top of page

KAFENEJA BALLKANIKE


Begzad BALIU

KAFENEJA BALLKANIKE

(Udhëzime për Teatrin Europian)


Begzad BALIU:

Vepra


• Kafeneja ballkanike, Prishtinë, 1996, 2000, Shkodër, 2001 • Grua e dashuruar, Prishtinë, 1996 • Ballë për ballë (Monografi për Agim Rashitin), Cyrih, 1996. • Flamuri vjen nga Kosova, Prishtinë, 1994, 1996. • Gjaku i lirisë (1981-1995), I, (Bashk.), Prishtinë, 1996 • Gjaku i lirisë (1981-1995), II, (Bashk.), Prishtinë, 1997 • Gjaku i lirisë, (1981-1995) II, (Bashak.), Prishtinë, 1998 • Gjaku i lirisë,(1981-1995) IV, (Bashk.), Prishtinë, 2000. • Gustav Majer dhe albanologjia, Prishtinë, 2000, Tiranë, 2001 • Jup Kastrati për Kosovën, Prishtinë, 2004 • Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, Prishtinë, 2004 • Mbi autorësinë e veprës Bibliografia e Skënderbeut, Prishtinë, 2005 • Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, (bashk.), Prishtinë, 2005 • Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, Prishtinë, 2005 • ÇABEJ 1, (Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë), Prishtinë, 2006 • Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Tiranë, 2006 • Bibliografia përmbajtësore e Seminarit NGJLKSH, Prishtinë, 2008 • Onomastika e Kosovës

– ndërmjet miteve dhe identiteteve, Prishtinë, 2009 • Vareni kryengritësin e shenjtëruar, Prishtinë, 2010, 2013 • Kërkime albanologjike, Prishtinë, 2010 • Referenca albanologjike, Prishtinë, 2010 • Struktura metodike Librit të leximit, Prishtinë, 2011 • ‘Dhembje e bukur’, Prishtine-Paris, 2012 • Onomastikë dhe identitet, Prishtine, 2012 • Onomastika dhe dokumenti, Prishtinë, 2013 • Hulumtime albanologjike, Prishtinë, 2013.



PARAHYRJE NË SKENË


Ballkanike


Rroftë ! Poshtë !


Poshtë !! Rroftë !!


Rroftë-Poshtë !!!


AKTI I PARË


Përgatitja e skenës


Udhëzime për një pamje të mundshme


Natyrë ballkanike. Teatër ballkanik. Skenë ose pamje ballkanike. Muzikë ballkanike,… rrjedhimisht edhe ndjenja ballkanike.

Edhe ndjenja!?

Domethënë edhe përjetim, edhe bindje ballkanike! Ah…!

Një mal i madh. Një guri i madh në mes dhe në fund shpella e frikshme që nuk dihet nëse është shpellë apo gojë e hapur ujku, gati për të përbirë publikun. Aty është edhe kulshedra, prej gojës së të cilës shpesh duhet të dalë tym e flakë.

Duhet të dëgjohet edhe lëvizja e dragojve kreshnikë, prej të cilëve në mos rrapëllima që lëviz tërë skenën, (po le ta lëvizë edhe publikun, pse jo), duhet të dëgjohet edhe një fragment kënge. Së paku kështu thotë kënga ose ose thonë legjendat.

Rreth e rrotull dhe brenda, në vende të zbrazta, janë vendosur gurë, që kanë një rend dhe një disiplinë qëndrimi. Si zakonisht nuk dihet nëse janë gurë apo njerëz (që qëndrojnë drejt- thotë legjenda), krushq të ngrirë, rrashta kafshësh,…

Drunjtë janë tepër të vjetër dhe në zgavrat e tyre pushojnë gjarpërinjtë. Diku më lart nxjerr kokën huti dhe zogjtë mishngrënës. Pastaj, shikoni, hapni sytë, mos shihni diçka më shumë, më mirë, më qartas, vërtetë më tmerrshëm! …Nëse keni zemër të shihni më shumë.

Është vështirë!

Është e pamundshme!

• Ah! Ura! Vërtetë një cep i urës në të majtë dhe një ushtimë lumi. Është Ura e Fshejtë?

• Është uji i bardhë i Drinit të Bardhë! I qumshtit të nënës sonë?!

• Jo! Jo! Është Ura e Xhehnemit! Është uji i zi!

• Po në Ballkan nuk ka legjenda në të cilat tregohet se si nën urë kalon uji i zi.

• Veç se ka burime, vërtetë kroje, puse, që u thonë Legjenda për ujët e zi.

• Nuk e besoj.

• Vetëm nëse ka ndërruar koha dhe hapësira.

• As kohës dhe hapësirës nuk i besohet gjithmonë.

• Në Ballkan as koha as hapësira nuk ndryshojnë leht dhe nuk ndryshojnë shpesh.

