Ajo e kish përshëndetur për dhjetë vite me një “haj“ zëëmbël shoqëruar me lëvizjen tradicionale amerikane të dorës. Mirëpo, kur ai ngriti studion në verandë, kureshtja e fqinjës u shtua.
-Jam kurioze të di çfarë bën çak-çuk? - i tha ajo sa doli nga pishina dhe befas, me një kërcim akrobatik kapërceu gardhin që ndante dy oborret. U shfaq para tij në rroba banje dhe trupin e kishte ende të spërkatur me bulëza uji. Këqyri relievet e gdhendura në pllaka druri dhe pa kthyer kokën nga ai pyeti:
-Ku gjënden këto male?
-Në Bosnjë.
-Nuk kam idenë ku ndodhet ky vend, - tha ajo me çiltërsi. Ai skicoi nxitimthi mbi letër gadishullin e Ballkanit, pa harruar Italinë në formën e çizmes. Ajo e dinte Italinë, sepse kishte qënë atje turiste pesë vite të shkuara dhe qe ngjitur deri në majën e Vezuvit. Vuri buzën në gaz dhe shfaqi dëshirën që ai t’i gdhendte bustin; ishte gati të pozonte në çdo kohë.
-Për këtë do t’ju paguaj dhe...
-Nuk është nevoja për pagesë, - plotësoi ai frazën e saj dhe ajo qeshi hareshëm. Mirëpo e qeshura e fqinjës
kishte hyrë me ajrin në dhomën e prindërve të tij. E ëma u shfaq pas xhamit të derës që ndante sallonin me verandën, tundi bastunin me kërcënim dhe ai deshifroi lëvizjen e buzëve të saj, “t’i thyej kryqet për këtë proçkë që po bën”. Fqinja vuri re hutimin e tij dhe tha me humor e ironi:
-Prindërit janë pengore e madhe sociale.
-Po, - pranoi ai dhe në çast u pendua nga përgjigja.
-Eja shkojmë në ndonjë bar, - e ftoi ajo. – Monotonia e të dielave është vdekje.
Mospranimin e ftesës së saj e shprehu me lëvizjen e pëllëmbës para fytyrës së tij, por që nuk e shoqëroi me shprehjen amerikane “never mind.”1)
-Oh, ju jeni i martuar, - tha ajo me keqardhje.
-Jam i divorcuar, - e sqaroi ai.
-Oh, my God! - klithi ajo e entusiazmuar dhe befas e përqafoi. Atë çast ai nuk mundi ta kuptojë nëse përqafimi ishte ngushëllim për divorcin apo ëndrra e saj e fshehur për fillesën e aventurës së radhës. Sepse, që pa ia mbathur e shoqja, sa herë bënte dush, fqinjën e kishte përfytyruar lakuriq. Mirëpo tjetër gjë është përfytyrimi dhe tjetër gjë kur një siluetë e dëshiruar femre të ndjell me prekje për të rënë në mëkat. Ajo ishte esmere e simpatike, por kjo ishte hera e parë që krahët e saj iu qarkuan pas qafës, sepse për dhjetë vite sytë ia kishin thëthirë vithet e ngrehura dhe kofshët e plota e muskuloze. Ajo kish fytyrë vezake, flokë të zeza të drejta e të lidhura sipas modelit “bishtkali”. Për fytyra të tilla
ai kishte krijuar përshtypjen se ishin femra komplekse: sa të zgjuara aq e naive, por jo të shkrehura për seks. Sytë e stërzgjatur, tipike aziatike, si thelb bajame e në ngjyrën e pjekur të vishnjave; sy ëndërrimtarë dhe njëkohësisht tej kureshtarë.
-Nënën e kam koreane, babain amerikano-irlandez, - tha ajo dhe i bëri ballë vështrimit të tij hetues. – Prej kohësh e kam vënë re se ty të pëlqen të më kundrosh kur unë bëj banja dielli.
-Po, - pranoi ai dhe shtoi me guxim: - Ka dhjetë vjet që më ke mbirë në sy, por duhej të kapërceje ti gardhin që të më jepje lejën për të gdhendur bustin tënd.
