KATËR STINË
Nga Servet Dauti
Dymbëdhjetë muaj,
katër stinë një vit,
për to do të shkruaj,
në vjersh ti radhit.
Mars, prill, maj,
stina e pranverës,
bukuri e saj,
çelin lule pemët.
Vendi gjelbëron,
nur dhe hijeshi,
bilbili këndon,
oh, sa bukuri!
Qengjat blegërijnë,
kecërit vërrasin,
duan që të pijnë,
nënave ju flasin.
Nga fundi i marsit,
shqerra,kecër ndahen,
dhe futen në thark,
larg nënave mbahen.
Në muajin prill,
zogjtë shtegëtojnë,
që nga larg po vijnë,
qiellin mbulojnë.
Çelin manushaqet,
çelin luleshqerrat,
vendi zbukorohet,
na erdhi pranvera.
Bora nëpër male,
ka nisur të shkrijë,
bari në livadhe,
fillon që të mbijë.
Zogjtë ngrenë çerdhe,
edhe nxjerrin zogj,
era trëndelinë,
mbushet vendi plot.
Në maj e qershor,
frut i parë derdhet,
mani dhe qershia,
zerdelia zverdhet.
Bleta punëtore,
lulesh bledh nektar,
hojet si me dorë,
mbushur mjalt si ar.
Përtej në lëndinë,
duken ca sorkadhe,
kullosin dhe rrinë,
brijtë-përkrenare.
Lart një gjeraqinë,
fluturon krenare,
krahet i mban shtrirë,
nuk i lëviz fare.
Diku shikon prenë,
në pikjad lëshohet,
kthetrat e rrëmbejnë,
gjahut i gëzohet.
Dhen e dhi në shtrungë,
dy tre herë në ditë,
vendrat plot me shkumë,
hirra në koritë.
Qershor, korrik, gusht,
vjen stina e verës,
dielli djeg prush,
dhëntë pranë sterrës.
Njerëzit nxitojnë,
të shkojnë në plazhe,
ditën ta kalojnë,
në dete e male.
Në muajt e vjeshtës,
fillon dhe freskia,
piqet rrushi vreshtës,
nxirret dhe rakia.
Gjethet nëpër pemë,
Fillojnë të zverdhen,
shi fillon të bjerë,
në rrëkera derdhet.
Dhjetor, janar, shkurt,
janë muaj dimri,
zjarri ndizet prush,
afrohesh tek hiri.
Bie borë e tretur,
njerzit ftohtë kanë,
zogjtë që kan mbetur,
kërkojnë të hanë.
Futen nëpër strehë,
rrinë si të truar,
vendi duket shkretë,
me borë mbulur.
Gjithë njerëzia,
veshur me të trasha,
të përlan stuhia,
nuk del dot përjashta.
Por dhe dimri i ftohtë,
e ka një lezet,
dhe me borë qoftë,
të bën me shëndet.
Opmerkingen