Kujtimet prodhojnë identitetin tonë personal, ato nuk i shërbejnë vetëm së vërtetës e cila nuk vihet duke vënë rregull në kujtime nëpërmjet dokumentave edhe sepse shumë nga ato mund të fallsifikohen për t’i shërbyer së sotmes. Harrimi i të kaluarës dhe nostalgjia i ndan një fije e hollë filigrami. Kujtimet sado të stolisura me trëndafila, nuk e shmangin individin nga vuajtjet, zhgënjimet, poshtërimet e turpet, ndryshe do të ishin kujtime të gjymtuara e me histori të sajuara për të përgjumur ndërgjegjen kolektive. I jam kushtuar kësaj teme për të sjell një arkitekturë shpirtërore të Tiranës natyrisht duke evidentuar autor sa më të shquar e me shumë ngjyresa për nga profesioni dhe kultura e tyre. E kam filluar me Mark Dushin, Osman Myderizin, Jakamonin, Zhysten Godart, Afiz Ibraim Dalliun, Kadarenë, Indro Montanelin, Nolin e Konicën, Ç. Saraçin, Vedat Kokona, Mustafa Greblleshi, Kadri Cakranin, Musine Kokalarin, Petro Marko, Maks Velon, Gazmend Bakiu, Enkel Demi, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Isuf Kalo, Blendi Fevsiu, Artan Fuga, Kristo Frashëri, Spiro Mëhilli, Adrian Klosi, Vladimir Gjoni, Ylli Demneri, Rezarta Delisula, Ylljet Aliçka e Ana Shkreli dhe autorë të huaj pas viteve 1990, norvegjez, francez, italianë e kanadezë, turq e grekë etj.
Siç dihet për kryeqytet e botës shkruajnë mbi 80% e shkrimtarëve të atyre vendeve dhe Shqipëria nuk përjashtohet nga ky fakt. Kështu kam zgjedhur për këtë kolazh të tretë me kujtime për Tiranën, autorë si Ornela Vorpsi me romanin “Vendi ku nuk vdiset kurrë”. Ornela, silueti që elektrizonte trotuaret me gropa të Rrugës së Durrësit dhe xixëllime mijëra sytë e bordurave përballë Dajtit, rikthehet për të çuar në vendin ku nuk vdiset kurrë. Ja seç shkruan në një pasazh për Tiranën piktorja dhe fotografja Ornela Vorpsi.-Tirana mund të ketë ditë me një diell pas një shiu të penduar. Ai lloj dielli është posaçërisht i aftë të depërtojë zbrazëtitë mes gjetheve, duke vizatuar në truall njolla drite që të bëjnë të mbyllësh pak qepallat dhe i dhurojnë syve një kënaqësi të përzier me një dhimbje të lehtë. Dheu çliron një avull të nxehtë që vjen era pluhur. Në shtëpi mungon uji. Ne dhe gjithë lagja duhet të zgjohemi në pesë të mëngjesit për të mbushur kusitë. Nuk e kam kuptuar kurrë përse racioni i ujit duhet të gurgullojë në orët më të errëta të gjumit. Ofshamat më të zhurmshme të ujit që rjedh sërish rubinetit, nisin diku nga ora dy e natës. Uji përbëhet nga misteret e veta. Siç shkruan në dedikimin e saj të librit zonja Vorpsi:- Ia kushtoj këtë libër fjalës përunjtësi, e cila i
mungon leksikut të shqipes. Një mangësi e tillë mund të sjellë dukuri mjaft të çuditëshme në ecurinë e një populli. Interesin e pazakontë për Tiranën e ndjeva në dimrin e vitit 1977, shkruan në parathënien e librit spanjolli Enrique Vila-Matas. Ja si shprehet ai ndër të tjera:- Vetëm një vit përpara kisha kërkuar në “Dizionario Espana” të prindërve, dhe në një prej zërave të vitit 1933 thuhej, sa i takon Tiranës, se ishte një qytet i vogël bujqësor me shumë xhami dhe ku mbizotëronin fabrikat e sapunit. Mbeta disi e habitur, por fare pak vite do të çuditesha me ato tekstet e shumta ku i neveritshmi Enver Hoxha paraqitej si një prej qytetarëve më të mirë të