Kanoni filozofik shqiptar?
(Nuk ka fare filozofi, por çdo kulturë ka filozofinë e vet. Oswald Spengler: "Perëndimi i Diellit")
Prof Dr Fatmir Terziu
Nëse do të ndikohemi nga disa komente rreth krijimtarisë së sotme letrare, mendja të shkon tek ajo që ndeshet pa u komentuar, me një pikëpyetje nga pas: „Kanoni filozofik shqiptar?“ Një shenjë e tillë e ndikuar pyetëse, për të cilën krijimtaria e tanishme është në kërkim të përgjigjeve për, le ta quajmë atë - fizionominë e kulturës filozofike shqiptare. Le të shpjegojmë. Deri më tani, diskutimet rreth traditës sonë filozofike kombëtare, megjithëse janë kryer nga studiues, që u përkasin institucioneve dhe gjeneratave të ndryshme, të vëzhguar dhe në përputhje me rrethanat mbrojnë pozicionet e mëposhtme: në analizën e problemeve nga trashëgimia jonë filozofike, ose të robëruar në kompleksin e inferioritetit, të shprehura në qëndrimin absolut injorues, ose nihilist ndaj traditës filozofike shqiptare, shoqëruar nga qasja e mbrapshtë e „poshtërimit krahasues“, i cili u bë një zakon refleks me rast, ose pa rast për të „matur“ një „filozof evropian, apo Perëndimor“ dhe „epigonet shqiptare" të tij, nënçmimin e një vepre për një tjetër, ose ekzagjerimin e panevojshëm për meritat e saj.
Kur shtjelloj me terminologjinë trashëgiminë filozofike shqiptare (për aq sa ekziston, dhe ka mundur të ekzistojë, me thikën e monizmit) përdor me një arsye të ngushtëzuar, katër koncepte: filozofia shqiptare, filozofia në Shqipëri dhe në mesin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, Mendimi filozofik shqiptar dhe kultura filozofike shqiptare, por dhe në studimet që kanë si objekt marrëdhëniet midis filozofisë evropiane dhe shqiptare, zakonisht përdoren terma të tilla si ndikimi, pritja, projeksioni, etj. Kjo në vetvete flet për nevojën e debatit me lidhje me atë që mund ta quajmë „kanonin e kulturës filozofike shqiptare“, i cili duhet të përfshijë krijimin e një arkivi të teksteve përfaqësuese të filozofëve shqiptare dhe reflektime bashkëkohore mbi këto tekste.
Ende në fakt në këtë lëmi nuk ka një tekst aktual që të themi se „funksionon“ dhe madje edhe „provokon“. Për këtë së pari pas të paktën tridhjetë viteve të hapjes së vendit me Botën, duket se janë formuluar ideja dhe qëllimi dhe ajo që duhet të theksohet duhet patjetër që t'i kushtohet kontributit të intelektualëve të ndryshëm shqiptarë në formimin e një kulture filozofike kombëtare. Padyshim, një nga problemet kryesore teorike me të cilin përballet çdo studiues i proceseve historiko-filozofike është ai për marrëdhëniet universale-kombëtare. Ky problem ka gjithashtu një dimension thjesht personal, veçanërisht nëse studiuesi i përket të ashtuquajturve „popuj të vegjël filozofikë“, dmth. „Një tradite kulturore që nuk karakterizohet nga kontribute në Filozofi, ose nuk ka krijuar filozofinë e vet të lidhur e ndërlidhur me sistemet". Çështja e vetë mundësisë dhe legjitimitetit të „të folurit“ për një filozofi kombëtare, përmbajtjen, vlerën, specifikën e saj dhe kufijtë krahasohen në mënyrë të pashmangshme me Filozofinë, dmth me traditat evropiane të vendosura historikisht, ose tendencat bashkëkohore (përsëri evropiane). Dhe kështu, si rregull, tek pohimi i ekzistencës së kombëtarit, filozofitë janë objekt i vëmendjes së historianëve të filozofisë, kombet e të cilëve për një arsye, apo një tjetër kanë mbetur në periferinë e historisë dhe për këtë arsye jashtë historisë së filozofisë.
