun tim që tani nuk rron më. Kështu, unë qëndrova te kjo fletë e ditarit tim dhe meditova fluturimthi për shokun e vjetër...

Ai m’u shfaq në të gjitha përmasat dhe me madhështinë e tij të dikurshme dhe vetvetiu, padashur më rodhën dy pika lotë. Duket vitet e pleqërisë më kanë dobësuar aqsa nuk i vetkontrolloj dot më emocionet. Aty për aty mendova: Sa e padrejtë është kjo botë!?

Ai, thuajse moshatari im, doktor në mjekësi e radiolog në zë, që ka shpëtuar nga vdekja dhe u ka zgjatur jetën dhjetëra qytetarëve, deri shokë e bashkëmoshatarë, ka rreth 4 vjet që nuk rron më. Ai, njeriu i mirë, i qeshur e i gëzuar, fjalëëmbël e gojëmjaltë, që edhe pse ti ishe i drobitur e i sëmurë të “ngrinte më këmbë” e të shëronte me diagnozën e saktë, me mjekimet dhe medikamentet e përzgjedhura, me kujdesin e pandarë dhe me buzëqeshjen e përhershme. Ai, tani është i ngurosur dhe i heshtur.

Ai, shoku i dashur, që për ne ngjallte gjithnjë shpresë e optimizëm dhe që nuk të linte për asnjë çast në shqetësim e depresion. Ai, që dhe në raste dëshpërimi e mërzitje, kur ti si çdokush në jetë në çaste të caktuara ishe i sëmurë, apo i mposhtur nga hallet dhe vështirësitë e jetës, se ndjeje varfërinë dhe boshllëkun jetësor, dinte të shihte dritë edhe në fund të tunelit, ta ndriçonte plotësisht atë dhe të të kthente sërish në jetë.

Ai, njeriu që dinte të shfrytëzonte gëzimet e çastit dhe të përfitonte të mirat shoqërore rastësore, njeriu i këngës dhe i valles, njeriu i rakisë, duhanit dhe i ahengut. Pse pikërisht ai, më i miri, më i afti, më i dashuri, iku nga kjo botë para nesh? Ky largim dëshpërues e i parakohshëm është një keqardhje dhe dëm e mungesë e madhe për të gjithë ne, për shokët, gruan e tij më të re, të dhembshur dhe aq shumë të lidhur me të dhe për të dy djemtë e tij të dashur. Këtë gjëmë nuk e zhbënim ne dhe as që e ndalnim dot. Nëse do të mundemi le ta kujtojmë dhe nderojmë atë, siç e meriton:

Aristidh Sopiqoti lindi në qytetin e Vlorës, më 13 dhjetor 1932, në një familje të ardhur këtu 200 vjet përpara, nga Sopiku i Gjirokastrës.

Takimet e para të afërta e miqësore me Aristidhin i kam regjistruar në “Ditar” në shtator të vitit 1945, menjëherë pas çlirimit të vendit, si bashkënxënës në ciklin e ultë të Shkollës së Mesme Tregtare në Vlorë. Kjo, e vetmja shkollë e mesme e qytetit, ishte vendosur në godinat me dy kate të ish Hipodromit të Qytetit të Vlorës, pranë Varrezave Ortodokse, aty ku më pas u vendos Shkolla e Mesme Mjekësore dhe Shkolla Pedagogjike. Ajo, pozicionohej në krahun e majtë të rrugës Vlorë- Skelë, në një sipërfaqe të konsiderueshme toke, me palestër e terene sportive, si dhe me klasa dhe salla të bollshme.

