Vullnet Mato
KANIBALIZMI PO HA NJERËZIT TANË
Qysh prej një shekulli më parë,
po na kafshon kanibalizmi politik.
Mijëra njerëz të lënduar e të vrarë,
me dhëmbë ligjesh të padrejtësisë.
Kanibalizmi i agjitacion-propagandës,
hëngri për fjalë goje, mijëra shqiptarë,
kalbi në kampet e barakave të baltës,
përtypi të pushkatuar, mbetur pa varr.
Kanibali shtatëmijë e pesëqind e njësh,
hëngri njerëz për një pëllëmbë tokë,
dhe vazhdon me shembje shtëpish,
ku me çataj ligji, kafshon e ha kokë.
Po përsëritet thënia dikur e Konicës,
se shqiptari, ka kanibal, shqiptarin,
dhe do të derdhen lotët e mamicës,
sa të zgjedhim në krye antiatdhetarin.
Kanibalizmi ka dhëmbë shkopin e gomës,
ka dhëmballë bombat me gaz lotsjellës,
ka birucën me hekura, në vend të gojës,
pasi arma e hakmarrjes, ka ngrënë njerëz.
Kanibalizmin na e pjell antihumanizmi,
që po na ndjek, si mallkim prej vitesh,
filloi me luftën e klasave nga komunizmi,
dhe mbeti trashëgim, si vazhdim ritesh.
Deri kur ne do të jemi, vend me kanibalë,
dhe do kërkojmë Evropën për strehim?
O turp i turpeve, me ligjvënës të marrë,
O krim i krimeve, nga na duhet shpëtim!
Comments