Atëherë ajo qeshi sërish hareshëm, mori cigaren nga pjatëza e duhanit, që ai e kishte ndezur për vete dhe u ul në karrige këmbëhapur. Së bashku me tymin lëshoi pohimin amerikan se ish e lumtur që jetonte vetëm. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare kishte mbaruar kursin për masazhiere dhe kishte fituar pavarësinë nga prindërit. Atëherë ai mendoi se fqinja e tij nuk qe nga soji i aziatikeve që shesin trupin, pasi makinat që parkoheshin para shtëpisë të saj, ishin të klientëve që ajo u bënte masazh. Ndërkohë dëgjoi se çdo dollar që nxirrte, ishte për gojën dhe tekat e saj. Nënën e donte, por me të nuk piqej gjëkundi. I ati qe ndryshe, tipik amerikan dhe ai e pati kuptuar gjithmonë. E ëma, kur mori vesh se do të largohej nga shtëpia, qau dhe ende është e zemëruar, kurse i ati largimin e të bijës e quajti dita e Festës së Madhe.
-Piu uiski nga gëzimi dhe u ndërmend mbas një jave, - tha ajo për të atin dhe ia shkrepi të qeshurës gazmore. Gjoksi iu gufua, sytjenat u tezarën dhe lëshuan pikëla uji. Ai pa gjuhën e kuqërremtë si gjethe vishnje në vjeshte dhe dëshiroi, si kurrë ndonjëherë, për ta puthur në buzë. Prindërit e saj jetonin në Nju Xhersi dhe ajo shkonte për t’i parë njëherë në vit ose ca më rrallë.
-Im atë është paralizuar. Ime më i qëndron tek koka ditë e natë. Janë njohur në kohën e luftës, - sqaroi ajo dhe atëherë kërshëria e tij u bë më e madhe. Llogariti me mend vitet pas luftës së Koresë dhe zbuloi se ish moshatar me fqinjën, por, ndërsa ai nuk mund t'i fshihte të pesëdhjetat, ajo dukej si tridhjetepesëvjeçare.
-Koreanet janë racë që nuk plaken, - e lajkatoi ai.
-Ama vdesin, - shtoi ajo dhe sërish qeshi me zë. Ai donte t’i thoshte “ti edhe vdekjen nuk e ke frikë,“- ose ta lajkatonte “busti yt do dalë një mrekulli për shkak të harmonisë të tipareve me siluetën në profil.“
-Jam fëmijë e vetme, - dëgjoi të thotë. - Nuk jam martuar kurrë, kam patur dashnorë, nuk kam lindur fëmijë dhe nuk kam para në bankë.
-Jam djalë i vetëm, martuar njëherë, kam një fëmijë, jeton me të ëmën, kam dy pleq dhe bankës i jam dyqind mijë dollarë borxh, - rrëfeu ai dhe qeshi. Qeshi edhe ajo, e përqafoi sërish dhe kësaj here ai e mbërtheu me të dyja pëllëmbët për beli. E ngritur në majë të këmbëve ajo ishte e gjatë sa ai. Iu bë sikur e ëma po e përgjonte nga përtej derës dhe hezitoi ta puthte fqinjën në buzë. Nga që sytë e saj të kafejta i kishte aq pranë, iu
bë se edhe ato erëmonin bajame, njëlloj si buzët.
