top of page

KANGJELA E MALLIT TË PARE

Prof Dr Resmi Osmani

Resmi Osmani

Novelë

KANGJELA E MALLIT TË PARE

Kujtimit të Zef Serembes

Pjesa e dytë

7

Në udhëkryq

Në ditët që erdhën, pasi u soll rrotull qytetit dhe takoi disa bashkvendës nga Strigari, që deshën të dinin prej tij të rejat e katundit të tyre, nuk gjeti ndonjë mundësi të mirë punësimi, pranoi ofrimin që i bëri bujarisht Kostandin Pozito. Punë kishte boll: të hyra e të dala të mallrave, hedhja e tyre në regjistra, shoqërimin e mallrave për në portin e zhurmshëm të Santos, ngarkimin dhe nisjen e tyre për në Lisbonë, Marsejë, Napoli dhe Livorno.

Kostandin Pozito bënte shpesh udhëtime pune.Në to ai bëri shok udhe edhe Zefin që të njihte vendin .Shkuan atje ngaku u vinin furnizimet për të berë porosi: në malet e verilindjes në plantacionet e kafes, në fushat e bananeve, aziendat e kallam sheqerit , duhanit dhe pambukut .Kaluan nëpër pyjet e virgjëra tropikale, ku gjallonin zogj të bukur që kishin pupla me ngjyra të ndezura, dhe papagallë të lloj-llojshëm.Hasën livadhe pa fund ku kullosnin tufat e mëdha të gjedheve dhe liqene te shumte.Zefin e mahniti gjelberimi dhe bimësia e harlisur që hasej gjithandej. Vendi ishte i pasur dhe hapsirat e pafund që prisnin ende dorën e njeriut. Ishte e dhimbshme ajo që hasi gjithandej, me qindra skllevër afrikanë të blerë nga tregtarët e sklleverve portugezë, që punonin në plantacione dhe këndonin ca këngë të trishtuara për fatkeqsinë e tyre.

Liri për të bardhët, skllavëri për zezakët, dhe nuk ishin pak, por mbi një million.Kjo mendoi ai ishte njeë njollë turpi per Brazilin, teksa në vende të tjera me ligjet e abolicionizmit, ishte hequr skllavëria.

Nuk deshi t’i bëhej barrë mikut të tij bujar, andaj u shpërngul në pensionin “Rosa blanka”, një ndërtesë dy katëshe e stilit kolonial ,oborr të gjelbëruar, me postate të begoniave me ngjyra gjithfarësh dhe trëndafilë kacavjerrës të bardhë në shtyllat e ballkonit, në pronësi të dona Rakelës. Ishte afër punës së tij dhe me çëmim të arsyeshëm. Kjo , vejushe portugeze, e veshur në të zeza, pas vdekjes së të ndjerit, kolonel Manuel de Gonzaga, në luftën e Paraguait ishte e përshpirtshme si një murgeshë, me skufe të bardhë në kokë, fytyrë zbehtë dhe e rrudhosur, me ca syze metalike mbi hundë, e trishtuar, që s’i qeshte buza dhe tërë kohën s’e hiqte nga dora rruzaren dhe lutej e falej para ikonës së madonës me fëmijën Jezus, posht së cilës, si në një altar të shenjtë bënte dritë kandili me vaj. Gjithë bujtinarëve të saj, shumica të rinj italianë e portugezë, që kishin kuturisur në San Paolo për të kërkuar fatin e vet, ajo u thoshte”Biri im” dhe si të rinj në moshë, që të mos tundoheshin e mëkatonin, mbante në shërbim vetëm dy skllave zezake të shëmtuara, si guzhiniere dhe pastruese.

E pyeti Zefin nëse ishte katolik i devotshëm dhe çfarë simpatish politike kishte: republikane apo ruajaliste. Zefi, I bindur që ajo ishte konservatore ruajaliste, i tha se nuk i interesonte politika dhe besonte Trininë e Shenjtë dhe në birin e zotit Jezu Krishtin. Dona Rakelës i pëlqyen përgjigjet dhe i dha një dhomë në katin e dytë . Dhoma shihte nga jugu, ishte e vogël , me ca orendi të vjetra por e paqme dhe plot dritë. Dona Rakela e përshpirtshme, u kujdes që në komodinë e shtratit të linte të dy librat e biblës:Testamenti i Vjetër dhe të katër Ungjijtë e shenjtë, libri me jetën e shenjtorëve dhe mbi krye të shtratit një litografi me Jezusin në kryq.

Shërbenjsja zezake beter e shëmtuar, që vetëm dhëmbët i zbardhnin, pruri në dhomë një kafaz thurur me shufra druri ku hidhej e lodronte një papagall, kokëkuq e pendë artë me sqepin e kthyer si një gremç,me sy të zez si dy rruaza xhami që bërtiste më zë të çjerrë dhe përsëriste të njëjtat fjalë:mirmëngjes, mirdita, hole!

-E quajnë Pepe, është ca llafazan por shume i zgjuar, mëson shpejt.E solla që ta kesh si shok e të ndash vetminë.Po të kesh dëshirë e durim mund t’i mesosh disa fraza. E varën kafazin në një gozhdë dhe pepe filloi të hidhej e lodronte nga shkopi në lisharës duke cijatur dhe vërshëllyer.

- Ke të dashur?

Pyetja i erdhi e papritur.

- Ende jo. Mos doni të më bëni dhëndërr?

-Po të kesh, atë nuk mund ta sjellësh në pension. Ta them që t’a dish e të mos gabosh.

I rrëfeu dhomën e ngrënies në kat të parë dhe i tha orët kur merreshin vaktet e ushqimit. Dhe në fund e njoftoi se pagesa parapaguhej në ditën e parë të çdo muaji.

***

Ditët përcilleshin me punë, por netët, ah netët!

Vetmi dhe qetësi.

Një qetësi e shurdhër e padurueshme.

Kur e zinte gjumi buisnin ëndërrat.

Shfaqej Angjelina, e hijshme e rrethuar nga një brerore drite që dukej sikur pikonte nga qielli si një vesë e artë, me krahë ëngjëlli që pluskonte pezull në mjegullën si një re e bardhë e tejdukshme.

Bënte t’i afrohej, por këmbët i kishte plumb të rënda, teksa ajo e grishte me nojma të hijshme dhe lëvizje nazike të dorës.

Zgjohej ,ujë në djersë dhe nënkresën qull nga lotët. Kishte mashtruar veten se do ta harronte, por jo, ajo ishte bërë pjesë e qënies e zemrës, e mendimeve që shkonin nga shkonin dhe ktheheshin te ajo dashuri fatkeqe, si zogjtë shtegtarë në fole.

Te dashuria e parë dhe e vetme. Plaga ishte e thellë dhe e hapur. Ofshante e rënkonte sa dridheshin muret.Gjumi mirrte arratinë.

Merrte penën dhe hidhte në letër vuajtjet e shpirtit dhe vegimet që s’i ndaheshin. Ishin elegji që më së shumti tingëllonin si klithje dëshpërimi të pashpresë për një jetë të humbur, që s’e gëzoj dhe atij i mungonte .

Në mjerimin e tij nuk gjente ngushëllim, e pa ‘të nuk mund të jetonte .Por, eh! Ajo kishte zbritur në parajsë, shpirti i saj ishte ngjitur në qiell,me yjet, kurse ai pinte kupat e zeherit, jetonte ferrin tokësor.

