top of page

Kalaja e shembur që në themel

Updated: Jan 3, 2022


Dr Fatmir Terziu

Kalaja e shembur që në themel


Dr Fatmir Terziu


7 tetor 1945 Qeverisë shqiptare të asaj kohe i shkoi kërkesa e dytë zyrtare për të bashkërenduar veprimet ndihmëse me U.N.R.R.A.. Kërkesa vinte direkt nga E. R. Henson, që ishte Drejtor i Rehabilitimit të Bujqësisë të U.N.R.R.A. Në një kohë kur vendi dhe propaganda e asaj kohe kishin marrë në duar festimet e një-vjetorit të çlirimit të Atdheut, kur kishte vetëm 11 muaj nga mosdëgjimi i pushkëve dhe britmave të Luftës së Dytë Botërore, gjyqet për çifligarët, fabrikantët, kundërshtarët dhe mjaft të tjerë nuk ishin vetëm një synim i Qeverisë, por dhe një angazhim i “strukturave ndihmëse”. Kështu po në atë datë jo rastësisht u nxitua të themelohej “armata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë”, që menjëherë u quajt “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Refuzimi për E. R. Henson ishte thjesht pëshpëritje, që nuk u guxua të sqarohej, as të hidhej diku në letër nga ajo “armatë”. Askush nuk e citoi atë. Refuzimi ishte jo thjesht i tillë. Ishte veprimi i hapur i asaj që kishte nisur…

Si për ironi të fatit, ndërsa më 7 tetor 1945 në ish Jugosllavi firmosej zbarkimi i traktorëve të parë nga ajri, dhuratë e U.N.R.R.A. në mjediset ku u mblodh themelimi i “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” fjalët ishin me ton të lartë “për të ndërtuar socializmin me forcat e veta”. Pra kjo insiativë merrte dhe një karakter të theksuar simbolik: “t’i këndohej socializmit me një zë të ri të fuqishëm” (D. A. Nëntor 1975). Në gjithë atë zërim të kohës u tha se “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” “u krijua nga Partia e Punës së Shqipërisë për t’u bërë një qendër e madhe frymëzimi për gjithë krijuesit, për të patur një mendim unik për rolin e artit në Shqipëri, për të ecur në bazë të metodës së realizmit socialist e për të vënë në jetë praktikisht e teorikisht parimin e lartë të partishmërisë proletare, karakterin socialist dhe tendencën klasore të një letërsie dhe arti militant për çështjen e socializmit dhe komunizmit” (ibid).

Edhe pse pranohej se në atë vit kishte vetëm 70 shkrimtarë, ndër ta një pjesë e madhe ishin gazetarë, dhe ishin botuar vetëm 10 libra, shumica e të cilave ishin lënë si kuriozitete arkivale, pasi propaganda nuk i përtypte, synimi ishte gjetkë. Pra i qartë, të krijohej kjo armatë servile, që do të bënte rolin ndihmës të diktaturës që kishte hedhur hapat e saj të para. Dhe kjo u bë fakt. Shefqet Musaraj hyri menjëherë me turpin alegorik të shtirur “Epopeja e Ballit Kombëtar”, Fatmir Gjata hapte siparin e shndërrimit të kaheve të luftës me “Pika gjaku”, Andrea Varfi me fjalët e sfumuara të “Hymnit të ushtrisë popullore”, Kolë Jakova sillte këngën partizane me një risk fryrjesh pafund “Shqiponja partizane”, Dhimitër Shuteriqi dilte me vargjet “O Ptoleme”, Besim Levonja si në sinkron të kohërave sillte “Prefektin”, Llazar Siliqi zgjatej me vargjet “Prishtina”. E me radhë filluan të shtonin rrjeshtat ata që u quajtën “pionierë të realizmit socialist”, Aleks Çaçi, Zihni Sako, Luan Qafëzezi e të tjerë. Tek të gjithë si fillim ishte romantika e luftës, si një zanafillë për qëllimin e tejtejshëm. Entuziazmi për artin revolucionar përfshiu Odise Paskalin me duar, argjil dhe allçi, Kristo Konon me këngët e para në buzë, Nexhmedin Zajmin e Foto Stamon me penel e bojë, Nonda Bulkën me humorin e tij, po aq sa Sterjo Spassen, Ali Abdihoxhën e Jakov Xoxën që sollën skicat e planet e romaneve të tyre të ardhshëm. Të gjithë ishin armatë “në ndërtimin e kalasë së realizmit socialist”.