-Kur bie krizë financiare edhe të pasurit heqin dorë nga masazhi, - shtoi ajo me zë të trishtuar, kurse ai mendoi se bëri mirë që nuk e puthi, pasi puthja është magji e mistershme, ngjit dy zemra. Ama, kur vjen ndarja, të dyja zemrat mbeten të plagosura, siç ndodhi me të e me të shoqen. E mendoi këtë nga që në çast dyshoi se fqinja ishte masazhiere, por për të mbijetuar u ofronte klientëve edhe biznesin e seksit. Pikërisht ky dyshim i çukiti në tru si sqep qukapiku. Kumbimi i goditjes përcolli alarmin se ai, nuk duhej të binte për së dyti në grackën e dashurisë. Por ja, nga që pëllëmbët e tij ishin ende të kllapuara pas belit të saj, në tru i çukiti sërish sqepi i qukapikut. Goditja lëshoi kumbimin e dhimbshëm “sa idiot je!“ ndërsa dëgjoi fqinjën të thotë atë që po ndodhte edhe me të:
-Prej një viti nuk paguaj këstin mujor të shtëpisë. Jam në faliment, por nuk çaj kokën për këtë gjë. Pas çdo lufte e pas çdo krize, thotë im atë, Amerika bëhet më e fortë. Kështu ndodh edhe me dashurinë, - shtoi ajo e qeshi kurse ai çliroi pëllëmbët nga beli i saj dhe buzët mbeten pa u puthur. Ajo mbështeti pëllëmbët mbi rrjetën e gardhit, e gatshme si panterë aziatike në vrullin para kërcimit dhe ai përfytyroi përtëkushedisaherën kurmin e saj magjik ngjitur me trupin e tij. Pikërisht atë çast dëgjoi pyetjen keqardhëse me theks aziatik:
-Jot shoqe ia mbathi?
-U kthye në Bosnjë.
-Ka dashnor?
-Boshnjaket kanë frikë nga dashuria.
-Po ti?
-Unë kam drojtje, por jo frikë.
-Nuk dukesh nga ata tipa që kanë drojtje, - tha ajo dhe pasi u mbush me frymë, pyeti: -Si mund të jetojë skulptori pa fjetur me një femër?
-Të përfytyroj ty, pa rroba banje, kur zë shtratin e gjumit, - tha ai dhe e vështroi drejt në sy me guxim të paturpshëm mashkullor.
-Oh, edhe unë të përfytyroj shpesh kur bie për të fjetur, por ti nuk je i lirë si unë, - shtoi ajo me keqardhje duke hedhur vështrimin mbi kurorat e pemëve.
-Kam hallin e prindërve, - tha ai me zë të ulët dhe ndjeu trupin të zjarruar nga çiltërsia. Ndërkohë iu fanit e shoqja, duke shkulur e nervozuar shaminë nga koka. Nga goja e saj e çapëlyer vërshoi klithma femërore, “nuk erdha në Amerikë të pi pordhët e prindërve të tu për tërë jetën!”
- Po, e thamë pak më parë; prindërit janë pengore sociale. Pse nuk i çon në azil?
Ai u hutua nga kjo pyetje e beftë dhe donte t’i thoshte se prindërit e tij ishin krejt ndryshe nga pleqtë amerikanë. Nuk flisnin anglisht, nuk ngisnin makina dhe ai, si bir i tyre i vetëm, duhej të përkujdesej për ta gjer në vdekje.
-Jo çdo lloj zogu jeton në kafaz,- u përgjigj ai me humor e sinqeritet, por fqinja picëroi sytë dhe shtoi seriozisht:
-Zogjtë e thinjur, thotë im atë, kafazin e kanë nën tokë.
Ai nuk u vuri rëndësi fjalëve të saj, sepse atë çast ajo mbërtheu pëllëmbët mbi gardh, sytjenat iu liruan dhe thithat e gjinjve i ngjasuan me kokrrat e xinxifileve
në vendlindjen e tij. Në çastin që pati menduar metaforën e thithave, ajo u dha vitheve mbrapa, si mëzore pele dhe u hodh mbi gardh si panterë aziatike.
-Ti je artist i talentuar, por kalë karroce, - klithi ajo kur qe ende në ajër. - Megjithëse e mbaj veten për aziatike, kafen e gatuaj me parametra amerikane, - dëgjoi të thotë. Para se të zhytej në pishinë ajo u kthye nga ai dhe i shkeli syrin.
-Cammon man, - tha ajo me zë ndjellës për t’i nxitur sedrën mashkullore. Qukapiku e çukiti sërish në tru e ia përktheu lutjen e saj:
“Hajde, bëju burrë!“.
Në të njëjtën kohë ajo i bëri shenjë me kokë dhe dorë që ai të kapërcente gardhin.
Comments