Shpesh i ngjallej dhimbja e vjetër e veshit, në kokë i ushtonin zëra të largët, kumbime dhe shumgullime si të dala nga nëndheu, perplasje e suvalave të detit,Ciatjet e pulëbardhave, jo ato s’ishin pulëbardha por shpirtërat e të parëve, që vinin ti kujtonin dheun stërgjyshor, fluturime dhe klithje të shqiponjave. Ishte i bindur se vinin nga nëndheu dhe qielli i Arbërisë, brigjet e Jonit dhe malet e shkrepat arbërore. Arbëria ishte zgjuar, në dheun e të parëve luftohej kundër robërisë dhe turkut mizor që i la pa atdhe. Herë –herë, në prag gjumi, i shfaqeshin vegime, ca mirazhe, që s’dinte as nga i vinin as ku dhe të kujt ishin dhe e kaplonin makthet haluçinante që e dërrmonin. I ngjante se do të delte mënç. O zot! Pse më bën të vuaj? Në mendjen e tij u zgjua mistika, prirja për të kërkuar e zbuluar kumtet që vinin nga i tërfuqishmi. Në një natë, të errët pus, shpërtheu shtërgata. Errësira gëlltiti gjithçka,qytetin, ndërtesat, pemët. I zhytur në terr, zemra e tij u ligështua ndjeu se ishte i vetëm në errësirën e pafund. Era e vrullshme s’ishte erë, por shpirtërat e të vdekurve që s’gjenin prehje dhe turreshin sa andej kendej. Rrufetë si gjarpërinj të zjarrtë çanin terrin. A s’ishin ato ca shkronja misterioze, kod i fshehtë me të cilat hyu u fliste njerëzve, u parashkruante fatet, por që misterin e tyre ata nuk mund të kuptonin? Ndezi qiririn.Më mugëtirën e zbehtësisës së flakës së qiririt që luhatej, i hodhi sytë Jezusit në kryq. Krishti i buzëqeshi. Vërtet apo i bënë sytë?E pa sërish, Jezusi i kryqëzuar jetonte dhimbjen e tij të shenjtë.

Zot, mëshiromë!

I pafuqi për t’ë ringjallur flakën e jetës që dukej sikur po shuhej nga erërat dhe tufanet e të keqes dhe ligësisë, nisi t’i drejtohej Hyjit. Mëshirës hyjnore, që patjetër duhej të ekzistonte, ndryshe ç’e mbante këtë botë që të vidhisej në asgjë? Për të gjetur ngushëllim te vuajtjet në kryq të Jezusit,te mëshira dhe dashuria mëmësore e Shënmarisë, në psalmet e Davidit, lutjet që Davidi-Mbret, djaloshi i bukur që shtriu me një gur hobeje Goliatin gjigand,por që më pas i sulmuar dhe përndjekur nga të tëra anët, nga lakmia e sundimtarëve që i kërkonin jetën, me përgjërim dhe besim të thellë i drejtohej Hyjit dhe i kërkonte dashurinë dhe ndihmën, strehën për ta mbrojtur e shpëtuar nga vuajtjet.Hyji e dëgjoi dhe e vuri të mbretërojë. Dhe ai brohorit Alejula!Lutjet e psalmeve u bënë limani i shpresës për të gjetur shpëtim. Lexonte dhe rilexonte, pastaj nisi të përkthejë në arbërisht disa nga psalmet hyjnore që tingëllonin si nga më të bukurat e poezive, nga që ato kishin devocionin e njeriut të përkushtuar, por edhe bekimin dhe dashurinë e pritshme të Hyjit. Ishin si balsam për shpirtin e tij të munduar e të trazuar. U zhyt në misticizëm. Vetmia e mundonte. I heshtur dhe i vetmuar nga natyra, u bë edhe më i heshtur dhe i vetmuar.

Ishte bërë për të ardhur keq, për tu dhimsur gurëve e drurëve, tejskashmërisht i ndjeshëm dhe nervoz.Nervat e tij ishin ndehur si kordat e harpës, që posa e preknin gishtat e së keqes, tnmgëllonin përzishëm në boshllëkun e parzmit të tij. Zemrës i kishte vënë një gur, por pasha e atij guri e shtypte dhe e fundoste në errësirën ku ndriste vetëm flaka e qiririt të kujtimeve. Ishte udhëtim i mendjes në tjetër botë, në amshim, të mbushur me mistere, ku më kot mundohej të gjente prehje e qetësi.Tek e fundit, ç’ishte jeta, ç’ishte koha për ‘të? Niste me zero, lindja, zmadhohej në një seri vitesh, me nje sërë dramash, aq sa ishte jeta, dhe mbaronte në zero me vdekjen.Nga zero në zero!

Në punë mundohej ta mbante veten që Kostandin Pozito të mos kuptonte gjë për lëngatën e shpirtit të tij.

Po bëheshin muaj që kishte shkelur në Brazil.E ç’kishte arritur? Hiçgjësendi! Kishte që në rininë e hershme, atëhere kur shpirtmbushur me të bukurën, e cila i kumbonte në shpirt si me e madhërishmja muzikë hyjnore, kishte ngarendur në kërkim të dashurisë, të mistikes “lules së kaltër” dhe lumturisë që ajo do ti blatonte.Kur e hasi, më të bukurën vashë të Strigarit, i ndjeu parfumin, dritën hyjnore që i rrezatonin sytë, ëmbëlsinë e fjalës që shqiptonin buzët dhe që atë e robëruan, dora e fatit mizor i ndau përdhunshëm,shpirti i saj shkoi te ëngjëjt, dhe kurmi i saj po tretej nën këtë dhe të huaj. Mbase ishte shpëtimi i saj dhe dënimi i tij. Ai ishte një i dënuar nga fati. Se dashuria e përjetuar, jo vetëm e menduar dhe e ndjerë, por së toku me atë që e dashuron, është edhe lumturi, përndryshe është dëshpërim e fatkeqësi. E tillë ajo qe për të.

Këto përsillte ndër mend Zefi në pagjumësinë e netëve. Por a ishte ky fundi? Jo,i pohoi vetes. Ai ishte veç tridhjet vjeç, lulja e moshës së një burri. I mbeteshin edhe shumë vite për të jetuar. Mbase për të ishin ruajtur edhe ditë të mira, se Zoti është dashuri. Dhe bota është e madhe dhe rrugët e pafundme. E vendosi: ai s’ishte bërë për të qëndruar i ndryrë në kafazin e magazinës së mirbërësit Kostandin Pozito, por për të fluturuar dhe kënduar kangjelat që i gurgullonin në shpirt, për njerëzit dhe tek njerëzit. Ku ta dish, do të ishte ruajtur edhe për të pak gëzim.Se pas natës ka edhe ditë, se pas dimrit ka dhe verë, se jo çdo e keqe vjen për keq dhe jo ç’do e mirë vjen për mirë.E tillë është edhe jeta. Ajo duhet jetuar jo vetëm si ti e dëshiron por edhe ashtu si ajo të vjen.Rruga e tij në kërkim të lumturisë dhe dashurisë nuk ishte permbushur.Mbetej e hapur. Jeta, mendonte ai ishte e çuditshme, edhe koha, edhe hapësira. Po ç’është koha? Një lavjerës që lëviz majtas, në qendër dhe djathtas, kështu pambarimisht.Jetojmë çastin, minuta që ikën është e shkuara, minuta që vjen është e ardhmja dhe mes së shkuarës që ikën, që ishte dhe s’është më, dhe të ardhmes që është e tashme dhe që bëhet e shkuar, njeriu është qëndra e gjithë kohëve dhe lëviz në hapësirën e pafundme.Ai është njëhershe e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.Dy të parat dihen, ato jane jeta e jetuar,e ardhmja është jeta që do të jetohet.Atëhere përpara!