globit. Dhe kur vitin pasues, më 1978, Kina maoiste u prish me Shqipërinë, duke e fundosur në një mjerim tashmë absolut, i kuptoja akoma edhe më pak dëshirat e çuditshme të ideologëve të ekstremit të majtë spanjollë. Një autor tjetër që ka shkruar për Tiranën është edhe gazetari Bedri Alimemeti me librin “Broduej i Tiranës” . Ai motivin për këtë libër e ka marrë nga një libër me tregime nga autorë të huaj, kryesisht nga vendet e Europës perëndimore dhe më gjerë i titulluar “Një natë në Broduej”. Disa çunakë me origjinë qytetare tiranase kishin vendosur ta njehsonin rrugën e tyre të lagjes me rrugën më të famshme të Nju Jorkut. Ja si është përshkrimi i kësaj rruge( sot rruga e Dibrës), nga pena e Bedri Alimemetit:- Mbështetur në parvazet e mermerta të vitrinave të farmacisë Nr.3, sot lulishtja para hotel “Tirana Internacional”, ose tek rrugica pranë karikes së Pac Llustraxhiut, ku mblidheshin futbollistët e Tironës, tek bonboneria “Odeon” përball nëntëkatëshit, në krah të Poliklinikës Qendrore. Në periudhën e dimrit rrinim brenda në Mapo ( prej saj tani ka mbetur vetëm bodrumi, mbi të cilin është ngritur një parking). Kur kishim lekë shkonim e pinim nga një krikëll birrë tek “Tymi” i xha Andonit” dhe perifrazonim Majakofskin me vargjet e tij: “Ju shkoni ku të doni, unë do të shkoj në arkën e kursimit”. Kurse ne thonim : Ju shkoni ku të doni, se ne do të shkojmë tek xha Andoni. Peizazhit broduejan, Ismail Kadereja nuk i mungonte paradite dhe kursesi mbrëmjeve. Madje, vonë teksa puhiza e natës e mbështillte Tiranën me krahët e saj, ia shquanin që larg siluetën, me jakën e pardesys ngritur e duart e ngjeshura në xhepa. Nuk vononte shumë dhe ia ndjenim edhe kërcitjen e takave të këpucëve tek shkelte mbi pllakat e trotuarit. “Po vjen Ismaili i thonim njëri tjetrit. Ai na kalonte pranë si gjithnjë , duke na hedhur atë vështrimin e qetë, që për ne ishte e zakonshmja “natën e mirë” e tija, por veçmas kësaj duhet thënë se, në brendësi të atij vështrimi tek cilido që nguliste sytë kurrsesi nuk i mungonte zhbirilimi i thellë e karakteristik, të cilin dinte ta bënte vetëm ai. Vazhdon më tej Alimemeti kur shkruan:- Nuk kishte gjë më të bukur, teksa emri “Broduej” i rrugës tonë të dashur tashmë, përpos pështjellës së misterit njujorkez, do të kishte edhe diçka mbretërore. E madje , sepse qe i tillë, nëpër trotuaret e kësaj rruge lëvizën heronjtë e romaneve të Kadaresë kurse Dritëroi i thuri vargje nëpër poezitë e tij. Të mos harrojmë që të dy zgjodhën të banojnë në të vetmen godinë ngritur në të për banim. Në festivalin e XI të këngës, Sherif Merdani, me muzikën e Alfonc Balliçit këndoi këngën “Rruga e Dibrës”. Në kujtimet e Bedri Alimemetit që fillojnë diku në fillim të viteve 1960 bie në sy një lloj atmosfere më liberale dhe siçe thekson ai pas prishjes me rusët vërshojnë filmat francezë dhe italianë e kur në radio dëgjohej muzika Bitëllsave dhe e Bob Dilanit. Një fakt interesant tregon ky dashnor librash për fatin e librit “Haku i Triumfit”, përkthyer nga i mirnjohuri Robert Shvarc i cili përfundoi në brumatriçe për tu bërë karton. Ky roman i shtypur komplet, i lidhur me kopertinë e me të gjitha,i bërë gati për t’u shpërndarë nëpër libraritë e shitjes përfundoi në punishtet e kartonit.
