KAFSHOJE MOLLEN E MEKATIT
Kafshoje mollën e mëkatit, mos ki frikë
Zotat i vrau një çunak
Me goxhdët e kryqëzimit.
Eva nuk ngrihet më nga pluhuri
Adami po fle gjumin e përjetshëm të miteve
Nërsa unë jam këtu, pran teje
I gatshëm të ndeshem me 1000 zotër të rinj.
Kafshoje mollën e mëkatit, mos ki frikë.
Ah! Të isha pemë e frutit të ndaluar
Do mblidhja nën hijen time
Gjithë Evat mëkatare
Të endura nëpër mote.
Se unë e di dhe ti e di.
Se vetëm mëkati i Evës
Eshtë krijuesi i vërtetë i kësaj bote.
BESOJU UJRAVE E DASHUR
Ujrat burojnë nga nata
E rrjedhin
Me rrënjët e ditës mbi shpinë
Ajme! Kur gdhinë, ne shohim gjithmonë nga ardhja e tyre.
Besoju ujrave e dashur!
Nëse ti do të tretesh në natën time
Unë do bëhem burim i ditës tënde
Nëse do të tretem unë në natën tënde
Do të bëhesh ti, burim i ditës time.
Gjithë ujërat e fjetur, kudo ku ndodhen
Do të zgjohen pastaj, e do gurgullojnë
Me zërat tanë.
Besoju ujrave e dashur!
Të na mbyllet porta e udhëve të ndarjes
Të na thahen lotët e faqes.
Eja të vrapojmë pas tyre
Deri sa të qetësohen e të vendosin eluilibrat
Dhe aty të ndërtojmë
Shtëpinë tonë të paqes.
UDHA E PANJOHUR
Më ftoje të shkonim në faqen e një dimri
Ku hëna luante me ujqërit e bardhë
Të bënim muzikë me gjethet e pyllit
Të ktheheshim të dy në drurë oshënar.
Më thoshe se dimri rrethohej nga ujrat
Që ngjanin aq shumë me lumin Jordan
Por mua më trembte ajo udhë e panjohur
Dhe ty të shikoja, si të shkruar në Kuran.
Commentaires