• Megjithëse edhe ndryshimet më të vogla përcillen me dridhje, tronditje ose rrënime të mëdha, duke përfshirë këtu edhe ngjyrën e ujit ose ndarjen e tij…

• Kështu, shekuj të tërë nuk ka lëvizur gjë prej gjëje,…

• E megjithatë gjithë kjo lemeri…

INTERMEXO

Ose, Një Komision i Festivalit e viziton Skenën e Teatrit Ballkanik


• Krra-krra… krra-krra…!

• Një krismë pushke: Tak!

• Një zë: Oh!

Alternativa: Krrokamë dhe rënie e një shpendkeqi, bashkë me ushtimën e drurit. Po le të bie edhe druri ore!

• Një zë tjetër: E vrau more hej…!

• Përsëri një krismë pushke: Tak!

• Po kjo krismë e tretë?!

• Dëshmi e saktë se e vrau.

• Pse krrokama e një shpendi mund të sjellë fatkeqësi njerëzore?

• Ç’lidhje ka një shpend me njerëzit?

• Këtu gjithçka është e lidhur me fatin e njerëzve: edhe shpendët, edhe guri, edhe burimi, dhe veçanërisht ngjyra e tij, edhe yjet, hëna, netët, ditët, javët, muajt, vitet, stinët…

• Edhe pordhat!?…

• Mos u tall, nuk ke të drejtë të tallesh. Këtu megjithatë ka një rregull, prej të cilës ndoshta do të mësonim edhe ne…

• Shpesh e kemi paguar shtrenjtë moskuptimin e tyre…

• Megjithatë një kollë e tyre ka shumë rëndësi…

• Mbase po, është një përgjigje, një reagim,… ashtu më duket…

Një zë, ndërmjet vajit dhe këngës, i përcjell me një instrument shumë të vjetër, i përafërt me lahutën.

• Është aq prekës, ë?

• Jo. Është një këngë për të vdekurin!

• Si, si?! Këngë për të vdekurin! Ndoshta pse është një këngë vajtuese apo një vaj këndues, nuk e di si do të duhej të ishte më drejt kjo sintagmë, më mirë është ta pyesim specialistin për etnologji,… por çka deshta të them,… ah po, kënga vajtuese apo vaji këndues!?. Po. Deshta të them se ndoshta duke pasur dy elemente të përnjëhershme dhe të gërshetuara mes veti këtu edhe kënga edhe vaji kanë kaq shumë elemente emocionale por nuk kanë kujë të trishtueshme si në Europë dhe,...

• Lëre studimin, të lutem, nuk mjaftojnë dy elemente për studimin e një fenomeni a dukurie, më thuaj është ky vaj, vërtetë kjo këngë për të vdekurin apo,…

• Po, po! Pikërisht për të vdekurin! Këtu kurrë nuk vajtohet! Këtu zakonisht këndohet për të vdekurin!

• Si ndodh kështu!?

• Në Teatrin Ballkanik është turp dhe fatkeqësi të vdesësh në shtrat.

• Pa një akt trimëror këtu nuk vdes njeri. Ndryshe do të mbeten pa këngë dhe kënga nuk këndohet pa krismë pushke…

• Po për gra, ka këngë?

• Ka këngë edhe për gra, por ka më shumë luftëra për gratë, të mbështjellura me mjegullën e trimërisë dhe të vdekjes…

• Prandaj, kur vriten, atyre u këndohet trimëria, në vend se të vajtohet humbja e tyre,… E megjithatë këngët janë kaq emocionale dhe dallohen prej himneve!

• Ashtu disi…

• O zot, o zot,…

NJË NGA DIALOGËT E PARË

Vetat: A * B * C * D A

Ç’është kjo? Ky Teatër duhet të pranohet në Teatrin Europian?!

B

Po, po. Pikërisht ky.

C

Di ti gjë për ballkanasit?

B

Unë di këngën e tyre: “Ballkanasit shkojnë në luftë!”

C

Ndërsa unë kam dëgjuar këngën e re: “Ballkanasit shkojnë në Europë”.

A

E pse shkojnë ballkanasit në Europë?

D

Sigurisht për të luftuar!

C

Jo, jo. Nuk shkojnë për të luftuar po për të treguar se e kanë sjellë kulturën, se e kanë ruajtur zotin, se ata janë vetë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë…

D

Dhe na kanë çliruar… hahahaha…

C

…Hahahah… Pikërisht për këtë, … kjo ishte e para… hahaha…

D

E Pse, Ne në Europë çka paskemi bërë? Kemi ruajtur qiellin? Hahaha …dhe kemi zbuluar Amerikën!

A

Ç’rëndësi ka Teatri Ballkanik për Teatrin Europian?

B

Që t’i shpëtojmë ata dhe vetveten nga përmbytja…

A * B * C * D

Obobo, po hyjmë në luftë për të shpëtuar nga lufta!