E vendosi: do të shkonte në Rio de Zhaniero

8

Oborri perandorak

Pas disa ditë udhëtimi të lodhshëm shkeli në kryqytet. Gjëja e parë, u kujdes për veshjen, që të ishte e denjë për tu paraqitur në Oborrin Perandorak, ku siç i kishin thënë i jepnin rëndësi dhe çmonin shumë pamjen, paraqitjen dhe sqimës aristokratike.Hyri e doli në shumë shitore, deri sa gjeti me çmim të arsyeshëm veshjet, si thonë, nga koka në këmbë. Duhej të kursente. Rroga e gjashtë muajve që i kishte dhënë Kostandin Pozito, nuk do të mjaftonte për shumë kohë. Zuri vend në një bujtinë të lirë. Bëri një banjë të ngrohtë, u pastrua dhe shkoi te beriberi. Qëlloi një Italian, që si gjithë berberët vdiste nga kënaqësia për biseda e thashetheme. Teksa e rruante, ai foli edhe për oborrin perandorak, për perandorin Dom Pedro II, mbretëreshën e përshpirtshme, Tereza Kristinën, që në popull e quanin “Nënë e brazilianëve”, princeshë nga mbretëria e Dy Siçilive, bijë e Françeskut të parë Burbon.I donte italianët, se ajo kishte qëlluar fatkeqe, se i kishin vdekur që të vegjël dy djemtë që do të ishin trashëgimtarë të fronit, dhe jetonin dy vajza, princeshat, më e madhja Izabela do të trashëgonte fronin perandorak…..Pasi mbaroi, beriberi e parfumoi dhe pudrosi. Zefi u pa në pasqyrë dhe vetja iu duk i ndryshuar: më i pashëm, më i hijshëm, më burrëror. Ja që edhe një berber sido që fjalaman, mund të ishte i dobishëm.

-E po mik, me shëndet e të shkoftë mbarë. Pa shih si u rinove! Mirë se të vish.sa herë të duash që të zbukurohesh, këtu më ke.Hahaha!

Kaluan dit, para se të paraqitej në oborrin perandorak, Zefi I ra kryq ë tërthor kryeqytetit, iu afrua pallatit perandorak, e soditi nga larg, pa ndertesat e Akademisë, bibliotekën, pallatin e teatrit dhe teë operas ndërtuar me stil klasik e barok, ca më tej Institutin Paster të kërkimeve mjekësore.

Perandori Pedro II, i shpallur i tillë që pesë vjeç, flitej se kishte marrë një edukim dhe dituri të shkëlqyer nën kujdesin e filozofit Joze di Andrada.I kishte dalë nami si liberal, dashamir i artit dhe shkencës e për këtë kishte dhënë prova. Në Oborrin perandorak ishin dyndur poetë, piktorë, artistë, kengetarë lirikë , shkrimtarë e dijetarë kryesisht nga Europa por edhe nga vendet e Amerikës së Jugut, që të përfitonin nga mirësia e tij. Aq sa mund të thoshe se Rio de Zhaniero dhe Oborri Perandorak ishin bërë meka e artit dhe shkencës.

Shambellani I oborrit perandorak, me livre, tërë shirita ari dhe argjendi e dekorata që i mbushnin gjoksin, pamje rëndë, fodull e shpërfillës, pa tek po vinte nën percjelljen e oficerit të shërbimit djaloshin e panjohur, elegant, mustaqe të plota, flokët të ndara me vijë në mes dhe ca sy të zgjuar e melankolikë, që e përshëndeti me një përkulje të kokës .

-Zotri, si tju drejtohem? Kont, baron, markez, lord, cili është titulli juaj i fisnikërisë?

Zefit i erdhi e papritur pyetja.

- Asnjera nga këto. Thjesht, don Xhuzepe Serembe.

- Hëm! Mos jeni paraqitur gabim? Në oborr nuk pranohen “Parveny –të[1]”

Zefi e gëlltiti fyerjen, dhe i zgjati shambellanit letrën e rekomandimit nga princesha Helena Gjika, ndryshe e njohur si Dora d’Istria.

Shambellani e hapi zarfin dhe nisi të lexojë. Lexonte dhe herë herë ngrinte kryet dhe kqyrte Zefin, si të donte të bindej se vërtet ishte ai për të cilin Princesha Gjika kishte shkruar atë vlerësim. Palosi letrën.

-Je me fat don Xhuzepe, ne s’kemi si të mos respektojmë rekomandimin e shkëlqesisë së saj princërore. Me çfarë cilsie meritore paraqiteni në oborrin perandorak të dom. Pedro i II-të?

-Si shtetas i Mbreterisë Italiane. Poet lirik, mbledhës folklori dhe studjues.

-Keni bërë emër në vendin tuaj? Dua te them në rrethet letrare italiane.

-Shpresoj që pol E synoj edhe në vendin tuaj.

Shambellani, plotësoi në një regjistër identitetin dhe të tjera të dhëna, pastaj në një biletë kartoni me lustër, me stemë perandorake dhe vulë, shkroi emrin e zefit dhe ia zgjati.

- Merreni don Xhuzepe, me këtë biletë, i keni të hapura tërë dyert. Njëri nga oficerët do t’u shoqërojë dhe rrëfejë se ku dhe si do të vendoseni. Mirë se erdhët, dhe ditën e mirë!

Oficeri para dhe Zefi pas, ecën ndoca dhjetë minuta deri te “Bujtina e miqve”. Aty do të banonte dhe do të hante vaktet. Pastaj ai i rrëfeu teatrin, bibliotekën, ndërtesën e akademisë, që Zefi i kishte parë ditë më parë, por u hoq si i paditur.

Kujdestari i bujtinës, në dukje nopran nga ata që i japin rëndësi vetes dhe presin nderim për shërbimet, e përcolli në dhomë, në katin e dytë. Përshkuan koridorin e gjatë shtruar me qilima dhe u ndalën para dhomës. E vogël, por e mobiluar mirë, veçse me pamje nga veriu, çka e bënte më të freskët por më pak të ndriçuar. I rrëfeu edhe sallën e ngrënies, ku mysafirët merrnin vaktet dhe orët në të cilat shërbehej. Zefi e falnderoj dhe I dha një bakshish.Kujdestari kur pa monedhën në vend të buzëqeshte u ngërdhesh

Zefi shkoi në hotel të merrte valixhet.

Bujtina e miqve ishte si kulla e babelit-mendoi Zefi. Aty flitesh portugalisht, spanjisht,anglisht, italisht, gjermanisht. Në tremen tërë dritë, piktorët kishin hapur kavaletat dhe hidhnin ngjyrat mbi telajo. Dukeshin aq të përthithur mbi punët etyre, sa s’ngrinin kryet të shihnin kush kalonte apo qëndronte për soditje pas tyre. Nga dritaret e hapura të dhomave, tenorët lirikë këndonin kantilenat e tyre, ndërsa në udhëzat e hijeshuara me palma ,artistët dramatikë duke shëtitur, si dikur Sokrati, deklamonin monologët e roleve të tyre që shpresonin t’i luanin në Teatrin Imperial. Poetë bohemë, ca flokëgjatë ëndrrimtarë, recitonin para njeri-tjetrit, me emfazë e si të fantaksur, gjithkush në gjuhën e tij, krijimet e tyre të fundit.

Dielli ndrinte sat ë merrte sytë, vapa e padurueshme, ajri i ngarkuar me lagështi krijonte zagushi të sikletshme. Zefi, I veshur me këmishë tropikale mëngëshkurtër, me ngjyrë të ndezur e vizatime palmash, me pantallona lino e sandale të lehta, me kashtore strehëgjerë në krye, u vu në udhë për të njohur qytetin. Dhe qyteti i shte i magjishëm,Ngritur në buzë lagunave, gjireve dhe bregut të oqeanit, me ca kodra të habitshme si të bëra me dorë, i zhytur në dritë e gjelbërim.Ai shkoi në plazhet: që gjendeshin në tëkatër anët e qytetit: Barra Tijuka,Kapokabana, Ipanema dhe Libion. I la mbresë Kapokabana, në breg të oqeanit, me rere te bardhë që ndrinte në diell me reflekse kristali, katër kilometra I gjatë.Ai e përshkoi fund e krye, por i veshur, mes gjindjes që bënte banja, iu duk vetja si dhija mes dhenve.

