![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e97321a88e7047eea6b180a2340fb179~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_e97321a88e7047eea6b180a2340fb179~mv2.png)
Erdha se më thirri Kosova....!
HERONJTË MERITOJNË PAVDEKËSI
Bajram Sali Gashi, Ramë Alia dhe Sali Rama në 80-vjetorin e rënies.
Përshëndetje të gjithë të pranishmit që jemi mbledhur këtu, në këtë festë të madhe, nga të gjithë trojet arbnore.
Jam Kadri Tarerlli, vij nga Durrësi, dhe flas edhe në emër të atyre durrsakëve që nuk mundën të jenë të pranishëm këtu në këtë veprimtari të shënuar atdhetarie.
Ju admiroj, që e shndërruat këtë ditë të 80-vjetorit të rënies, në një ditë të shenjtë, në kujtim dhe nderim për heronjtë: Bajram Salihi (Kështu e thërrisnin dikur drejtorin Bajram Sali Gashi, në Shënavlash të Durrësit), së bashku me trimat Ramë Alia dhe i biri Sali Rama, nga familja e madhe atdhetare “Muzliaj”, këtu në fshatin Uçë të Istogut.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_66e7e0bc6bcb4c189183d24ea622d42e~mv2.jpg/v1/fill/w_980,h_1302,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_66e7e0bc6bcb4c189183d24ea622d42e~mv2.jpg)
Ju admiroj edhe për një arsye tjetër: Ju e shndërruat këtë truall Dardanie në vend të shenjtë, sepse edhe heronjtë janë të shenjt. Besoj se jeni në një mendje me mua kur them: Ka shenjtorë, që besojnë dhe i shërbejnë Zotit deri në vetëmohim. Zotit që është lart në qiell. Por ka edhe shenjtorë që mbijnë nga dheu, rriten mbi dhe, dhe i shërbejnë kombit e mëmëdheut, duke dhënë jetën, për të mbetur simbol burrërie, atdhetarie e shqiptarie, siç janë edhe tre heronjtë tanë.
Besoj nuk jam gabim të shprehem: Heronjtë, Bajram Sali Gashi, Ramë Alia dhe i biri Sali Rama, kanë dy monumente:
Së pari: Kolegu drejtor, Bajram Halil Gashi, banor në Shënavlash të Durrësit, me origjinë nga Uça është autor i monografisë “Kosova Andrra e jetës sime”, kushtuar tre heronjve, botuar pak kohë më parë dhe përuruar këtu në Istog. Libër për të cilin ai punoi rreth 15 vjet, që unë e quaj një “Monument i ngritur në letra”, sepse emrat e tyre janë skalitur në “Arkën e kujtesës”, që është libri, i cili sot është në dorë të mijëra qytetarëve në mbarë trojet arbnore. Libër i vendosur në krye të oxhakut në odën e burrave, diku më tej i vendosur në bibliotekat e shkollave e të qyteteve. Besoj nuk është pak, por jo mjaftueshëm.
Them kështu, sepse duhet të ngrihej edhe një tjetër monument madhështor, si ky që kemi përballë. Monument me të cilin nderohen heronjtë, nderohet Istogu, por krenohemi të gjithë ne që jemi mbledhur sot këtu, krenohet burrëria, trimëria, atdhetaria dhe shqiptarizmi. Krenohet e ndriçohet mbarë Dardania e shqiptaria.
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_cd7d4afc461f436bac5841c21d8c48fe~mv2.jpg/v1/fill/w_980,h_959,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_cd7d4afc461f436bac5841c21d8c48fe~mv2.jpg)
Jam vizitor i kahershëm i këtij qyteti, i dashuruar me Istogun e bukurisë, burrërisë dhe trimërisë. Ndaj prej kohësh e kam pritur këtë ditë të shenjtë, të shoh të ngritur një monument që i ka hije çdo luftëtari e dëshmori, që bie për liri. Ndjej një krenari të ushqyer prej vitesh, si mijëra e mijëra shqiptarë në të dy anët e gardhit që na ngriti historia.
Kështu, gjej rast t’ju shpreh mirënjohje dhe falënderim, ideatorëve që realizuan një ëndërr të çdo shqiptari, sepse vepra dhe gjaku i heronjve na mëson se: Lirinë nuk ta dhuron kush, ajo fitohet me gjak dhe mbrohet me jetë.
Historia jonë e përgjakur në shekuj, në luftë për liri, na thotë, se jeta dhe vepra e heronjve është si prushi i fjetur nën hi, i cili kur zbulohet ndez zjarrin e atdhetarizmit te të rinjtë që nuk durojnë robëri. Këtu e ka burimin dhe gjen ushqim, edhe zjarri që u ndez 25 vjet më parë, kur shpërtheu lufta çlirimtare e UÇK-së, e cila së bashku me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, bëri të mundur çlirimin e Dardanisë, e më pas të shpallë mëvetësinë, të cilën e gëzojmë sot.
Unë i rrah shpesh udhët e Dardanisë, dhe më bëjnë përshtypje dy dukuri, që e vlejnë t’i përmend:
E para: Ju po vraponi shpejt, për të kapur kohën e humbur nga sundimi i gjatë. Ju përgëzoj....!
Dhe e dyta: Një kujdes i admirueshëm për ngritjen e monumenteve kushtuar heronjve të rënë për liri. Ju admiroj..!
Lavdi përjetë dëshmorëve dhe heronjve: Bajram Sali Gashi, Ramë Alia dhe Sali Rama!
Më lejoni të shtoj edhe dy vargje thurur në çast:
Ngre Istogu përmendore, për heronjtë në lavdi.
Dardani, diamant kurore, ngritur në pavdekësi.
Kadri Tarelli
Istog, më: 08. 02. 2025.
Comments