KAPITULLI 8 – BARAZIA
(JETA DHE MISTERET E SAJ - FRANK L. HAMMER - DORRANCE & COMPANY
PHILADELPHIA – 1945) https://www.sacred-texts.com/nth/lam/index.htm
Tregohet një histori për një fshatar spanjoll, i cili për vite me radhë dëgjonte të flitej për barazinë, por në fshatin ku jetonte nuk kishte parë ndonjë provë për të. Megjithatë, fshatari ishte i sigurt se diçka si barazia për të cilën flitej aq shumë, ajo duhej të gjendej diku. Kështu që u nis të kërkojë në vende të tjera. Udhëtoi shumë, por barazinë nuk e gjeti askund tjetër më shumë sesa e kishte njohur në vendin e vet. Kështu fshatari më në fund arriti në përfundimin, se ata që flisnin për barazinë i referoheshin Botës Tjetër.
Shumë njerëz janë të të njëjtit mendim, se përsa i përket kësaj jete, barazia është ose mit ose një ideal i turbullt. Megjithatë, barazia nuk është as mit, as ideal i mjegullt, por është një realitet këtu dhe tani. E vërteta hyjnore e barazisë na është mësuar nga njerëzit me dritë të çdo epoke, por Zoti e ka dekretuar barazinë edhe shumë kohë para tyre. Nuk njohim asgjë që bie ndesh me aksiomën sublime mbi barazinë, përveç teorive të njeriut (disa prej tyre janë edhe njerëz të respektuar), që nuk i qëndrojnë provës së arsyes.
Ju pyesni: "Ku ka barazi mes të pasurve dhe të varfërve? Analfabetit dhe të arsimuarit? Budallait dhe filozofit? Mediokrit dhe të talentuarit? Shërbëtorit dhe zotërisë? Qytetarit dhe mbretit? Shenjtit dhe mëkatarit? Njeriut dhe engjëllit?”. Të gjithë këta qëndrojnë në një bazë të përbashkët dhe formojnë një zinxhir përjetësie që shtrihet dhe arrin deri në fronin e Më të Lartit. Askush nuk ka qenë kurrë në gjendje të provojë me ndonjë autoritet tjetër përveç egoizmit dhe injorancës, se disa hallka në këtë zinxhir mund të mos jenë të barabarta me të tjerat ose të jenë inferiore. Në këtë nivel të shoqërisë shumë e besojnë këtë.
Burimi i parë kryesor i së pavërtetës mbi pabarazinë shoqërore është për shkak se njerëzit e ngatërrojnë atë me pabarazinë dhe dallimet e tjera që janë të shmangshme dhe që ndodhin prej qeverisjes së dobët që kemi. Këto megjithatë, janë aq larg në kuptime së bashku sa janë polet midis tyre. Ngjajnë aq sa ngjan drejtësia dhe padrejtësia me njëra tjetrën. Njerëzit kanë mundësi të pabarabarta për të siguruar jetesën, për të plotësuar nevojat që kërkon jeta, për të marrë arsim, kulturë dhe pasur kohë të lirë, për të siguruar ushqim për familjen, për tu kujdesuar për sëmundjet, papunësinë dhe pleqërinë. Pabarazia në këto çështje nuk pre supozon pabarazinë tjetër, që është një ligj i Natyrës, analog me ekuilibrin dhe që nuk mund të prishet e as të shkatërrohet nga ndonjë veprim apo shpikje e njeriut, megjithëse interesat egoiste të njeriut mund të bien ndesh dhe të ndërhyjnë përkohësisht me drejtësinë.
Prandaj duhet të pyesim, prej nga lindin dallimet e mëdha që shihen midis njerëzve - dallimet e jashtëzakonshme në mundësi, inteligjencë dhe moral? Përgjigja është: Mosha që ka shpirti i secilit. Njerëzit janë në shkallë të ndryshme të zhvillimit, shfaqin shkallë të ndryshme të dallimeve mes tyre dhe kurrë në tokë apo diku tjetër njerëzit nuk do të jenë në të njëjtin nivel të zhvillimit mendor, moral dhe shpirtëror.
Zakonisht besohet se "Rënia e Njeriut" është një proces i përfunduar dhe kolektiv. Por, përkundrazi, shpirtrat "bien" në vazhdimësi në materialitet, pa përsosmëri dhe gabime.
Ndërsa evolucioni është një fakt i pranuar nga të gjithë njerëzit që mendojnë, zhvillimi i mëparshëm i ngjarjeve që bënë gati kushtet e evolucionit shihen me mosbesim të madh. Megjithatë, në mënyrë të domosdoshme, nuk mund të ketë evolucion pa ngjarjet që e paraprijnë atë; është ekzistenca e njeriut e nevojshme para se të mund të ndodhë evoluimi i tij. Krijuesi i Natyrës duke mos qenë i njëanshëm në vlerësim, i krijon të gjithë njerëzit të barabartë dhe të ndryshëm. Dallimet e njerëzve datojnë nga koha e hyrjes së tyre në materie, jo nga koha e lindjes fizike. Shpirti i njerëzve është i pajisur me personalitete të caktuara, karakteristika të veçanta, talente të zhvilluara, me simpatitë e antipatitë e secilit. Për më tepër, dallimet më të shpeshta janë arritjet morale, mendore e shpirtërore të secilit. Të gjithë njerëzit janë të pajisur në mënyrë të ndryshme, por të barabartë në veçantitë që kanë. Ajo që është e mundur për një është e mundur për të gjithë; jo njëkohësisht, por brenda një kohe të caktuar. Për aq kohë sa natyra e krijimit të njeriut është e njëjta, dy njerëz saktësisht të njëllojtë nuk do të ketë, as mund të ketë.