Ecte dhe ecte. Ai ishte udhëtar i përjetshëm, të ecurit ishte jetë, lëvizje. Ecte dhe mendonte e meditonte.Në shpirt e mendje gurgullonin vargjet e kangjelave, i punonte ethshëm imagjinata, gërmonte në unin e tij dhe përpiqej të kuptonte ç’farë vendi zinte ai mes njerëzve dhe në këtë jetë? Ecte dhe ecte, përditë. Në qëndrën historike të Rios, ngrihej pallati madhështor San Kristovavo, rezidenca e perandorit, ndërtuar me stilin e rilindjes italiane, i rrethuar nga parku i zhytur në lule dhe gjelbërim. Në qendër të qytetit ishin:Akademia Mbretërore e Arteve , Shkolla Mbretërore e Shkencës, Akademia Militare, universiteti dhe Biblioteka Kombëtare e Brazilit. Nga kishat e shumta, i la mbresa të veçanta katedralia Kandelaria, madhështore, e ndërtuar me stil gotik. Në portin e mbushur me anije oqeanike, lulëzonte tregëtia e skllevërve dhe Rio u bë porti më i madh I tregëtisë së skllevërve. Thoshin se numri i tyre në qytet dhe rrethinat arrinte në mbi dyqind e pesëdhjetë mijë!Rastisi kur në port nga një anije portugeze po zbrisnin në bankinën e portit skllevërit afrikanë.Të lidhur me vargonj, të zhveshur, të sfilitur, që memzi hidhnin këmbët. Kujdestarët me kamzhikë i grahnin sit ë ishin bagëti.Rrëzoheshin, ngriheshin dhe zvarriseshin këmbëzbathur. Zefi ndjeu në shpirt një angështi tronditëse, iu duk sikur qielli iu përmbys mbi krye dhe në ajr i ngjau se dëgjonte ushtimën e muzikës drithëruese ” Vai pensiero” të Verdit.

Lagjet periferike, bënin kontrast të thellë ne qendrën dhe lagjet e pasunarëve. Mbushur me Baraka dhe kasolle, jetonin ish skllevër që kishin fituar lirinë pas pjemarrjes në luftën e Uruguait dhe fatkeqë të tjerë, kryesisht aziatikë. Të mbyste pisllëku dhe varfëria e pranishme gjithandej nga fëmijët e zhveshur, lipsarët dhe pleqtë e rrënuar e të gërmuqur. Për Zefin u bë e qartë: begatia dhe lulzimi i këtij vendi dhe i gjithë perandorisë, ngrihej mbi djersën dhe gjakun e skllevërve. Portugezët, i gjuanin ata si kafshët e egra , i lidhnin këmbë e duar dhe I sillnin në portin e Rios dhe San Paolos. I këmbenin veç me flori. Ari i zi me arin e ndritshëm! Gjuetia dhe skllavëria e njerëzve. Kjo ishte një njollë turpi për botën kristiane, që Zefi ky dashnor i zjarrtë i lirisë, nuk mund t’a pranonte.

Ditë të tëra Ia kushtoi bibliotekës. Gazetat e ditës, sidomos ato të opozitës liberale, ishin mbushur me lajme për korrupsionin qeveritar, për milionat e vjedhura, varfërinë dhe prostitucionin, artikuj që dënonin dhe bënin thirjje për,abolicionizëm, heqjen e skllavërisë. Pasta jai u zhyt në leximin e poezisë së bukur romantike të Viktor Hygoit dhe Bajronit, gjeti aty Baudlerin, Rembo dhe Edgar Allan Poe, Gëten, Balzakun,por edhe klasikë spanjollë Lope de Vegan, Servantesin, nga italianët Danten, Leopardin. Sa më shumë lexonte, aq më shumë nisi të dyshonte në talentin dhe krijimet e veta. A ishte ai vertet një poet i ndjenjave të thella, me shpirt lirik dhe filozofik, që të prekte ndjenjat e lexuesve dhe të pëlqehej prej tyre? Një pyetje, që e grryente përbrenda si krimbi drurin, që ai ia bënte shpesh vetes,por që s’gjente përgjigje.Natyrisht, këtë duhej ta thoshin të tjerët, qofshin ata lexues, por ai ende s’kishte botuar një libër me kangjelat e tij, apo dëgjues, kur ai recitonte poezitë e tij në vendlindje apo katundet arbëreshe.

* * *

Me rastin e ditlindjes së princeshës Isabela, oborri perandorak jepte një ballo në pallatin Shën Kristovavo. Do të ishin të pranishëm edhe Perandori dom.Pedro II dhe mbretëresha Tereza Kristina. Ishin të ftuar edhe mysafirët e “ Shtëpisë së miqve”. Zefi u kujdes për veshjen, që të ishte e denjë për ate rast, shkoi në një dyqan që jepte veshje me qira: frak I zi, jelek kadife, këmishë e bardhë, kravatë flutur dhe gjithçka tjetër.Dorën e fundit ia dha beriberi. U pa gjat në pasqyrë. iu duk vetja si dikush tjetër, elegant dhe sqimatar.

Pallati imperial, San Kristovavo, ishte madhështor, mermer alabaster dhe bronz, me tri kate dhe tri korpuse: dy anësore dhe një në qendër. I gjendur në parkun tropical, mes blerimit, nga ndriçimi i fortë ngjante si një ishull drite. Në oborrin e hijeshuar me shatrivanë dhe statuja mermeri të nimfave dhe faunëve, vinin e shkonin pajtonët dhe prej tyre, zbrisnin zonjat dhe zotrinjtë që shkëlqenin nga luksi, e që linin pas amzën e parfumeve delikate. Zefit i hoqën udhën për në katin e dytë. Salla e madhe, llapste e ndrinte nga llampadarët e shumtë. Në pjesën ballore ,portreti impozant i perandorit. Në muret anësore, piktura me pamje ekzotike dhe skena gjahu. Ulëset, ishin vendosur anës mureve. Luzma e të ftuarve s’kish të sosur. Me pamje të hareshme por edhe atë lustrën e rëndesës aristokratike dhe të rangut shoqëror që i përkisnin. Shquheshin gratë për bukurinë finesën dhe elegancën, gjerdanët e artë me perla dhe diamante, mëndafshin e fustaneve dhe me atë koketërinë aristokratike të vështrimeve. Oficerët dhe gjeneralët me uniforma parade, spaleta të arta dhe gjokset mbushur me dekorata.

Zefi zuri vend, bashkë me nje piktor flamand në ulëset anësore të sallës. Mes të ftuarve, lëviznin kamerierët që shërbenin shampanjë dhe pije sipas dëshirës.Pritej të vinte familja imperiale. Më në fund, maxhordomi shpalli me sa zë kishte: Madhëria e tij dom.Pedro i II-të, me hirin e zotit Perandor i Brazilit,princesha e mbretërisë së dy Siçilive Tereza Kristina, imperatoreshë e Brazilit,infantja, princesha Isabela….

Salla ra në heshtje. Gjindja u përul hijshëm, kokat e pakurorëzuara u përulën para të kurorëzuarave, pastaj duartrokitjet mirseardhën shkëlqesitë e tyre. Kur perandori dhe familja zunë vend në fronet me stemën perandorake, ai në qendër, dhe anash dy princeshat, Zefi pati kohë t’i vërente me kujdes. Në atë kohë, perandori sapo kishte shkelur në të dyzet e tetat.Shtat mbimesatar ,trup të lidhur mirë, tipare të rregullta, ballëlartë, me mjekër dhe mustaqe të plota që kishin nisur të thinjeshin. Hunda e drejtë, sy të kthiellët e të qeshur. Flokët të grynjta, të krehura anash, edhe ato me fijet e argjendta te thinjave. Ishte veshur me uniformën ngjyrë blu të Admiralit, spaletat me thekë të arta, ne gjoks një dekoratë të vetme, atë të ”Imperial Ordem Pedro Primero[2]”. Princesha Terza Kristina, imperatoresha, bija e Françeskut të Parë, mbret i Dy Siçilive,kishte nisur të plakej para kohe.Me fytyrë paksa si të buavitur, sy të fryrë, e trashur në trup dhe me një palë nën gushë, kishte vënë mbi krye një diademë me diamante që rrëzëllenin nën dritat e forta, por që s’i jepnin shkëlqim. Katolike e devotshme, gëzonte famën e bamirëses, aq sa e quanin “Nënë e brazilianëve”. Princesha Isabela, eveshur e tëra me mëndafsh të trëndafiltë, me hir e dritësim mbretëror, ishte një vashë e rritur me bukuri në lulëzim.