Shkolla Tregtare e Vlorës ishte me tetë vjet. Tre vitet e para ishin ato që quheshin unike dhe pas përfundimit të tyre merrje “semimaturën”. Drejtor shkolle qysh në fillim u caktua Harilla Kuçuli, një bregas energjik, autoritar, simpatik e patriot, i shkolluar në Itali, me aftësi të shquara pedagogjike dhe administrative. Gjuhën shqipe dhe letërsinë e jepte nartjoti pasionant, studjuesi i thelluar i gramatikës shqipe, Jorgo Ceko; mësues matematike kishim fterjotin Xhevdet Kofina, metodist i mirë dhe filozof popullor, si dhe Ilia Gumën, nga Bregdeti i Vlorës; në frëngjisht ishin Jorgo Pilika dhe Jani Ziguri; në gjeografi shkodrani Kel Gashi dhe korçari Kostaq Balldadori; në biologji Marika Bezhani. Ishin tre paralele të klasave të para. Veç shokëve të vjetër, që kishim në shkollën fillore 5 vjeçare të Skelës, na u shtuan dhe shumë shokë të rinj, ardhur nga shkollat fillore të lagjes Muradije, Vrenez e Varosh.

Më shumë shokë u bëmë me Aristidh Sopiqotin në Shtëpinë e Pionierit të Qytetit të Vlorës, në grupin e korit dhe të veglave muzikore, ku ishim nën drejtimin dhe kujdesin e mësuesit tonë të muzikës, të riut të talentuar shkodran Tish Daija, që më vonë u bë kompozitor i shquar dhe drejtuesi shumë vjeçar i Ansamblit të Madh të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare dhe Anëtar i Akademisë Shqiptare të Shkencave.

Edhe në kryeqytet, kur ai me shokun e tij të pandarë Engjëll Isaraj vazhduan Shkollën e Mesme Mjekësore, me ta ne takoheshim shpesh edhe pse unë isha në Teknikumin Financiar, po shkollat e konviktet i kishim afër njëri tjetrit. Politeknikumin Mjekësor Aristidhi e mbaroi me rezultate të mira në muajin korrik te vitit 1952. Na u desh secilit të ndaheshim për disa vjet, për të kryer Shërbimin e Detyruar Ushtarak, për t’u takuar sërish në Tiranë, në Universitet dhe më pas, në qytetin e lindjes, në Vlorë.

Aristidhi e përfundoi Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1961. Ai, menjëherë filloi punën si mjek patolog dhe shpejt specializohet nga Fakulteti i Mjekësisë i U.Sh. Tiranë si mjek ftiziatër, duke u vendosur përgjithnjë në Dispanserinë Antituberkulare të qytetit të Vlorës.

I dalluar për aftësi profesionale dhe drejtuese, në vitin 1969 emërohet Drejtor i Shërbimit Antituberkular të Rrethit të Vlorës. Gjatë kësaj kohe evidentohen aftësitë e tij të veçanta, si radiolog i aftë dhe njohës i mirë i specialitetit të ftiziatrisë, si klinicist i talentuar, sidomos i sëmundjeve të mushkërive, duke kontribuar për diagnostikimin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve të TBC, që në ato vite kishin përhapje masive.

Komunikimi i tij i ngrohtë me pacientët dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me mjekët e njohur të kohës si Hasan Shehi dhe Ylvi Pustina, më të vjetër në moshë e më me emër në profesion, marrëdhënia e afërt e tepër e kujdesshme me mjekët e rinj të sapo ardhur nga shkollat, si dhe aftësitë e tij drejtuese dhe organizative, tërhoqën vëmendjen e autoriteteve të shëndetësisë në kryeqytet, që propozuan dhe realizuan shpejt vlerësimin e dr. Aristidh Sopiqotit, për shpërblimin nga Kuvendi Popullor, me dekoratën “Për Shërbim të mirë të Popullit”.