Autori me marifet ka vendosur një emër rruge nëpërmjet së cilës futet në sfidat politke të kohës dhe përcjell në mënyrë fotografike detaje memuaristike të një Tirane plotë dinamizëm edhe në kohët më të këqia. Një pjesë të mirë zënë edhe kujtimet e sportit të futbollit, bashkëbisedime me futbollistët e shquar të Tiranës. Po ashtu Alimemeti prek edhe sportet e tjera ku shkëlqenin sportistat e Sport klubit të 17 nëntorit , që nga boksi basketbolli e volejbolli e deri tek qitja. Interesant me një detaj krejt të veçantë përshkruhet në këtë libër një personazh e ashtuquajtura japoneze e cila edhe pse ishte qenia më misterioze me lukun e saj aziatik në rrugën “Broduej”, ajo ishte njëohësisht frenkuentuese e një restoranti që njihej në Tiranë me emrin “Zogu i Zi”, ku siç e përshkruan Bedriu . Një lokal diku në periferi, ndoshta kjo e mvishte me romantizëm. Çifte të fejuarish apo edhe të dashuruarish klandestinë, që e parapëlqenin këtë lokal, shkëputur si një elektron i lirë, nga bërthama e qendrës së Tiranës. Por “qershia mbi tortë” e atij ambjenti, në mënyrë të padiskutueshme qe “ japonezja”. Në fillim të viteve 60-të pati bërë bujë një film hungarez me titull “Për një gotë birrë”. Personazhi protagonist i filmit i çonte të dashurat e tij në një lokal të tillë, padyshim periferik, i cili njihej me emrin “Guri i zi”. Ky argument duhet të ketë gjetur paralele të përbashkëta të filmit me lokalin, mendon B. Alimemeti. Legjendat urbane për historinë e “Zogut të zi” ende gëlojnë dhe në ditët e sotme edhe pse kanë shkruajtur shumë autorë. Ylli Pango me librin e tij “Zogu i Zi” siç shkruan ai si një zogazias i vjetër i ardhur nga qyteti i Shkodrës në pallatin në formë L-së, poshtë këtij pallatit ku vinin që pa gdhirë tufa shoferësh që zinin të pinin herët e që vazhdonin kësisoj në afshin e rakisë e shkumëzimin e birrës, gjithë ditën e lume deri natën vonë. A u shfaqën dhe aty ato femra nudo a gjysëm nudo, si ato që ishin parë në filmin hungarez? Siç e thamë ne fëmijët, këtë as e pamë e as nuk e morëm vesh kurrë. Gjithsesi emri i bar restorantit, sipas të cilit çdo variant qoftë, mbeti e vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë, “Zogu i Zi”, kreu i rrugës së Durrësit, lagja e vjetër e Tironës, krenaria jonë, por dhe barku i thagmave të kësaj historie me njerëz dhe minj. Shkurt këtu mungon personazhi i japonezes të Bedri Alimemetit dhe emri i lokalit në Hungari quhej ndryshe “ Guri i zi” e jo “Zogu i Zi”. Por duhet thënë se Ylli Pango e ka pozuar rrëfimin e tij tejet original me zhargon për çdo personazh me një zbirim të paanë e me kolor të jashtëzakonshëm emocional. Ka edhe ai një pasuri intelektuale ku vërehet qysh në faqet e para dashuria për librin e kur me shokët e tij diskuton për to. Në një pallat konglomerat me të gjitha shtresat e shoqërisë e me të gjitha aventurat e fëmijërisë. Përdor me efikasitet produktin e tij profesional si psikolog dhe