U mbajtën fjalime urimi, u ngritën dolli, poetët e oborrit deklamuan poezi e ditirambe kushtuar princeshës, trashëgimtare e fronit. Në ndërkohë,Zefi i bënte vetes pyetjen: përse jam unë këtu, poeti arbëresh nga Strigari, i pasur në poezi, i varfër në pasuri? Duhet të lumturohem apo mjerohem? Një perandor në dukje i dashur, dhe liberal, i një vendi që mban nën vargonj një million e gjysëm skllevër, që krijojnë me gjak e jetën e tyre, begatinë dhe pasurinë e këtij vendi, të kësaj kaste aristokratike, që me ferrin e skllavërisë ndërton parajsën e saj tokësore.Me ministra dhe dinjitarë të korruptuar. A duhet të gjëndej në këtë sallë madhështore, me imperatoreshën Tereza Kristina, burbone,(ah si s’mu ndanë këta burbonë),bijë e mbretit të Dy Siçilive, gjakatarit që shtypi me gjak e zjarr kryengritjen për liri të 1848-, që e dënuan me vdekje të atin Mikelanxholo dhe e detyruan të merrte arratinë pyjeve dhe maleve të Kalbrisë, vranë barbarisht ungjin Vinçenco Vinaçin, që kishte mbetur e vetmja mbështetje për të. Ishin këta burbonë që zhytën familjen e tij në skamje e mjerim. A s’ishin këto arsye të mjaftueshme që t’a ndjente, se ishte i tepërt në këtë suare imperiale, në një gëzim e festim që s’ishte i tiji? Këto ishte duke përsjellë ndër mend Zefi, kur ndërkohë kishte filluar vallzimi. Pas kadrilit, ku çiftet, si ne një shfaqje, me lëvizje të hijshme elegante dhe sjellje të rafinuar rrëfenin klasin e vet, orkestra filloi të luante valset vjeneze qe ne atë kohë ishin në modë. Në rrotullimet marramendëse flatronin fustanet e mendafshta, ca buzëqeshje joshëse, sy të dritësuar gëzueshëm, shkëlqimi i arit dhe diamanteve, gjithçka në harmoni me melodinë e hareshme festive, si një ode e gëzimit. Familja imperiale sodiste nga froni i saj olimpik. Dukej e vetkënaqur me pushtetin dhe begatinë.

Teksa ai, mjerohej e nuk lumturohej.

Zefi dhe ca të tjerë të pakët, kishin mbetur në ulëset e tyre, të sikletosur, e të ndjerë si të tepërt, gjerbnin shampanjë dhe soditnin me mërzi gjindjen.

* * *

Dona Tereza Eliza katerina d’Andrade, edhe ajo e mbetur e vetme pa kavalier, i hodhi sytë nga ulëset përballë. I ra në sy djaloshi i hijshëm, me pamje burrërore, të trishtur, në dukje i pa vemendshëm përçka ndodhte rrotull, si të mos ishte pjesë e asaj gjindje gazmore.Tinzare dhe ngashnjyese, e bindur për bukurinë dhe sharmin që buronte sish, do të provonte ta nxirte nga apatia, dhe pastaj ku ta dish, me sjelljen e saj lojcake, të provonte të zgjonte brënda tij atë zjarminë gjallëruese, që djaloshi ta lakmonte. Ishte arti i saj që ti tundonte dhe magjepste burrat. Ishte një nga kënaqësitë e saj, për të mbushur boshësinë e mërzitshme të jetës. Një bast i vënë me veten, për të mposhtur krenarinë mashkullore, për t’I përdorur e pastaj përbuzur. Pa ta shohim, mendoi ajo, a do ti qëndrojë ai grishjes dhe sharmit të koketërisë së saj? Me hapa të vegjël, të lehtë, nazike, duke dredhur belin e dallgëzuar të pasmet dhe gjoksin e bukur, u gjend para tij. Djaloshi ngriti kryet. Para tij gjendej një grua afërsisht në moshën e tij, me bukuri prej kreoleje, flokët e zeza i lëshonin reflekse mavi, teksa dekolteja e hapur linte të dukeshin fillesat e gjokseve. Shikimi i saj zhbirues i ngulitur mbi të, me atë dritë lojcake, nuk i pëlqeu. As ajo buzëqeshja shpotitëse në çipat e buzëve, grishëse por edhe mëshiruese.E shihte si t’a njihte prej kohësh.Ç’kërkonte ajo prej tij?

-Përshëndetje.- I foli në portugalisht. Zëri ishte kumbues e me ngjyresa lozonjare.

Zefi iu përgjigj frëngjisht. Edhe ajo ia ktheu në atë gjuhë dhe e ftoi në vallzim.Ai i tha se i vinte keq t’i refuzonte fteses së një dame aq të hijshme por ai nuk vallëzonte. Ajo u çmerit,dhe i kërkoi të ulej pranë tij, dhe pa pritur pëlqim u ul.

- Tereza Eliza Katerina d’Andrade,-u paraqit ajo.

- Xhuzepe Mikelanxholo Serembe.

- Jeni i huaj?

- Po. Vij nga Italia.

- Më pëlqejnë italianët, janë gazmorë dhe keni muzikë të bukur. Këto kohë, janë të shumtë bashkatdhetarët tuaj , që po emigrojnë në vendin tonë.

Pasi heshti pak, i tha se këto suare i kishin ardhur në majë të hundës dhe se ishte aty, vetëm për t’I bërë hatrin atit të saj, si trashëgimtare, që ishte nga fisnikëria e vjetër oborrtare.

Pa pra ajo bënte fresk me erashkë.

-Po më zihet fryma, a mund të më bësh shoqëri për një shëtitje në parkun e pallatit?

Zefi pranoi se edhe atij po i rëndej ajo atmosferë.

U ulën në njërin nga stolat, nën kurorat e palmave.Nata ishte e qetë, qielli pa re, i larzuar nga yjet, derdhte vesën e dritës së artë. Frynte fllad i lehtë që shpërndante aromën e jaseminit. Gjysmë muzgu,zbehte pamjet e tyre dhe mbulonte me mister fshehtësinë pas drurëve dhe shkurreve të parkut.

-Pse vetëm, nuk jeni i martuar?

-Ende jo.

- Keni të dashur?

- Kisha.

- Ju ka braktisur.Se braktisja dhe tradhëtia janë vese femrore?

- Jo.Shkoi me ëngjëjt.

- Më vjen keq. Ngushëllime.

- Faleminderit, por humbje të tilla nuk gjejnë ngushëllim.

-Po ti?

-Edhe imi iku.Por jo me ëngjëjt, me djajtë!Pres te vijë tjetri, dhe më duket se e gjeta!

Ajo iu afrua më pranë dhe puqi kofshën me të tijën e i shtrëngoi dorën.

- Duket që e ke dashur shumë.Ç’bën në jetë?

- Jam poet.Shkruaj poezi. Ju lexoni poezi?

- Lexoj. Por ,të gjithë i këndojnë dashurisë, aq sa më kanë velur dhe thuajse tashmë nuk lexoj më se e di se çfare do të thonë. Jane katandisur në ca qaramanë. Ti shkruan vargje për dashurinë?

- Edhe shkruaj.

- Jo si poet, por si njeri, si burrë, si mashkull-ajo i mëshoj fort fjalës mashkull-mund të më thuash se ç’farë është për ty dashuria?

Zefi nuk u përgjegj menjëherë, iu desh të mendohej, cila do të ishte përgjigja që do ta pranonte kjo femër kapriçioze? Ajo priste.

- Është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë njeriut, ndjesia më e bukur që pushton shpirtin.Është e madhërishme si vetë jeta.Dashuria është kuptim dhe një nga motivet e jetës, pa të cilën njeriu s’ka pse të jetojë.Por dashuria nuk sjell vetëm lumturi, por edhe pikëllim e vuajtje, kur nuk realizohet ose ndërpritet nga fatkeqësitë. Në biblën e shenjtë a nuk thuhet se Zoti është dashuri? Dhe duajeni njëri –tjetrin dhe shumohuni?

