top of page

KANGA E ARISTOTELIT


Nga At Pjeter MESHKALLA S.J.: (Pjesa LI.)


KANGA E ARISTOTELIT

Filozofia nuk ndahët nga jeta, as arësyeja nuk ndahet nga natyra.

Zhénia e filozofit thellohët e etëshme ndër misteret e jetës, me fuqinë e mendjës mishnon në vehte të Vërtetën dhe të Mirën, që natyra i mban në gji. Até të Vërtete dhe até të Mirë, që çdo njeri i ndien në shpirt, por që vetëm zhéniu di të na zgjojë e të na e bajë të vetëdishme. Por kur zhénia e filozofit, në vrullin e spekullimeve të mistereve të natyrës dhe të ligjëve të saj, prek tèk e paarritëshmja, atëherë ai ndien gjithë Madhninë e Universit dhe, vogëlinë e tij të pamasë, por nuk epet...

Ku mbaron filozofia, fillon poezia.

Zhéniu me fletët e intuicionit e të sentimentit zhytet në Dritën e “të mëdhajave psehe”. Në këte Dritë, ajo nuk sheh ma, ajo ushqehet me shkelqimin e së Vërtetës e të së Mirës dhe i këndon Gjithësisë dhe Hartuesit të saj.

Nga metafizika e thatë shpërthen Lirika si burim i gjallë.


VERSIONI I DYTË


Në mes të dy skâjeve ekstreme:

Materia e parë,

abstraksion absolut,

pa formë qénësore

pa akt, as çka, as çfarë, as sa,

dhe, Ent Suprem,

akt i pastër

i parë,

qendron Natyra:

Krejt nji botë në lëvizje,

me shkallë hjerarkike,

ku, kénja e ultë pushon

në gji të kénjes ma të naltë.


Natyra kërkon shkakun e kénjes së vet,

kërkon principin e jetës

që, i jep gjallëni Gjithësisë;

kërkon qellimin e sendëve,

shumën e proçeseve rilindëse,

kushtin inherent të rritjes,

dhe, të përsosmënisë së parreshtun.


Natyra kërkon Dritën

që, të çon té Shkaku i Parë:

I pashkaktuem

imaterial,

Universal

infinit,

etérn!..

që, të çon té Kénja e Parë;

që, asht ajo vetë Kénja dhe Kénsia,

ajo vétë Mendje e Mendim.


Mendim pa fillim,

pa mbarim,

pa ndryshim;

Mendim vetë-krijues, në Amëshim,

Mendim jashtë-veprues, në kohësim;

“Mendimi i mendimit”,

mendimi i tashit etérn!


Pa’ té asht veç hiçi;

nëpër té, Gjithësia,

pa té, asgja nuk qëndron!

E ndien Natyra théllë

tërheqjën drejt Hartuesit,

Bota përshkohët e etëshme, e dashunueme për Té!

Diçka Hyjnore

lëvizë anëmbanë

në Univers:


Lëvizë mbrendia kénsore e sendeve,

që, burimin

ték Ai e ka e, tek Ai priret.

Këtu, thehët copë-copë;

nën peshën e Orakullit të Natyrës,

nën peshën e të mëdhajave “Pséhe”

pena e Zhéniut;

gjuha e Zhénisë

belbëzon...

nuk shpreh dot çka shijon...

Vetëm, mbi-Natyra

me zanin e Revelacionit e të Mistikës

mund të na bijë,

nji “Fjalë të Ré”!..

BB, Shkodër, 1982.


Shenim FR: Versioni i Parë asht shkrue nga Autori në Burgun Burrel.

Melbourne, 9 Nandor 2021.


23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page