Në vëllimin poetik "Arkipelagu i grisë" që na solli këto ditë, poeti Grigor Jovani përdor natyrën si telajo për të pikturuar poezitë e tij. Duke krijuar një kostelacion pavdekësie që flet sa mijëra faqe historie të njerëzimit. Vargjet e tij vezulluese fshihen në humnerën e errësirës në detra të thellë dhe latohen me magjinë e shpirtit të poetit. Udha e kujtimeve dhe ndijimeve emocionale është një det përjetësie për autorin, duke përkëdhelur rruzullin e shpirtit njerëzor. Ai e shpalos këtë me vargjet e tij plot metafora dhe figura letrare të arrira, duke shprehur idenë e aksiomës filozofike Aristoteliane të shpirtit me trupin. Ja seç shkruan mjeshtri i vargut në poezinë “Tabloja”: Deti-një copë e madhe xhami gati të thyhet nga rrezet e para të diellit Ose nga pikat e shiut… … Pastaj kujtimet me ty. Të ndrydhurat. Të fshehurat mes heshtjes absolute. Ishin në këtë pejsazh. Tani u zhdukën. Mjeshtri Viçens, ku i fute?! Kjo metomini, e skalitur me origjinalitet në ujdhesën e kërkimit të pafundësisë është aq sa filozofike, por dhe aq psikologjike. Në poezinë “Shpellat”, në vargjet e mëposhtëme valëzon jeta reale e veshur plot hire artistike, mbushur me larmi ngjyrash të logosit letrar. Tek zgavrat e syve të mi strehohen Një fëmijë çamarok me pantallona të shkurtra dhe një ujk Ruajnë sho-shokun. Kur qetësohet njeri, tjerti tërbohet… Jetë e përmbytur nga ngjyrat e figurave letrare, me mjeshtëri gjejmë në vargjet e poezisë “Distike” E thellë, e errët si gurore, Plag e thikës vëllazërore. Diamantet tek kurora e mbretit, humbën ngjyrat kur dolën prej detit. Fshikulluese, sarkistike dhe me simbolikë të thellë janë vargjet e poezisë “Arkipelagu gri”. Netët këtu janë të gjata, të pashpresa i kaloj duke përtypur fjalë, Duke qepur vargje Në rrobaqepsinë e poezisë… E ngjyra e Akipelagut të poetit Grigor Jovani, me tis trishtimi, me muzikë heshtjeje si një mërmëritje e dialogut, vetëfjalosjes në qelinë e burgut të poezisë. Hollësitë e ndryshme artistike në këto poezi janë të goditura. Ato përputhen plotësisht me idenë e gjithë librit dhe i shërbejnë shprehjes së saj të qartë e të përpiktë. Për këtë do të mjaftonte të shqyrtonim dialogun e heshtur të brendshëm të autorit. Ky dialog, që ngjall emocione të forta, përforcon idenë, se kujtimet janë si rrënjët e një rrapi shekullor i cili shtrihet në trupin e tokës. Poezitë për Durrësin dhe Shkodrën lenë gjurmë me hijeshi kumbuese. Durrësi Durrësin, Nuk mund ta njohësh ditën. Por mund ta njohësh natën, Ngaqë ai nuk fle… Ndërsa për Shkodrën kompozimi është më i shtrirë dhe lirik. Kujtime nga Shkodra Kur do pushojë ky shi i mallkuar? Bie vazhdimisht, s’mbahet mend qyshkur ka filluar. Një violinë e ëmbël nga Shkolla e Muzikës e zbut disi arkipelagun e grisë, ku më shumë mban çadrën se kapelen mbi kokë. Unë vizatoja zogj me fjalë nëpër letra, ti ëndërroje ditët me plazh në Shirokë. Poezia “Pylli” shkruajtur me një lirizëm dhe karakter rezatues në mbrojtje të natyrës është tepër e veçantë. Pylli Përshkoj pyll të vogël, të mbërrij tek deti. Muzik gjethesh, Më drithëron shpirtin. Shpella të freskëta, më ftojnë të prehem….
Dhe më kujtohet Plaku Kozma: “Dashuroni pyjet!” Mbërrij në det, më presin në plazh, miqtë e mi, yjet. Poezitë e tjera “Nën Zero” dhe “Vetmia”, në penën e poetit Grigor Jovani janë sa lakonike, aq edhe mbushur me dhimbje… Po aq edhe psikologjike me peshën e simbolikës, kur në një varg shkruan: Nën Zero Në gjumë rrudh buzët Prej kohësh të pa puthura. Kam frikë, Mos i zë temperaturë e ngrirjejes, kujtesa. Vetmia Vetmi do të thotë të të ftojë në telefon Zëri i haruar i një dashurie të vjetër… Vetmi do të thotë të mos kesh me kë të bisedosh, Si i pandehuri pa dalë në gjyq. Përveç një hëne në dritare, që nuk ke si ta zbosh: “Mbete si qyq” 100 poezitë e Jovanit, edhe këtë radhë përshkojnë një udhë kujtimesh dhe ndijimesh emocionale, duke krijuar një përjetësi artistike për lexuesin. Në këtë vëllim poetik autori Grigor Jovani i ka kaluar emocionet e një poeti të ri, se për të ky është libri i gjashtë me poezi, ndaj ndihet pena e një poeti të pjekur, me të gjitha ato mjete shprehëse që i ka një poet, por mbi të gjitha me një përvojë njerëzore e cila krahas njohjes së realitetit, ka dhe përmbushjen emocionale e cila e çon drejt frymëzimeve që kaplojnë në larushësinë e temave. Në këtë vëllim, poeti duket herë si natyralist me peizazhe mahnitëse të metaforave të prekshme nga njerëzit dhe që i përdor ato si kornizë të një tabloje të mbushur plot ngjyra nga ndijimet e jetës. Edhe këtë radhë, Jovani ka ditur me mjeshtri të krijojë një cikël poezish me vargun e lirë dhe, fal imagjinatës krijuese, të fut në mjedisin psikologjik të qenies njerëzore me ide të qarta, mesazh të ngjeshur dhe me një origjinalitet të pastër pa dritë hije... Shkurt, ka krijuar unin e tij. Udhëtar në rrugën e poezisë ka me miliona, por e rëndësishme për poetin Grigor Jovani është se çfarë do të bëhet me ato vlera njerëzore që ka mbjellur njerëzimi ndër vite. Mëdyshja e poetit në këto vëllim mbetet: Të eci përpara pa kujtesë, si në ndonjë rezervat humanoidësh, apo t’i nështrohet vullnetit të teknologjisë me kusht jetëgjatësinë? Ai kërkon Itakën shpirtërore dhe drejt saj shkon me vargjet e poezive të tij, të cilat, diku, dikujt që do t'i lexojë, do t'i mbaj mend, sepse poeti Grigor Jovani, tashmë i konfirmuar si elitar, ka ditur të hedhë farën e poezisë së vërtetë...
Për mua që mendoj se e njoh shumë mirë krijimtarinë e Grigor Jovanit, më shumë më befason Kastriot Kotoni, i cili, në këtë analizë, arrin të thotë me një qartësi vlerat konkrete, thellësinë emocionale, pjekurinë artistike dhe origjinalitetin e poezisë së Grigor Jovanit... Prandaj dua të përgëzoj përveç Grigorut, edhe Kastriotin për aftësinë e tij për të interpretuar me profesionalizëm poezinë e Grigorit..., duke nderuar kështu mjeshtërinë e poetit dhe mendimin e vërtetë kritik...