Ajo qeshi, ishte një e qeshur gurgulluese, si njëfar përqeshje.

- Prisja të përgjigjeshe si poet dhe ashtu e nise, por e mbylle si prift! Doktorët e kishës, miku im i ri, kanë dy mijë vjet që na mashtrojnë. Shprehja duajeni njëri-tjetrin, nuk ka te bejë fare, po hiç fare, me dashurinë për të afërmin apo njerëzimin. Ajo thjesht është që burri të dojë gruan dhe gruaja burrin. Por përse duhet ta dojë? Që të shumohen. Por si do të shumohen? Duke bërë seks. Seksi, me kohë bëhet I neveritshëm dhe e vdes dashurinë. Dashuria s’është veçse një grackë,hile tinzare e natyrës, veçse një grishje për seks, që të shtohen njerëzia. Kaq e thjeshtë dhe kaq vulgare!

Zefi u mat ta kundërshtonte por ajo nuk e la dhe vijoi:

- Dashuria, nuk është as lumturi as liri. Të lidhesh në dashuri të përjetshme, qoftë për burrin apo gruan, është të skllavërosh ndjenjat, ta burgosësh dashurinë, të humbësh gëzimet që të jep jeta e lirë me mundësitë për të dashur pafundësisht. Unë jam për dashuri të lirë, apsolute. Mund të duket metafizike, por ti si poet duhet të më kuptosh.E përfytyroj veten si një buqetë trëndafilësh, aroma e të cilës shpërndahet dhe pushton hapsirën, ajo aromë është dashuria ime që prek zemrat e meshkujve, i bën ata të më kërkojnë dhe të më duan. Ashtu siç kërkon bleta mjaltin nëpër lule. E dashur dhe e dëshiruar për gjithkënd. Ti, a e ndjen këtë aromë?

- E vërtetë, e ndjei.

-Dhe nuk të ngjallet thellë në shpirt dëshira të më duash dhe të bësh dashuri me mua? Por kjo s’varet vetëm nga ty.Që të bësh dashuri duhen dy veta.

Duhet që edhe unë të dua. Kjo është liria! Natyrisht, duhet guxim ta pohosh,

e ca më shumë edhe të veprosh!Ikën mosha,dashuria mbetet si një kujtim i vagullt. Më pas vjen vdekja. Edhe vdekjen e dua të jetë apsolute. Nga mua të mos mbetet asgjë. Të ma djegin trupin dhe hirin ta shpërndajnë në oqean, që askush, kushedi për çfarë trilli, t’i teket të mi trazojë eshtrat e mia, siç trazojnë ato mumjet mijëra vjeëare në piramidat e egjyptit.

Heshtje. Zefi mbeti pa fjalë. Ajo ia nguli vështrimin për të kuptuar se çfarë përshtypjesh i kishin bërë djaloshit fjalët e saj, por në atë gjysmë ndriçimi nuk mundi ta dallonte. U ngritën.

-I shkreti ti!- tha dhe psherëtiu-Mos pandeh se vetëm unë e mendoj kësisoj, janë të shumta ato femra,që dëshirojnë dashurinë e lire dhe orgjitë seksuale, por nuk guxojnë dhe hiqen si të virtytshme e të përdëllyera, teksa përbrenda përvëlohen nga zjarri për lirinë seksuale dhe presin veç rastin!

Festa kishte mbaruar.Të ftuarit po delnin. Dona Tereza, i shkoi krahun Zefit dhe u drejtua për aty ku e priste karroca. Kur mbritën, ajo e pyeti:

- Po të kem dëshirë të të gjej, ku duhet të të kërkoj?

-Në Bujtinën e Miqve.

Ajo e puthi nëfaqe, hipi në karrocë dhe u nis duke lënë pas atë aromën e trëndafilit. Zefi i tronditur, e përcolli gjatë me sy.

* * *

Romancë dashurie?

Aventurë?

Pak nga e para, më së shumti edyta. Dona Tereza u dha pas tij ditë të tëra. Shëtitën me karrocë, shkuan në opera, ku familja d’Andrade kishte lozhën e saj për të parë Traviatën. U thekën dhe notuan në plazhin e Kopokabanës, ishin dit marramendëse ku ajo sillej si një çupëlinë me sjellje çapkëne e ngasëse dhe Zefi, si padashje u përfshi në trillet e saj të çuditshme.

Në njerën nga ditët, ajo dërgoi karrocën dhe ngasi i karrocës Panço, i tha se zonjusha e priste në axiendën “Paradiso”. Udhëtuan për më shumë se një orë në fushëtirën pa anë e fund, kur u shfaq mes blerimit vila, një bungaloë e tip[it colonial, që kuqëlonte nga pullazi me tjegulla të kuqe, dhe më tej fushat me pambuk dhe kallamsheqeri.

Ajo e priti në hyrje të bungalos, nën hijen e tendës së bungevilës[3]. Ishte veshur si kalorëse. Mbi krye një kapele tip sombrero meksikan, xhaketë e shkurtër e bardhë e ngushtë në bel, dekolteja e hapur e bluzës linte ti dukeshin fillesat e sisëve të bukura si mollë, pantallona të ngushta blu dhe çisme kamoshi të butë. Në dorë mbante nje shkop palme të veshur me lëkurë. Ishte vetë bukuria që kishte dalë ta priste. I dha dorën e stolisur me unaza, ai ia puthi.Përhapte atë parfumin këndellës të trëndafilit.

I uroj mirseardhjen në axiendën[4]Paradiso dhe e gostiti melëng portokalli të ftohtë.E pa me ngulm në sy, ashtu siç dinte të shikonte vetëm ajo, një buzëqeshje premtuese, pastaj i dha krahun dhe e ftoi të bënin një shëtitje në plantacionet që ai të shihte pasurinë dhe begatinë e saj.Ishte trashëgimtare e vetme.

Fusha ishte e ndarë në dy pjesë, në mes i ndante udha. Në të djathtë harlisej në gjelbërim deti I kallam sheqerit që ende si kishte arritur koha për t’u korrur, në të majtë ishin fushat që zbardhnin nga pambuku i çelur. Mes bardhësisë së pambukut nxinin fytyrat e sklleverve afrikanë, që duke vjelë, këndonin ato këngët e trishtuara për fatin e tyre të mjerë, këngë që Zefi i kishte dëgjuar edhe në plantacionet e kafes, në Parraiba Vales, të San Paolos.

-Janë skllevërit tanë. Kemi njëqind frymë. Fati i ka dënuar të punojnë për ne. E tillë është bota: ca urdhërojnë, të tjerë punojnë. Ata si llogaritim si njerëz, janë thjesht vegla, kafshë pune. - I shprehte këto fjalë pa asnjë keqardhje, bile me nje far krenarie.

Zefin e tronditën fjalët e saj: kaqë e re, kaqë e bukur, dhe kaqë mizore në shpirt!Ai midis lirisë dhe jetës vinte shenjën e barazisë.Jeta pa liri ishte si vdekja, jetë e pajetuar. E gjithë pasuria e këtij vendi, krijohej e ngrihej nga puna djersa , e pse jo edhe nga gjsku i atyre fatkeqëve që i kishin sjellë nga brigjet e Afrikës, të lidhur me vargonj në hambarët e anijeve dhe i kishin shitur si bagëti në tregjet e skllevërve. Tmerr dhe turp.

-Njerëzit, pavarësisht nga raca , ngjyra apo gjendja shoqërore, si krijesa të tërëfuqishmit, lindin të lirë dhe kanë të drejtë të jetojnë të lirë.

-Flet si abolicionist[5]. Kush lind nga skllav, është bir skllavi.Pastaj, miku im, skllavëria nuk është shpikja jonë, ajo është më shumë se tri mijë vjet e njohur.