Ngjashmëria zotëron midis njerëzve të pa zhvilluar, ndërsa veçantitë dallojnë të përparuarit; sepse sa më i zhvilluar të bëhet një njeri, aq më ndryshe është ai nga grupi masiv. Dallimet dhe individualitetet e njeriut shpalosen derisa të arrihet përsosmëria, në të cilën kohë ai kthehet tek Ati, duke u bërë një me Të. Por Njëshmëria me Zotin nuk nënkupton asgjësim ose thithje, por një shkrirje të ndërgjegjes dhe aftësive individuale.
Përveç ndryshimit për shkak të moshës që ka shpirti i secilit, ekziston edhe një arsye tjetër për pabarazinë e njerëzve dhe kjo përcaktohet nga vetë ata. Ne e dimë se jo të gjithë bëjnë përparim të barabartë. Çdo sferë e jetës ka të ngadaltët e saj, indiferentët, të "zgjuarit" të cilët mendojnë se mund të marrin diçka pa dhënë për të dhe të dobëtit, ambicia kryesore e të cilëve është të kalojnë përgjegjësinë te të tjerët. Pastaj janë të zellshmit, të ndërgjegjshmit, ambiciozët, të cilët shfrytëzojnë kohën dhe mundësinë për përparim, duke ecur përpara përmes punës dhe duke shërbyer. Natyrisht, në shprehjen tjetër të jetës, pabarazia mes njerëzve do të jetë edhe më e dukshme.
Pabarazia dhe inferioriteti janë iluzione që prekin mendjet e më të rinjve në ekzistencë. Në sferat më të larta të mendimit, asnjë nga këto marrëzi nuk vazhdon. Përulësia zëvendëson mendjemadhësinë. Njerëzit me zhvillim të lartë moral dhe shpirtëror e dinë se është qesharake t'i konsiderosh vëllezërit më të vegjël si të pabarabartë, ndaj ata zgjasin dorën e ndihmës, ashtu si edhe të tjerët mbi ta që iu japin ndihmë atyre vetë. Nuk ka asnjë majë tjetër të jetë mjaftueshëm e lartë, se ato më të lartat nuk janë arritur ende. Asnjë njeri nuk është në “xhiron” e fundit të procesit evolucionar, por i është bashkuar një tërësie më të madhe. Shenjtori në fillimet e tij mund të ketë qenë mëkatar, ndërsa një njeri i egër e brutal një ditë do mund të bëhet filozof. Evolucioni është një proces i vazhdueshëm dhe jo i përfunduar.
Pabarazia, produkti i mendjeve të pazhvilluara, e ka mbushur botën me dëshpërim dhe vuajtje të pallogaritshme. Ajo ka sjellë varfëri, privime, uri, ankth dhe tension për miliona njerëz, jeta e përditshme e të cilëve është një kryqëzim dhe një martirizim i një lufte për ekzistencë. Sepse kjo është një epokë e grabitjes, koprracisë dhe lakmisë së keqe; një epokë hipokrizie dhe shkëmbimi tregtar, ku ambicia e madhe e njerëzve dhe kombeve është të përpiqen të rrëmbejnë dhe plaçkitin gjysmën tjetër. Nga çdo anë janë koprracia, epshi, lakmia, egoizmi, keqdashja, mendjemadhësia degjeneruese dhe dora e hekurt e fuqisë që nuk ka të ngopur, të cilat, nën maskën e parimeve, kryejnë të gjitha llojet e krimeve. Jeta njerëzore nuk ka më shenjtëri, por është e ngjashme me jetën e insekteve. Vrasja masive është bërë një profesion dhe vrasësit mbahen si personalitete të shquara.
Megjithatë, çuditërisht, ka nga ata që besojnë se një rend i tillë i jetës është i denjë për përjetësinë. Kohët e fundit, një gazetar dritëshkurtër u shpreh në mbrojtje të këtij sistemi: "Çfarë do të ndodhë me institucionet për të varfërit, nëse të pasurit, përmes taksimit të tepruar dhe të padrejtë që iu kërkohet, nuk do të jenë më në gjendje të kontribuojnë në mirëmbajtjen e fondeve për të varfërit?" Ne pyesim: "Pse të vazhdojë mirëmbajtja e fondeve për të varfërit? Pse të mos e heqim për fare varfërinë? Pse lejohen degradime të njeriut nga njeriu? A ka qenie njerëzore të jenë krijuar ndryshe e si të tilla duhet të trajtohen ndryshe?"