PROVA E PARË

Ose

Ballkanasit dalin në Teatrin Europian


Vetat

Të gjithë princat e Shteteve Ballkanike Publiku euro-ballkanik


Skena tradicionale e Teatrit Ballkanik

P.sh. Skena mund të jetë e zbrazët dhe në mes të saj një fron mbretëror, ose mund të mos jetë një fron, po një ulëse mbreti apo kolltuk i Kryetarit të Partisë dhe para tij një palë çizme të rënda, ose… Në fund të fundit mund të jetë një kombinim i zakonshëm që shpreh një atmosferë ballkanike.


Zëra në hyrje të skenës që s’është e thënë të kenë këtë radhë:

…Unë dua të dal i pari,…

…Jam më i vjetri, duhet të më nderoni…

…Jo, jo, jo! Jam unë,…

…Jam më i riu, duhet ta kuptoni mosdurimin tim,…

…Jo ti, po unë sepse…

…Jam më i pashmi dhe më ka hije skena…

…Kurrsesi! Unë jam…

…Teatri është imi, kur unë luaja në Teatër ju jetonit në vezë të qyqes…

…Unë,…

…Jam më trimi,…

…Asesi, unë…

…Jam më i forti, dhe…!

…Pikë!

…,

,…

Dialogët mund të përsëriten disa herë në kombinim edhe me tekste të ndryshme polemikash.

… Ku i dihet Teatrit Ballkanik? Çështja është që diçka të fillojë,… ose, ose…

Teatri Ballkanik jeton…! Domethënë drama vazhdon!

PAS AKTIT TË PARË



Shërbëtorja

Hyn me fshesë në dorë.

Shiko, shiko! Ç’janë gjithë këto sende të përmbysura. Po mua më thanë se drama nuk është luajtur fare. Madje mendoja që të shkoj apo të mos shkoj për ta pastruar skenën.

’Nuk ka shkelë kush në dërrasa, nuk ka pasur publik në sallë, domethënë nuk janë ngrënë fara’, më thonin!

Jo, jo për atë se nuk janë ngrënë fara, ose nuk ka pasur publik nuk më tha askush, por pasi më thanë se nuk ka pasur shfaqje, kjo nënkuptohej vetvetiu.

Shih, shih…!

I kap ca lecka, fletë, rroba të vjetra. Fillon të lexojë një letër.


Këngë! Uh, uh, uh,…! Obobo, po e gjatë që qenka! Jo. Unë nuk kam nerva për ta lexuar këtë…

E hedh në tokë.

E kjo?

E kap një lahutë të thyer.

Kjo, sigurisht është pjesë e ndonjë lahute me të cilën kanë dashur ta përcjellin këngën. Sigurisht kanë pasur vetëm një lahutë, prandaj e kanë thyer duke e tërhequr: Jo kjo është imja, jo me këtë që treqind vjet, jo more tremijë vjet, tridhjetë… po çka janë treqind vjet për Ballkanin, ku e kisha fjalën (ndalet), … e kemi përcjellë këngën brez pas brezi dhe… Dhe sigurisht këngën nuk e kanë përfunduar. Në Ballkan askush nuk e përfundon këngën dhe jetën! Të gjithë e kanë nga një epilog të çuditshëm. E si mos të jetë i tillë, kur fundi i këngëve dhe vdekjeve është gjithnjë i parakohshëm. E kjo?!…

E kap një rrobe të leckosur dhe të përgjakshme.

Obobo! Paska pasur edhe mosmarrëveshtje të përgjakshme mes tyre. Jo more, ndoshta ndonjëri prej tyre ka pasur për të marrë hakun dhe, sigurisht e ka marrë me vete shenjën e tij. Shih ti njëherë! Këmishën e hakmarrjes e kanë sjellë edhe në Teatër. Epo kështu është kur në skenë del Teatri Ballkanik. Uh, uh, uh,..

Ngre edhe ca lecka.

Si iu vjen erë gjaku,… Më duket se këtyre u thonë mite.

I shikon me kujdes, me përbuzje dhe me ironi.

Janë të trishtueshme. E me çka lavdërohen ballkanasit? Me mite! Me çka krenohen ballkanasit? Me hakmarrje! Këngë! Gjak! Vaj! Tradhëti! Kuaj Troje! O zot! Secili pretendon të quhet krijuesi i djepit të parë ballkanik. Madje edhe i djepit europian. Si nuk u mundën njëherë nga tragjedia e tyre,… Veç e veç dhe bashkarisht. Si nuk u mjaftuan grekët me krimin mbi Trojën, sllavët me përmbysjen mbi Jugun, turqit me kreshtat mbi Ballkanin…?!

Obobo…, ç’po flas dhe unë?! Si duket edhe mua do të më bjen sëmundja ballkanike,…


Dëgjohet zhurmë jashtë.

Ndoshta përsëri po vijn për shfaqje. E unë, ç’po bëj kështu?!

Shpejton ta pastroj aty-këtu dhe del nga skena.


(Fundi i aktit të parë)

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page