Zefi heshti. Ishte e kotë të diskutonte me të për atë temë për të cilën ajo kishte mendim të prerë. Ecën deri në fund të rrugës. Ajo mbështetej në krahun e tij dhe sillej me dashuri, sit ë ishte një çupëlinë lozonjare. Bënte shaka, e ngacmonte dhe qeshte hareshëm. Pas fushave me pambuk, ishin arat me duhan gjethemadh nga i cili fabrikoheshin purot që eksportoheshin në Europë. Edhe atje skllavet zezake vilnin dhe mbushnin kanistrat me gjethet e duhanit

Hipën në karrocën që i ndiqte pas dhe u kthyen në vilë. U ulën nën hijen e pjergullores.Shërbenjësja zezake, e re dhe me bukurinë e spikatur të racës së saj, u shërbeu fruta, verë të bardhë dhe biskota shtëpie. Dona Terza u ngrit.

-Për pak po të le vetëm.Nuk do të mërzitesh? Po bëj një dush që të freskohem dhe shplaj pluhurin. E pa në sy, një shikim dëshirues, dhe me cape nazike beri tutje duke kthyer herë pas here kokën pas për t’i dhuruar buzëqeshje.

Zefi , i trubulluar nga sjellja e saj lozonjare, mbeti vetëm.Pyeti veten: të ishte ky një fillim dashurie, që po trokiste në dyert e zemrës së tij të shumëvuajtur, për të harruar të shkuarën e palumtur dhe hapur një faqe të re? Nga kafazet vinte kënga e kanarinave dhe thirrjet çjerrëse e përqeshëse e papagallëve.Dyshues, ju kujtuan disa vargje që dikur i kishte lexuar e që i shkonin përshtat mikpritëses së tij: E bukur si ëngjëll qiellor/ e keqe në shpirt si demon.

Dona Tereza doli nga banja, veshur me një penjuar të kaltër, pa asgjë tjetër në trup.Ujvara e flokëve të zez, me pikla uji i derdhej mbi supe e shpatulla.Një rreze dielli që depërtonte nga lart, bënte që piklat e ujit të shndrinin dhe flokët sikur do ti merrnin flakë. Ajoe kapi për dore dhe i tha të çohej. E tërhoqi nëkoridor drejt dhomave. Në mes të koridorit u ndal. E pa drejt në sy. Ai u skuq i tëri. E tërhoqi drejt vetes. Pa pritur, I kërkoi buzët dhe e puthi.Ishte puthje pasionante, e zjarrtë, epshore, fërgëlluese. I strëngoi fort buzët që t’ia hapte dhe kërkoj me babëzi gjuhën dhe hapsirën e gojës. Pastaj flaku nga supet penjuarin dhe mbeti krejt e zhveshur si e derdhur në mermer si afërdita.

-Dua të bëj dashuri me ty. Dua tani, menjëherë!- e shtyu drejt dhomës së gjumit, me buzët ngjeshur më të tijat dhe me duart që i dridheshin nga padurimi nisi ta zhveshë. Aroma e trëndafiltë e trupit të zhveshur dhe zjarrmia e dalldia e saj ishin trallisëse dhe të parezistueshme Ai iu dorëzua trillit të saj pasionant. Dhe seksi ishte i vrullshëm, ajo bëri me të ashtu si deshi, thuajse nuk u puthën, ajo rënkoi e dihati në ekstazë. Pasi u shkëputën, frymëmerrnin e s’nginjeshin me frymë. Pastaj ajo iu rikthye sërish.

-Dua prapë! A mundesh?

Kurmet e zhveshur u kapërthyen dhe serish përjetuan ekstazën e thellë, tronditëse por edhe prehëse.

Dielli kishte nisur të zbriste drejt perëndimit. Ishte koha që Zefi të kthehej në Rio. Dona Tereza,kur do ta përcillte, mori pamjen sikur midis tyre të mos kishte ndodhur asgjë.Vështrimi ishte i ftohtë thuajse përçmues, dhe në fytyrën e bukur ishte fshirë buzqeshja.

E adesso basta!La scommessa e vinta![6]–tha italisht e pastaj, frëngjisht,-Basti që kasha vënë me veten,u fitua.

Zefi e pa me habi.

- Cili ishte basti?

-Don Serembe. Harroje atë që ndodhi. Ti s’më ke njohur kurrë. Zere se ky ishte një vegim. E mora atë që desha, por edhe ti, ndjeve aromën e asaj buqete me trëndafila, që kërkon dashurinë apsolute,në hapsirat e pafund, si një ëndërr, kalimtare e të pa përsëritshme.

Zefit i hëngri shuplaka.Ajo e meritonte një flakërimë në fytyrën e saj të bukur por demoniake. E mbajti veten.

- Si kështu? Përse më zgjodhe pikërisht mua?Ti më përdore për një trill tëndin dhe tani, paturpësisht më poshtëron?

- Se ti ishe ndryshe nga të tjerët.Ata kavaljerët e sheqerosur e paburrëri.

Heshtje.Ca më pas:

- Ka edhe më.E pse ndjehesh i poshtëruar? Si burrë, si mashkull, rrëfeve se ti s’je i paqënë. Kjo nuk mjafton. Ne na ndan një hendek i thellë. Gjaku dhe prejardhja ime fisnike, nuk mund të rrinë bashkë me një që hiqet si poet e që nën lekurë i lexohet prejardhja e tij e mjerë prej fshatari italian. Është si të bësh bashkë ujin dhe zjarrin.Kjo s’bëhet. Adio dhe paç fat.

Zefi ndjeu t’i ziente përbrenda vullkani i zemërimit. Ajo ,që e dinte se ç’është të poshtërosh një burrë, nuk i la kohë:

-Panço, Don Serembe do te kthehet ne Rio. Përcille.

Iku pa thënë asgjë tjetër, teksa Panço solli karrocën dhe e ftoi pasagjerin e tij të zinte vend.

* * *

U bënë dit që ai u mbyll në dhomë. Se donte veten. E kishte përdorur një damë e aristokracisë për trillet e saj, për ta bërë viktimën e mendimeve të çoroditura, që ajo kishte për jetën dhe dashurinë.Kishte luajtur tinëzisht me të, si macja me miun dhe,në fund e kishte poshtëruar në krenarinë e tij.E kishte flakur si limonin e shtrydhur.Për aq i ishte dashur. Me gjëndje shpirtërore të rënduar, nerva acaruar, me vizione dhe vegime apokaliptike, vazhdoi të hidhte vargje në poemën e filluar prej kohësh” Njeriu në skenën e universit”, një përzjerje e reales me irealen dhe metafizikën.

Ç’të bënte?

Të gjente një punë.Paratë po mbaroheshin.U mendua gjatë.Ai nuk mund të shiste krahun e punës nëpër plantacione.Ishte poet. Kishte vetëdijen dhe besonte se tok me të, kishte lindur edhe talenti i poetit, këngëtarit. Poezia ishte brenda tij si kënga Brenda zogut. Kishte ardhur në jetë që të kryente një mission të madh, të nderuar, për te ndriçuar e ngazëllyer mendjet e njerëzve. Bëri një kërkesë në Ministrinë e Kulturës, për ta punësuar në Bibliotekën Kombëtare. Pas një jave që iu duk si vit, erdhi një lajmës që i kumtoi se e priste shkëlqesia e tij sekretari I përgjithshëm I ministrit, konti Kabaliero.

Zefi u prit në orën dhe ditën që i ishte kumtuar.

Konti nuk e ftoi të ulej. Nga kolltuku prapa skrivanisë së rëndë, e shqyrtoi lutësin si të donte të dinte vlerën e tij. Ca më pas, teksa Zefi ishte në pritje,i tha se e kishte shqyrtuar kërkesën e tij, e vlerësonte njohjen e gjuhëve të huaja, por për fatin e tij të keq, në Bibliotekën Kombëtare, nuk kishte asnjë vakancë.Pasi pa zhgënjimin në pamjen e vizitorit të tij, me buzëqeshje cinike në cepat e buzëve që ia mbulonin mustaqet, i tha:

-Don Serembe.Keni ardhur në kohëne gabuar. Perandoria jonë dhe Oborri Perandorak i ka me të tepërt poetët. Mjaftojnë e teprojnë. Tashmë këtij vendi i nevoiten punëtorë bujqësie dhe jo poetë. Sido qoftë, perandoria jonë është e madhe, kërkojeni gjetk fatin tuaj.