Njerëzit që i dallojmë për mendimin dhe ata shpirtërorë e dinë mirë pse burgjet, shtëpitë e lëmoshës dhe azilet e të çmendurve janë të tej mbushura. Ata e dinë, se këto vende nuk do të pushojnë kurrë së qeni midis nesh derisa raca jonë njerëzore të dominohet nga të tjera motive nga ato për fitime. Ka diçka rrënjësisht të gabuar për një qytetërim që mat barazinë e një njeriu sipas sasisë së parave që janë në xhep. Nuk mund të kemi një shoqëri ideale ose botë më të mirë derisa njerëzit më në fund të pranojnë dashurinë vëllazërore në vend të egoizmit dhe lakmisë.
Ashtu si rrugët e Natyrës janë të barabarta, ashtu duhet të bëhen rrugët e njerëzve. Barazia politike u bë hapi i parë në këtë drejtim dhe kjo po ndiqet me më shumë barazi ekonomike. Shumë kanë filluar të dyshojnë se Zoti nuk e krijoi këtë botë dhe gjithçka në të si pronë private dhe për kënaqësi të vetëm disave, por që ajo duhet t’iu përkasë në mënyrë të barabartë të gjithëve. Dhe, në rendin e ri që po lind në horizont, për të qenë objekt i respektit dhe admirimit nga të tjerët, njeriu do të duhet të bëjë diçka tjetër në vend që të grumbullojë pasuri.
Shërbimi do të jetë simboli i ardhshëm i ndryshimit. Kontributi në ndriçimin dhe pasurimin e jetëve të tjera do të jetë shenja dalluese e madhështisë për njeriun. Të dalluarit e dikujt prej të tjerëve do të përcaktohet nga arritjet që ai bën për përfitim të të gjithë qytetërimit. Do të mbizotërojë bashkëpunimi dhe jo konkurrenca.
Dëshira e pashpirt për të mposhtur të tjerët ekziston vetëm në rruzullin tokësor, ku gjërat materiale vihen mbi gjithçka tjetër. Për gjërat shpirtërore ku përfshihet shërbimi ndaj njerëzimit, nuk ka konkurrencë. Motivet e nxitura nga dëshira shpirtërore janë në harmoni, por, kur bëhet fjalë për para dhe pasuri materiale është e vërtetë vetëm e kundërta.
Kryeveprat botërore të letërsisë, artit, shkencës dhe muzikës nuk u krijuan përmes forcës së konkurrencës, por nga dëshira e dashuria e artistit që nëpërmjet punës së tij të përfitonte njerëzimi. Milton, Dante, Shekspiri, Emerson, Platoni, Vagner, Brahms, Beethoven, Michelangelo dhe një mori njerëzish të tjerë të mëdhenj nuk u përpoqën të konkurronin me të tjerë. Të bërit e pasurisë nuk ishte çështja që i shqetësonte ata. Disa prej tyre vdiqën në varfëri, megjithatë ata janë të pavdekshëm deri sot. Kush arriti ndonjëherë famë të qëndrueshme, sepse monopolizoi një pjesë të madhe të parave të botës? Nëse ndodh për një të tillë të mbahet mend, bëhet vetëm me keqardhje dhe përbuzje për lakminë dhe koprracinë e tij.
Kush ka dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shkencëtar që zbuloi një kurë për një sëmundje dhe pastaj e mbylli shpikjen në kasafortë? Kush ka dëgjuar ndonjëherë për një shpikës që e mban shpikjen e tij për veten dhe anëtarët e familjes së tij? Përkundrazi, ajo i jepet botës dhe ndahet me të gjithë njerëzimin. Ata e dinë, se ajo prej së cilës përfiton dikush përfitojnë edhe të tjerët, sepse e gjithë raca njerëzore është një familje e madhe e lidhur së bashku pazgjidhshmërisht.
Ndërsa gara më e madhe është jeta, qartësuesi më i madh i njeriut është vdekja, sepse në pragun e përjetësisë të gjithë njerëzit e kuptojnë se barazia është ligj i Drejtësisë Hyjnore. Mbreti dhe qytetari, princi dhe fshatari, i larti dhe i ulëti, i pasuri dhe i varfëri, qëndrojnë para së njëjtës gjykatë dhe gjykohen sipas vlerës së tyre të brendshme dhe shërbimit që kanë bërë në tokë. Renditja, pozita, fuqia dhe pasuria nuk llogariten për asgjë; vetëm pasuritë shpirtërore hyjnë në mbretërinë e Perëndisë. Sepse barazia, si të gjitha ligjet natyrore, është e vazhdueshme, uniforme dhe universale dhe nuk mund të shfuqizohet ose ndalohet gjatë ekzistencës sonë tokësore.
Njerëzit nuk ndryshojnë karakterin e tyre kur ndryshojnë adresën e vendbanimit të tyre.
Përktheu: Adriana Myrtaj
Comments