Qytetarët Vlonjatë kujtojnë me mirënjohje, jo vetëm aftësinë dhe sjelljen njerëzore të buzagazit Aristidh Sopiqoti, Drejtor shumëvjeçar i Dispanserisë Antituberkulare, por dhe gjithë atë plejadë mjekësh, vlonjatë dhe të ardhur nga mbarë Shqipëria, që shërbyen me devotshmëri e humanizëm të thellë në rrethin e Vlorës në Spitalet e Vlorës, Selenicës, Himarës, Llakatundit, Bratit, Kuçit dhe Sevasterit, si dhe në të gjitha Qëndrat e tjera Mjekësore, Farmacitë, Ambulancat, Maternitetet dhe Klinikat e shumta të Shërbimit Mjekësor, pa përjashtuar Klinikat Dentare, deri te ato në Qendrat e Punës e të Prodhimit, në Spitalin Neuropsikiatrik, si qendër të specializuar mbarëkombëtare, apo në Degën e Institutit të Kontrollit Shëndetësor dhe Laboratorin Obstetrikë dhe Epidemiologjik, në Seksionin e Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, etj.

Nuk gjen se cilin të vendosësh të parin në radhë, nga mjekët e famshëm që kanë shërbyer në Vlorë, po pa u trembur se gabojmë le të përmendim, me këtë rast me nderim, emrat e Petraq Popës, që qysh në vitin 1920 vullnetarisht u largua nga Turqia për të ndihmuar luftëtarët vlonjatë të Luftës heroike të Vlorës në ekipin e Spitalit të Llakatundit; apo Sezai Çomon, që krijoi qysh në vitin 1921 Spitalin e Parë Psikiatrik të Vlorës; të famshmin Ali Mihali dhe pasuesit e tij emërmëdhenj Azduriani, Dhimitri, Agalliu, Dervishi, Flloku, Kauri, Hysenbegasi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Kutulla, Mehmet Mihali, Isaraj, Beltoja, çifti Andoni, Osmani, Pavli, Gjidede, Gjoka, Nekiu, Iljazi, Konomi, Jazaj, Çela, Harizi, Papajani, Bisholla, Tetova, Gjodede, Gega, Dredha, Kapo, Kojdheli, Koçi, Muhameti, Islami, Mati, Hysi dhe dhjetëra të tjerë.

Përveç kontributit profesional si mjek si rrallë kush gjatë 41 vjetëve, Aristidh Sopiqoti ishte dhe një njeri me botë të madhe shpirtërore, që e shprehte në punë, në kontaktet me kolegët dhe pacientët, ku ishte gjithnjë human e i papërtuar për të ndihmuar në çdo kohë me qetësi, shaka e buzëqeshje. Edhe në shoqëri, midis nesh ishte gjithnjë në humor, i afruar dhe i gatshëm për çfarëdolloj ndihme dhe pa më të voglin interes.

Dr. Aristidhi ka grua Dedin, financiere në profesion, grua e kulturuar dhe bashkëshorte e denjë për gjithë jetën dhe që u shqua për virtytet e saj të rralla me shërbimet e treguara edhe më shumë, në vitet e fundit të jetës së tij, kujdes që i largonte dhimbjet dhe lehtësonte vuajtjet. Të dy djemtë e çiftit Sopiqoti, Eduardi dhe Rudini janë djem të mbarë dhe që për korrektësi e ndershmëri ndjekin shembullin e babait të tyre të nderuar.

Në kujtim të shokut tim të dashur, do veçoja dy aspekte nga jeta e përbashkët, që dhe ato flasin për karakterin e tij human e gazmor:

Takoi që aty nga vitet tetëdhjetë, për festimin e një ngjarjeje të veçantë, të ishim mbledhur ne, një grup shokësh fëmijërie, në familjen e Sopiqotëve në lagjen Varosh të qytetit të Vlorës, në një shtëpi tip Elbasançe, afër Kishës së Shën Todrit. Ishim shokë prej shumë vitesh, bashkëmoshatarë: dr. Engjëll Isaraj, kimisti Yzeir Nona, mësuesi Milto Shuka, gjeologu Sezai Hoxha. Bashkë me ne ishin dhe djemtë tanë Edi, Ani dhe Bledi edhe ata shokë në të njëjtën klasë. Ky fakt i tërhoqi vëmendjen Napolon Sopiqotit, më të moshuarit të shtëpisë. Ai, burrë i nderuar i familjes së Sopiqotëve dhe financier me emër në qytetin e Vlorës, më thërriti për t’i ndenjur pranë dhe më tha i gëzuar: Sa e çuditshme është jeta e njeriut. Ju shoh juve dhe më bëhet zemra mal. Shokë dhe miq baballarët tanë, shokë shkolle dhe pune unë me Enver Çipin, vëllain tuaj, shokë fëmijërie e shkolle ti me Aristidhin dhe po shokë të ngushtë djemtë tuaj, Edi dhe Ani. Kjo shoqëri e pandarë në shumë breza është traditë vlonjate dhe provë lidhjeje dhe besnikërie që nuk do të shuhet kurrë.

Djemtë tanë, shokë klase të një shkolle për shumë kohë, për disa vjetë mësonin anglisht jashtë shkolle me profesorin poliglot fort të mirë e të përkushtuar, Nestor Nepravishta. Ata, si tekst bazë kishin 3 metodat klasike, shumë të përdorura nga të gjithë dashamirësit anglofonë, thuajse klandestinë të asaj kohe. Për çdo përfundim metode, profesori i nderuar, për

t’i dhënë seriozitet ngjarjes, i merrte rregullisht në provim nxënësit e tij, me teza të përgatitura dhe me komision. Më kujtohet dr. Aristidhi i pranishëm, kur ai i përjetonte si të ish vet nxënës emocionet e provimit të djemve tanë dhe i gëzuar e “rroftë sebepi” në përfundim shtronte dreka e darka. Ai, shpejt futej në botën e tij të gëzueshme dhe shpërthente në këngë e valle, si dhe tregonte në ambientin e improvizuar festiv, barsoleta tërheqëse dhe shaka me kripë.

Tani im bir Ani, ka shkuar larg dhe ushtron detyrën e mjekut human në Çikagon e Amerikës, po shoqëria dhe lidhjet me Edin, djalin e madh të dr. Aristidh Sopiqotit, janë të pandara. Kudo ku ka lëvizur Edi, deri emigrant në Greqi, apo së fundi, biznesmen në Picerinë “Aulona” te “UJI i Ftohtë” i Vlorës, jo vetëm nuk ka shterur miqësia, po ata komunikojnë shpesh, duke shkëmbyer përvoja, përjetuar ngjarje dhe duke përcjellë shaka e batuta të përditshme, nëpërmjet bisedave kompjuterike me internet . Kështu im bir, emigrant në “fund të botës” e ndjen veten si të jetë çdo ditë në Vlorë, ndërsa Edi, qëndron në shoqëri të vazhdueshme me Anin dhe në njohje të plotë për çdo ngjarjeje, në kontakt të ndërsjelltë edhe me gratë e fëmijët e njëri tjetrit.

Duke i mbyllur këto kujtime, si një qytetar i zakonshëm vlonjat, jam i bindur se nuk arrita lartësinë e duhur, por bashkëqytetarët në të ardhmen do të më plotësojnë për të kompletuar si e meriton emri dhe veprimtaria e Dr. #Aristidh #Sopiqotit. Ndërkohë jam i qetë, se kreva një detyrë që më mundonte prej kohësh dhe diçka shkrova, për këtë shok të dashur dhe mjek të shquar të gjerdanit të artë të mjekëve të qytetit të Vlorës.

Vlorë, 30.09.2011

#Luan #Kaman #Çipi, nga Libri PORTRETE MIQSH

20 views1 comment

1 comentário


Prof Dr Fatmir Terziu
Prof Dr Fatmir Terziu
25 de dez. de 2019

Hiqmet Mehmetaj Bravo Luan Çipi Respekt per figuren e shquar të Vlorës dr. ARISTIDH SOPIQOTI ,si dhe penes suaj te arte .Urime dhe respekte te veçanta qe ringjalli figura te te veçanta !

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page