Kaqë.Portat ishin gjithandej të mbyllura.Vërtet, mendoi ai, kishte ardhur në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Brazili s’ishte Eldorado, por perandori skllavopronarësh dhe emigrantësh, ndër ta edhe bashkatdhetarë të tij, që derdhnin djersën në fushat e plantatorëve, e që në vend te parajsës së premtuar jetonin ferrin e shfrytëzimit.

E vendosi: do të kthehej në Itali, në shtëpi, në Strigari. Edhe atje, ai e dinte që do ta ndjente veten si luani i mbyllur në kafaz, i vetmuar por edhe i pakuptuar dhe vlerësuar nga bashkvendësit e vet. Por si thoshte një fjalë e urtë arbëreshe:”Bukë e hi, por në shtëpi”Ky të ishte vallë fati i poetëve? Numëroi paratë. Mjaftonin sa për të paguar rrugën dhe pakogjë për tu blerë nga një dhuratë familjarëve të tij. Bëri gati placket dhe në një torbë dorëshkrimet me kangjela, perkthimin e psalmeve dhe poemën e nisur port ë pa përfunduar.

Ishte shtator, në Europë tashmë kishte hyrë vjeshta e parë dhe nisnin tëftohtat.U kujdes të blinte një pelerinë dhe setër.

Në portin e madh të Rios, mbushur me avullore që rrihnin oqeanet, në zyrën e pajtimeve, I thanë se për në Europë, pas dy ditësh, nisej Avullorja “Normandia” për në skelën e Marsejës në Francë. Për në Napoli, tërë atë muaj s’kishte udhëtime. Pas dy ditësh, avullorja “Normandia” që nxirte shtëllunga tymi të zi nga oxhakët, ishte afruar te bankina. Zefi hipi në të.

I gjithi ai vit që po linte pas, ishte një zhgënjim.

Prolog

Arkimandriti i kishës së ritit biznatin ” Tërëshenjtës Anunciatë”në Livorno, imzot Dhimitër Kamarda , mbeti i tronditur nga letra që sapo lexoi dhe e uli mbi tryezën e shkrimit. E dërgonte Zef Serembe,poeti arbëresh nga Strigari,që ai e njihte mire dhe ja vlerësonte talentin. E mori dhe nisi ta lexonte sërish. Nga ajo letër pikonte dhimbje, dëshpërim, ishte si një klithje fatkeqe për mundimet dhe prapësitë që e ndiqnin e si ndaheshin në jetë, të cilat iu qepën pas edhe në Brazilin e largët. Shkruante se nga shkaku i ndëshkimeve të tmerrshme që i kishte dhënë jeta dhe perëndia, me ngutjen më të madhe e kishte lashë Brazilin, për t’u kthyer në vendlindje. Pas njëlundrimi tëgjatë në oqean, në mesnatë kishte zbritur në Marsejë dhe ashtu të lodhur e kishte zenë gjumi në sallën e portit të udhëtarëve. Kur u zgjua, pa e ndjerë, pa se i kishin vjedhur paratë dhe valixhen. I kishte mbetur vetëm trasta e dorëshkrimeve. Në pamundësi për të paguar udhëtimin, kishte marrë rrugën në këmbë. I mardhur, i uritur, i lodhur përvdrekje. Udha, nëpër “Kot d’azurr” s’kish të mbaruar.Ecte, qytet pas qyteti, fshat pas fshati Kishte fjetur përjashta, si shtroje kishte tokën dhe për mbulesë qiellin, strehëvëe dhe staneve,i uritur, kishte lypur një copë bukë që ia kishin dhënë për mëshirë. Kur mbrriti në Nicë, shiti në një dyqan rrobesh të përdorura mantelin dhe setrën për bukën e gojës.Mbeti I veshur vetëm me këmishë. Shojet e këpucëve ishin ronitur nga guret dhe këmbët i ishin gjakosur. Kishte udhëtuar ditë e natë i sëmurë, i dërrmuar trup e shpirt, i lodhur për vdekje. Por me besim te Zoti dhe mëshira e tij si shenjtorët e hershëm. Pas gjithë këtij kalvari me kryqin e mundimeve të tij mbi shpinë, kishte mbrritur në Livorno. Shkruante se kishte mbetur krejt i zbathur dhe po vdiste nga uria. “ Lutem më ndihmoni që të mbrrij në Kozencë.Skuqem nga turpi, por fatkeqësia ime s’ka kufi dhe veç Jush, s’kam kujt t’i drejtohem tjetër….”

Imzot Kamarda e përjetoj thellë gjithsa shkruhej dhe me imagjinatë,si në një ëndërr iu shfaq gjith ai udhëtim, mori me mënt atë mundim çnjerëzor që e kishte goditur mikun e tij dhe thellë në shpirt iu ngjall keqardhja dhe mëshira

Ikonomi i kishës së “Tërëshënjtës Anunciatë”, edhe ky një arbëresh nga Piana dei Albanezi, me porosi të imzot Kamardës, shkoi në adresën nga vinte letra. E gjeti të kruspullosur e të shfytyruar, zbathur, me flokë të gjata e i pa rruar, me kapele të madhe braziliane, të përhumbur, me sy të ethshëm nga të cilët buronte një dritë mistike. Kishte pamje vagabondi, nga ata që bredhin e lypin rrugëve.

-Vij i dërguar dhe me porosi nga imzot papa Kamarda. Ejani me mua. Do të blejmë tesha që të visheni ashtu siç duhet, do të shkojmë te beriberi, dhe pastaj në stacionin e trenit ku do tu pres një biletë për në Kozencë. Më ndiqni. Zefi i shkoi pas si një sonambul.

Kur shkuan në stacionin e trenit, Zefi, me veshjen tjetër, i rruar e i qethur ngjante me tjetër njeri .Po kthehej në vendlindje, në shtëpi. Por ajo drita e çuditshme që i buronte nga sytë nuk i shqitej. Ah, mërmëriti ai, rrobat edhe ndrrohen, por shpirti s’ndrrohet, shpirtit ç’ti bëj? Streha e tij ishte hyu dhe ai ju drejtua Atij: vështro o Zot, në fund të mjerimeve unë jam, a do të më lesh që në pikëllim unë të vdes?

Ikonomi bleu edhe bukë, djathë dhe proshutë, që ai të shuante urinë.Lirat që tepruan ia dha që të paguante rrugën nga Kozenca në Strigari. Zefi iu lut ikonomit t’i jepte falnderimet e tij pafund imzot Kamardës dhe t’i thoshte se ai ishte ëngjëlli i tij shpëtimtar që ia kishte dërguar Zoti. ikonomi, qëndroi me të deri sa treni u nis.

Ai tren, që po e përpinte mjegulla, dukej se mbante Brenda tij dhe përcillte për në humbëtirë, mjerimet, dhimbjet , vuajtjet pa fund të njerëzisë. Por edhe shpresat, besimet, ëndrrat, dhe dëshirat, për një të nesërme më të mirë, atë flakëz, që regëtin dhe s’shuhet kurrë nga zemrat njerëzore, që u jep force të ngrihen sa here rrëzohen dhe të ecin përpara, gjithmonë përpara..

Tiranë, 2015- 2020.

Shënim.Per të shkruar këtë novelë , u morën për bazë vjershat e Zef Serembes , libri i Prof.Nasho Jorgaqit”Udhëve të mergimit”dhe studime e shkrime te tjera për jetën dhe krijimtarinë e poetit.


[1]Që hiqen si aristokratë.

[2]Urdhëri perandorak Pedro I Parë.

[3]Lule dronore kacavjerrëse subtropikale e tropikale

[4]Axienda, këtu fermë bujqësore,ekonomi.

[5]Abolicionizmi, lëvizja për heqjen e skllavërisë

[6]Atëhere mjaft.Basti u fitua.


52 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page