Dhe ndërsa kalaja e lartcituar nisi të ndërtohej nga murret e saj u hoqën gurrë që u quajtën “devijatorë të djathtë e të majtë, liberalë e konservatorë, oportunistë e sektarë, që nga Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, deri tek Fadil Paçrami e Todi Lubonja”. Të tjerët kalimi i viteve i dërgoi në karton dhe në internime e mbylljen e gojës. Por në atë kohë që synohej ngritja e kalasë së realizmit socialist, miqtë e shqiptarëve që donin ti ndihmonin në rrugën e tyre habiteshin se si shkruhej, kur mungonte vetë realiteti i jetës. Si shkruanin organet luftarake “Nëntori” dhe “Drita”? Si qaseshin “realitetet” në veprat e realizmit socialist”? Këto pyetje ishin sa enigma aq dhe shpërfillje në arkivat e vendeve që natyrisht kërkonin ti jepnin një dorë shqiptarëve të posa dalë nga lufta. Ndoshta habia më e madhe shkonte tek vetë E. R. Henson, që i refuzohej ardhja në Shqipëri.

E. R. Henson, duhet theksuar pra, që ishte Drejtor i Rehabilitimit të Bujqësisë të U.N.R.R.A. në muajt Gusht dhe Tetor 1945 ishte në një tur zyrtar në Europë. Ai vizitoi vende të ndryshme si Italia, Greqia, Jugosllavia, Gjermania, Austria, Çekosllovakia dhe Polonia. Në çdo vend ai bisedoi si me zyrtarët e qeverisë, ashtu dhe me përfaqësues të U.N.R.R.A. misionet, dhe me qytetarë të thjeshtë. Qëllimi i vizitës së tij ishte që të merreshin masat paraprake për tokat bujqësore, furnizimet e rehabilitimit, të nevojshme për pranverën e vitit 1946.

U.N.R.R.A. kishte këtë mision me qëllimin që të mbaheshin njerëzit të gjallë. Krahas vendeve të tjera Jugosllavia ia hapi derën drejtuesit të Rehabilitimit të Bujqësisë të U.N.R.R.A., ndërsa Shqipëria nuk pranoi që ai të shkelte në territorin e saj. Kështu Jugosllavia menjëherë mori ndihma të mëdha në fusha e misrit, thuajse aq sa kishte dhe Gjermania. Mungesa e transportit në Greqi kishte lënë U.N.R.R.A. në një plan tjetër.

Por në të njëjtën kohë që ende nuk ishin asgjësuar armët dhe topat, dhe helmetat ende kishin gjurmët e veta përgjatë rrugëve dhe fushave shqiptare, Qeveria e asaj kohe nuk pranoi as edhe pastrimin e tyre që toka të punohej pa frikë. Kështu mjaft toka ende ishin si në zonat e betejës dhe nuk u mbollën deri në vonë. Shpesh këto toka, mbetën llogore ku frika bëhej një muzeum natyror. U.N.R.R.A. dërgoi disa traktorë në Jugosllavi nga ajri në aeroplanë. Këta traktorë ishin operuar që të punonin 24 orë në ditë. Kështu kontrasti me Shqipërinë e gurtë politike nisi të bëhej i madh që në atë kohë. Kështu që Jugosllavia prodhoi drithëra pothuajse të mjaftueshme për ushqim. Vendi fqinj i saj, Shqipëria, të cilën e ndiqte pas telave me gjemba, ende shkonte përtej propagandës, ndërtimin e socializmit me forcat e veta, mes një retine të shukatur të realizmit socialist. Si e tillë ajo kala që u synua të mbahej gjallë me armatë dhe propagandë, pra me atë propagandë tipike, mbeti natyrshëm kalaja e shembur që në themel.


36 views2 comments

2 Comments


Hiqmet Mehmetaj Sa me saktesi eshte pershkruar ajo marrëzi !

Like

Timo Merkuri Nje veteizolim nga buroi mjerimi ekonomik dhe shpirteror I nje populli.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page