Ngjashëm me këtë Robert Martiko, një shkrimtar i ditëve të sotme, që i mëshon mjaft filozofisë dhe domosdoshmërisë së saj, ndërsa komenton për një shkrim të një autori rreth Lasgush Poradecit, shkruan: „Është çudi, deri më sot nuk kam gjetur qoftë edhe një intelektual, të vetëm, të interesohet për esencën e thellë të Lasgush Poradecit, si Njeri, që është gjëja më kryesore, diçka që qëndron matane ARTIT. Përderisa vetë Lasgushi e braktisi muzën poetike në vitin 1946 në një kohë që gjithë të tjerët iu versulën me vrull ti këndonin Diktaturës dhe Vëllavrasjes së Madhe. Kjo pikërisht lihet në heshtje. E vërteta është se madhështia e Lasgushit, krahas talentit te madh, qëndron te e dyta. Pasi Filozofia Idealiste krijon botë, pikërisht ajo krijoi botë, shoqëri e kulturë në Evropë. Bëri të fillonte Rilindja Shpirtërore. Arti nuk ka pikë vlere pa filozofinë e thellë tëndryshimit të njeriut, për te cilën nuk deëgjohet të ekzistoje të pakten ideja…“
Me të drejtë, pos këtij komenti natyrshëm lindin idetë se duhet parë dhe hedhur tashmë vëmendja në tre kapituj të munguar që i flasin domosdoshmërisht ekzistencës filozofike, sikurse duhet ndalesa tek „Periudha e luftës klasore moniste dhe Kulturofilozofia e saj në dëm të krijimtarisë“, „psikoanalistët shqiptarë në debatin publik të munguar“ dhe „Portreti i vetë ekzistencës në këtë kaos“.
Të tre këto kapituj duhet të tematizojnë aspekte të ndryshme të kulturës sonë filozofike origjinale përmes prizmit të diskutimeve në periudhën e strukur, me të gjitha dritëhijet e saj.
Duhet kështu të ndjejmë njerëzisht, dhe me termin Njeri, vetë tablonë e përpjekjeve të ndryshme për orientim adekuat kulturor dhe filozofik të vendit në këtë periudhë, që edhe pse me pak autorë të tillë si Poradeci, paraqesin pikat kyçe në historinë e lëvizjes psikoanalitike në Shqipëri, ku vetëm me kaq sa komenton Martiko, kuptohet se marrëdhënia e psikoanalizës- literatura, debati ekzistojnë për thelbin e mirëkuptimit sociologjikisht në zgjidhjen e një problemi shoqëror.
Në pjesën e domosdoshme të kësaj tresheje të cilën e quajta kapituj, dhe jo periudha, duhet të paraqiten filozofët krijues shqiptarë të harruar dhe disi të harruar në mënyrë të pamerituar. E kjo kërkon natyrshëm një Akademi të Shkencave të Shqipërisë, jo më të politizuar, kërkon fonde dhe punë kërkimore shkencore të pavarur, që të themi, ja më në fund, edhe bibliografia gjithëpërfshirëse që shoqëron pjesët e nëpërkëmbura të një Kombi krijues do të lehtësojë çdo studiues, i tunduar nga trashëgimia filozofike shqiptare, që natyrisht kjo filozofi është e thukët, e pasur dhe e pastër, sikurse është Gjuha Shqipe dhe Fjalët e Urta e proverbialiteti i një populli historik në Trojet e veta.
Kam lexuar pjesë-ojesë të ,,Rënia e Përendimit" të Shpengler në vitet 60-70-ta dhe më vie mirë tek e citoni. Dhe në puqje me te konstatoni se kultura shqiptare ka filosofinë e vetë por jo të mbledhur, strukturuar sikur ajo ekziston në vendet evropiane. Dhe, ky shkrim i veçantë për nga pesha dhe fare aktual, cytet mu në drejtim të plotësimjit të këtij boshi. Në kontekst të kësaj tematike me arsye kini përmendur Lasgushin që dmth. se ekyiston nevojë imediate të nxjerren nga anonimiteti emëra nga kjo fushë e të stimulohen krijime , depërtime të reja në filosofi. Shëndet e respekt!