sociolog ku edhe në ngjarjet më banale zbërthehet kodi shkencor . E ka vëzhguar me imtësi çdo ngjarje dhe personazh të atij pallati dhe leximi ecën me shpejtësi e të vjen keq që e mbaron së lexuari kaq shpejt. Nuk lë pas as gaxhojt e as gabelët e lagjes, hajdutët e falsikatorët, trimat dhe fuksat e lagjes, njerzit që i dhanë emër dhe bujë lagjes në të gjithë Tiranën e më gjerë. Si mund të hyje në hirarkinë e 500 kalamajve? Kjo ishte çështja shton Pango. Më vonë në demokraci ky rend u prish fare se mu në mes të oborrit të kuadratit të pallateve tona, u shfaq një pallat çiban-bajgë, pa leje, që e prishi krejt skemën dhe që prej asaj kohe më as qeveria e as hirearkia e kalamajve të “Zogut të Zi” dhe shumica e njerëzve të tij, a ndryshe autoktonët, ikën u shpërndanë si zogjtë e korbit anembanë botës. Emrat e personazheve edhe pse të sajuar personifikojnë edhe fenomenin apo ngjarjen që ka ndodhur në pallatin gjigand të oficerëve. Pango pasi ka krijuar hartën humane të “Zogut të Zi”dhe vlerëson si një nga veçoritë e kësaj lagjeje antiracizmin. Në përshkrimin për çdo shkallë, se kush banon e çfarë gjurme ka lënë në historinë e lagjes, gjen ushtarak të martuar me gra të huaja, siç gjejmë edhe artistin e popullit Sulejman Pitarka me të cilin ndiheshin të gjithë banorët krenar dhe e rrespektonin jashtëzakonisht sepse e meritonte. Po ashtu një nga historitë perlë të një fizikanti të shquar shqiptar që kish kryer studimet në Itali e për të cilin të gjithë shpreheshin se ishte i çmendur, por shkencëtari për çështje kohe ishte tmerruar kur kishte marrë vesh se përfundimet e studimit të tij i kishte realizuar dikush tjetër ca muaj më parë në Gjermani. Me sarkazëm të skajshme përball këtij personazhi që po shtynte ditët e fundit të jetës në skizofreni, shfaqet Duqi kampion i lagjes në dam e pas tij vinte Braçi nënkampion bote. Po kishte edhe familje me tre katër artistë e sportistë. E hajde i thuaj kujt, pse “Zogu i Zi” nuk ishte thjesht një emër rruge apo lagjeje e mbyll rëfimin e tij Ylli Pango.
Një tjetër autor si Artian Guskiqi vjen me rëfime periferie me librin me titull “Kombinat”. Duket si epigram për të vërtetën e paragjykimit të kësaj zone të Tiranës. Ja seç shkruan A. Guskiqi:- Vërtet, që këtej, varreza ishte ku e ku më afër, por kjo nuk do të thoshte që ne duhej të vdisnim më shpejt. Ata që u shtrinë të parët, nuk pritën rradhë. Ata që janë ende gjallë, kanë frikë se do të mbeten pa shtretër. Rrugët tona rrallë e për mallë puqeshin….Artiani shkruan në mënyrë ndjesore e me figuracione për kohën e tij në gjimnazin “50 Vjetorit të Pavarsisë” e padyshim e skanon rrugën drejt shkollës me pallatet dykatshe e me lulishtet përrreth tyre. Ana Shkreli në librin e saj “Dekalogu i një qytetari tirons” e himnizon rrugicën “Him Kolli”, që të nxjerr tek rruga e Kavajës i përshkruan si askush personazhet e saj me mbiermrin Bermema e Llagami.
Përgatiti Kastriot Kotoni
Comments